Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një kope e vetme me një bari të vetëm

Një kope e vetme me një bari të vetëm

Një kope e vetme me një bari të vetëm

«Ju që më keni ndjekur, do të uleni edhe vetë në dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.»​—MAT. 19:28.

1. (a) Ç’marrëdhënie kishte Jehovai me pasardhësit e Abrahamit? (b) Pse kjo nuk do të thoshte se ai i shpërfilli fare tërë popujt e tjerë?

JEHOVAI e deshi Abrahamin, prandaj tregoi dashuri besnike ndaj pasardhësve të tij. Për më tepër se 15 shekuj, kombin e Izraelit që rridhte nga Abrahami, Jehovai e konsideroi si popullin e tij të zgjedhur, si ‘pronën e tij të veçantë’. (Lexo Ligjin e përtërirë 7:6.) A do të thoshte kjo se Jehovai i shpërfilli fare popujt e tjerë? Jo. Gjatë asaj kohe, joizraelitët që dëshironin të adhuronin Jehovain u lejuan të bashkoheshin me kombin e Tij të veçantë. Këta persona ose prozelitë, konsideroheshin pjesë e kombit. Izraelitët duhej t’i trajtonin si vëllezër. (Lev. 19:33, 34) Nga ana tjetër, prej këtyre joizraelitëve kërkohej që t’u bindeshin të gjitha ligjeve të Jehovait.​—Lev. 24:22.

2. Ç’deklaratë befasuese bëri Jezui dhe ç’pyetje lindin si pasojë?

2 Megjithatë, Jezui u bëri këtë deklaratë befasuese judenjve të ditëve të tij: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mat. 21:43) Nga cilët do të përbëhej ky komb i ri dhe si ndikon te ne ky ndryshim?

Kombi i ri

3, 4. (a) Si e identifikoi apostulli Pjetër kombin e ri? (b) Nga cilët përbëhet ky komb i ri?

3 Apostulli Pjetër e identifikoi qartë këtë komb të ri. Ai u shkroi të bashkëkrishterëve: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjet. 2:9) Siç u paratha, judenjtë natyrorë që pranuan Jezuin si Mesia, ishin pjesëtarët e parë të atij kombi të ri. (Dan. 9:27a; Mat. 10:6) Më vonë, edhe shumë joizraelitë u përfshinë në këtë komb, sepse Pjetri vazhdoi të thoshte: «Dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë.»​—1 Pjet. 2:10.

4 Cilëve po u fliste Pjetri këtu? Në fillim të letrës së tij ai thotë: «[Perëndia] na dha një lindje të re për një shpresë të gjallë nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit, për një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet. Ajo është rezervuar në qiej për ju.» (1 Pjet. 1:3, 4) Pra, ky komb i ri përbëhet nga të krishterët e mirosur të cilët kanë shpresën qiellore. Ata janë ‘Izraeli i Perëndisë’. (Gal. 6:16) Në një vegim, apostulli Gjon pa se numri i këtyre izraelitëve frymorë ishte 144.000 veta. Ata ‘blihen nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin’, që të shërbejnë si «priftërinj» dhe ‘të mbretërojnë me Jezuin për një mijë vjet’.​—Zbul. 5:10; 7:4; 14:1, 4; 20:6; Jak. 1:18.

A përfaqëson edhe të tjerë kombi i Izraelit?

5. (a) Cilëve u referohet shprehja ‘Izraeli i Perëndisë’? (b) Pse termi «Izrael» ka edhe kuptime të tjera?

5 Është e qartë se fraza ‘Izraeli i Perëndisë’ te Galatasve 6:16, u referohet vetëm të krishterëve të mirosur. Megjithatë, a ka raste kur Jehovai përdor kombin e Izraelit si një ilustrim që u referohet të krishterëve të tjerë? Përgjigjja mund të gjendet te këto fjalë të Jezuit drejtuar apostujve besnikë: «Unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time dhe të uleni në frone që të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» (Luka 22:28-30) Kjo do të ndodhë gjatë ‘përtëritjes së krijimit’, pra gjatë Sundimit Mijëvjeçar të Krishtit.​—Lexo Mateun 19:28.

6, 7. Cilëve u referohet shprehja «dymbëdhjetë fiset e Izraelit» në kontekstin e Mateut 19:28 dhe të Lukës 22:30?

