Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni të parët për t’i nderuar bashkëbesimtarët?

A jeni të parët për t’i nderuar bashkëbesimtarët?

A jeni të parët për t’i nderuar bashkëbesimtarët?

«Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»​—ROM. 12:10.

1, 2. (a) Cilën këshillë jep Pavli në letrën e tij drejtuar romakëve? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

NË LETRËN e tij drejtuar romakëve, apostulli Pavël thekson sa e rëndësishme është për ne të krishterët të tregojmë dashuri brenda kongregacionit. Ai na kujton se dashuria jonë duhet të jetë «pa hipokrizi». Gjithashtu, përmend ‘dashurinë vëllazërore’ dhe vëren se një dashuri e tillë duhet treguar me «përzemërsi të butë».—Rom. 12:9, 10a.

2 Natyrisht, të kemi dashuri vëllazërore përfshin më shumë sesa thjesht të kemi ndjenja të ngrohta për të tjerët. Këto ndjenja duhen treguar me vepra. Në fund të fundit, askush nuk do ta marrë vesh se kemi dashuri dhe përzemërsi, nëse nuk e tregojmë në ndonjë mënyrë. Ja pse Pavli shton këshillën: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Rom. 12:10b) Çfarë përfshin të tregosh nderim? Pse është e rëndësishme të jemi të parët për t’u treguar nderim bashkëbesimtarëve? Si mund ta bëjmë këtë?

Respekt dhe nderim

3. Ç’kuptim mbart fjala «nderim» në gjuhët origjinale biblike?

3 Termi kryesor hebraik për «nderim» fjalë për fjalë do të thotë «të qenët i rëndë». Një person që nderohet, konsiderohet me peshë ose i rëndësishëm. E njëjta fjalë hebraike, shpesh në Shkrime përkthehet edhe «lavdi», dhe kjo thekson më tej konsideratën e lartë që tregohet ndaj atij që nderohet. (Zan. 45:13) Fjala greke e përkthyer «nderim» në Bibël, përcjell idenë e vlerësimit dhe të çmueshmërisë. (Luka 14:10) Po, ata që nderojmë janë të çmuar dhe me vlerë për ne.

4, 5. Si lidhen mes tyre nderimi dhe respekti? Ilustrojeni.

4 Çfarë përfshin t’i nderosh të tjerët? Nderimi fillon me respektin. Në fakt, fjalët «nderim» dhe «respekt» shpesh përdoren bashkë, sepse janë të lidhura ngushtë. Nderimi është shfaqja e jashtme e respektit. Me fjalë të tjera, respekti i referohet kryesisht mënyrës si e shohim vëllanë tonë, kurse nderimi i referohet mënyrës si e trajtojmë atë.

5 Si mund të tregojë një i krishterë nderim të sinqertë për bashkëbesimtarët, nëse nuk ka për ta respekt nga zemra? (3 Gjon. 9, 10) Ashtu si një bimë mund të lulëzojë dhe të jetojë gjatë vetëm nëse i ka rrënjët në tokë të mirë, po kështu nderimi mund të jetë i sinqertë dhe të zgjatë vetëm nëse i ka rrënjët te respekti nga zemra. Pa një respekt të tillë të çiltër, nderimi i sinqertë nuk mund të zhvillohet dhe herët a vonë do të venitet. Ja pse Pavli e parapriu këshillën për të treguar nderim me pohimin e qartë: «Dashuria juaj të jetë pa hipokrizi.»—Rom. 12:9; lexo 1 Pjetrit 1:22.

Nderoni ata që u krijuan «në ngjashmëri të Perëndisë»

6, 7. Pse duhet të kemi respekt për të tjerët?

6 Meqë respekti nga zemra përbën një çelës për të treguar nderim, kurrë nuk duhet të harrojmë arsyet biblike pse t’i respektojmë të gjithë vëllezërit. Kështu, le të shqyrtojmë dy prej këtyre arsyeve.

7 Ndryshe nga krijesat e tjera në tokë, njerëzit u krijuan «në ngjashmëri të Perëndisë». (Jak. 3:9) Prandaj zotërojmë cilësi të tilla të perëndishme, si dashuria, mençuria dhe drejtësia. Vini re ç’gjë tjetër kemi marrë nga Krijuesi. Psalmisti thotë: «O Jehova, . . . lavdia jote [dinjiteti yt, BR me referime, angl.] tregohet mbi qiejt! . . . Ti e bëre [njeriun] pak më të ulët se ata që ngjajnë si perëndi, dhe e kurorëzove me lavdi e shkëlqim [«nderim», King James Version].» (Psal. 8:1, 4, 5; 104:1) * Njerëzit në përgjithësi janë kurorëzuar ose stolisur nga Perëndia me një masë dinjiteti, lavdie dhe nderimi. Kështu, kur e trajtojmë me dinjitet dikë, në të vërtetë po pranojmë se Burimi i dinjitetit njerëzor është Jehovai. Tani, nëse kemi arsye të vlefshme për të treguar respekt ndaj njerëzve në përgjithësi, sa më shumë duhet të kemi respekt për bashkëbesimtarët!—Gjoni 3:16; Gal. 6:10.

