Të ruajmë «pastërtinë e zemrës» në këto kohë kritike
Të ruajmë «pastërtinë e zemrës» në këto kohë kritike
«ASKUSH nuk mund ta mohojë se mungesa e dëlirësisë është një problem në Kishën e sotme.» Gazetari katolik Vitorio Mesori e bëri këtë vërejtje në lidhje me skandalet seksuale që kanë përfshirë kohët e fundit kishën katolike në Itali. Ai shtoi: «E kjo nuk mund të zgjidhet duke shfuqizuar detyrimin e beqarisë për klerikët, pasi 80 për qind e rasteve kanë të bëjnë me homoseksualë—raste devijimesh seksuale të priftërinjve që abuzojnë me burra dhe djem të vegjël.»—La Stampa.
Ligësia që ka marrë dhenë është pa dyshim një shenjë se po jetojmë në «ditët e fundit» të sistemit të sotëm. (2 Tim. 3:1-5) Siç tregojnë lajmet, rënia morale që ka ardhur si pasojë ka një ndikim negativ jo vetëm te njerëzit në përgjithësi, por edhe tek ata që e quajnë veten njerëz të Perëndisë. Zemrat e tyre të korruptuara dhe të papastra i nxitin të kryejnë akte të degjeneruara. (Efes. 2:2) Jo më kot Jezui paralajmëroi se «nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi». (Mat. 15:19) Megjithatë, Perëndia Jehova dëshiron që shërbëtorët e tij të duan «pastërtinë e zemrës». (Prov. 22:11) Atëherë, si mund ta ruajë të pastër zemrën një i krishterë në këto kohë kritike?
Ç’do të thotë të jesh «me zemër të kulluar»?
Në Bibël fjala «zemër» shpesh përdoret në një kuptim simbolik. Sipas një vepre referimi, termi biblik për zemrën tregon «pjesën më të brendshme të njeriut» dhe është «e vetmja pjesë e njeriut ku e drejton vëmendjen Perëndia, tek e cila e ka rrënjën jeta e tij fetare dhe që përcakton sjelljen e tij morale». Zemra përfaqëson atë që jemi vërtet përbrenda. Siç e thekson vepra e cituar më sipër, pikërisht këtë heton dhe vlerëson Jehovai te shërbëtorët e tij.—1 Pjet. 3:4.
Në Bibël fjalët «i kulluar» dhe «i pastër» mund të tregojnë diçka që është e pastër në kuptimin fizik. Por këto terma, përdoren edhe për diçka që është e pandotur ose e pakorruptuar në kuptimin moral dhe fetar. Në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Lum ata me zemër të kulluar.» Ai e kishte fjalën për ata që në të vërtetë janë të pastër përbrenda. (Mat. 5:8) Ndjenjat, dëshirat dhe motivet e tyre janë të kulluara. Të motivuar nga dashuria dhe mirënjohja, e duan Jehovain me gjithë zemër, me sinqeritet dhe pa hipokrizi. (Luka 10:27) Patjetër që edhe ti dëshiron të jesh i kulluar në këtë kuptim.
Ta mbash ‘zemrën të kulluar’ —Një sfidë
Një shërbëtor i Jehovait jo vetëm duhet t’i ketë «duart pa faj», por edhe të ketë «zemrën të pastër». (Psal. 24:3, 4) Por, sot është gjithnjë e më vështirë për shërbëtorët e Perëndisë ta mbajnë «zemrën të pastër». Satanai dhe bota nën sundimin e tij, si edhe mishi ynë i papërsosur ushtrojnë presion të fortë për të na larguar nga Jehovai. Për t’u rezistuar këtyre presioneve është tejet e rëndësishme të duam «pastërtinë e zemrës» dhe ta ruajmë me çdo kusht atë. Kjo do të na mbrojë dhe do të na ndihmojë që të vazhdojmë të jemi miq të Perëndisë. Si mund ta mbajmë zemrën të kulluar?
