Jehovai kujdeset me butësi për shërbëtorët e tij të moshuar
Jehovai kujdeset me butësi për shërbëtorët e tij të moshuar
«Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»—HEBR. 6:10.
1, 2. (a) Çfarë mund t’ju vijë ndër mend kur shihni dikë me flokë të bardhë? (b) Si i sheh Jehovai të krishterët e moshuar?
KUR shihni të moshuarit me flokë të bardhë në kongregacion, a nuk ju vjen ndër mend tregimi në librin biblik të Danielit? Në një vegim që i dha Danielit, Perëndia Jehova e përshkroi veten si të kishte flokë të bardhë. Danieli shkroi: «Pashë deri kur u vunë frone dhe i Lashti i Ditëve u ul. Rrobat i kishte të bardha si bora dhe flokët e kokës si lesh i pastër.»—Dan. 7:9.
2 Në gjendjen e tij të natyrshme, shpesh leshi ka një ngjyrë të bardhë. Kështu, flokët e bardhë dhe titulli «i Lashti i Ditëve» na tërheqin vëmendjen te fakti që Perëndia ka ekzistuar gjithmonë dhe është shumë i mençur, e për këtë meriton respektin tonë të thellë. Por, si i sheh i Lashti i Ditëve, Jehovai, burrat dhe gratë besnike në moshë të thyer? Fjala e Perëndisë thotë se «flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë». (Prov. 16:31) Po, nëse një të krishteri besnik i janë bërë flokët të bardhë, kjo pamje që tregon pjekuri është e bukur në sytë e Perëndisë. A keni edhe ju pikëpamjen e Jehovait për vëllezërit dhe motrat e moshuara?
Pse janë kaq të çmuar?
3. Pse bashkëbesimtarët e moshuar janë kaq të çmuar për ne?
3 Midis shërbëtorëve të moshuar e të dashur të Perëndisë janë anëtarët e Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, mbikëqyrës udhëtues të dikurshëm e të tanishëm, pionierë të zellshëm dhe lajmëtarë të pjekur të Mbretërisë—vëllezër e motra që shërbejnë me besnikëri në kongregacionet tona. Ndoshta njihni disa që kanë predikuar me zell lajmin e mirë për dekada e shembulli i mirë i të cilëve i ka ndihmuar dhe ua ka modeluar jetën më të rinjve. Disa bashkëbesimtarë të moshuar kanë mbajtur përgjegjësi të rënda dhe kanë përballuar përndjekje për hir të lajmit të mirë. Jehovai dhe «skllavi i besueshëm dhe i matur» e çmojnë shumë të gjithë kontributin e tyre që kanë dhënë në të kaluarën dhe që po japin tani për veprën e Mbretërisë.—Mat. 24:45.
4. Pse duhet t’i respektojmë të krishterët e moshuar dhe të lutemi për ta?
4 Këta të moshuar besnikë meritojnë mirënjohjen dhe respektin e shërbëtorëve të tjerë të Perëndisë Jehova. Në fakt, Ligji i Perëndisë që u dha përmes Moisiut e lidh vëmendjen dhe respektin për të moshuarit me frikën ndaj Jehovait. (Lev. 19:32) Ne duhet të lutemi rregullisht për këta besnikë dhe ta falënderojmë Perëndinë për mundin e tyre plot dashuri. Apostulli Pavël u lut për bashkëpunëtorët e tij të dashur, të rinj e të moshuar.—Lexo 1 Selanikasve 1:2, 3.
5. Si mund të përfitojmë nga shoqërimi me adhuruesit e moshuar të Jehovait?
5 Për më tepër, të gjithë në kongregacion mund të përfitojnë nga shoqërimi me të krishterët e moshuar. Nëpërmjet studimit, vëzhgimit dhe përvojës, adhuruesit e moshuar besnikë të Jehovait kanë grumbulluar njohuri shumë të çmuar. Ata kanë mësuar të tregojnë durim dhe empati, e, kur ia kalojnë brezit tjetër atë që kanë mësuar, kjo u sjell gëzim dhe kënaqësi të madhe. (Psal. 71:18) Të rinj, tregohuni të mençur dhe përpiquni të nxirrni sa më shumë nga ky burim njohurie, njësoj si do të nxirrnit ujë nga një pus i thellë.—Prov. 20:5.
