Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbimi shtëpi më shtëpi: Pse është i rëndësishëm tani?

Shërbimi shtëpi më shtëpi: Pse është i rëndësishëm tani?

Shërbimi shtëpi më shtëpi: Pse është i rëndësishëm tani?

«Çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, ata mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin.»—VEP. 5:42.

1, 2. (a) Për cilën metodë predikimi njihen Dëshmitarët e Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

ËSHTË një skenë e zakonshme pothuajse në çdo vend të tokës. Dy njerëz të veshur në mënyrë të rregullt i afrohen një shtëpie dhe përpiqen t’i tregojnë të zotit të shtëpisë një mesazh të shkurtër nga Bibla në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë. Nëse ai tregon interes për mesazhin, ata mund t’i japin literaturë të bazuar në Bibël dhe mund t’i ofrojnë studim biblik falas në shtëpi. Pastaj vazhdojnë në shtëpinë tjetër. Nëse merrni pjesë në këtë vepër, ka mundësi të vëreni se njerëzit shpesh e kuptojnë se jeni Dëshmitarë të Jehovait, edhe para se t’u flitni. Po, shërbimi shtëpi më shtëpi është bërë karakteristika jonë dalluese.

2 Ne përdorim metoda të ndryshme për të kryer detyrën që na ngarkoi Jezui për të predikuar e për të bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 29) Dëshmojmë në tregje, në kryqëzime rrugësh dhe në vende të tjera publike. (Vep. 17:17) Kontaktojmë shumë njerëz nëpërmjet telefonit dhe letrave. U flasim për të vërtetat biblike atyre që takojmë gjatë veprimtarive të përditshme. Madje kemi edhe një faqe zyrtare në Internet, ku mund të merren informacione të bazuara në Bibël në më tepër se 300 gjuhë. * Të gjitha këto metoda sjellin rezultate të mira. Megjithatë, në shumicën e vendeve, mënyra jonë kryesore për të përhapur lajmin e mirë është duke predikuar shtëpi më shtëpi. Cila është baza e kësaj metode predikimi? Si arriti të bëhej metoda e përdorur kaq gjerësisht nga populli i Perëndisë në ditët e sotme? Dhe, pse është e rëndësishme sot?

Metoda apostolike

3. Çfarë udhëzimesh u dha Jezui apostujve për predikimin dhe ç’tregon kjo për mënyrën si duhej të predikonin?

3 Metoda e predikimit shtëpi më shtëpie e ka bazën në Shkrime. Kur Jezui i dërgoi apostujt të predikonin, ai i udhëzoi: «Në çdo qytet ose fshat që të hyni, kërkoni atë që e meriton.» Si duhej t’i kërkonin këta njerëz? Jezui u tha të shkonin te shtëpitë e njerëzve: «Kur të hyni në shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë, dhe nëse shtëpia e meriton, paqja që i uroni, le të bjerë mbi të.» A duhej t’i vizitonin njerëzit pa qenë të ftuar më parë? Vini re fjalët e mëtejshme të Jezuit: «Në rast se dikush nuk ju pranon ose nuk i dëgjon fjalët tuaja, me të dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët.» (Mat. 10:11-14) Këto udhëzime tregojnë qartë se, kur apostujt ‘të përshkonin territorin, nga fshati në fshat, duke shpallur lajmin e mirë’, duhej të merrnin iniciativën për t’i vizituar njerëzit në shtëpitë e tyre.—Luka 9:6.

4. Ku përmendet në mënyrë specifike në Bibël predikimi shtëpi më shtëpi?

4 Bibla përmend në mënyrë specifike se apostujt predikonin shtëpi më shtëpi. Për shembull, jo shumë kohë pas lindjes së kongregacionit të krishterë në vitin 33 të e.s., te Veprat 5:42 thuhet për ta: «Çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, ata mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin.» Rreth 20 vjet më vonë, apostulli Pavël u kujtoi pleqve të kongregacionit në Efes: «[Unë] nuk ndenja pa ju thënë gjithçka dobiprurëse, as pa ju mësuar publikisht dhe shtëpi më shtëpi.» A i vizitoi Pavli ata pleq në shtëpitë e tyre para se të bëheshin besimtarë? Patjetër, sepse ai u mësoi atyre ndër të tjera edhe «për pendimin kundrejt Perëndisë dhe besimin te Zotëria ynë Jezu». (Vep. 20:20, 21) Duke komentuar rreth Veprave 20:20, një libër i autorit Robertson (Word Pictures in the New Testament) thotë: «Ia vlen të përmendet se ky predikues i madh predikonte shtëpi më shtëpi.»