Te Hebrenjve 3:12 gjejmë këtë paralajmërim: «Hapni sytë, vëllezër, se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri nga ju një zemër e ligë, që i mungon besimi.» Nuk mund të qëndrojmë «me zemër të kulluar», nëse zhvillojmë një zemër «që i mungon besimi». Çfarë idesh ka përhapur Satana Djalli për të minuar besimin te Perëndia? Në to përfshihen teoria e evolucionit, relativizmi moral e fetar dhe dyshimet e ngritura se Shkrimet e Shenjta nuk janë të frymëzuara nga Perëndia. Nuk duhet të lejojmë të ndikohemi nga këto ide vdekjeprurëse. (Kolos. 2:8) Leximi i përditshëm i Biblës dhe meditimi i thellë janë mbrojtja kryesore kundër këtyre sulmeve. Njohuria e saktë për Fjalën e Perëndisë do të na rritë dashurinë tonë për Jehovain dhe kuptueshmërinë për mënyrën si e trajton popullin e tij. Kjo dashuri dhe kuptueshmëri janë të domosdoshme nëse duam të hedhim poshtë arsyetimet e rreme dhe ta ruajmë të fortë besimin te Jehovai, në mënyrë që të mbajmë një zemër të kulluar.—1 Tim. 1:3-5.
Kur përballemi me dëshirat e mishit
Një lloj tjetër sulmi që mund të hasim ndërsa përpiqemi të ruajmë «pastërtinë e zemrës», përfshin dëshirat mishore dhe materialiste. (1 Gjon. 2:15, 16) Dashuria për para ose dëshira për të vënë pasuri e për të pasur gjëra materiale mund ta ndotë zemrën e si pasojë një i krishterë mund të bëjë gjëra që janë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Ndonjë i krishterë është treguar i pandershëm në punë, ka mashtruar të tjerët ose madje ka vjedhur para a sende.—1 Tim. 6:9, 10.
Nga ana tjetër, duke kultivuar një frikë të shëndetshme se mos i shkaktojmë pakënaqësi Jehovait, duke dashur drejtësinë dhe duke qenë të vendosur për të mbajtur një ndërgjegje të mirë, tregojmë se e duam «pastërtinë e zemrës». Kjo dashuri na nxit që të vazhdojmë «të sillemi me ndershmëri në çdo gjë». (Hebr. 13:18) Sjellja jonë e ndershme mund të shërbejë si një dëshmi e shkëlqyer. Emiljo, një Dëshmitar italian që punon si shofer për një kompani të transportit publik, gjeti një portofol me 470 euro brenda. Për habinë e kolegëve, ai ia dorëzoi portofolin shefit të tij, i cili më vonë ia dha personit që i kishte humbur. Disa prej kolegëve të Emiljos u bëri kaq shumë përshtypje sjellja e tij, saqë filluan të tregonin interes për Biblën dhe nisën një studim biblik. Si rrjedhim, shtatë pjesëtarë nga dy familje kanë pranuar të vërtetën. Po, kur sillemi me ndershmëri të motivuar nga një zemër e kulluar, kjo mund t’i nxitë vërtet të tjerët të lëvdojnë Perëndinë.—Titit 2:10.
Diçka tjetër që mund të ndikojë për keq në pastërtinë e zemrës së një të krishteri është një pikëpamje e shtrembëruar dhe imorale për seksin. Një të krishteri mund t’i ndotet zemra ngaqë marrëdhëniet paramartesore, jashtëmartesore dhe homoseksuale konsiderohen nga shumë veta si normale. Në mënyrë hipokrite, dikush që jepet pas imoralitetit mund të bëjë një jetë të dyfishtë duke e fshehur mëkatin. Kjo sigurisht nuk pasqyron ‘pastërti zemre’.