6 Të 144.000 të mirosurit do të shërbejnë si mbretër, priftërinj dhe gjykatës qiellorë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar. (Zbul. 20:4) Kë do të gjykojnë ata dhe mbi cilët do të sundojnë? Te Mateu 19:28 dhe te Luka 22:30, thuhet se ata do të gjykojnë «dymbëdhjetë fiset e Izraelit». Cilët përfaqësojnë në këtë kontekst «dymbëdhjetë fiset e Izraelit»? Përfaqësojnë tërë ata me shpresë tokësore, domethënë ata që kanë besim te flijimi i Jezuit, por që nuk përfshihen në klasën priftërore dhe mbretërore. (Fisi i Levit nuk përfshihej te renditja e 12 fiseve të Izraelit natyror.) Ata që përfaqësohen në këtë kontekst nga 12 fiset e Izraelit, janë personat që do të nxjerrin dobi frymore nga shërbimet priftërore të 144.000-ve. Edhe këta persona që do të nxjerrin dobi e nuk bëjnë pjesë në klasën priftërore janë populli i Perëndisë, dhe ai i do e i pranon. Është e përshtatshme që ata krahasohen me këtë popull të kohëve të lashta.

7 Po ashtu, është me vend që, pasi apostulli Gjon pa 144.000 izraelitët frymorë që vuloseshin përfundimisht para shtrëngimit të madh, ai vuri re edhe «një shumicë të madhe» të panumërt që del «nga të gjitha kombet». (Zbul. 7:9) Këta të fundit do të mbijetojnë nga shtrëngimi i madh dhe do të hyjnë në Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit. Atje me ta do të bashkohen miliarda të ringjallur. (Gjoni 5:28, 29; Zbul. 20:13) Të gjithë këta do të përbëjnë «dymbëdhjetë fiset» simbolike të Izraelit që do të gjykohen nga Jezui dhe 144.000 bashkësundimtarët e tij.​—Vep. 17:31; 24:15; Zbul. 20:12.

8. Në ç’mënyrë ajo që bëhej në Ditën e Shlyerjes, paraqit marrëdhënien midis 144.000-ve dhe pjesës tjetër të njerëzimit?

8 Kjo marrëdhënie midis 144.000-ve dhe pjesës tjetër të njerëzimit paraqitej nga ajo që bëhej në Ditën e Shlyerjes e cila mbahej çdo vit. (Lev. 16:6-10) Së pari, nga kryeprifti kërkohej që të flijonte një dem si blatim për mëkatin «për vete dhe për shtëpinë e tij». Kështu, flijimi i Jezuit zbatohet në radhë të parë për ata të shtëpisë së tij që do të jenë nënpriftërinj, pra, për ata që do të shërbejnë me të në qiell. Gjithashtu, në Ditën e Shlyerjes të kohëve të hershme siguroheshin dy cjep për mëkatet e izraelitëve të tjerë. Në këtë kontekst, ku fisi priftëror përfaqëson 144.000 të mirosurit, pjesa tjetër e Izraelit përfaqëson të gjithë ata me shpresë tokësore. Ky zbatim tregon se shprehja «dymbëdhjetë fiset e Izraelit» te Mateu 19:28 nuk u referohet nënpriftërinjve të Jezuit të lindur nga fryma, por të gjithë të tjerëve që kanë besim te flijimi i Jezuit. *

9. Kë përfaqësojnë priftërinjtë në vegimin e Ezekielit për tempullin dhe cilët përfaqësojnë izraelitët e fiseve jopriftërore?

9 Të shqyrtojmë një shembull tjetër. Profetit Ezekiel iu dha një vegim i gjerë i tempullit të Jehovait. (Ezek., kapitujt 40-48) Në atë vegim, priftërinjtë shërbenin në tempull duke i mësuar të tjerët dhe duke marrë nga Jehovai këshilla e ndreqje për popullin. (Ezek. 44:23-31) Po në të njëjtin vegim, pjesëtarët e fiseve të ndryshme vinin për të adhuruar dhe për të paraqitur flijime. (Ezek. 45:16, 17) Prandaj, në këtë kontekst priftërinjtë përfaqësojnë të mirosurit, kurse izraelitët e fiseve jopriftërore përfaqësojnë ata me shpresë tokësore. Ky vegim thekson se të dyja grupet punojnë së bashku në harmoni, teksa klasa priftërore merr drejtimin në adhurimin e pastër.

10, 11. (a) Çfarë përmbushjeje besimforcuese të fjalëve të Jezuit kemi parë? (b) Cila pyetje lind në lidhje me delet e tjera?

