A je gati të mbrosh besimin tënd?
A je gati të mbrosh besimin tënd?
A JE gjendur ndonjëherë në një situatë ku të është dashur të mbrosh besimin tënd? Ja çfarë i ndodhi Suzanës, një motre 16-vjeçare në shkollë të mesme në Paraguai. Në orën e etikës dikush tha se Dëshmitarët e Jehovait nuk e pranojnë «Dhiatën e Vjetër», Jezu Krishtin dhe Marinë. Gjithashtu u tha se Dëshmitarët janë fanatikë që më mirë vdesin sesa të pranojnë kujdesin mjekësor. Si do të kishe reaguar ti?
Suzana iu lut Jehovait dhe ngriti dorën. Meqë ora po mbaronte, ajo i kërkoi leje mësueses që të përgatiste një prezantim për bindjet e saj si Dëshmitare e Jehovait. Mësuesja pranoi me gjithë qejf. Dy javët vijuese, Suzana u përgatit duke përdorur broshurën me titull Dëshmitarët e Jehovait—Kush janë? Çfarë besojnë?
Më në fund erdhi dita e prezantimit. Suzana shpjegoi origjinën e emrit Dëshmitarët e Jehovait. Veç kësaj, shpjegoi shpresën që kemi për të ardhmen dhe përse nuk e pranojmë transfuzionin e gjakut. Pastaj, ftoi klasën të bënte pyetje. Shumica e nxënësve ngritën dorën. Mësueses i bënte shumë përshtypje tek e dëgjonte t’u përgjigjej pyetjeve me anë të Shkrimeve.
Një nxënës tha: «Një herë kam qenë në një Sallë Mbretërie dhe nuk pashë as edhe një shëmbëlltyrë.» Mësuesja donte të dinte pse. Suzana lexoi Psalmin 115:4-8 dhe Daljen 20:4. E çuditur mësuesja tha: «Si ka mundësi që kishat tona janë plot me shëmbëlltyra, ndërkohë që Bibla i ndalon?»
Diskutimi pyetje-përgjigje zgjati 40 minuta. Gjithashtu, të gjithë ishin dakord kur Suzana e pyeti klasën nëse donin të shihnin videon Jo gjak: Mjekësia përballon sfidën. (Videoja disponohet në disa gjuhë.) Kështu mësuesja e programoi për të nesërmen. Pasi panë videokasetën, Suzana shpjegoi trajtimet alternative që pranojnë disa Dëshmitarë të Jehovait. Mësuesja tha: «Nuk e dija se ekzistonin kaq shumë trajtime alternative dhe as e kisha idenë e të mirave që ka trajtimi pa gjak. Po mirë, këto trajtime vetëm për Dëshmitarët e Jehovait janë?» Kur mori vesh se janë për të gjithë, mësuesja tha: «Herën tjetër që Dëshmitarët e Jehovait do të më vijnë në shtëpi, do të bisedoj me ta.»
Prezantimi prej 20 minutash që kishte përgatitur në fillim Suzana, zgjati tri orë. Pas një jave, edhe
nxënës të tjerë bënë një prezantim të bindjeve të tyre si pjesëtarë të kishave. Në fund u ngritën shumë pyetje, por ata nxënës nuk e mbrojtën dot besimin e tyre. Mësuesja i pyeti: «Si është e mundur që ju nuk jeni në gjendje të mbroni besimin tuaj siç bëri shoqja juaj që është Dëshmitare e Jehovait.»Përgjigjja ishte: «Ata e studiojnë vërtet Biblën. Ne jo.»
Mësuesja i tha Suzanës: «Ti e studion tamam Biblën dhe përpiqesh të bësh atë që thotë ajo. Të lumtë!»
Në këtë situatë, Suzana edhe mund të kishte heshtur. Megjithatë, duke marrë guximin të fliste, ajo ndoqi shembullin e shkëlqyer të një vajze izraelite që e zunë robinjë sirianët. Vajzën e çuan në shtëpinë e gjeneralit sirian, Naamanit, që kishte një sëmundje lëkure të tmerrshme. Vajza izraelite i tha me guxim zonjës së saj: «Ah, sikur zotëria im të shkonte te profeti që ndodhet në Samari! Ai do ta shëronte nga lebra.» Vajza nuk rrinte dot pa dëshmuar për Perëndinë e vërtetë, si rrjedhim pronari i saj, Naamani, nisi të adhuronte Jehovain.—2 Mbret. 5:3, 17.
Edhe Suzana nuk ndenji dot pa dëshmuar për Jehovain dhe popullin e tij. Duke marrë iniciativën për të mbrojtur besimin, kur u vunë në diskutim bindjet e saj, Suzana iu bind urdhrit që japin Shkrimet: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithnjë gati për t’u mbrojtur para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj, por bëjeni këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë.» (1 Pjet. 3:15) A je gati të mbrosh besimin tënd dhe të marrësh iniciativën kur të jepet rasti?
[Figura në faqen 17]
Këto mjete mund të të ndihmojnë të mbrosh besimin