Ebla—Një qytet i lashtë del nga harresa
Ebla—Një qytet i lashtë del nga harresa
Në verën e vitit 1962, Paolo Matjei, një arkeolog i ri italian, bëri gërmime në rrafshinat e Sirisë Veriperëndimore, por pa e ditur në do të gjente gjë. Pjesa në brendësi të Sirisë konsiderohej e varfër nga ana arkeologjike. E megjithatë, nga gërmimet që do të fillonin dy vjet më vonë në Tel-Mardik, rreth 60 kilometra në jug të Halebit, do të zbulohej ajo që shumë e quajnë ‘zbulimin më të rëndësishëm arkeologjik të shekullit të 20-të’.
MBISHKRIME të lashta dëshmonin për ekzistencën e një qyteti me emrin Ebla. Por askush nuk e dinte nën cilin nga pirgjet e shumta, që ndodhen anembanë Lindjes së Mesme, mund të gjendej qyteti. Në njërin tekst flitej për fitoren e Sargonit, mbretit të Akadit, mbi «Marin, Jarmuthin dhe Eblën». Në një mbishkrim tjetër, mbreti sumerian Gudea përmendte drurët e çmuar që ia kishin sjellë nga «malet e Iblës [Eblës]». Gjithashtu, emri Ebla dilte edhe në Karnaki të Egjiptit, në një listë të qyteteve të lashta që kishte pushtuar faraoni Tutmesi III. Prandaj, kuptohet pse arkeologët ishin përpjekur të gjenin ku ndodhej Ebla.
Por, gërmimet e mëtejshme sollën fryt. Në vitin 1968, u zbulua pjesërisht statuja e Ibit-Limit, një mbreti të Eblës. Kishte të gdhendur një betim në gjuhën akadiane, ku tregohej se ky monument i ishte kushtuar perëndeshës Ishtar, e cila «ndriçonte në Ebla». Pra, nga zbulimet arkeologjike filloi të shfaqej «një gjuhë e re, një histori e re dhe një kulturë e re».
Vërtetimi se Tel-Mardiku përkonte me Eblën e lashtë, erdhi në periudhën 1974-1975, pasi u zbuluan pllaka me shkrim kuneiform, ku vazhdimisht dilte emri i atij qyteti të lashtë. Nga gërmimet u zbulua edhe se qyteti kishte ekzistuar të paktën dy herë. Pas një periudhe të parë madhështie, ishte shkretuar. Pastaj ishte rindërtuar, por ishte shkatërruar përsëri dhe kishte rënë në harresë për shekuj të tërë.
Një qytet me shumë histori
Qytetet më të lashta ndërtoheshin në lugina lymore, si ajo mes lumenjve Tigër dhe Eufrat, ku njerëzit mund të merreshin gjerësisht me bujqësi. Qytetet e para që përmenden në Bibël ndodheshin në Mesopotami. (Zanafilla 10:10) Duket se emri Ebla do të thotë «Gur i bardhë», që i referohet tabanit gëlqeror mbi të cilin ndodhej qyteti. Me sa duket u zgjodh ky vend, sepse shtresa e gurit gëlqeror garantonte se do të kishte gjithnjë rezerva uji natyror, e rëndësishme kjo në atë rajon që ndodhej larg lumenjve kryesorë.
Për shkak të nivelit të kufizuar të reshjeve në zonën e Eblës, mund të kultivoheshin gjerësisht vetëm drithërat, hardhitë dhe pemët e ullirit. Ajo zonë ishte e mirë edhe për të mbajtur bagëti, sidomos dele. Vendndodhja strategjike e Eblës, midis rrafshinës së Mesopotamisë dhe brigjeve të Mesdheut, favorizonte tregtinë e drurit, të gurëve gjysmë të çmuar dhe të metaleve. Qyteti kishte nën kontroll një rajon ku banonin rreth 200.000 veta, një e dhjeta e të cilëve jetonin në kryeqytet.
