Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i përkasësh Jehovait​—Një dashamirësi e pamerituar

T’i përkasësh Jehovait​—Një dashamirësi e pamerituar

T’i përkasësh Jehovait​—Një dashamirësi e pamerituar

«I përkasim Jehovait.»—ROM. 14:8.

1, 2. (a) Ç’privilegj kemi? (b) Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë?

Ç’PRIVILEGJ i çmuar iu ofrua kombit të Izraelit kur Jehovai u tha atyre: «Nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë.» (Dal. 19:5) Sot, edhe pjesëtarët e kongregacionit të krishterë kanë nderin t’i përkasin Jehovait. (1 Pjet. 2:9; Zbul. 7:9, 14, 15) Ky është një privilegj që mund të na sjellë dobi përgjithmonë.

2 Por, përveçse një privilegj, t’i përkasësh Jehovait është edhe një përgjegjësi. Disa mund të pyesin: «A do të jem në gjendje të bëj atë që Jehovai pret nga unë? Nëse mëkatoj, a do të më hedhë poshtë ai? Mos vallë nuk do të jem i lirë po t’i përkas Jehovait?» Shqetësime të tilla ia vlen të merren në shqyrtim. Megjithatë, në radhë të parë meriton të shqyrtohet me kujdes një pyetje tjetër: ç’dobi kemi po t’i përkasim Jehovait?

Nëse i përkasim Jehovait, do të jemi të lumtur

3. Si nxori dobi Rahaba ngaqë vendosi t’i shërbente Jehovait?

3 A kanë ndonjë dobi ata që i përkasin Jehovait? Shqyrto rastin e Rahabës, një prostitutë që jetonte në Jerikonë e lashtë. Pa dyshim, ajo ishte rritur në adhurimin e degjeneruar të perëndive të Kanaanit dhe e praktikonte atë. Mirëpo, kur dëgjoi për fitoret që Jehovai i kishte dhënë Izraelit, kuptoi se Ai është Perëndia i vërtetë. Prandaj rrezikoi jetën për të mbrojtur popullin e zgjedhur të Perëndisë dhe kështu e la të ardhmen e saj në duart e tyre. Bibla thotë: «Po njësoj, a nuk u shpall e drejtë nga veprat edhe Rahaba, prostituta, pasi i mirëpriti lajmëtarët dhe i nisi nga një udhë tjetër?» (Jak. 2:25) Përfytyro dobitë që pati ajo kur u bë pjesë e popullit të pastër të Perëndisë, një popull i mësuar nga Ligji i Tij në udhët e dashurisë dhe të drejtësisë. Sa e lumtur duhet të ketë qenë Rahaba që la pas mënyrën e mëparshme të jetesës! Ajo u martua me një izraelit dhe djali i saj, Boazi, u bë një shërbëtor i jashtëzakonshëm i Perëndisë.—Jos. 6:25; Rutha 2:4-12; Mat. 1:5, 6.

4. Si nxori dobi Rutha ngaqë vendosi t’i shërbente Jehovait?

4 Edhe Rutha nga Moabi vendosi t’i shërbente Jehovait. Kur ishte vajzë, ka mundësi që adhuronte Kemoshin dhe perëndi të tjera të Moabit, por ajo njohu Perëndinë e vërtetë, Jehovain, dhe u martua me një izraelit që kishte ardhur të strehohej në vendin e saj. (Lexo Ruthën 1:1-6.) Më vonë, kur Rutha dhe kunata e saj, Orpa, u nisën me vjehrrën e tyre, Naomin, për në Betlehem, Naomi i nxiti të dyja nuset që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Për to nuk do të ishte e lehtë të banonin në Izrael. Në fakt, Orpa «u kthye te populli dhe te perënditë e saj», kurse Rutha jo. Ajo veproi në bazë të besimit të saj, dhe e dinte se kujt donte t’i përkiste. Rutha i tha Naomit: «Mos m’u lut që të të braktis, të largohem dhe të mos të shoqëroj, sepse ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë e ku ta kalosh natën ti, do ta kaloj natën edhe unë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.» (Rutha 1:15, 16) Ngaqë zgjodhi t’i shërbente Jehovait, Rutha nxori dobi nga Ligji i tij, ku përcaktoheshin masa të veçanta për vejushat, për të varfrit dhe për ata që nuk kishin tokë. Nën krahët e Jehovait ajo gjeti lumturi, mbrojtje dhe siguri.

5. Çfarë ke vërejtur në lidhje me ata që i shërbejnë Jehovait besnikërisht?

