«Kënga e detit»—Dorëshkrimi që mbush një hendek
«Kënga e detit»—Dorëshkrimi që mbush një hendek
MË 22 maj 2007, në Muzeun e Izraelit në Jerusalem, u ekspozua një fragment nga një rrotull hebraike, që daton nga shekulli i shtatë ose i tetë i e.s. Ai është një dorëshkrim i Daljes 13:19–16:1. Në të përfshihet ajo që njihet si «Kënga e detit»—kënga e fitores që kënduan izraelitët pas çlirimit në mënyrë të mrekullueshme në Detin e Kuq. Pse është domethënës ekspozimi i këtij fragmenti?
Përgjigjja lidhet me datimin e dorëshkrimit. Rrotullat e Detit të Vdekur u shkruan midis shekullit të tretë p.e.s. dhe shekullit të parë të e.s. Para se ato të zbuloheshin, rreth 60 vjet më parë, dorëshkrimi më i vjetër hebraik ishte Kodiku i Halebit, që datonte nga viti 930 i e.s. Me përjashtim të pak fragmenteve, nuk është gjetur asnjë dorëshkrim tjetër hebraik që t’i përkasë periudhës së ndërmjetme disa qindra vjeçare.
Drejtori i Muzeut të Izraelit, Xhejms S. Snajdër, thotë: «Dorëshkrimi i Këngës së detit mbush hendekun e periudhës historike që nga Rrotullat e Detit të Vdekur . . . deri te Kodiku i Halebit.» Sipas tij, ky dorëshkrim, si dhe vargje të tjera të lashta biblike, «janë një shembull unik i pandryshueshmërisë së tekstit».
Mendohet se ky fragment është një nga dorëshkrimet e shumta të zbuluara në fund të shekullit të 19-të në një sinagogë të Kajros, Egjipt. Megjithatë, një koleksionist privat i dorëshkrimeve hebraike nuk ishte i vetëdijshëm për domethënien e këtij fragmenti, derisa u këshillua me një profesionist në fund të viteve 70-të të shekullit të 20-të. Fragmenti u datua në atë kohë nëpërmjet karbonit radioaktiv dhe u arkivua derisa u ekspozua në Muzeun e Izraelit.
Duke komentuar për rëndësinë e fragmentit, Adolf Roitmani, drejtor i Shenjtërores së Librit në Muzeun e Izraelit dhe kujdestar i Rrotullave të Detit të Vdekur, thotë: «Dorëshkrimi i Këngës së detit tregon besnikërinë e jashtëzakonshme me të cilën u përcoll gjatë shekujve versioni masoretik i Biblës. Është e pabesueshme se si stili i veçantë i Këngës së detit është po njësoj sot siç ishte në shekujt 7-8-të.»
Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, dhe merita kryesore për ruajtjen e saj i takon Jehovait. Për më tepër, Shkrimet kopjoheshin me përpikëri nga skribët. Prandaj, teksti i sotëm i Biblës është pa diskutim i besueshëm.
[Burimi i figurës në faqen 32]
Me mirësjellje nga Muzeu i Izraelit, Jerusalem