Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Markut

Pika kryesore nga libri i Markut

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Markut

UNGJILLI i Markut është më i shkurtri nga të katër ungjijtë. U shkrua nga Gjon Marku rreth 30 vjet pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit. Ai përmbledh shumë ngjarje emocionuese që ndodhën gjatë shërbimit prej tre vjet e gjysmë të Jezuit.

Me sa duket, ky libër u shkrua për johebrenjtë, sidomos për romakët, dhe e paraqit Jezuin si Birin e Perëndisë që kryen mrekulli e që bën një fushatë të vrullshme predikimi. Theksi vihet më shumë tek ato që bëri Jezui sesa te mësimet e tij. Po t’i kushtojmë vëmendje Ungjillit të Markut, do të na forcohet besimi te Mesia dhe do të nxitemi të shpallim me zell mesazhin e Perëndisë në shërbimin e krishterë.​—Hebr. 4:12.

SHËRBIMI I JASHTËZAKONSHËM NË GALILE

(Marku 1:1–9:50)

Pasi përmbledh vetëm në 14 vargje aktivitetin e Gjon Pagëzorit dhe 40 ditët e Jezuit në shkretëtirë, Marku bën një përshkrim të gjallë të shërbimit të Jezuit në Galile. Përdorimi i shpeshtë i fjalës «menjëherë» i jep tregimit një ndjenjë urgjence.​—Mar. 1:12, 20.

Brenda më pak se tre vjetëve, Jezui bën tri fushata predikimi në Galile. Marku ndjek kryesisht rrjedhën kronologjike. Ai nuk përfshin as Predikimin në Mal dhe as shumë fjalime të gjata të Jezuit.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:15—Për çfarë ishte përmbushur «koha e caktuar»? Jezui po thoshte se ishte përmbushur koha e caktuar që të niste shërbimin. Meqë ai ishte mes tyre si Mbret i emëruar, Mbretëria e Perëndisë ishte afruar. Pra, falë veprës së tij të predikimit, njerëzit zemërdrejtë mund të bënin hapa që do t’u sillnin miratimin e Perëndisë.

1:44; 3:12; 7:36—Pse Jezui nuk donte që të hapnin fjalë për mrekullitë e tij? Jezui nuk donte që njerëzit të nxirrnin përfundime duke u bazuar në lajme të bujshme e ndoshta edhe të shtrembëruara. Ai donte që t’i shihnin vetë provat se ishte Krishti dhe të merrnin një vendim të bazuar te këto dëshmi. (Isa. 42:1-4; Mat. 8:4; 9:30; 12:15-21; 16:20; Luka 5:14) Bënte përjashtim vetëm rasti i një njeriu nga vendi i gerazenëve, që dikur ishte i pushtuar nga demonët. Atij Jezui i tha të shkonte në shtëpi dhe t’u tregonte njerëzve të vet ç’kishte ngjarë. Jezuit i ishin përgjëruar të ikte nga ato vise, kështu do të ketë pasur shumë pak mundësi, për të mos thënë fare, që të takohej me ata njerëz. Prania dhe dëshmia e atij njeriu, të cilit Jezui i kishte bërë një të mirë, mund t’i zbutnin pasojat e komenteve negative për ngordhjen e derrave.​—Mar. 5:1-20; Luka 8:26-39.

2:28—Pse Jezui quhet «Zotëri edhe i Sabatit»? Apostulli Pavël shkroi: «Ligji është një hije e gjërave të mira që do të vijnë.» (Hebr. 10:1) Sipas Ligjit, Sabati vinte pas gjashtë ditëve punë dhe shumë nga shërimet e tij Jezui i bëri atë ditë. Kjo paraqit prehjen, paqen dhe bekimet e tjera që do të ketë njerëzimi gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, pasi të marrë fund sundimi shtypës i Satanait. Për këtë arsye, Mbreti i kësaj Mbretërie është edhe «Zotëri i sabatit».​—Mat. 12:8; Luka 6:5.

3:5; 7:34; 8:12—Nga i dinte Marku hollësitë për gjendjen emocionale të Jezuit? Marku nuk ishte as nga 12 apostujt dhe as shok i ngushtë i Jezuit. Sipas traditës së hershme, Marku ishte mjaft i lidhur me apostullin Pjetër dhe shumë nga ato që shkroi, i dinte prej tij.​—1 Pjet. 5:13.

6:51, 52—Cila ishte ‘domethënia e bukëve’ të cilën dishepujt nuk arritën ta kapnin? Vetëm pak orë më parë Jezui kishte ushqyer 5.000 burra, përveç grave dhe fëmijëve, duke përdorur vetëm pesë bukë dhe dy peshq. ‘Domethënia e bukëve’, që dishepujt duhej të kishin kuptuar nga ajo ngjarje, ishte se fuqinë për të kryer mrekulli Jezuit ia jepte Perëndia Jehova. (Mar. 6:41-44) Po ta kishin kuptuar se ç’fuqi e madhe i ishte dhënë Jezuit, nuk do të mahniteshin aq shumë kur ai eci mbi ujë me anë të një mrekullie.

8:22-26—Pse Jezui ia ktheu shikimin të verbrit dalëngadalë, duke ndjekur dy hapa? Jezui mund ta ketë bërë këtë duke mbajtur parasysh si ndihej ai njeri. Duke iu kthyer gradualisht shikimi, ai njeri që kishte qenë në errësirë për një kohë të gjatë, mund të mësohej me dritën e fortë të diellit.