6. Si mund t’u tregoni të moshuarve se i vlerësoni vërtet?
6 A u thoni të moshuarve se i keni për zemër, siç i ka Jehovai? Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është duke u thënë se sa shumë i doni për besnikërinë e tyre dhe sa i vlerësoni mendimet e tyre. Për më tepër, duke zbatuar atë që mësoni prej tyre, tregoni se respekti juaj për ta është i sinqertë. Shumë të krishterë të moshuar mund të kujtojnë këshillat e mençura që morën dikur nga të moshuar besnikë dhe se si zbatimi i tyre u ka sjellë dobi gjatë gjithë jetës. *
Tregoni kujdes të butë në mënyra praktike
7. Cilëve ua ka caktuar Jehovai përgjegjësinë kryesore për t’u kujdesur për të moshuarit?
7 Perëndia u ka caktuar familjeve të të moshuarve përgjegjësinë kryesore për t’u kujdesur për ta. (Lexo 1 Timoteut 5:4, 8.) Jehovai kënaqet kur familjet përmbushin detyrimin e tyre ndaj të afërmve të moshuar, duke treguar kështu se kujdesen për ta ashtu siç bën ai. Perëndia i mbështet këto familje dhe i bekon për përpjekjet e tyre dhe për të gjitha sakrificat që bëjnë. *
8. Pse kongregacionet duhet të tregojnë interes për të krishterët e moshuar?
8 Po ashtu, Jehovai kënaqet kur kongregacionet vendëse i ndihmojnë të moshuarit besnikë që janë në nevojë, por që nuk kanë familjarë besimtarë ose të gatshëm që të kujdesen për ta. (1 Tim. 5:3, 5, 9, 10) Kështu, kongregacionet tregojnë se kanë ‘ndjenja të përbashkëta, përzemërsi vëllazërore dhe dhembshuri të butë’ për të moshuarit. (1 Pjet. 3:8) Interesi i tyre për pjesëtarët e moshuar të kongregacionit ilustrohet mirë nga Pavli kur thekson se, nëse një gjymtyrë e trupit vuan, «gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të». (1 Kor. 12:26) Duke vepruar në mënyrë praktike dhe me dhembshuri në dobi të të moshuarve, po zbatojmë parimin që qëndron pas këshillës së Pavlit: «Vazhdoni të mbani barrët e njëri-tjetrit dhe të përmbushni kështu ligjin e Krishtit.»—Gal. 6:2.
9. Çfarë barrësh mund të sjellë mosha e thyer?
9 Çfarë barrësh mbajnë të moshuarit? Shumë prej tyre lodhen shpejt. Ata mund të ndiejnë se edhe gjëra të thjeshta—si vajtja te doktori, pagesa e faturave, pastrimi i shtëpisë dhe gatimi—janë përtej aftësive të tyre. Meqë oreksi dhe etja shpesh pakësohen me kalimin e moshës, ata mund të mendojnë se nuk kanë nevojë të hanë ose të pinë aq sa duhet vërtet. E njëjta gjë mund të ndodhë me të ushqyerit në kuptimin frymor. Për shkak të moshës, mund të vështirësohet leximi dhe dëgjimi i programeve frymore, dhe vetëm përgatitja për të shkuar në mbledhjet e krishtere mund të jetë rraskapitëse. Atëherë çfarë mund të bëjnë të tjerët për këta të moshuar?
Si mund t’i ndihmoni?
10. Çfarë mund të bëjnë pleqtë për t’u siguruar se të moshuarve po u jepet ndihmë praktike?
10 Në shumë kongregacione, të moshuarve u tregohet kujdes në mënyrë shembullore. Vëllezër dhe motra të dashura i ndihmojnë ata të bëjnë pazarin, gatimin dhe pastrimin. I ndihmojnë të moshuarit të studiojnë, të bëhen gati për mbledhjet dhe të vazhdojnë të marrin pjesë rregullisht në shërbim. Dëshmitarë më të rinj i shoqërojnë dhe u sigurojnë transportin. Nëse të moshuarit nuk janë në gjendje të dalin nga shtëpia, i dëgjojnë mbledhjet me anë të telefonit ose të regjistruara. Kurdoherë që është e mundur, pleqtë sigurohen që të merren masa praktike për të plotësuar nevojat e të moshuarve në kongregacionet e tyre. *
11. Tregoni se si një familje ndihmoi një vëlla të moshuar.
11 Edhe individualisht, të krishterët mund të tregojnë mikpritje e bujari. Kur një vëllai të moshuar i vdiq gruaja, ai nuk mund ta paguante dot më qiranë pa pensionin e saj. Së bashku me gruan ai kishte studiuar Biblën me një familje që kishte një shtëpi të madhe e që përbëhej nga babai, nëna dhe 2 vajzat adoleshente. Kjo familje i liroi këtij vëllai dy dhoma. Ai u bë pjesë e familjes dhe për 15 vjet kaluan shumë çaste të bukura së bashku. Vajzat përfituan shumë nga besimi dhe përvoja e tij e pasur, dhe ai përfitoi nga shoqëria e tyre e gëzueshme. Ky vëlla i moshuar jetoi me ta derisa vdiq në moshën 89-vjeçare. Familja ende e falënderon Perëndinë për bekimet e shumta që mori nga shoqërimi me këtë vëlla. Ata nuk e kanë ‘humbur shpërblimin e tyre’ ngaqë ndihmuan një dishepull të Jezu Krishtit.—Mat. 10:42. *
12. Çfarë mund të bëni për të treguar kujdes të butë për vëllezërit e motrat e moshuara?