Pjesëtarë të një familjeje

8, 9. Cilën arsye për të pasur respekt për bashkëbesimtarët përmend Pavli?

8 Një arsye tjetër pse e respektojmë njëri-tjetrin përmendet nga Pavli. Pak para se të japë këshillën për të treguar nderim, ai thotë: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore.» Shprehja greke e përkthyer «përzemërsi të butë», i referohet lidhjes së fortë që bashkon një familje ku pjesëtarët e duan dhe e mbështetin njëri-tjetrin. Pra, duke përdorur këtë shprehje, Pavli thekson se marrëdhëniet në kongregacion duhet të jenë po aq të forta e të përzemërta, sa në një familje të lidhur ngushtë. (Rom. 12:5) Për më tepër, mbani parasysh se Pavli ua shkroi këto fjalë të krishterëve të mirosur, të cilët të gjithë ishin birësuar nga i njëjti Atë, Jehovai. Prandaj, në një mënyrë shumë domethënëse, ata ishin një familje e lidhur ngushtë. Kështu, të krishterët e mirosur në ditët e Pavlit kishin vërtet një arsye të fortë për të respektuar njëri-tjetrin. E njëjta gjë vlen edhe për të mirosurit sot.

9 Ç’të themi për ata që janë nga ‘delet e tjera’? (Gjoni 10:16) Megjithëse nuk janë birësuar ende nga Perëndia, në mënyrë të përshtatshme mund ta quajnë njëri-tjetrin vëlla e motër, sepse formojnë një familje të krishterë të bashkuar mbarëbotërore. (1 Pjet. 2:17; 5:9) Pra, nëse ata nga delet e tjera e kuptojnë plotësisht pse e quajnë njëri-tjetrin «vëlla» ose «motër», atëherë edhe ata kanë një arsye të fortë për të pasur respekt nga zemra për bashkëbesimtarët.—Lexo 1 Pjetrit 3:8.

Pse është kaq e rëndësishme?

10, 11. Pse është kaq e rëndësishme të kemi respekt dhe të tregojmë nderim?

10 Pse është kaq e rëndësishme të kemi respekt dhe të tregojmë nderim? Për këtë arsye: duke u treguar nderim vëllezërve dhe motrave, kontribuojmë shumë në mirëqenien dhe unitetin e mbarë kongregacionit.

11 Natyrisht, e kuptojmë se një marrëdhënie e ngushtë me Jehovain dhe mbështetja e frymës së tij, janë burimet më të fuqishme të forcës që kemi si të krishterë të vërtetë. (Psal. 36:7; Gjoni 14:26) Në të njëjtën kohë, kur bashkëbesimtarët tregojnë se na çmojnë, inkurajohemi. (Prov. 25:11) Na çohet zemra peshë nga një shprehje e sinqertë çmueshmërie dhe respekti. Kjo na jep forcë të mëtejshme që të vazhdojmë të ecim me gëzim dhe vendosmëri në udhën e jetës. Ka shumë mundësi që edhe ju i keni përjetuar këto ndjenja.

12. Si mund të kontribuojë secili nga ne për një atmosferë të ngrohtë e të dashur në kongregacion?

12 Meqë Jehovai e di se kemi lindur me nevojën që të na respektojnë, me të drejtë na nxit nëpërmjet Fjalës së tij që ‘të jemi të gatshëm për t’i treguar respekt njëri-tjetrit’. (Rom. 12:10 Today’s English Version; lexo Mateun 7:12.) Gjithë të krishterët që e marrin për zemër këtë këshillë që s’njeh kohë, kontribuojnë për një atmosferë të ngrohtë dhe të dashur brenda vëllazërisë së krishterë. Prandaj, është mirë të ndalemi e të pyesim veten: «Kur ishte hera e fundit që e shpreha me fjalë dhe vepra respektin nga zemra për një vëlla ose motër në kongregacion?»—Rom. 13:8.