Një ushtri karkalecash në ditët e sotme

5. Si përshkruhet vepra e predikimit në profecinë e Joelit?

5 Dëshmia që u dha në shekullin e parë ishte vetëm një pamje paraprake e një vepre më të madhe që do të bëhej në kohën tonë. Profeti Joel e krahasoi veprën e predikimit të të krishterëve të mirosur me një plagë shkretuese insektesh, ku përfshiheshin edhe karkalecat. (Joe. 1:4) Duke lëvizur si një ushtri, karkalecat kapërcejnë pengesa, hyjnë nëpër shtëpi dhe përpijnë gjithçka që u del para. (Lexo Joelin 2:2, 7-9.) Ç’përshkrim i gjallë i qëndrueshmërisë dhe i përpikërisë së popullit të Perëndisë ndërsa kryejnë veprën e dëshmisë në ditët e sotme! Metoda kryesore që përdorin të krishterët e mirosur dhe ‘delet e tjera’ në përmbushjen e këtij përshkrimi profetik, është predikimi shtëpi më shtëpi. (Gjoni 10:16) Si e përqafuan Dëshmitarët e Jehovait këtë metodë apostolike predikimi?

6. Cila nxitje u dha në vitin 1922 për predikimin shtëpi më shtëpi, por si reaguan disa?

6 Që nga viti 1919, është vënë theksi te përgjegjësia që ka çdo i krishterë për të marrë pjesë në veprën e dëshmisë. Për shembull, Kulla e Rojës e 15 gushtit 1922, kishte një artikull me titull «Shërbimi është thelbësor». Ai u kujtonte të krishterëve të mirosur sa e rëndësishme ishte «t’u çonin aktivisht mesazhin e shtypur njerëzve dhe të flitnin me ta në shtëpitë e tyre, duke u dhënë dëshmi se mbretëria e qiejve është afër». Prezantime të hollësishme jepeshin në fletushkën Buletini (tani Shërbimi ynë i Mbretërisë). Megjithatë, numri i atyre që predikonin shtëpi më shtëpi, në fillim ishte i vogël. Disa ngurronin. Ata ngrinin kundërshtime të ndryshme, por problemi kryesor ishte se disa mendonin se u ulej dinjiteti po të predikonin shtëpi më shtëpi. Teksa vihej gjithnjë e më shumë theksi te shërbimi në fushë, shumë nga këta dalëngadalë nuk u shoqëruan më me organizatën e Jehovait.

7. Cila nevojë u bë e dukshme në vitet 50?

7 Në dekadat vijuese, vepra e predikimit u zgjerua. Megjithatë, u bë e dukshme se lajmëtarët kishin nevojë të stërviteshin personalisht për shërbimin shtëpi më shtëpi. Të marrim si shembull situatën në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të viteve 50 të shekullit të 20-të, 28 për qind e Dëshmitarëve në atë vend mjaftoheshin vetëm duke shpërndarë ftesa ose duke qëndruar në rrugë me revista. Më tepër se 40 për qind ishin të parregullt në veprën e predikimit, duke mos dëshmuar fare për muaj të tërë. Çfarë mund të bëhej për t’i ndihmuar të gjithë të krishterët e kushtuar që të predikonin shtëpi më shtëpi?

8, 9. Cili program stërvitjeje nisi në vitin 1953 dhe me çfarë rezultatesh?

8 Në një kongres ndërkombëtar që u mbajt në qytetin e Nju-Jorkut në vitin 1953, iu kushtua vëmendje e veçantë shërbimit shtëpi më shtëpi. Vëlla Nejthën H. Nori deklaroi se vepra kryesore e të gjithë mbikëqyrësve të krishterë duhet të jetë që të ndihmojë çdo Dëshmitar të marrë pjesë rregullisht në shërbimin shtëpi më shtëpi. Ai tha: «Të gjithë duhet të jemi të aftë të predikojmë lajmin e mirë shtëpi më shtëpi.» Për të arritur këtë synim, u nis një program stërvitjeje në mbarë botën. Ata që ende nuk po predikonin shtëpi më shtëpi u stërvitën se si të flitnin me njerëzit kur t’u predikonin në shtëpitë e tyre, duke arsyetuar me ta me anë të Biblës dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre.

9 Rezultati i këtij programi stërvitjeje ishte i jashtëzakonshëm. Brenda një dhjetëvjeçari, numri i lajmëtarëve në mbarë botën u rrit 100 për qind, numri i rivizitave 126 për qind dhe numri i studimeve biblike 150 për qind. Sot, pothuajse shtatë milionë lajmëtarë të Mbretërisë po predikojnë lajmin e mirë në të gjithë botën. Kjo rritje e jashtëzakonshme është një provë se Jehovai i ka bekuar përpjekjet e popullit të tij në shërbimin shtëpi më shtëpi.—Isa. 60:22.