12 Ndoshta nuk keni mundësi të ndihmoni një vëlla ose motër të moshuar, siç bëri kjo familje, por mund t’i ndihmoni të moshuarit të shkojnë në mbledhje dhe në shërbim. Gjithashtu mund t’i ftoni në shtëpi dhe t’i përfshini në shëtitjet që bëni. Mund t’i vizitoni, sidomos kur janë të sëmurë ose nuk dalin dot nga shtëpia. Për më tepër, ju mund dhe duhet t’i trajtoni ata si të rritur të pjekur. Për aq kohë sa janë të aftë mendërisht, të krishterët e moshuar duhet të përfshihen në marrjen e të gjitha vendimeve që ndikojnë tek ata. Edhe ata që kanë humbur pjesën më të madhe të aftësive mendore, mund ta kuptojnë nëse dinjiteti i tyre po respektohet apo jo.
Jehovai nuk do ta harrojë veprën tuaj
13. Pse është e rëndësishme të interesohemi për ndjenjat e të krishterëve të moshuar?
13 Të interesohemi për ndjenjat e të moshuarve është thelbësore. Nuk është e pazakontë që të moshuarit të pikëllohen thellësisht për shkak të paaftësisë për të kryer gjithçka që mund të bënin kur ishin më të rinj dhe më të
shëndetshëm. Për shembull, një motër që i shërbeu Jehovait në mënyrë aktive rreth 50 vjet dhe që kishte qenë pioniere e rregullt, u sëmur nga një sëmundje ligështuese, e për pasojë i ndiqte mbledhjet me shumë vështirësi. Kur ajo e krahasoi shërbimin e mëparshëm me kufizimet e tanishme, filloi të qante. Me kokën ulur e me lotët që i rridhnin, tha: «Nuk po bëj më asgjë.»14. Çfarë inkurajimi mund të marrin nga psalmet shërbëtorët e moshuar të Jehovait?
14 Nëse je një i moshuar, a ke përjetuar ndjenja të tilla të dhembshme? A mendon ndonjëherë se Jehovai të ka braktisur? Psalmisti mund të ketë pasur ndjenja të ngjashme kur ishte i moshuar, sepse iu përgjërua Jehovait: «Mos më flak në kohën e pleqërisë. Mos më lër pikërisht kur më priten fuqitë. Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër.» (Psal. 71:9, 18) Pa dyshim, Jehovai nuk do ta braktiste kompozitorin e këtij psalmi, e as ty nuk do të të braktisë. Në një psalm tjetër, Davidi shprehu besimin se Perëndia do ta mbështeste. (Lexo Psalmin 68:19.) Të jesh i sigurt që, nëse je një i krishterë i moshuar besnik, Jehovai është me ty dhe do të vazhdojë të të mbështetë ditë pas dite.
15. Çfarë mund t’i ndihmojë të moshuarit të mbajnë një pikëpamje pozitive?
15 Gjithçka që ju, Dëshmitarë të moshuar të Jehovait keni bërë dhe po bëni në lavdi të Perëndisë, ai nuk e harron kurrë. Bibla thotë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebr. 6:10) Prandaj mos zhvilloni një pikëpamje negative, duke menduar gabimisht se për shkak të moshës së shkuar nuk jeni më të dobishëm për Jehovain. Bëni çmos të zëvendësoni mendimet dëshpëruese e pesimiste me mendime pozitive. Gëzoni për bekimet dhe shpresën tuaj për të ardhmen! Ne kemi ‘të ardhmen dhe shpresën’ më të mirë, dhe këto na i garanton Krijuesi ynë. (Jer. 29:11, 12; Vep. 17:31; 1 Tim. 6:19) Meditoni për shpresën tuaj, përpiquni të qëndroni të rinj në zemër dhe në mendje, e mos e nënvlerësoni kurrë vlerën e pranisë tuaj në kongregacion! *