Një caktim specifik për të gjithë

13. (a) Cilët duhet të jenë të parët për të treguar nderim? (b) Çfarë tregojnë fjalët e Pavlit që gjenden te Romakëve 1:7?

13 Cilët duhet të jenë të parët ose ata që duhet të marrin drejtimin për të treguar nderim? Në letrën e tij drejtuar hebrenjve, Pavli i përshkruan pleqtë e krishterë si ‘ata që marrin drejtimin mes nesh’. (Hebr. 13:17) Po, pleqtë marrin drejtimin në shumë gjëra. Gjithsesi, si barinj të kopesë, me siguri nevojitet të marrin drejtimin për t’i nderuar bashkëbesimtarët—përfshirë pleqtë e tjerë. Për shembull, kur pleqtë takohen për të shqyrtuar nevojat frymore të kongregacionit, e nderojnë njëri-tjetrin duke dëgjuar me kujdes atë që thotë cilido nga pleqtë e tjerë. Gjithashtu, tregojnë nderim duke marrë parasysh pikëpamjet dhe ndjenjat e të gjithë pleqve kur marrin një vendim. (Vep. 15:6-15) Megjithatë, duhet të kujtojmë se letra që Pavli u shkroi romakëve, nuk iu drejtua vetëm pleqve, por tërë kongregacionit. (Rom. 1:7) Kështu, në një kuptim më të gjerë, këshilla që të jemi të parët për të treguar nderim, zbatohet për të gjithë ne sot.

14. (a) Ilustroni ndryshimin midis frazave «të tregojmë nderim» dhe «të jemi të parët për të treguar nderim». (b) Cilën pyetje mund t’i bëjmë vetes?

14 Vini re edhe këtë aspekt të këshillës së Pavlit. Ai u bëri thirrje bashkëbesimtarëve në Romë që jo vetëm të tregonin nderim, por edhe të ishin të parët për ta bërë këtë. Pse është e rëndësishme kjo? Mendoni për këtë shembull. A do ta nxiste mësuesi një grup nxënësish të arsimuar që të mësonin të lexonin? Jo. Ata tashmë dinë të lexojnë. Në vend të kësaj, mësuesi do të donte t’i ndihmonte nxënësit të lexonin më mirë. Në mënyrë të ngjashme, ne tashmë po tregojmë nderim ndaj njëri-tjetrit, meqë kemi dashuri për njëri-tjetrin, e cila është shenja identifikuese e të krishterëve të vërtetë. (Gjoni 13:35) Megjithatë, ashtu si nxënësit e arsimuar mund të bëjnë përparim të mëtejshëm duke përmirësuar aftësitë e të lexuarit, po kështu ne mund të bëjmë përparim të mëtejshëm duke qenë të parët për të treguar nderim. (1 Sel. 4:9, 10) Ky caktim specifik i jepet secilit prej nesh. Mund të pyesim veten: «A po e bëj këtë, duke marrë iniciativën për t’i nderuar të tjerët në kongregacion?»

Nderoni ‘të përvuajturit’

15, 16. (a) Cilët nuk duhet të lëmë pas dore në kongregacion kur tregojmë nderim dhe pse? (b) Ç’gjë mund të tregojë se kemi respekt nga zemra për vëllezërit dhe motrat?

15 Cilët nuk duhet të lëmë pas dore në kongregacion kur tregojmë nderim? Fjala e Perëndisë thotë: «Kush i jep hir të përvuajturit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë.» (Prov. 19:17, BR me referime, angl.) Si duhet të ndikojë te ne parimi që gjendet në këto fjalë, teksa përpiqemi të jemi të parët për të treguar nderim?

16 Me siguri jeni dakord se shumica e njerëzve arrijnë t’u tregojnë nderim atyre që kanë një pozitë më të lartë se ta, por ndoshta trajtojnë me pak ose aspak respekt të tjerët që i shohin më të ulët se veten. Por, Jehovai nuk është i tillë. Ai thotë: «Unë do të nderoj ata që më nderojnë.» (1 Sam. 2:30; Psal. 113:5-7) Jehovai u tregon nderim të gjithë atyre që i shërbejnë dhe e nderojnë. Ai nuk lë pas dore ‘të përvuajturit’. (Lexo Isainë 57:15; 2 Kron. 16:9) Sigurisht, ne dëshirojmë ta imitojmë Jehovain. Prandaj, nëse duam të dimë sa nderim të sinqertë u tregojmë të tjerëve, është mirë të pyesim veten: «Si i trajtoj ata që nuk kanë përgjegjësi në kongregacion?» (Gjoni 13:14, 15) Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje tregon shumë se sa respekt nga zemra kemi për të tjerët.—Lexo Filipianëve 2:3, 4.

