Nuk kishim frikë: Jehovai ishte me ne
Nuk kishim frikë: Jehovai ishte me ne
Treguar nga Egjiptia Petridis
Në vitin 1972, Dëshmitarë nga mbarë Qiproja u mblodhën në Nikozi për të dëgjuar një fjalim special nga Nejthën Nori, që prej kohësh kishte marrë drejtimin në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. S’arrita të prezantohesha, sepse më njohu sapo më pa dhe pyeti: «Ke ndonjë të re nga Egjipti?» Vëllanë Nor e kisha takuar 20 vjet më parë në vendlindjen time, Aleksandri, Egjipt.
LINDA në Aleksandri më 23 janar 1914 dhe isha më e madhja e katër fëmijëve. Detin e kishim dy hapa larg. Asokohe Aleksandria ishte një qytet i bukur me popullsi shumëkombëshe, me famë për arkitekturën dhe historinë e saj. Meqë evropianët jepnin e merrnin me arabët, ne fëmijët mësuam arabishten, anglishten, frëngjishten, italishten, si dhe gjuhën amtare, greqishten.
Pasi mbarova shkollën, zura punë në një sallon mode francez, ku kënaqesha duke stiluar dhe qepur fustane mbrëmjeje për zonjat e sërës së lartë. Merresha edhe me fe e më pëlqente të lexoja Biblën, ndonëse kuptoja fare pak nga ajo që lexoja.
Në atë kohë, nga mesi i viteve 30, njoha një djalë shumë të mirë me origjinë nga Qiproja. Theodotos Petridis ishte një mundës i zoti, por kishte mësuar edhe zanatin e pastiçerit dhe punonte në një punishte ëmbëlsirash të mirënjohur. Theodotosi ra në dashuri me mua, një brune imcake. Shpesh më bënte serenata poshtë dritares me këngë romantike greke. U martuam më 30 qershor 1940. Ç’ditë të lumtura ishin ato! Jetonim në një apartament poshtë shtëpisë së nënës sime. Fëmija ynë i parë, Jani, lindi më 1941.
Mësojmë të vërtetat e Biblës
Për njëfarë kohe, Theodotosi kishte qenë i pakënaqur me fenë tonë dhe bënte pyetje rreth Biblës. Pa dijeninë time, ai kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Një ditë, kur isha në shtëpi me djalin, një zonjë trokiti në derën tonë dhe më dha një kartë me mesazh biblik. Për mirësjellje e lexova. Pastaj më dha edhe ca literaturë biblike. Po ç’të shihja: ishin po ato libra që Theodotosi kishte sjellë në shtëpi.
«I kam këto libra,—i thashë.—Urdhëro brenda, të lutem.» Menjëherë e bombardova me
pyetje Dëshmitaren, Eleni Nikolaun. Me durim, përdori Biblën për t’u përgjigjur. Kjo më pëlqeu. Papritur nisa të kuptoj fjalët e Biblës. Në një çast, kur biseda u ndërpre, Eleni e njohu burrin tim në një fotografi. «Po unë këtë zotërinë e njoh»,—tha ajo. Sekreti i Theodotosit u zbulua. U befasova kur mora vesh se ai shkonte në mbledhjet e krishtere pa mua, madje as më kishte thënë fare. Kur Theodotosi u kthye në shtëpi i thashë: «Tek ai vendi që shkove të dielën, do të vij edhe unë këtë javë.»Mbledhjen e parë që shkova, një grup me gati dhjetë veta po shqyrtonin librin biblik të Mikesë. Përpiva çdo gjë. Që prej asaj dite, çdo të premte mbrëma, Jorgo dhe Katerini Petraki vinin të studionin Biblën me ne. Babait dhe dy vëllezërve nuk u pëlqente që studionim me Dëshmitarët, kurse ime motër ishte tolerante, ndonëse vetë nuk u bë kurrë Dëshmitare. Megjithatë, nëna e pranoi të vërtetën. Më 1942, nëna, Theodotosi dhe unë u pagëzuam në detin e Aleksandrisë, duke simbolizuar kushtimin ndaj Jehovait.