16. Pse mendoi një vëlla i moshuar se nuk duhej të shërbente më si plak, por si e inkurajoi trupi i pleqve?
16 Le të marrim shembullin e Johanit, i cili në moshën 80-vjeçare, kujdeset gjithë kohën për gruan e tij besnike, Sanën, që tani është invalide. * Motrat qëndrojnë me radhë me Sanën, në mënyrë që Johani të mund të shkojë në mbledhje dhe në shërbim. Por, kohët e fundit, Johani ndiente se s’mbante më nga ana emocionale dhe filloi të mendonte se nuk duhej të shërbente më si plak kongregacioni. «Ç’kuptim ka të jem ende plak?—pyeti me sytë e mbushur me lot.—Nuk kryej më ndonjë punë të dobishme në kongregacion.» Pleqtë e tjerë e siguruan atë se përvoja dhe gjykimi i tij ishin shumë të çmuara. Ata e nxitën të vazhdonte të shërbente si plak, edhe pse pjesëmarrja e tij ishte e kufizuar. Tejet i inkurajuar, Johani vazhdon të shërbejë si plak, duke qenë një bekim për kongregacionin.
Jehovai kujdeset vërtet
17. Për çfarë i siguron Bibla të krishterët e moshuar?
17 Shkrimet e thonë qartë se të moshuarit mund të vazhdojnë të jenë të frytshëm në shërbim të Jehovait, pavarësisht nga problemet e moshës së thyer. Psalmisti shpalli: «Ata që janë Psal. 92:13, 14) Apostulli Pavël, i cili mund të ketë pasur një problem fizik, ‘nuk u dorëzua, edhe pse njeriu i jashtëm po tretej’.—Lexo 2 Korintasve 4:16-18.
mbjellë në shtëpinë e Jehovait, . . . do të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur, të bëshëm e të freskët do të jenë gjithnjë.» (18. Pse bashkëbesimtarët e moshuar dhe ata që kujdesen për ta kanë nevojë për ndihmën e të tjerëve?
18 Shumë shembuj të ditëve tona provojnë se të moshuarit mund të vazhdojnë «të jenë të harlisur». Por vështirësitë që sjellin sëmundjet dhe mosha e thyer mund të jenë shkurajuese, edhe për ata që kanë të afërm të gjindshëm e të përkushtuar ndaj tyre. Edhe ata që kujdesen për të moshuarit mund të rraskapiten. Pjesëtarët e kongregacionit kanë privilegjin dhe përgjegjësinë ta tregojnë dashurinë e tyre me vepra në dobi të të moshuarve dhe të atyre që kujdesen për ta. (Gal. 6:10) Në fakt, një ndihmë e tillë tregon se nuk po u themi këtyre thjesht që të shkojnë e ‘të rrinë ngrohtë dhe të ngopen’ pa i ndihmuar në mënyra praktike.—Jak. 2:15-17.
19. Pse të krishterët e moshuar besnikë mund ta shohin të ardhmen me besim?
19 Mosha e thyer mund t’i ndryshojë disi aktivitetet e një të krishteri, por koha nuk e pakëson dashurinë e Jehovait për shërbëtorët e tij të moshuar besnikë. Përkundrazi të gjithë këta të krishterë besnikë janë të çmuar në sytë e tij, dhe ai nuk do t’i braktisë kurrë. (Psal. 37:28; Isa. 46:4) Jehovai do t’i mbështetë dhe do t’u prijë gjatë gjithë pleqërisë.—Psal. 48:14.
[Shënimet]
^ par. 6 Shih artikullin «Të moshuarit janë një bekim për të rinjtë», në Kullën e Rojës, 1 qershor 2007.
^ par. 7 Shih kapitullin 15 të librit Sekreti i lumturisë familjare dhe faqet 3-13 të revistës Zgjohuni! 8 shkurt 1994, anglisht.
^ par. 10 Në disa vende kjo mund të nënkuptojë që t’i ndihmojnë të moshuarit për të përfituar nga ndihma që jep shteti. Shih artikullin «Perëndia kujdeset për të moshuarit», në Kullën e Rojës 1 qershor 2006.
^ par. 15 Shih artikullin «Të harlisur frymësisht, edhe pse flokëzbardhur» në Kullën e Rojës 1 qershor 2007, faqet 21-25, dhe artikullin «Shkëlqimi i flokëve të bardhë» në Kullën e Rojës 15 mars 1993, anglisht.
^ par. 16 Emrat janë ndryshuar.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse për ju janë të çmuar të krishterët e moshuar besnikë?
• Si mund të tregojmë kujdes të butë për bashkëbesimtarët e moshuar?
• Çfarë mund t’i ndihmojë shërbëtorët e moshuar të Jehovait që të kenë një pikëpamje pozitive?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 18]
Pjesëtarët e kongregacionit i vlerësojnë shumë të moshuarit