10 Jezui foli për ‘delet e tjera’ që nuk do të ishin nga e njëjta ‘vathë’ me ‘kopenë e vogël’ të dishepujve të mirosur. (Gjoni 10:16; Luka 12:32) Ai tha: «Edhe ato do t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» Sa na është forcuar besimi që kemi parë përmbushjen e këtyre fjalëve! Të dyja grupet janë bashkuar me njëri-tjetrin​—grupi i vogël i të mirosurve dhe shumica e madhe me dele të tjera. (Lexo Zakarinë 8:23.) Megjithëse delet e tjera në kuptimin simbolik nuk shërbejnë në oborrin e brendshëm të tempullit frymor, ato shërbejnë në oborrin e jashtëm të këtij tempulli.

11 Por, nëse Jehovai ndonjëherë përdor pjesëtarët jopriftërorë të Izraelit të lashtë për të përfaqësuar delet e tjera, a duhet të marrin simbolet e Përkujtimit edhe ata me shpresë tokësore? Tani do të shqyrtojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Besëlidhja e re

12. Ç’masë të re paratha Jehovai?

12 Jehovai paratha një masë të re për popullin e tij kur deklaroi: «Kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve. . . . Do ta vë ligjin tim brenda tyre dhe do t’ua shkruaj në zemër. Unë do të jem Perëndia i tyre, e ata do të jenë populli im.» (Jer. 31:31-33) Nëpërmjet kësaj besëlidhjeje, premtimi që i bëri Jehovai Abrahamit do të kishte një përmbushje të lavdishme dhe të përhershme.​—Lexo Zanafillën 22:18.

13, 14. (a) Cilët janë pjesëmarrës në besëlidhjen e re? (b) Cilët nxjerrin dobi dhe si e ‘rrokin’ këtë besëlidhje të re?

13 Jezui iu referua kësaj besëlidhjeje të re natën para se të vdiste, kur tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që do të derdhet për ju.» (Luka 22:20; 1 Kor. 11:25) A përfshihen të gjithë të krishterët në këtë besëlidhje të re? Jo. Disa të krishterë, ashtu si apostujt që pinë nga ajo kupë atë mbrëmje, janë pjesëmarrës besëlidhjen e re. * Jezui bëri një besëlidhje tjetër me ta, që të sundojnë bashkë me të në Mbretërinë e tij. (Luka 22:28-30) Ata do të marrin pjesë me Jezuin në këtë Mbretëri.​—Luka 22:15, 16.

14 Ç’të themi për njerëzit që do të jetojnë në tokë nën Mbretërinë e tij? Ata nxjerrin dobi nga besëlidhja e re. (Gal. 3:8, 9) Edhe pse nuk janë pjesëmarrës, e ‘rrokin’ këtë besëlidhje duke iu nënshtruar kërkesave të saj, pikërisht siç ishte parathënë nga profeti Isaia: «Të huajt që janë bashkuar me Jehovain për t’i shërbyer, për ta dashur emrin e Jehovait dhe për t’u bërë shërbëtorë të tij, të gjithë ata që mbajnë sabatin pa e përdhosur dhe që kanë rrokur besëlidhjen time, unë do t’i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t’u fal gëzim brenda shtëpisë sime të lutjes.» Më pas, Jehovai thotë: «Sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.»​—Isa. 56:6, 7.

Kush duhet të marrë simbolet?

15, 16. (a) Me çfarë e lidh apostulli Pavël besëlidhjen e re? (b) Pse ata me shpresë tokësore nuk duhet t’i marrin simbolet e Përkujtimit?

15 Ata që bëjnë pjesë në besëlidhjen e re ‘kanë siguri të plotë për udhën e hyrjes në vendin e shenjtë’. (Lexo Hebrenjve 10:15-20.) Pikërisht këta ‘do të marrin një mbretëri që nuk mund të tronditet’. (Hebr. 12:28) Prandaj, vetëm ata që do të jenë mbretër dhe priftërinj në qiell me Jezu Krishtin duhet të pinë nga ‘kupa’ që përfaqëson besëlidhjen e re. Pikërisht këta pjesëmarrës në besëlidhjen e re janë fejuar me Qengjin. (2 Kor. 11:2; Zbul. 21:2, 9) Të gjithë të tjerët që e ndjekin me respekt çdo vit Përkujtimin janë vëzhgues, por nuk i marrin simbolet.

16 Edhe Pavli na ndihmon të kuptojmë se ata me shpresë tokësore nuk i marrin simbolet e Përkujtimit. Ai u tha të krishterëve të mirosur: «Sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.» (1 Kor. 11:26) Kur ‘mbërrin’ Zotëria? Atëherë kur vjen të marrë në shtëpinë e tyre qiellore të fundin nga pjesëtarët e klasës së mirosur të nuses. (Gjoni 14:2, 3) Është e qartë pra, se Përkujtimi i Darkës së Zotërisë nuk do të vazhdojë pafundësisht. ‘Mbetja’ e farës së gruas që ndodhet ende në tokë do të vazhdojë të jetë pjesëmarrëse në këtë darkë, derisa të gjithë të kenë marrë shpërblimin qiellor. (Zbul. 12:17) Por, nëse atyre që do të jetojnë përgjithmonë në tokë do t’u takonte të merrnin simbolet, atëherë kjo darkë Përkujtimi duhej të vazhdonte përgjithmonë.