5 Ndoshta njeh disa që, pasi i janë kushtuar Jehovait, i kanë shërbyer atij me besnikëri për dekada të tëra. Pyeti se si kanë nxjerrë dobi ngaqë i kanë shërbyer. Edhe pse nuk ka njeri pa probleme, dëshmitë e bollshme mbështetin fjalët e psalmistit: «Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!»—Psal. 144:15.

Ajo që pret Jehovai është e arsyeshme

6. Pse nuk duhet të kemi frikë se s’do të arrijmë të bëjmë atë çka Jehovai pret nga ne?

6 Ndoshta ke pyetur veten nëse do të arrish të bësh atë çka Jehovai pret nga ti. Është e lehtë të shqetësohesh kur mendon se çfarë do të thotë të jesh shërbëtor i Perëndisë, të jetosh sipas ligjit të tij dhe të flasësh në emër të tij. Për shembull, Moisiu ndihej i paaftë kur u dërgua për t’u folur izraelitëve dhe mbretit të Egjiptit. Por, Perëndia nuk ishte i paarsyeshëm në lidhje me atë që priste nga Moisiu. Jehovai ‘e mësoi se ç’të bënte’. (Lexo Daljen 3:11; 4:1, 10, 13-15.) Pasi Moisiu pranoi ndihmën që iu dha, provoi gëzim ngaqë bëri vullnetin e Perëndisë. Jehovai është po aq i arsyeshëm në lidhje me atë që pret nga ne. Ai e kupton natyrën tonë mëkatare dhe dëshiron të na ndihmojë. (Psal. 103:14) T’i shërbesh Perëndisë si dishepull i Jezuit nuk është një barrë, përkundrazi, ndihesh i freskuar sepse një jetë e tillë u sjell dobi të tjerëve dhe ia gëzon zemrën Jehovait. Jezui tha: «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër.»—Mat. 11:28, 29.

7. Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të ndihmojë të bësh atë që pret nga ti?

7 Jehovai do të na sigurojë gjithnjë inkurajimin që na nevojitet, për aq kohë sa të mbështetemi tek ai për forcë. Për shembull, Jeremia me sa duket nuk ishte nga natyra një njeri që fliste me guxim. Kështu, kur Jehovai e caktoi si profet të tijin, Jeremia tha: «Oh, Zotëri Sovran Jehova! Unë nuk di të flas, sepse s’jam veçse një djalosh.» Madje më vonë tha: «Nuk do të flas më në emër të tij.» (Jer. 1:6; 20:9) Por, me inkurajimin që mori nga Jehovai, Jeremia mundi të predikonte për 40 vjet një mesazh që nuk pritej mirë. Jehovai e siguroi vazhdimisht me fjalët: «Unë jam me ty për të të çliruar.»—Jer. 1:8, 19; 15:20.

8. Si e tregojmë se kemi besim te Jehovai?

8 Ashtu si forcoi Moisiun dhe Jereminë, Jehovai mund të na ndihmojë të bëjmë atë çka pret nga të krishterët sot. Gjëja kryesore është që të mbështetemi tek Ai. Bibla thotë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Prov. 3:5, 6) E tregojmë se besojmë te Jehovai kur pranojmë ndihmën që na siguron nëpërmjet Fjalës së tij dhe kongregacionit. Nëse e lejojmë Jehovain të drejtojë hapat tanë në jetë, asgjë nuk do të na pengojë të jemi besnikë ndaj tij.

Jehovai kujdeset për çdo individ të popullit të tij

9, 10. Ç’lloj mbrojtjeje premtohet te Psalmi 91?

9 Kur menduan t’i kushtoheshin Jehovait, disa mbase ishin të shqetësuar për këtë vendim pasi ndoshta më vonë mund të mëkatonin, të bëheshin të padenjë dhe Jehovai t’i hidhte poshtë. Jemi të lumtur që Jehovai na siguron çdo mbrojtje që na nevojitet për të ruajtur marrëdhënien tonë të çmuar me të. Le të shohim se si shprehet kjo te Psalmi 91.

10 Ky psalm fillon kështu: «Ai që banon në vendin e fshehtë të Më të Lartit, do të gjejë strehë nën hijen e të Plotfuqishmit. Unë i them Jehovait: ‘Ti je streha dhe kalaja ime, Perëndia im, tek i cili do të kem besim.’ Sepse ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarit të zogjve.» (Psal. 91:1-3) Vër re se Perëndia premton që do t’i mbrojë ata që e duan dhe kanë besim tek ai. (Lexo Psalmin 91:9, 14.) Për ç’lloj mbrojtjeje e kishte fjalën psalmisti? Jehovai i mbrojti fizikisht disa nga shërbëtorët e tij të lashtë—në disa raste për të ruajtur linjën gjenealogjike që do të çonte te Mesia i premtuar. Megjithatë, shumë besnikë të tjerë i burgosën, i torturuan dhe i vranë gjatë orvatjeve djallëzore për t’ua thyer besnikërinë ndaj Perëndisë. (Hebr. 11:34-39) Ata gjetën guximin e duhur për të qëndruar sepse Jehovai i mbrojti frymësisht që të mos thyenin integritetin. Prandaj, Psalmi 91 mund të kuptohet si një premtim për mbrojtje frymore.