Dallgë në jetë
Në vitin 1939, nisi Lufta e Dytë Botërore dhe gjendja sa vinte e rëndohej. Në fillim të viteve 40, gjenerali gjerman Ervin Romel me trupat e tankeve ishin në afërsi të fshatit El Alamein dhe Aleksandria ishte plot ushtarë britanikë. Grumbulluam boll ushqime të thata. Më vonë, Theodotosit iu kërkua të kujdesej për punishten e re të pronarit në Port-Taufik, afër Suezit. Kështu u transferuam atje. Dy Dëshmitarë që flitnin greqisht nisën të na kërkonin. Nuk e dinin adresën tonë, por predikuan shtëpi më shtëpi gjersa na gjetën.
Kur ishim në Port-Taufik, u bëmë studim biblik Stavros e Jula Kipreosit dhe fëmijëve të tyre, Totosit dhe Jeorjiasë, që na u bënë miq për kokë. Stavrosi kishte kaq shumë qejf të studionte Biblën saqë i çonte një orë prapa të gjitha orët e shtëpisë, që mos kishim me ç’të ktheheshim dhe të rrinim më gjatë. Bisedonim deri natën vonë.
Pas 18 muajsh në Port-Taufik, u kthyem në Aleksandri, ngaqë nëna ime u sëmur. Në vitin 1947, ajo vdiq besnike ndaj Jehovait. Ndiemë edhe një herë si na dha zemër Jehovai me anë të shoqërisë forcuese të miqve të pjekur të krishterë. Veç kësaj, patëm mundësi t’u tregonim mikpritje misionarëve, teksa udhëtonin drejt caktimeve të tyre në vende të huaja kur anijet ankoroheshin për pak në Aleksandri.
Gëzime dhe halle
Më 1952-shin, na lindi djali i dytë, Jakovi. Si prindër e dinim sa e rëndësishme ishte t’i rritnim bijtë tanë në një atmosferë besimforcuese. Prandaj e hapëm shtëpinë që të mbaheshin rregullisht mbledhje për studimin e Biblës dhe shpesh mikpritnim shërbëtorë të plotkohorë. Kështu, djalit të madh, Janit, iu rrit dashuria për të vërtetën dhe, kur ishte adoleshent, filloi shërbimin e pionierit. Ndërkaq bënte edhe orë mësimi në shkollën e natës për të plotësuar programin e mësimit.
S’kaloi shumë dhe Theodotosi u diagnostikua me një sëmundje serioze në zemër dhe e këshilluan ta linte punën që bënte. Djali ynë Jakovi ishte vetëm katër vjeç. Ç’të bënim? A nuk kishte premtuar Jehovai: «Mos ki frikë, se unë jam me ty.» (Isa. 41:10) Imagjinoni sa u habitëm dhe u gëzuam, kur në vitin 1956 na ftuan të shërbenim si pionierë në Ismaili, afër kanalit të Suezit! Erdhën vite të trazuara për Egjiptin dhe vëllezërit tanë të krishterë kishin nevojë për inkurajim.
Më 1960 na u desh të largoheshim nga Egjipti vetëm me një valixhe secili. Shkuam në ishullin e Qipros, atdheu i tim shoqi. Në atë kohë, Theodotosi ishte shumë i sëmurë dhe s’punonte dot. Megjithatë, një vëlla i gjindshëm dhe e shoqja na ftuan të strehoheshim në një shtëpi të tyren. Mjerisht, pas dy vjetësh im shoq vdiq dhe unë mbeta fillikat me Jakovin e vogël. Edhe Jani kishte ardhur në Qipro, por ishte martuar dhe kishte familje për të mbajtur.
