Të fuqishëm pavarësisht nga dobësitë
Të fuqishëm pavarësisht nga dobësitë
DOBËSITË mund të të dërrmojnë. Ato të ngjiten si shushunja. Mbase thua se kurrë nuk do t’i mposhtësh ose ndihesh i pavlefshëm kur krahasohesh me të tjerë dhe nuk të duket vetja në lartësinë e duhur. Nga ana tjetër, ndoshta po përballon një sëmundje ligështuese që t’i shter energjitë dhe të grabit entuziazmin e jetës. Cilido qoftë shkaku, mund të ndihesh si në çark. Mbase ndihesh si Jobi që i tha Perëndisë: «Ah sikur të më fshihje në Sheol! Të më mbaje fshehur, gjersa të të shuhej zemërimi, të vije një afat e të më kujtoje!»—Jobi 14:13.
Si të çlirohesh nga ky pesimizëm i zymtë? Sado e vështirë qoftë, duhet ta heqësh mendjen për pak kohë nga problemet e tua. Për shembull, mund të mendosh për pyetjet që i bëri Jehovai shërbëtorit të tij besnik, Jobit: «Ku ishe ti, kur unë i vura themelet tokës? Thuama nëse ke kuptueshmëri. Kush ia caktoi përmasat, në rast se e di? Kush e shtriu litarin për matje mbi të?» (Jobi 38:4, 5) Meditimi për kuptimin e këtyre pyetjeve, na nxit të pranojmë se mençuria dhe fuqia e Jehovait janë shumë më të larta. Ai ka arsye të forta që ka lejuar të vazhdojë kjo gjendje që shihet sot në botë.
«Një gjemb në mish»
Një shërbëtor tjetër besnik i kërkoi Jehovait t’i hiqte «një gjemb në mish», një problem që s’i ndahej. Apostulli Pavël iu përgjërua Perëndisë tri herë që ta çlironte nga ajo gjendje e mundimshme. Çfarëdo të ishte ai problem si një gjemb acarues, mund t’i ketë grabitur Pavlit gëzimin në shërbimin e Jehovait. Pavli tha se ishte sikur dikush i binte vazhdimisht me shuplaka. Jehovai iu përgjigj: «Dashamirësia ime e pamerituar të 2 Kor. 12:7-10) Çfarë donte të thoshte?
mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.» Jehovai nuk ia hoqi atë gjemb në mish. Pavli duhej të luftonte me të, por shtoi: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (Problemi i Pavlit nuk u zhduk me anë të një mrekullie. Gjithsesi kjo nuk e pengoi atë që të kryente gjëra të jashtëzakonshme në shërbimin e Jehovait. Pavli u mbështet te Jehovai për ndihmë dhe kërkoi vazhdimisht përkrahjen e tij. (Filip. 4:6, 7) Nga fundi i jetës së vet në tokë, Pavli arriti të thoshte: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.»—2 Tim. 4:7.
Jehovai i përdor njerëzit e papërsosur për të kryer vullnetin e tij, pavarësisht nga të metat e problemet e tyre dhe me të drejtë merita i takon atij. Ai mund t’u japë atyre drejtim dhe mençuri për të përballuar vështirësitë dhe për të mbajtur gëzimin në shërbimin e tij. Po, ai mund t’i përdorë njerëzit e papërsosur për të bërë vepra madhështore, pavarësisht nga dobësitë.
Pavli e tregoi përse Perëndia nuk ia hoqi gjembin në mish: «Që të mos lartësohem së tepërmi.» (2 Kor. 12:7) Ky «gjemb» i kujtonte Pavlit kufizimet e tij dhe e ndihmonte të mbante një pikëpamje të përulur për veten. Kjo përputhet me atë që mësoi Jezui: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.» (Mat. 23:12) Vështirësitë mund t’u mësojnë shërbëtorëve të Perëndisë përulësinë dhe i ndihmojnë të kuptojnë se, për të qëndruar besnikë, duhet të mbështeten te Jehovai. Në këtë mënyrë, ashtu si apostulli, ata mund ‘të mburren në lidhje me Jehovain’.—1 Kor. 1:31.
