Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga letrat drejtuar Selanikasve dhe Timoteut

Pika kryesore nga letrat drejtuar Selanikasve dhe Timoteut

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga letrat drejtuar Selanikasve dhe Timoteut

KONGREGACIONI i ri në Selanik ka përjetuar kundërshtim që kur u formua, gjatë kohës që apostulli Pavël kishte qenë atje. Prandaj, kur Timoteu—që ndoshta është te të njëzetat—rikthehet që andej me një raport të mirë, Pavli nxitet t’u shkruajë selanikasve një letër për t’i lavdëruar dhe për t’u dhënë zemër. Kjo letër që ndoshta u shkrua në vitin 50 të e.s., është letra e parë nga shkrimet e frymëzuara të Pavlit. Jo shumë kohë më pas, ai u shkruan të krishterëve në Selanik një letër të dytë. Këtë herë ndreq një pikëpamje të gabuar që kanë disa dhe i nxit vëllezërit të qëndrojnë të patundur në besim.

Rreth dhjetë vjet më vonë, Pavli ndodhet në Maqedoni, kurse Timoteu në Efes. Pavli i shkruan Timoteut, duke e inkurajuar të qëndrojë në Efes dhe të vazhdojë luftën frymore kundër mësuesve të rremë brenda kongregacionit. Kur ndaj të krishterëve nis një valë përndjekjeje, pas një zjarri që përpin Romën në vitin 64 të e.s., Pavli shkruan letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut. Kjo është letra e tij e fundit e frymëzuar. Ne sot mund të nxjerrim dobi nga inkurajimi dhe këshillat që jepen në këto katër letra të Pavlit.—Hebr. 4:12.

«TË RRIMË ZGJUAR»

(1 Sel. 1:1–5:28)

Pavli i lavdëron selanikasit për ‘veprën e tyre të besimit, mundin e tyre falë dashurisë dhe qëndrueshmërinë e tyre’. Ai u thotë se ata janë ‘shpresa, gëzimi dhe kurora e ngazëllimit’ të tij.—1 Sel. 1:3; 2:19.

Pasi i nxit të krishterët në Selanik që të ngushëllojnë njëri-tjetrin me shpresën e ringjalljes, Pavli thotë: «Dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën.» Ai i këshillon ata që ‘të rrinë zgjuar’ dhe të ruajnë gjykimin.—1 Sel. 4:16-18; 5:2, 6.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

4:15-17—Cilët ‘rrëmbehen në re për të takuar Zotërinë në ajër’ dhe si ndodh kjo? Këta janë të krishterët e mirosur që janë gjallë gjatë pranisë së Krishtit në pushtetin e Mbretërisë. Ata e ‘takojnë Zotërinë’ Jezu në sferën e padukshme qiellore. Por, që të përjetojnë këtë gjë, më parë duhet të vdesin e të ringjallen si krijesa frymore. (Rom. 6:3-5; 1 Kor. 15:35, 44) Prania e Krishtit ka filluar tashmë, prandaj të krishterët e mirosur që vdesin sot, nuk qëndrojnë të vdekur. Ata ‘rrëmbehen’ ose ngrihen në çast.—1 Kor. 15:51, 52.

5:23—Ç’donte të thoshte Pavli kur u lut që ‘fryma, shpirti dhe trupi i vëllezërve të mbeteshin [të ruheshin, Kristoforidhi]’? Pavli po fliste për frymën, shpirtin dhe trupin e kongregacionit të krishterë të përbërë nga shumë pjesëtarë, në të cilin përfshiheshin edhe të krishterët e Selanikut, të mirosur nga fryma. Ai nuk u lut që të ruhej kongregacioni, por që të ruhej «fryma» ose prirja e tij mendore. U lut gjithashtu për ‘shpirtin’, pra, për jetën ose ekzistencën e kongregacionit, dhe për ‘trupin’ e tij, domethënë për trupin e përbërë të të krishterëve të mirosur. (1 Kor. 12:12, 13) Kështu, kjo lutje nxjerr në pah shqetësimin e thellë të Pavlit për kongregacionin.

Mësime për ne:

1:3, 7; 2:13; 4:1-12; 5:15. Një mënyrë e efektshme për të dhënë këshilla është duke dhënë lavdërime të sinqerta bashkë me inkurajimin për të përmirësuar.

4:1, 9, 10. Adhuruesit e Jehovait duhet të vazhdojnë të bëjnë përparim frymor.