Rrënojat e një pallati të madh dëshmojnë për madhështinë e kësaj epoke të civilizimit eblait. Për në pallat hyhej nga një portik që ishte rreth 12-15 metra i lartë. Pallati ishte zgjeruar me kalimin e kohës, për të përballuar nevojat gjithnjë në rritje të një administrate që sa vinte e bëhej më e fuqishme. Nëpunësit punonin nën një hierarki të ndërlikuar: mbreti dhe bashkëshortja e tij ndihmoheshin nga «lordë» dhe «guvernatorë».
Janë gjetur më shumë se 17.000 pllaka dhe fragmente argjile. Fillimisht, duhet të kenë qenë me siguri më shumë se 4.000 pllaka të plota, të vendosura me kujdes në rafte druri. Këto dokumente dëshmojnë për tregtinë e zgjeruar që bënte Ebla. Për shembull, qyteti bënte tregti me Egjiptin, siç e tregojnë simbolet mbretërore të dy faraonëve. Pllakat ishin shkruar kryesisht me shkrimin kuneiform sumerian. Por disa ishin në gjuhën eblaite, një gjuhë semitike shumë e lashtë që mund të deshifrohej falë këtyre dokumenteve. Orientalistët u habitën kur zbuluan një gjuhë kaq të vjetër semitike. Është me interes që në disa pllaka ka lista dygjuhëshe sumeriane-eblaite. Libri Ebla—Në origjinë të qytetërimit urban (italisht) i quan këto pllaka «fjalorët më të vjetër që njohim».
Me sa duket Ebla ishte fuqi ushtarake, sepse në disa gdhendje që janë gjetur nga gërmimet, paraqiten luftëtarë eblaitë ndërsa ekzekutojnë armiqtë e tyre ose ndërsa mbajnë në duar koka të prera. Megjithatë, shkëlqimi i Eblës mori fund kur historia e saj u ndërthur me atë të fuqive të reja, Asirisë dhe Babilonisë. Nuk është e lehtë t’i piketosh me saktësi ato ngjarje, por duket se në fillim Sargoni I (jo Sargoni që përmendet tek Isaia 20:1) e më pas nipi i tij, Naram-Sini, dolën kundër Eblës. Provat arkeologjike tregojnë se ato përleshje ishin të ashpra dhe sulmet ishin të egra.
Por, siç e përmendëm, pas njëfarë kohe qyteti u rindërtua dhe madje fitoi rëndësi në rajon. Qyteti i ri u ndërtua sipas një plani mjaft të hollësishëm, duke ia shtuar madhështinë. Në pjesën e poshtme të tij ishte një zonë e shenjtë, që ia kishin kushtuar perëndeshës Ishtar, të cilën edhe
babilonasit e konsideronin perëndeshën e pjellorisë. Ndoshta keni dëgjuar për të famshmen Portë të Ishtarit, që është zbuluar në rrënojat e Babilonisë. Një ndërtesë veçanërisht madhështore në Ebla, me sa duket, përdorej për luanët që mbaheshin si të shenjtë për perëndeshën Ishtar. Kjo na çon te feja e Eblës.Feja e Eblës
Ashtu si në vende të tjera të Lindjes së lashtë, Ebla kishte një panteon perëndish. Disa prej tyre ishin Baali, Hadadi (një emër që del si pjesë e emrave të disa mbretërve sirianë) dhe Dagani. (1 Mbretërve 11:23; 15:18; 2 Mbretërve 17:16) Eblaitët i kishin frikë të gjitha këto perëndi. Madje nderonin edhe perënditë e popujve të tjerë. Zbulimet arkeologjike tregojnë se, sidomos në mijëvjeçarin e dytë p.e.s., adhuroheshin edhe mbretërit e lashtë të hyjnizuar.
Por eblaitët nuk u besonin tërësisht perëndive të tyre. Ebla e re kishte edhe një rreth të madh me mure dyshe, që mund të frikësonte çfarëdo armiku. Muret e jashtme kishin një perimetër pothuaj prej 3 kilometrash. Ato ende dallohen qartë.
