Të mësojmë nga gabimet e izraelitëve
Të mësojmë nga gabimet e izraelitëve
TEK hynin në Tokën e Premtuar, izraelitët e dinin çfarë priste Jehovai prej tyre. Me anë të Moisiut, Perëndia kishte urdhëruar: «Atje do të dëboni të gjithë banorët e vendit e do të shkatërroni të gjitha objektet prej guri që adhurojnë. Gjithashtu, do të shkatërroni, të gjitha shëmbëlltyrat e tyre prej metali të derdhur e do të rrafshoni të gjitha vendet e tyre të larta, që ata i mbajnë si të shenjta.»—Num. 33:52.
Izraelitët nuk duhej të bënin asnjë besëlidhje me banorët e vendit dhe as të lidhnin krushqi me ta. (Ligj. 7:2, 3) Perëndia e kishte paralajmëruar popullin e tij të zgjedhur: «Ki kujdes që të mos bësh asnjë besëlidhje me banorët e vendit ku po shkon, se mos bëhet lak për ty.» (Dal. 34:12) Por izraelitët nuk iu bindën Perëndisë dhe ranë në lak. Çfarë i çoi në rrënim? Për çfarë na paralajmërojnë mësimet që nxjerrim prej tyre?—1 Kor. 10:11.
Nga miqësia në idhujtari
Teksa luftonin për të shtënë në dorë Tokën e Premtuar, izraelitët korrën fitoret e para kundër vendësve. Por bijtë e izraelit nuk iu bindën plotësisht urdhërimeve të Perëndisë. Ata nuk i dëbuan armiqtë. (Gjyk. 1:1–2:10) Përkundrazi, ndërkohë që nisën të banonin mes ‘shtatë kombeve’ që popullonin ato troje, izraelitët jepnin e merrnin dita-ditës me banorët. Kështu lidhën miqësi me ta. (Ligj. 7:1) Si ndikoi kjo tek izraelitët? Bibla thotë: «Ata morën bijat e tyre për gra, kurse bijat e veta ua dhanë bijve të tyre dhe filluan t’u shërbenin perëndive të tyre. Kështu, bijtë e Izraelit bënë ç’ishte e keqe në sytë e Jehovait. Ata e harruan Jehovain, Perëndinë e tyre, dhe u shërbyen Baalëve e shtyllave të shenjta.» (Gjyk. 3:5-7) Miqësia me banorët e vendit bëri që populli i Izraelit të lidhte krushqi me ta dhe të përfshihej në idhujtari. Pasi lidhën krushqi ishin më të pakta gjasat që Izraeli t’i dëbonte paganët. Adhurimi i vërtetë u ndot dhe vetë izraelitët filluan t’u shërbenin perëndive të rreme.
Banorët e Tokës së Premtuar përbënin një rrezik më të madh frymor për izraelitët tani që ishin miqtë e tyre, sesa kur ishin armiq. Të shohim një mënyrë tjetër se si mund të jetë ndotur adhurimi i vërtetë.
Nga bujqësia në adhurimin e Baalit
Kur hynë në Tokën e Premtuar, bijtë e Izraelit nuk bënin më një jetë nomade sa në një vend në tjetrin dhe shumë prej tyre u bënë bujq. Ka të ngjarë të kenë përdorur metodat bujqësore të kananitëve që e kishin kultivuar më parë atë tokë. Por, siç duket, ky ndryshim në jetë përfshiu më tepër se aq. Shoqërimi me vendësit i joshi izraelitët të përvetësonin edhe bindjet e tyre fetare që lidheshin me bujqësinë.
Kananitët adhuronin shumë Baalë: perëndi që besohej se i jepnin pjellori tokës. Përveçse kultivonin tokën dhe mblidhnin prodhimet, dalëngadalë edhe izraelitët nisën t’i adhuronin perënditë kananite si dhënëse të begatisë. Kështu shumë veta në Izrael pretendonin se adhuronin Jehovain, por në të vërtetë u zhytën kokë e këmbë në apostazi.
Paralajmërime të fuqishme për ne sot
Në fillim, kur ranë në kontakt me banorët e Tokës së Premtuar, izraelitët nuk duhet të kenë pasur si synim të përfshiheshin në adhurimin e Baalit dhe në shfrenimin që sillte ai. Por pikërisht aty i çoi shoqërimi me ta. A nuk duhet të presim edhe ne pasoja të tilla të dëmshme po të shoqërohemi me ata që janë miqësorë, por që nuk kanë të njëjtat bindje fetare, norma dhe parime me tonat? Sigurisht, mund të jetë e nevojshme të japim e të marrim me jobesimtarët në punë, në shkollë ose edhe në shtëpi. Gjithsesi, përvoja e izraelitëve na paralajmëron se po të kërkojmë shoqëri të tilla, po i kërkojmë vetë telashet. Në Bibël gjejmë këtë të vërtetë të pakundërshtueshme: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 Kor. 15:33.
Sot hasim shumë sfida që janë të ngjashme me ato të izraelitëve. Shoqëria moderne ka plot idhuj. Ndër ta janë: paratë, yjet e botës së artit e të sportit, sistemet politike, disa krerë fetarë e madje edhe pjesëtarë të familjes. Çdonjëri prej tyre mund të bëhet qendra e jetës sonë. Miqësia me ata që nuk e duan Jehovain, mund të na shkatërrojë marrëdhënien me Perëndinë.
Marrëdhëniet e paligjshme seksuale ishin pjesë e pandarë e adhurimit të Baalit dhe joshën shumë izraelitë. Edhe sot disa veta nga populli i Perëndisë bien në gracka të tilla. Për shembull, mjafton një klikim i mausit të kompjuterit kur je brenda mureve të shtëpisë, dhe ja tek u ndot ndërgjegjja e një njeriu kureshtar ose të shkujdesur. Sa e trishtueshme do të ishte sikur një i krishterë të joshej nga pornografia në Internet!
«Lum ata që zbatojnë përkujtuesit e tij!»
Na takon neve vendimi për t’iu bindur ose jo Jehovait kur zgjedhim shoqërinë. (Ligj. 30:19, 20) Prandaj duhet të pyesim veten: ‘Me kë shoqërohem në kohën e lirë? Cilat janë normat dhe parimet e tyre? A e adhurojnë Jehovain? A do të më nxitë shoqëria e tyre të bëhem i krishterë më i mirë?’
Psalmisti këndoi: «Lum ata që janë të patëmetë në udhën e tyre dhe që ecin sipas ligjit të Jehovait! Lum ata që zbatojnë përkujtuesit e tij! Ata e kërkojnë përherë me gjithë zemër.» (Psal. 119:1, 2) Po, «lum kush i frikësohet Jehovait dhe ecën në udhët e tij»! (Psal. 128:1) Kur duhet të zgjedhim shoqërinë, le të mësojmë nga gabimet e izraelitëve dhe t’i bindemi plotësisht Jehovait.—Prov. 13:20.
[Figura në faqen 26]
Miqësia me ata që nuk e duan Jehovain, mund të na çojë në idhujtari