5:1-3, 8, 20, 21. Teksa dita e Jehovait afrohet, duhet «të ruajmë gjykimin dhe të mbajmë veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, dhe si përkrenare shpresën e shpëtimit». Po ashtu, duhet t’i kushtojmë seriozisht vëmendje Fjalës profetike të Perëndisë, pra, Biblës.

«QËNDRONI TË PATUNDUR»

(2 Sel. 1:1–3:18)

Duke i shtrembëruar ato që kishte thënë Pavli në letrën e tij të parë, disa në kongregacion me sa duket debatojnë duke thënë se ‘prania e Zotërisë’ është afër. Për të ndrequr këtë pikëpamje, Pavli thotë se çfarë duhet ‘të vijë më parë’.—2 Sel. 2:1-3.

Pavli i nxit: «Qëndroni të patundur dhe mbani fort traditat që ju janë mësuar.» Ai i urdhëron që ‘të largohen nga çdo vëlla që ecën në mënyrë të çrregullt’.—2 Sel. 2:15; 3:6.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:3, 8—Kush është «njeriu i paligjshmërisë» dhe si do të shfaroset? Ky ‘njeri’ përbën klasën e klerit të krishterimit të rremë. Ai që është autorizuar të shpallë gjykimet e Perëndisë kundër të ligjve dhe të urdhërojë ekzekutimin e tyre është «Fjala»—Kryezëdhënësi i Perëndisë, Jezu Krishti. (Gjoni 1:1) Pra, mund të thuhet se Jezui do të shfarosë njeriun e paligjshmërisë ‘me frymën [forcën vepruese] të gojës së tij’.

2:13, 14—Në ç’kuptim të krishterët e mirosur janë ‘zgjedhur për shpëtim që nga fillimi’? Të mirosurit si klasë u paravendosën kur Jehovai vuri si qëllim që fara e gruas t’ia shtypë kokën Satanait. (Zan. 3:15) Gjithashtu Jehovai përcaktoi kërkesat që duhej të plotësonin ata, veprën që do të bënin dhe sprovat që do të kalonin. Ai pra i thirri për «këtë qëllim».

Mësime për ne:

1:6-9. Gjykimet e Jehovait ekzekutohen në mënyrë përzgjedhëse.

3:8-12. Fakti që dita e Jehovait është afër nuk duhet përdorur si një justifikim që të mos punojmë për të plotësuar nevojat tona ndërsa i shërbejmë Perëndisë. Nga plogështia mund të dembelosemi dhe ‘të futim hundët në punët e të tjerëve’.—1 Pjet. 4:15.

«RUAJE ATË QË TË ËSHTË LËNË NË DORËZIM»

(1 Tim. 1:1–6:21)

Pavli e udhëzon Timoteun që ‘të vazhdojë të bëjë luftën e shkëlqyer, duke mbajtur një besim dhe ndërgjegje të pastër’. Apostulli thekson kualifikimet që duhet të kenë burrat e emëruar në kongregacion. Po ashtu Pavli e udhëzon Timoteun që ‘të hedhë poshtë përrallat, të cilat dhunojnë atë që është e shenjtë’.—1 Tim. 1:18, 19; 3:1-10, 12, 13; 4:7.

«Mos e kritiko ashpër një më të moshuar»,—shkruan Pavli. Ai e nxit Timoteun: «Ruaje atë që të është lënë në dorëzim dhe largohu nga fjalët boshe që dhunojnë atë që është e shenjtë, e nga kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’.»—1 Tim. 5:1; 6:20.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:18; 4:14—Cilat ‘profeci’ ishin thënë për Timoteun? Mund të kenë qenë disa profeci për rolin e ardhshëm të Timoteut në kongregacionin e krishterë, të cilat ishin thënë nën frymëzim kur Pavli vizitoi Listrën gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar. (Vep. 16:1, 2) Bazuar në këto ‘profeci’, pleqtë e kongregacionit ‘vunë duart’ mbi Timoteun e ri, duke e veçuar për një shërbim specifik.

2:15—Në ç’kuptim gruaja «ruhet nëpërmjet lindjes së fëmijëve»? Lindja e fëmijëve dhe kujdesi për ta e për shtëpinë, e ‘ruan’ gruan që të mos ‘merret me thashetheme dhe të futë hundët në punët e të tjerëve’.—1 Tim. 5:11-15.