Shënohen njerëzit që të mbijetojnë

10, 11. (a) Cili vegim iu dha Ezekielit, siç është dokumentuar te kapitulli i 9-të i Ezekielit? (b) Si po përmbushet ky vegim në ditët tona?

10 Rëndësia e shërbimit shtëpi më shtëpi mund të shihet nga një vegim që iu dha profetit Ezekiel. Në atë vegim, Ezekieli sheh gjashtë burra me armë në duar, si edhe një të shtatë të veshur me rroba liri, i cili ka në brez një kallamar sekretari. Burrit të shtatë i thuhet ‘të kalojë mes për mes qytetit dhe të vërë një shenjë në ballin e njerëzve që psherëtijnë e rënkojnë për tërë ato gjëra të pështira që bëhen në qytet’. Pasi u vihet shenja njerëzve, gjashtë burrat me armë urdhërohen të ekzekutojnë të gjithë ata që nuk e kanë shenjën.—Lexo Ezekielin 9:1-6.

11 E kuptojmë se në përmbushjen e kësaj profecie, burri «i veshur me rroba liri» përfaqëson mbetjen e të krishterëve të mirosur nga fryma. Nëpërmjet veprës së predikimit dhe të bërjes së dishepujve, klasa e të mirosurve vë një shenjë simbolike tek ata që bëhen pjesë e ‘deleve të tjera’ të Krishtit. (Gjoni 10:16) Çfarë është shenja? Është dëshmia, sikur të ishte e dukshme në ballin e tyre, se këto dele janë dishepuj të Jezu Krishtit të kushtuar e të pagëzuar dhe kanë veshur personalitetin e ri ngjashëm Krishtit. (Efes. 4:20-24) Këta dishepuj si dele bëhen një kope e vetme me të krishterët e mirosur dhe i ndihmojnë ata në veprën jetësore të vënies së shenjës edhe te të tjerët.—Zbul. 22:17.

12. Në ç’mënyrë vegimi i Ezekielit për vënien e shenjës në ballin e njerëzve thekson rëndësinë që të vazhdojmë të kërkojmë njerëzit si delet?

12 Vegimi i Ezekielit thekson një arsye pse është kaq urgjente që të vazhdojmë të kërkojmë ata që «psherëtijnë e rënkojnë». Bëhet fjalë për jetën e njerëzve. Së shpejti forcat ekzekutuese qiellore të Jehovait, që përfaqësohen nga gjashtë burrat me armë, do të shkatërrojnë të gjithë ata që nuk kanë shenjën simbolike. Në lidhje me atë gjykim të ardhshëm, apostulli Pavël shkroi se Zotëria Jezu, bashkë me «engjëjt e tij të fuqishëm», do të sjellë «hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu». (2 Sel. 1:7, 8) Vini re që njerëzit do të gjykohen në bazë të reagimit të tyre ndaj lajmit të mirë. Prandaj, shpallja e mesazhit të Perëndisë duhet të vazhdojë pareshtur deri në fund. (Zbul. 14:6, 7) Kjo i vë të gjithë shërbëtorët e kushtuar të Jehovait përballë një përgjegjësie serioze.—Lexo Ezekielin 3:17-19.

13. (a) Çfarë përgjegjësie ndiente apostulli Pavël dhe pse? (b) Çfarë përgjegjësie ndieni ju ndaj njerëzve në territorin tuaj?

13 Apostulli Pavël ndiente një përgjegjësi personale për t’u dhënë të tjerëve lajmin e mirë. Ai shkroi: «U jam borxhli si grekëve, edhe barbarëve, si të mençurve, edhe të pamendëve, prandaj kam dëshirë të zjarrtë t’jua shpall lajmin e mirë edhe juve atje në Romë.» (Rom. 1:14, 15) Mirënjohës për mëshirën që i ishte treguar, Pavli ndihej i nxitur t’i ndihmonte të tjerët që të nxirrnin dobi nga dashamirësia e pamerituar e Perëndisë, siç kishte nxjerrë dobi edhe ai vetë. (1 Tim. 1:12-16) Ishte sikur t’i kishte një borxh çdo njeriu që takonte, borxh që mund të shlyhej vetëm duke i dhënë atij njeriu lajmin e mirë. A e ndieni edhe ju se u keni një borxh të tillë njerëzve në territorin tuaj?—Lexo Veprat 20:26, 27.