Tregojmë nderim duke u kushtuar kohë të tjerëve

17. Cila është një mënyrë e rëndësishme se si mund të jemi të parët për të treguar nderim dhe pse themi kështu?

17 Cila është një mënyrë e rëndësishme se si mund të jemi të parët për t’u treguar nderim të gjithëve në kongregacion? Duke u kushtuar kohë të tjerëve. Pse themi kështu? Si të krishterë jemi mjaft të zënë dhe aktivitetet e shumta e të rëndësishme të kongregacionit na marrin shumë kohë. S’është çudi pra, që e konsiderojmë kohën të çmuar. E kuptojmë edhe se nuk duhet të kërkojmë që vëllezërit dhe motrat të na kushtojnë kohë me tepri. Po kështu, e çmojmë kur të tjerët në kongregacion e kuptojnë se nuk duhet të kërkojnë tepër kohë nga ne.

18. Siç tregohet nga figura në faqen 18, si mund ta tregojmë gatishmërinë tonë për t’u kushtuar ca kohë vëllezërve?

18 Sidoqoftë, e kuptojmë (në veçanti ata prej nesh që shërbejnë si barinj në kongregacion) se gatishmëria për të ndërprerë aktivitetet tona që t’u kushtojmë ca kohë bashkëbesimtarëve, tregon se kemi respekt për ta. Në ç’mënyrë? Kur i ndërpresim aktivitetet tona për t’u kushtuar ca kohë vëllezërve, është sikur po u themi: «Je kaq i çmuar për mua, saqë është më e rëndësishme të kaloj ca kohë me ty, sesa të vazhdoj të bëj atë që po bëja.» (Mar. 6:30-34) Por është e vërtetë edhe e kundërta. Nëse ngurrojmë të ndërpresim aktivitetet tona që t’i kushtojmë ca kohë vëllait, mund ta bëjmë të ndihet sikur nuk ka shumë vlerë në sytë tanë. Patjetër, kuptohet që ka raste kur një çështje urgjente nuk mund të ndërpritet. Prapëseprapë, gatishmëria—ose ngurrimi—për t’u kushtuar ca kohë të tjerëve tregon shumë se sa respekt të thellë kemi në zemër për vëllezërit dhe motrat.​—1 Kor. 10:24.

A jeni të vendosur të veproni kështu?

19. Përveçse t’u kushtojmë kohë, në ç’mënyrë tjetër mund t’u tregojmë nderim bashkëbesimtarëve?

19 Ka edhe mënyra të tjera të rëndësishme se si mund t’u tregojmë nderim bashkëbesimtarëve. Për shembull, kur u kushtojmë kohë, duhet t’u kushtojmë edhe vëmendje. Përsëri, Jehovai na lë shembullin. Psalmisti David thotë: «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë.» (Psal. 34:15) Përpiqemi ta imitojmë Jehovain duke i kthyer sytë dhe veshët, pra tërë vëmendjen tonë, nga vëllezërit, sidomos nga ata që na kërkojnë ndihmë. Duke vepruar kështu, u tregojmë nderim.

20. Cilët përkujtues për të treguar nderim duhet të mbajmë në mendje?

20 Siç kemi shqyrtuar, duam ta mbajmë të qartë në mendje pse duhet të kemi respekt nga zemra për bashkëbesimtarët. Përveç kësaj, të kërkojmë mundësi që të jemi të parët për t’ua shprehur nderimin të gjithëve, përfshirë të përvuajturve. Duke ndërmarrë këta hapa, do të forcojmë lidhjen e dashurisë vëllazërore dhe unitetin në kongregacion. Prandaj, le të vazhdojmë të gjithë që, jo vetëm të tregojmë nderim, por sidomos të jemi të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit. A jeni të vendosur të veproni kështu?

[Shënimi]

^ par. 7 Shprehjet e Davidit në Psalmin e 8-të janë edhe profetike dhe i referohen njeriut të përsosur, Jezu Krishtit.—Hebr. 2:6-9.

A ju kujtohet?

• Si lidhen mes tyre nderimi dhe respekti?

• Çfarë arsyesh kemi për të nderuar bashkëbesimtarët?

• Pse është e rëndësishme të tregojmë nderim për njëri-tjetrin?

• Në cilat mënyra mund t’u tregojmë nderim bashkëbesimtarëve?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Si mund t’u tregojmë nderim bashkëbesimtarëve?