3:16—Cili është sekreti i shenjtë i përkushtimit hyjnor? Prej kohësh mbeti sekret nëse njerëzit mund t’i bindeshin ose jo në mënyrë të përsosur sovranitetit të Jehovait. Jezui e siguroi përgjigjen duke ruajtur integritet të përsosur ndaj Perëndisë deri në vdekje.

6:15, 16—A i referohen këto fjalë Perëndisë Jehova apo Jezu Krishtit? Këto fjalë i referohen personit shfaqjen e të cilit përshkruajnë, domethënë, Jezu Krishtit. (1 Tim. 6:14) Në krahasim me njerëzit që sundojnë si mbretër dhe si zotërinj, Jezui është «i vetmi i Pushtetshëm» dhe vetëm ai ka pavdekësinë. (Dan. 7:14; Rom. 6:9) Që kur u ngjit në qiejt e padukshëm, asnjë njeri në tokë nuk «mund ta shohë» me sytë e mirëfilltë.

Mësime për ne:

4:15. Pavarësisht nëse jemi bërë të krishterë kohët e fundit ose shumë kohë më parë, duhet të përpiqemi që të bëjmë përparim dhe ta forcojmë marrëdhënien me Jehovain.

6:2. Nëse jemi të punësuar nga një bashkëbesimtar, në vend që të përfitojmë në ndonjë mënyrë nga ai, duhet t’i shërbejmë edhe më me gatishmëri sesa do t’i shërbenim dikujt jashtë kongregacionit.

«PREDIKO FJALËN, BËJE KËTË ME URGJENCË»

(2 Tim. 1:1–4:22)

Për ta përgatitur Timoteun për kohët e vështira që e presin, Pavli shkruan: «Perëndia nuk na dha frymën e burracakërisë, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.» Ai i jep Timoteut këtë këshillë: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, i kualifikuar për të mësuar.»—2 Tim. 1:7; 2:24.

«Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje»,—e nxit Pavli Timoteun. Mësimet apostate po përhapeshin, prandaj apostulli e këshillon këtë mbikëqyrës të ri: «Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë . . . , qorto, hiq vërejtje, nxit.»—2 Tim. 3:14; 4:2.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:13—Çfarë është ‘modeli i fjalëve të shëndosha’? «Fjalët e shëndosha» janë «ato të Zotërisë tonë Jezu Krisht», pra, mësimet e vërteta të krishtere. (1 Tim. 6:3) Ajo që mësoi dhe bëri Jezui ishte në përputhje me Fjalën e Perëndisë, prandaj shprehja «fjalët e shëndosha» mund t’u referohet gjithashtu në një kuptim më të gjerë të gjitha mësimeve të Biblës. Këto mësime mund të na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë kërkon Jehovai nga ne. Vazhdojmë t’i përmbahemi këtij modeli duke e praktikuar atë që kemi mësuar nga Bibla.

4:13—Çfarë ishin «pergamenat»? Fjala «pergamenat» i referohet një materiali për të shkruar prej lëkurës së përpunuar. Ka mundësi që Pavli po kërkonte disa rrotulla me Shkrimet Hebraike, që të mund t’i studionte kur ishte i burgosur në Romë. Disa nga këto rrotulla mund të kenë qenë prej papirusi, kurse të tjera prej pergamene.

Mësime për ne:

1:5; 3:15. Arsyeja kryesore pse Timoteu kishte besim te Jezu Krishti, domethënë, një besim që ndikonte te gjithçka që bënte Timoteu, ishte arsimimi biblik që mori në shtëpi që kur ishte fëmijë. Sa jetësore është që pjesëtarët e familjes të mendojnë seriozisht se si po e përmbushin këtë përgjegjësi ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të tyre!

1:16-18. Kur bashkëbesimtarët tanë kalojnë sprova, hasin përndjekje ose burgosen, le të lutemi për ta dhe të bëjmë ç’të mundemi për t’i ndihmuar.—Prov. 3:27; 1 Sel. 5:25.

2:22. Të krishterët, sidomos të rinjtë, nuk duhet të jenë kaq të dhënë pas mbajtjes së trupit në formë, sporteve, muzikës, zbavitjes, aktiviteve që i kanë pasion, udhëtimeve, bisedave të padobishme etj, saqë të mos kenë kohë të mjaftueshme për aktivitetet frymore.

[Figura në faqen 31]

Cila ishte letra e fundit e frymëzuar që shkroi apostulli Pavël?