Ata «do të bëhen populli im»

17, 18. Si është përmbushur profecia e dokumentuar te Ezekieli 37:26, 27?

17 Jehovai paratha unitetin e popullit të tij me këto fjalë: «Unë do të bëj me ta një besëlidhje paqeje, dhe ajo do të jetë një besëlidhje e përjetshme. Unë do t’i vë atje, do t’i shumoj dhe do ta vendos shenjtëroren time mes tyre, që të mbetet brez pas brezi. Tabernakulli im do të jetë mbi ta. Unë do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im.»​—Ezek. 37:26, 27.

18 Të gjithë pjesëtarët e popullit të Perëndisë kanë privilegjin të nxjerrin dobi nga përmbushja e këtij premtimi të mrekullueshëm, pra nga kjo besëlidhje paqeje. Po, Jehovai u ka garantuar paqe të gjithë shërbëtorëve të tij të bindur. Fryti i frymës së tij shihet qartë mes tyre. Shenjtërorja e tij, e cila këtu përfaqëson adhurimin e pastër të krishterë, ndodhet mes tyre. Ata janë bërë vërtet populli i tij, sepse kanë braktisur çdo formë idhujtarie dhe për ta Jehovai është i vetmi Perëndi që adhurojnë.

19, 20. Cilët përfshihen mes atyre që Jehovai i quan «populli im» dhe çfarë bëhet e mundur falë besëlidhjes së re?

19 Sa emocionuese ka qenë të jemi dëshmitarë të këtij bashkimi midis dy grupeve në kohën tonë! Ndonëse pjesëtarët e shumicës së madhe gjithnjë e në rritje nuk kanë shpresën qiellore, janë krenarë që shoqërohen me ata që e kanë këtë shpresë. Ata janë bashkuar me Izraelin e Perëndisë. Në këtë mënyrë janë përfshirë mes atyre që Jehovai i quan «populli im». Tek ata shohim plotësimin e kësaj profecie: «Atë ditë me mua do të bashkohen shumë kombe,​—thotë Jehovai,—​që do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj mes teje.»​—Zak. 2:11; 8:21; lexo Isainë 65:22; Zbulesën 21:3, 4.

20 Nëpërmjet besëlidhjes së re, Jehovai ka bërë të mundur të gjithë këtë. Miliona të huaj frymorë janë bërë pjesë e kombit të miratuar të Jehovait. (Mik. 4:1-5) Ata janë të vendosur të vazhdojnë ta rrokin atë besëlidhje duke pranuar dhe duke iu bindur kërkesave të saj. (Isa. 56:6, 7) Duke bërë kështu, bashkë me Izraelin e Perëndisë, ata gëzojnë bekimet e pasura që vijnë falë paqes së vazhdueshme. Urojmë që edhe ti të kesh të njëjtat bekime tani dhe përgjithmonë!

[Shënimet]

^ par. 8 Në mënyrë të ngjashme, për të mirosurit flitet kryesisht si ‘kongregacioni’. (Hebr. 12:23) Por, fjala «kongregacion» mund të ketë një kuptim tjetër dhe t’u referohet të gjithë të krishterëve, pavarësisht nga shpresa që kanë.​—Shih Kullën e Rojës, 15 prill 2007, faqet 21-23.

^ par. 13 Jezui është Ndërmjetësi i kësaj besëlidhjeje e jo një pjesëmarrës. Duke qenë Ndërmjetësi, me sa duket ai nuk i mori simbolet.

A ju kujtohet?

• Kush janë «dymbëdhjetë fiset e Izraelit» që do të gjykohen nga 144.000 të mirosurit?

• Ç’rol kanë të mirosurit në besëlidhjen e re dhe si nxjerrin dobi delet e tjera prej saj?

• A duhet t’i marrin të gjithë të krishterët simbolet e Përkujtimit?

• Cili unitet ishte parathënë për kohën tonë?

[Pyetjet]

[Grafiku dhe figurat në faqen 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Shumë tani po shërbejnë bashkë me Izraelin e Perëndisë

1950 | 373,430

1970 | 1,483,430

1990 | 4,017,213

2009 | 7,313,173