14. Cila është arsyeja kryesore pse predikojmë publikisht dhe shtëpi më shtëpi?

14 Megjithëse shpëtimi i njerëzve është i rëndësishëm, ka një arsye shumë më të rëndësishme pse të predikojmë shtëpi më shtëpi. Në profecinë e dokumentuar te Malakia 1:11, Jehovai deklaron: «Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij emri im do të jetë i madh ndër kombet . . . dhe do të bëhet një paraqitje për emrin tim, po, një dhuratë e pastër. Sepse emri im do të jetë i madh ndër kombet.» Në përmbushje të kësaj profecie, shërbëtorët e kushtuar të Jehovait po lëvdojnë publikisht emrin e tij në të gjithë tokën, teksa kryejnë me përulësi shërbimin e tyre. (Psal. 109:30; Mat. 24:14) T’i japim Jehovait «një flijim lëvdimi» është arsyeja kryesore pse predikojmë publikisht dhe shtëpi më shtëpi.—Hebr. 13:15.

Na presin ngjarje historike

15. (a) Si e intensifikuan izraelitët veprimin e tyre teksa marshonin përreth Jerikosë ditën e shtatë? (b) Çfarë tregon kjo për veprën e predikimit?

15 Çfarë zhvillimesh presim të ndodhin për sa i përket veprës së predikimit? Një ilustrim të kësaj e gjejmë në tregimin për rrethimin e Jerikosë, që është dokumentuar në librin e Josiut. Kujtoni që vetëm pak kohë përpara se Perëndia të shkatërronte Jerikonë, izraelitët morën udhëzime që të marshonin përreth qytetit një herë në ditë për gjashtë ditë radhazi. Por ditën e shtatë ky veprim do të intensifikohej. Jehovai i tha Josiut: «Ditën e shtatë duhet të marshoni rreth qytetit shtatë herë, kurse priftërinjtë duhet t’i bien bririt. Kur ata t’i bien bririt, . . . tërë populli duhet të lëshojë një britmë të madhe për luftë. Muret e qytetit do të rrafshohen.» (Jos. 6:2-5) Ka mundësi që do të ketë një zgjerim të ngjashëm të veprës sonë të predikimit. Pavarësisht nëse do të ndodhë kështu apo jo, në kohën kur të shkatërrohet sistemi i tanishëm, do të kemi përjetuar dëshminë më të madhe që është dhënë ndonjëherë në histori për emrin e Perëndisë dhe Mbretërinë e Tij.

16, 17. (a) Çfarë do të kryhet përpara se të mbarojë «shtrëngimi i madh»? (b) Çfarë do të trajtojmë në artikullin vijues?

16 Mund të vijë koha kur mesazhi që shpallim të bëhet si ‘një britmë e madhe për luftë’. Në librin e Zbulesës, mesazhet e fuqishme të gjykimit krahasohen me ‘një breshër të madh, me kokrrat gati sa pesha e një talente’. * Dhe te Zbulesa 16:21 thuhet: «Kjo plagë ishte jashtëzakonisht e madhe.» Mbetet për t’u parë se ç’rol do të luajë shërbimi shtëpi më shtëpi në pjesën përfundimtare të shpalljes së mesazheve të gjykimit që do të sjellë Perëndia. Por mund të jemi të sigurt që, para se të ketë mbaruar «shtrëngimi i madh», emri i Jehovait do të jetë bërë i njohur si kurrë më parë në historinë e njerëzimit.—Zbul. 7:14; Ezek. 38:23.

17 Ndërsa presim ngjarjet historike që do të shpalosen në të ardhmen, le të vazhdojmë të shpallim me zell lajmin e mirë për Mbretërinë. Por, teksa përmbushim këtë caktim, çfarë vështirësish hasim në shërbimin shtëpi më shtëpi dhe si mund t’i kapërcejmë ato? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 2 Adresa e faqes në Internet është: www.watchtower.org.

^ par. 16 Nëse bëhet fjalë për talentën greke, çdo kokërr breshëri do të peshonte rreth 20 kilogramë.

Si do të përgjigjeshit?

• Cila është baza biblike për predikimin shtëpi më shtëpi?

• Si u vu theksi te shërbimi shtëpi më shtëpi në kohët e sotme?

• Pse shërbëtorët e kushtuar të Jehovait kanë përgjegjësinë të predikojnë?

• Cilat ngjarje historike presim të shpalosen në të ardhmen?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 4]

A ndieni përgjegjësinë për t’u predikuar të tjerëve, ashtu si apostulli Pavël?

[Figura në faqen 5]

Vëlla Nori, në vitin 1953