Dobësi të fshehta
Disa mund të kenë dobësi që as nuk e dinë se i kanë ose që ngurrojnë t’i pranojnë. Për shembull, një njeri mund të jetë tepër i sigurt te vetja duke u mbështetur vetëm te forcat e tij. (1 Kor. 10:12) Një dobësi tjetër e zakonshme për njerëzit e papërsosur është dëshira për të rënë në sy.
Joabi, që u bë gjeneral i ushtrisë së mbretit David, ishte i guximshëm, i vendosur dhe mendjemprehtë. Megjithatë Joabi ishte fajtor për keqbërje të rënda që nxorën në pah arrogancën dhe ambicien e tij. Ai vrau mizorisht dy gjeneralë të ushtrisë. Në fillim u hakmor duke vrarë Abnerin. Më pas, me pretekstin se po përshëndeste kushëririn e tij Amasën, Joabi e kapi Amasën nga mjekra me dorën e djathtë për ta puthur dhe pastaj ia nguli shpatën me të majtën. (2 Sam. 17:25; 20:8-10) Amasa kishte zëvendësuar Joabin si gjeneral ushtrie, prandaj Joabi shfrytëzoi rastin për ta hequr qafe rivalin e tij, mbase me shpresën që të bëhej sërish gjeneral. Siç e shohim, Joabi nuk i mbajti nën kontroll prirjet e tij, pra as ambicien egoiste. Ai u tregua i pashpirt dhe nuk dha asnjë shenjë se e brente ndërgjegjja. Nga fundi i jetës, mbreti David e udhëzoi të birin, Solomonin, të merrte masa që Joabi të paguante për të ligat e tij.—1 Mbret. 2:5, 6, 29-35.
Sigurisht, nuk duhet t’u dorëzohemi dëshirave tona të gabuara; mund t’i bëjmë zap dobësitë tona. Pikësëpari duhet t’i dallojmë dhe t’i pranojmë ato. Pastaj të punojmë për t’i mposhtur. Duhet t’i lutemi rregullisht Jehovait duke kërkuar ndihmë që të fitojmë mbi këto dobësi dhe të studiojmë me zell Fjalën e tij duke kërkuar mënyra si t’i luftojmë këto prirje. (Hebr. 4:12) Ndoshta do të na duhet të punojmë vazhdimisht me të metat tona, por s’duhet të na lëshojë zemra. Kjo luftë mund të zgjatë për sa kohë të jemi të papërsosur. Pavli pranoi se ishte kështu në rastin e tij kur shkroi: «Atë që dua, nuk e praktikoj, por atë që urrej, e bëj.» Megjithatë, siç e di, Pavli nuk u dorëzua sikur të mos i kishte fare në dorë veprimet e tij. Përkundrazi, vazhdoi të luftonte kundër dobësive duke u mbështetur te ndihma që i jepte Perëndia, nëpërmjet Jezu Krishtit. (Rom. 7:15-25) Diku tjetër Pavli tha: «E rrah me grushte trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar.»—1 Kor. 9:27.
Njerëzit kanë prirjen të justifikohen. Mund t’i kundërvihemi kësaj prirjeje duke zhvilluar pikëpamjen e Jehovait, siç i këshilloi Pavli të krishterët: «Urreni thellësisht atë që është e ligë, kapuni fort pas asaj që është e mirë.» (Rom. 12:9) Në luftën për të mposhtur dobësitë duhet të jemi të ndershëm, të vendosur dhe të kemi vetëdisiplinë. Davidi i kërkoi Jehovait: «Rafinoji veshkat dhe zemrën time!» (Psal. 26:2) Ai e dinte se Perëndia mund të shqyrtojë me imtësi prirjet tona më të thella dhe të na japë ndihmë kur na duhet. Nëse ndjekim drejtimin që na jep Jehovai nëpërmjet Fjalës dhe frymës së tij të shenjtë, mund të fitojmë dalëngadalë mbi të metat tona.
Disa i mundojnë probleme që mendojnë se nuk janë në gjendje t’i përballojnë vetë. Patjetër që pleqtë e kongregacionit mund të japin me dashuri ndihmë dhe inkurajim. (Isa. 32:1, 2) Por është mirë të jemi realistë në ato që presim. Disa probleme nuk mund të zgjidhen një herë e mirë në këtë sistem. Prapëseprapë shumë veta kanë mësuar t’i përballojnë, dhe kështu kanë arritur të gjejnë kënaqësi në jetë.