Mësime për ne:

2:18; 7:11; 12:18; 13:3. Marku jep shpjegime për zakone, shprehje, bindje dhe vende që mund të ishin të panjohura për lexuesit johebrenj. Ai sqaron se farisenjtë «e kishin zakon të agjëronin», se kurbani ishte «dhuratë kushtuar Perëndisë», se saducenjtë ‘thoshin se nuk ka ringjallje’ dhe se tempulli «dukej» nga ‘Mali i Ullinjve’. Meqenëse gjenealogjia e Mesisë u interesonte kryesisht hebrenjve, ai nuk e përfshin fare në librin e tij. Pra Marku është një shembull për ne. Duhet të mbajmë parasysh formimin e dëgjuesve tanë kur jemi në shërbimin e krishterë ose kur mbajmë fjalime në mbledhjet e kongregacionit.

3:21. Të afërmit e Jezuit ishin jobesimtarë. Prandaj ai i kupton ndjenjat e atyre që të afërmit jobesimtarë i kundërshtojnë ose i tallin për shkak të besimit.

3:31-35. Kur u pagëzua, Jezui u bë Biri frymor i Perëndisë dhe «Jerusalemi lart» ishte nëna e tij. (Gal. 4:26) Që nga ajo kohë, për Jezuin, dishepujt ishin më të afërt dhe më të dashur se familja dhe fisi. Kjo na mëson që të vëmë në radhë të parë në jetë interesat frymore.​—Mat. 12:46-50; Luka 8:19-21.

8:32-34. Duhet t’i dallojmë menjëherë nxitjet dashamirëse, por të gabuara që mund të na japin të tjerët dhe të mos i pranojmë. Një dishepull i Krishtit duhet të jetë gati «ta mohojë veten», pra t’u thotë jo dëshirave dhe ambicieve egoiste. Ai duhet të jetë gati «të marrë shtyllën e vet të torturës». Kjo nënkupton që, nëse është e nevojshme, të vuajë ose ta poshtërojnë, ta përndjekin, madje edhe ta vrasin ngaqë është i krishterë. Gjithashtu, duhet ‘të ndjekë vazhdimisht’ Jezuin, duke marrë si shembull mënyrën si jetoi ai. Për të qenë dishepuj, duhet të kultivojmë e të mbajmë një frymë vetëmohuese si Krishti Jezu.​—Mat. 16:21-25; Luka 9:22, 23.

9:24. S’duhet të na vijë turp t’u flasim të tjerëve për besimin tonë ose të lutemi për të pasur më shumë besim.​—Luka 17:5.

MUAJI I FUNDIT

(Marku 10:1–16:8)

Nga fundi i vitit 32 të e.s., Jezui shkon «në kufijtë e Judesë, matanë Jordanit» dhe turmat mblidhen përsëri pranë tij. (Mar. 10:1) Pasi predikon atje niset për në Jerusalem.

Më 8 nisan, Jezui është në Betani. Ndërsa është shtruar për të ngrënë, vjen një grua me vaj aromatik dhe ia derdh mbi kokë. Ngjarjet që nga hyrja ngadhënjimtare e Jezuit në Jerusalem e deri në ringjalljen e tij tregohen në radhë kronologjike.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

10:17, 18—Përse Jezui e korrigjoi dikë që e quajti «Mësues i mirë»? Duke mos e pranuar këtë titull lajkatues, Jezui ia dha lavdinë Jehovait dhe tregoi se Perëndia i vërtetë është burimi i të gjitha gjërave të mira. Për më tepër, Jezui ua drejtoi vëmendjen te kjo e vërtetë themelore: vetëm Krijuesi i gjithçkaje, Perëndia Jehova, ka të drejtën të përcaktojë normat e së mirës dhe të së keqes.​—Mat. 19:16, 17; Luka 18:18, 19.

14:25—Ç’donte të thoshte Jezui kur u tha apostujve besnikë: «Nuk do të pi më nga fryti i hardhisë deri ditën kur ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.» Jezui nuk po thoshte se në qiell ka vërtet verë. Meqë ndonjëherë vera është simbol i gëzimit, Jezui e kishte fjalën për gëzimin që do të provonte kur të ishte në Mbretëri bashkë me dishepujt e tij të mirosur e të ringjallur.​—Psal. 104:15; Mat. 26:29.

14:51, 52—Kush ishte ai djalë i ri që «ia mbathi i zhveshur»? Vetëm Marku flet për këtë, pra logjikisht mund të nxjerrim përfundimin se duhej ta kishte fjalën për veten.

15:34—A tregoi Jezui mungesë besimi me fjalët: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» Jo. Ndonëse s’jemi të sigurt përse i tha këto fjalë Jezui, fjalët e tij mund të tregojnë se e dinte që Jehovai ia kishte hequr mbrojtjen në mënyrë që integriteti i Birit të Tij të vihej plotësisht në provë. Jezui, ka të ngjarë ta ketë thënë këtë edhe ngaqë donte të përmbushte çka thuhej për të në Psalmin 22:1.​—Mat. 27:46.

Mësime për ne:

10:6-9. Qëllimi i Perëndisë është që bashkëshortët të qëndrojnë bashkë. Prandaj, në vend që të kërkojnë me ngut divorcin, ata duhet të përpiqen me mish e me shpirt që të zbatojnë parimet biblike për të kapërcyer çdo vështirësi në martesë.​—Mat. 19:4-6.

12:41-44. Shembulli i vejushës së varfër na mëson se duhet ta mbështetim me altruizëm adhurimin e vërtetë.

[Figura në faqen 29]

Pse Jezui i tha këtij burri t’ua tregonte njerëzve të vet gjithë sa i kishte ndodhur?