Gabriele u pagëzua kur ishte 15 vjeç dhe menjëherë filloi shërbimin si pionier. Por më vonë, nisi të kalonte kohë me shoqëri të pashëndetshme nëpër klube nate. (Psal. 26:4) Ky ishte fillimi i një jete imorale e hipokrite dhe ai u desh të përjashtohej nga kongregacioni i krishterë. Kjo disiplinë nga Jehovai e bëri të mendonte seriozisht. Gabriele kujton: «Nisa të bëja të gjitha gjërat që nuk i kisha marrë kurrë seriozisht më parë. Lexoja Biblën çdo ditë, duke u përpjekur të kuptoja se çfarë po thoshte në të vërtetë Jehovai dhe studioja me kujdes botimet teokratike. Pashë se sa shpërblyes e i këndshëm mund të jetë studimi personal dhe sa shumë forcë mund të vijë nga leximi i Biblës dhe lutjet e zjarrta.» Kjo e ndihmoi Gabrielen të linte sjelljen imorale dhe të rivendoste marrëdhënien e tij me Jehovain.
Tani Gabriele shërben përsëri si pionier bashkë me gruan. Ajo që i ndodhi atij vërteton se në ç’mënyrë studimi i Biblës dhe i botimeve të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ mund të na ndihmojë të kemi një zemër të kulluar dhe të hedhim poshtë imoralitetin.—Mat. 24:45; Psal. 143:10.
‘Pastërti zemre’ kur jemi nën sprova
Presionet nga kundërshtarët, vështirësitë ekonomike dhe sëmundjet e rënda i kanë shkurajuar disa shërbëtorë të Perëndisë. Ndonjëherë, edhe zemra e tyre është ndikuar për keq. Edhe mbreti David përjetoi një situatë të tillë. Ai tha: «Përbrenda fryma më është mpakur e zemra më është mpirë.» (Psal. 143:4) Çfarë e ndihmoi të kapërcente këto momente? Davidi kujtonte si kishte vepruar Perëndia me shërbëtorët e Tij dhe si e kishte çliruar edhe atë vetë. Ai meditonte rreth gjërave që kishte bërë Jehovai për hir të emrit të Tij të madh. Davidi mbante në mend veprat e Perëndisë. (Psal. 143:5) Në mënyrë të ngjashme, meditimi rreth Krijuesit dhe rreth gjithçkaje që ka bërë e vazhdon të bëjë për ne, do të na ndihmojë madje edhe kur jemi nën sprova.
Kur na kanë bërë një padrejtësi ose mendojmë se na kanë trajtuar kështu, mund të hidhërohemi. Nëse vazhdimisht mendojmë për çfarë ka ndodhur, si pasojë mund të kemi mendime të këqija për vëllezërit. Mund të mbyllemi në vetvete, të veçohemi dhe të tregojmë pak interes për të tjerët. Por, a do të ishte një reagim i tillë në përputhje me dëshirën tonë për të pasur ‘pastërti zemre’? Është e qartë se synimi për të pasur një gjendje të tillë të zemrës, lidhet me marrëdhëniet që kemi me vëllezërit e krishterë dhe me mënyrën si reagojmë ndaj tyre.
Në një botë që është gjithnjë e më e korruptuar dhe e degraduar nga ana morale, ne si të krishterë të vërtetë dallohemi sepse e duam «pastërtinë e zemrës». Jeta jonë ndikohet për mirë teksa përjetojmë paqen e brendshme që vjen kur bëjmë vullnetin e Perëndisë. Mbi të gjitha, gëzojmë një miqësi të ngushtë me Krijuesin, Perëndinë Jehova, i cili i do ata që kanë «zemër të pastër». (Psal. 73:1) Po, mund të bëjmë pjesë ndër ata që do të jenë të lumtur sepse, siç premtoi Jezui, «do të shohin Perëndinë» ndërsa vepron në dobi të atyre që e duan «pastërtinë e zemrës».—Mat. 5:8.