Të sigurt për mbështetjen e Jehovait
Çfarëdo problemesh të hasim në këto kohë të vështira, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na drejtojë e do të na përkrahë. Bibla na nxit: «Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»—1 Pjet. 5:6, 7.
Kur Keti, që shërben në Bethel nga shumë vjet, mori vesh se i shoqi kishte sëmundjen e Alcajmerit, nuk ndihej aq e fortë sa të përballonte vështirësitë që e prisnin. E kishte të nevojshme t’i përgjërohej çdo ditë Jehovait për mençuri dhe forcë emocionale. Ndërsa gjendja e të shoqit sa vinte e keqësohej, vëllezër të dashur harxhuan kohë për të mësuar si të përballohej kjo sëmundje dhe motra të dhembshura i mbështetnin emocionalisht. Këta të krishterë ishin një pjesë e ndihmës fuqizuese që u jepte Jehovai, dhe Keti arriti të kujdesej
për të shoqin, derisa ai vdiq rreth 11 vjet më pas. Ajo thotë: «E falënderoja me lot dhe me gjithë shpirt Jehovain për tërë ndihmën; kjo më dha forcë të mos dorëzohesha. Nuk ma merrte mendja se mund të rezistoja kaq gjatë, ndërkohë që rraskapitja më kishte drobitur.»Ndihmë për të mposhtur dobësitë e fshehta
Kur njerëzit ndihen të pavlerë, mund të mendojnë se Jehovai nuk do t’i dëgjojë kur t’i thërrasin për ndihmë në kohë vuajtjesh. Sidomos, në këto raste është mirë të meditojmë për fjalët e Davidit kur e brente ndërgjegjja për mëkatin e rëndë me Betshebën: «Zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.» (Psal. 51:17) Davidi u pendua sinqerisht dhe e dinte se mund t’i afrohej Perëndisë dhe të ishte i sigurt për mëshirën e tij. Edhe Jezui pasqyron kujdesin e Jehovait. Shkrimtari i Ungjillit, Mateu, tregoi se fjalët e Isaisë zbatoheshin për Jezuin: «Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin e lirit që digjet në vetvete.» (Mat. 12:20; Isa. 42:3) Kur ishte në tokë, Jezui tregoi dhembshuri për njerëzit e përulur dhe të nëpërkëmbur. Ai nuk ua shuajti dëshirën për të jetuar, ashtu si mund të shuhet fitili i një llambe me vaj që gati po fiket. Përkundrazi, ashtu si dikush e mbush sërish llambën me kujdes që flaka të mos fiket, edhe ai u kujdes me përzemërsi për të vuajturit, duke i ndihmuar të kuptonin se Perëndia i do. Ja kështu ishte ai kur jetoi mes njerëzve. A nuk mendon se Jezui është ende i tillë dhe se bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi? Vër re se Hebrenjve 4:15 tregon që ai mund të ‘bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi’.
Kur shkroi për ‘gjembin në mish’, Pavli tha se fuqia e Krishtit rrinte mbi të «si një tendë». (2 Kor. 12:7-9) Ai ndiente mbrojtjen që i jepte Perëndia nëpërmjet Krishtit, tamam siç ndihet i mbrojtur nga moti i keq dikush që është brenda një tende. Ashtu si Pavli, nuk ka pse të dorëzohemi para dobësive dhe problemeve. Për të qëndruar të fortë frymësisht duhet të përfitojmë nga të gjitha masat që merr Jehovai nëpërmjet kongregacionit të tij në tokë. Le të bëjmë gjithçka që kemi mundësi si njerëz e pastaj të mbështetemi te Jehovai me sigurinë e plotë se ai do t’i drejtojë hapat tanë. Ndërsa provojmë fuqinë që na jep Perëndia për të mposhtur dobësitë, do të themi si Pavli: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.»—2 Kor. 12:10.
[Figura në faqen 3]
Pavli i lutej pareshtur Jehovait ta ndihmonte për të kryer shërbimin
[Figura në faqen 5]
Mbreti David i besoi Joabit ushtrinë e tij
[Figura në faqen 5]
Joabi vrau Amasën, një rival
[Figura në faqen 6]
Pleqtë me dashuri na japin drejtim nga Shkrimet që të përballojmë problemet