Kujdesi që përjetova në kohë të vështira
Më vonë, Stavros dhe Dora Kairisi na ftuan të strehoheshim në shtëpinë e tyre. Rashë në gjunjë dhe e falënderova Jehovain që u kujdes sërish për nevojat tona. (Psal. 145:16) Kur Stavrosi dhe Dora vendosën ta shitnin shtëpinë dhe të ndërtonin një të re që të kishte një Sallë Mbretërie në katin e parë, me dashamirësi bënë një shtesë me dy dhoma për mua dhe Jakovin.
Me kalimin e kohës, Jakovi u martua dhe bashkë me gruan shërbyen si pionierë derisa u lindi i pari nga katër fëmijët. Në vitin 1974, dy vjet pas vizitës historike të vëlla Norit, në Qipro pati trazira * Shumë veta, mes të cilëve edhe Dëshmitarë, lanë shtëpitë dhe iu desh ta nisnin gjithçka nga e para. Ndër ta ishte edhe im bir, Jani. Bashkë me të shoqen dhe tre fëmijët ai u transferua në Kanada. Megjithatë, ndërkaq gëzonim kur shihnim si shtoheshin radhët e lajmëtarëve të Mbretërisë në Qipro.
politike.Kur nisa të marr pensionin, kisha mundësi të merrja pjesë më shumë në shërbim. Por, para pak vitesh, pata një hemoragji cerebrale të lehtë dhe shkova të jetoja me tim bir Jakovin dhe familjen e tij. Më vonë kur shëndeti mori për keq, u shtrova në spital për disa javë dhe pastaj më çuan në një qendër për të sëmurë kronikë. Megjithëse kam dhembje të vazhdueshme, i dëshmoj personelit, pacientëve të tjerë dhe vizitorëve. Gjithashtu kaloj orë të tëra duke studiuar dhe, falë ndihmës së dashur të vëllezërve të krishterë, arrij të ndjek Studimin e Librit të Kongregacionit që bëhet diku afër.
Ngushëllim në moshë të thyer
Ngushëllohem kur marr lajme nga ata që patëm privilegjin të ndihmonim unë dhe Theodotosi. Shumë nga fëmijët, nipërit e mbesat e tyre janë në shërbim të plotkohor. Disa shërbejnë në Angli, Australi, Greqi, Kanada dhe Zvicër. Sot, im bir Jani dhe e shoqja jetojnë në Kanada me djalin e tyre. Vajza e tyre e madhe dhe i shoqi janë pionierë. Vajzën e tyre të vogël, Lindën, bashkë me burrin, Xhoshua Sneipin, i ftuan për të ndjekur klasën e 124-t të Shkollës së Galaadit.
Im bir Jakovi dhe e shoqja sot jetojnë në Gjermani. Dy nga djemtë e tyre shërbejnë në Bethel: njëri në Athinë, Greqi dhe tjetri në Zeltërs, Gjermani. Djali i vogël, vajza dhe i shoqi, janë pionierë dhe shërbejnë në Gjermani.
Sa shumë kemi për t’u treguar nënës dhe Theodotosit tim të dashur kur të kthehen në jetë! Do të mrekullohen kur të shohin ç’trashëgimi të shkëlqyer i lanë familjes së tyre! *
[Shënimet]
^ par. 21 Shih Zgjohuni! të 22 tetorit 1974, faqet 12-15, anglisht.
^ par. 26 Ndërsa ky artikull përgatitej për t’u botuar, motër Petridis vdiq në moshën 93-vjeçare.
[Diçitura në faqen 24]
Ndiemë edhe një herë si na dha zemër Jehovai me anë të shoqërisë forcuese të miqve të pjekur të krishterë
[Harta në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
QIPRO
NIKOZI
DETI MESDHE
EGJIPT
KAJRO
El Alamein
Aleksandri
Ismaili
Suez
Port-Taufik
Kanali i Suezit
[Burimi]
Sipas NASA/Visible Earth imagery
[Figura në faqen 23]
Me Theodotosin në vitin 1938
[Figura në faqen 25]
Im bir Jakovi me të shoqen
[Figura në faqen 25]
Im bir Jani me të shoqen