Prapëseprapë, edhe Ebla e rindërtuar mori fund. Ndoshta ishin hititët, rreth vitit 1600 p.e.s., që i dhanë dërrmën e fundit asaj që kishte qenë një fuqi e madhe. Sipas një poeme të lashtë, Ebla «u thye copë-copë si një vazo qeramike». Shumë shpejt filloi të zhdukej nga historia. Një dokument i shkruar nga kryqtarët që marshuan në Jerusalem në vitin 1098, përmend vendin ku ndodhej më parë Ebla, duke iu referuar si një qendër e largët e banuar me emrin Mardik. Ebla pothuajse ishte harruar, por u zbulua përsëri pas shumë shekujsh.
[Kutia në faqen 14]
EBLA DHE BIBLA
Një artikull i botuar në vitin 1976, në revistën Biblical Archeologist, zgjoi kureshtjen e dijetarëve biblikë. Deshifruesi i pllakave të Eblës parashtronte mundësinë se, ndër të tjera, pllakat përmbanin edhe emra njerëzish e vendesh që përmenden shekuj më vonë në Bibël. Duke shkuar ndoshta përtej asaj që thoshte artikulli, disa filluan të shkruanin se në Ebla kishin dalë prova arkeologjike që tregimi i Zanafillës është i besueshëm. * Jezuiti Mitçell Dahud tha se «pllakat e argjilës [nga Ebla] po hedhin dritë mbi pikat e errëta të Biblës». Për shembull, ai besonte se ato mund të hidhnin dritë mbi «problemin se sa i lashtë është emri i Perëndisë së Izraelit».
Tani këto tekste po shqyrtohen me më shumë paanësi. Meqë edhe gjuha hebraike, edhe ajo eblaite janë gjuhë semitike, nuk përjashtohet mundësia që disa emra qytetesh ose individësh të jenë të ngjashëm ose identikë me ata të Biblës. Megjithatë, kjo nuk provon se u referohen të njëjtave vende ose të njëjtëve njerëz. Mbetet për t’u parë se deri në ç’pikë zbulimet e bëra në Ebla do të ndikojnë në studimet për Biblën. Sa për emrin hyjnor, shkrimtari i artikullit në revistën Biblical Archeologist, e ka mohuar që të ketë thënë ndonjëherë se «Jahveh» përmendej në tekstet e Eblës. Për disa, shenja kuneiforme e interpretuar si ja, tregon vetëm një nga hyjnitë e shumta të panteonit eblait, kurse specialistë të tjerë shpjegojnë se është vetëm një shenjë gramatikore. Sidoqoftë, ajo nuk i referohet Jehovait, të vetmit Perëndi të vërtetë.—Ligji i përtërirë 4:35; Isaia 45:5.
[Shënimi]
^ par. 19 Për një shqyrtim se si e mbështet arkeologjia tregimin e Biblës, shih kapitullin e 4-t të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Harta dhe figura në faqen 12]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
DETI I MADH
KANAAN
SIRI
Haleb
Eblë (Tel-Mardik)
Lumi Eufrat
[Burimi]
Arkeologu: Missione Archeologica Italiana a Ebla-Università degli Studi di Roma ‘La Sapienza’
[Figura në faqet 12, 13]
Një gjerdan ari, që daton rreth vitit 1750 p.e.s.
[Figura në faqen 13]
Rrënoja të një pallati të madh
[Figura në faqen 13]
Skicë e një artisti, me pllakat prej argjile që mbaheshin në dhomën e arkivit
[Figura në faqen 13]
Pllakë me shkrim kuneiform
[Figura në faqen 13]
Shkop mbretëror egjiptian 1750-1700 p.e.s.
[Figura në faqen 13]
Luftëtar eblait me koka armiqsh
[Figura në faqen 14]
Monument kushtuar perëndeshës Ishtar
[Burimi]
Missione Archeologica Italiana a Ebla-Università degli Studi di Roma ‘La Sapienza’
[Burimi i figurës në faqen 13]
Të gjitha pamjet (përveç rrënojave të pallatit): Missione Archeologica Italiana a Ebla-Università degli Studi di Roma ‘La Sapienza’