11. (a) Çfarë është ‘vendi i fshehtë i Më të Lartit’? (b) Cilët mbron Perëndia në këtë vend?

11 Kështu, ‘vendi i fshehtë i Më të Lartit’ që përmendi psalmisti është një vend i figurshëm mbrojtjeje frymore. Në të, ata që banojnë me Perëndinë si mysafirë të tij janë të mbrojtur nga çdo gjë e nga kushdo që kërcënon besimin dhe dashurinë e tyre për Perëndinë. (Psal. 15:1, 2; 121:5) Ai është një vend i fshehtë sepse jobesimtarët nuk mund ta dallojnë. Në atë vend, Jehovai mbron njerëzit që thonë: ‘Ti je Perëndia im tek i cili do të kem besim.’ Nëse qëndrojmë në këtë vend strehimi, nuk kemi pse të shqetësohemi më kot se mos humbim miratimin e Perëndisë duke rënë në lakun e Satanait, «gjahtarit të zogjve».

12. Cilat rreziqe kërcënojnë marrëdhënien tonë me Perëndinë?

12 Cilat rreziqe kërcënojnë marrëdhënien tonë të çmuar me Perëndinë? Psalmisti përmend disa rreziqe, midis të cilave «murtaja që endet në terr . . . [dhe] shkatërrimi që grabit në mes të ditës». (Psal. 91:5, 6) ‘Gjahtari i zogjve’ i ka zënë në lak shumë veta me anë të dëshirës egoiste për pavarësi. (2 Kor. 11:3) Të tjerë, ai i zë në lak duke nxitur lakminë, krenarinë dhe materializmin. Të tjerë akoma i mashtron me filozofi të tilla, si patriotizmi, evolucioni dhe feja e rreme. (Kolos. 2:8) Ndërsa shumë janë joshur në lakun e marrëdhënieve seksuale të paligjshme. Nga këto plagë që të dëmtojnë frymësisht, miliona njerëz kanë humbur dashurinë për Perëndinë.—Lexo Psalmin 91:7-10; Mat. 24:12.

Si ta mbrosh dashurinë për Perëndinë?

13. Si na mbron Jehovai nga rreziqet që kërcënojnë mirëqenien tonë frymore?

13 Si e mbron Jehovai popullin e tij nga këto rreziqe frymore? Psalmi thotë: «Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty, që të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.» (Psal. 91:11) Engjëjt në qiell na drejtojnë e na mbrojnë që të mund të predikojmë lajmin e mirë. (Zbul. 14:6) Përveç engjëjve, pleqtë e krishterë, duke iu përmbajtur fort Shkrimeve në mësimdhënien e tyre, na mbrojnë që të mos mashtrohemi nga arsyetimet e rreme. Ata mund të ndihmojnë individualisht këdo që po lufton për të mposhtur qëndrimet e botës. (Titit 1:9; 1 Pjet. 5:2) Gjithashtu, «skllavi i besueshëm dhe i matur» siguron ushqim frymor për të na mbrojtur nga mësimi i evolucionit, joshja nga dëshirat imorale, dhënia pas pasurisë e famës dhe nga shumë dëshira e ndikime të tjera të dëmshme. (Mat. 24:45) Çfarë të ka ndihmuar t’u rezistosh disa prej këtyre rreziqeve?

14. Si mund të përfitojmë nga mbrojtja që siguron Perëndia?

14 Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar «në vendin e fshehtë» të Perëndisë ku jemi të mbrojtur? Ashtu si duhet të mbrohemi vazhdimisht nga rreziqet fizike, si aksidentet, kriminelët ose infeksionet, po kështu duhet të veprojmë vazhdimisht për t’u mbrojtur nga rreziqet frymore. Pra, duhet të përfitojmë rregullisht nga drejtimi që na siguron Jehovai në botimet tona e në mbledhjet e kongregacionit dhe asambletë. Duhet të kërkojmë edhe këshilla nga pleqtë. Gjithashtu, a nuk nxjerrim dobi nga cilësitë e ndryshme që shfaqin vëllezërit e motrat tona të krishtere? Po, shoqërimi me kongregacionin na ndihmon të bëhemi të mençur.—Prov. 13:20; lexo 1 Pjetrit 4:10.

15. Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai mund të të mbrojë nga gjithçka që do të të bënte të humbje miratimin e tij?

15 Nuk kemi arsye të dyshojmë nëse mund të na mbrojë Jehovai nga gjithçka që do të na bënte të humbnim miratimin e tij. (Rom. 8:38, 39) Ai e ka mbrojtur kongregacionin nga armiqtë e fuqishëm fetarë dhe politikë, synimi i të cilëve zakonisht nuk ka qenë të na vrasin, por të na ndajnë nga Perëndia i shenjtë. Premtimi i Jehovait për popullin e tij ka dalë i vërtetë: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»—Isa. 54:17.

Kush na jep liri?

16. Pse bota nuk mund të na ofrojë liri?

16 Mos vallë nuk do të jemi të lirë po t’i përkasim Jehovait? Përkundrazi, nëse i përkasim botës nuk do të jemi të lirë. Bota është e ndarë nga Jehovai dhe sundohet nga një perëndi mizor që i skllavëron njerëzit. (Gjoni 14:30) Për shembull, sistemi i Satanait përdor presionet ekonomike për t’ua grabitur lirinë njerëzve. (Krahaso Zbulesën 13:16, 17.) Edhe mëkati ka fuqi mashtruese për t’i skllavëruar njerëzit. (Gjoni 8:34; Hebr. 3:13) Prandaj, edhe nëse jobesimtarët mund të premtojnë liri ndërkohë që nxitin një jetë në kundërshtim me mësimet e Jehovait, kushdo që i dëgjon, shpejt do të gjendet i skllavëruar në një mënyrë jetese mëkatare dhe poshtëruese.—Rom. 1:24-32.

17. Ç’liri na ofron Jehovai?

17 Nga ana tjetër, nëse e lëmë veten në duart e tij, Jehovai do të na çlirojë nga gjithçka që mund të na dëmtojë. Në disa mënyra, situata jonë është si ajo e një njeriu që e lë jetën e vet në duart e një kirurgu të aftë, i cili mund ta shpëtojë nga një gjendje e rrezikshme për jetën. Të gjithë jemi në një gjendje të rrezikshme për jetën—kemi trashëguar mëkatin. Vetëm nëse e lëmë veten në duart e Jehovait, në bazë të flijimit të Krishtit, mund të shpresojmë t’u shpëtojmë pasojave të mëkatit dhe të jetojmë përgjithmonë. (Gjoni 3:36) Ashtu si siguria jonë te një kirurg mund të rritet teksa mësojmë për reputacionin që ka, po kështu besimi te Jehovai do të rritet teksa vazhdojmë të mësojmë për të. Për këtë arsye, vazhdojmë të studiojmë me kujdes Fjalën e Perëndisë sepse kjo do të na ndihmojë ta duam në atë mënyrë që do të na largojë çdo frikë që mund të lindë kur mendojmë se do t’i përkasim atij.—1 Gjon. 4:18.

18. Çfarë i pret ata që i përkasin Jehovait?

18 Jehovai i lejon të gjithë njerëzit të zgjedhin. Në Fjalën e tij thuhet: «Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj.» (Ligj. 30:19, 20) Ai do që t’ia shprehim dashurinë duke zgjedhur t’i shërbejmë me dëshirë. Në vend që të na hiqet liria, po t’i përkasim Perëndisë që e duam, me siguri do të jemi e do të mbetemi të lumtur.

19. Pse t’i përkasësh Jehovait është dashamirësi e pamerituar?

19 Si mëkatarë, ne nuk meritojmë t’i përkasim një Perëndie të përsosur. Kjo është e mundur vetëm falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. (2 Tim. 1:9) Prandaj, Pavli shkroi: «Edhe nëse jetojmë, jetojmë për Jehovain, edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovain. Pra, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait.» (Rom. 14:8) Sigurisht, kurrë nuk do të na vijë keq që kemi zgjedhur t’i përkasim Jehovait.

Si do të përgjigjeshe?

• Ç’dobi kemi po t’i përkasim Jehovait?

• Pse mund të arrijmë të bëjmë atë që Perëndia pret nga ne?

• Si u siguron Perëndia mbrojtje shërbëtorëve të tij?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 8]

Pyeti të tjerët se si kanë nxjerrë dobi ngaqë i përkasin Jehovait

[Figura në faqen 10]

Cilat janë disa mënyra se si Jehovai siguron mbrojtje?