Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Duaje Perëndinë që të do

Duaje Perëndinë që të do

Duaje Perëndinë që të do

«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.»—MATEU 22:37.

1, 2. Pse mund të ketë lindur pyetja në lidhje me urdhërimin më të madh?

PYETJA që u ngrit, me sa dukej, diskutohej me zjarr mes farisenjve të ditëve të Jezuit. Cili ishte më i rëndësishmi nga më tepër se 600 ligjet e Ligjit të Moisiut? Mos ishte ligji për flijimet? Në fund të fundit, flijimet bëheshin për të fituar faljen e mëkateve dhe për t’i dhënë falënderime Perëndisë. Apo ndoshta ligji më i rëndësishëm ishte ligji për rrethprerjen? Edhe ky ishte i rëndësishëm, meqë rrethprerja ishte një shenjë e besëlidhjes që Jehovai kishte bërë me Abrahamin.—Zanafilla 17:9-13.

2 Nga ana tjetër, farisenjtë konservatorë me sa duket arsyetonin se meqë çdo ligj që kishte dhënë Perëndia ishte i rëndësishëm—edhe pse disa mund të dukeshin më pak të rëndësishme—do të ishte e gabuar të lartësoje ndonjë urdhërim mbi të tjerat. Farisenjtë vendosën t’ia bënin Jezuit këtë pyetje që ngjallte polemika. Ndoshta ai do të thoshte diçka që mund t’i bënte njerëzit të mos kishin më besim tek ai. Njëri prej tyre iu afrua Jezuit dhe e pyeti: «Cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?»—Mateu 22:34-36.

3. Cili tha Jezui se ishte urdhërimi më i madh?

3 Përgjigjja që dha Jezui ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne sot. Në përgjigjen e tij, Jezui përmblodhi atë që kishte qenë dhe që do të jetë gjithmonë thelbi i adhurimit të vërtetë. Duke cituar Ligjin e përtërirë 6:5, Jezui tha: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.» Ndonëse fariseu pyeti për një urdhërim, Jezui i dha atij edhe një tjetër. Duke cituar Levitikun 19:18, ai tha: «I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’» Më pas Jezui tregoi se këto dy ligje përfshinin tërë adhurimin e pastër. Që t’i paraprinte çdo përpjekjeje për ta shtyrë atë që të rendiste sipas rëndësisë ligjet e tjera, Jezui përfundoi: «Nga këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.» (Mateu 22:37-40) Në këtë artikull do të shqyrtojmë urdhërimin më të madh të këtyre dy urdhërimeve. Pse duhet ta duam Perëndinë? Si e tregojmë se e duam? Si mund ta zhvillojmë këtë dashuri? Është jetësore të dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve, sepse për t’i pëlqyer Jehovait duhet ta duam atë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë.

Rëndësia e dashurisë

4, 5. (a) Pse fariseu nuk u habit nga ajo që tha Jezui? (b) Ç’gjë ka vlerë për Perëndinë më shumë se flijimet dhe blatimet?

4 Duket se fariseu që i bëri pyetjen Jezuit as u trondit, as u habit nga përgjigjja që mori. Ai e dinte se dashuria për Perëndinë ishte një aspekt thelbësor i adhurimit të vërtetë, megjithëse shumë nuk e shfaqnin atë. Në sinagoga ishte zakon që të recitohej me zë të lartë Shema ose rrëfimi i besimit, dhe kjo përfshinte fragmentin që gjendej te Ligji i përtërirë 6:4-9 nga i cili citoi edhe Jezui. Sipas tregimit paralel te Marku, fariseu i tha më pas Jezuit: «Mësues, mirë e the dhe në përputhje me të vërtetën, se ‘Ai është Një dhe se nuk ka tjetër veç Tij’. Gjithashtu, ta duash atë me gjithë zemër, me gjithë kuptueshmërinë e me gjithë forcën, si dhe ta duash të afërmin si veten, vlen shumë më tepër se gjithë blatimet e plota të djegura dhe flijimet.»—Marku 12:32, 33.

5 Po, ndonëse blatimet e djegura dhe flijimet kërkoheshin nga Ligji, ajo që ka vërtet vlerë para Perëndisë te shërbëtorët e tij është një zemër e motivuar nga dashuria. Një harabel që i paraqitej Perëndisë me dashuri dhe përkushtim, kishte vlerë për të më tepër se mijëra desh që i jepeshin me motivin e gabuar. (Mikea 6:6-8) Kujto tregimin për vejushën nevojtare të cilën Jezui e vërejti në tempullin e Jerusalemit. Me dy monedhat e vogla që ajo vuri në arkën e thesarit nuk mund të blihej as edhe një harabel. Megjithatë ai kontribut që u dha me dashuri të përzemërt për Jehovain, për Të kishte më shumë rëndësi se kontributet e mëdha që dhanë të pasurit nga ato që u tepruan. (Marku 12:41-44) Sa inkurajuese është të dimë se Jehovai vlerëson më shumë atë që të gjithë ne mund ta shprehim pavarësisht nga rrethanat, pra, dashurinë tonë për të!

6. Çfarë shkroi Pavli në lidhje me rëndësinë e dashurisë?

6 Duke theksuar rëndësinë e dashurisë në adhurimin e vërtetë, apostulli Pavël shkroi: «Edhe sikur të flas gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kem dashuri, do të bëhem si një instrument tunxhi që kumbon ose si një cimbal që tingëllon. Edhe sikur të kem dhuratën e profetizimit dhe të njoh gjithë sekretet e shenjta dhe gjithë njohurinë, edhe sikur të kem gjithë besimin, sa të zhvendos malet, por të mos kem dashuri, nuk do të jem asgjë. Edhe sikur të jap gjithë zotërimet e mia për të ushqyer të tjerët, dhe sikur të dorëzoj trupin tim që të mburrem, por të mos kem dashuri, nuk do të më sjellë asnjë dobi.» (1 Korintasve 13:1-3) Është e qartë, pra, se dashuria është thelbësore, nëse duam që adhurimi ynë t’i pëlqejë Perëndisë. Por, si e tregojmë dashurinë për Jehovain?

Si e tregojmë dashurinë tonë për Jehovain?

7, 8. Si mund ta tregojmë dashurinë tonë për Jehovain?

7 Shumë besojnë se dashuria është një ndjenjë të cilën nuk e kemi dot në kontroll. Për shembull, dëgjojmë njerëz që thonë se kanë rënë në dashuri. Por dashuria e vërtetë nuk është vetëm diçka që ndiejmë. Ajo karakterizohet dhe dallohet nga veprimet, e jo nga ndjenjat. Bibla e quan dashurinë «një udhë që i tejkalon të tjerat» dhe diçka që e ‘ndjekim’. (1 Korintasve 12:31; 14:1) Të krishterët nxiten të duan jo veç «me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë».—1 Gjonit 3:18.

8 Dashuria për Perëndinë na nxit të bëjmë atë që atij i pëlqen dhe të mbrojmë e të mbështetim sovranitetin e tij, me fjalë e me vepra. Ajo na nxit të mos e duam botën dhe udhët e saj të paperëndishme. (1 Gjonit 2:15, 16) Ata që e duan Perëndinë urrejnë të keqen. (Psalmi 97:10) Dashuria për Perëndinë përfshin edhe dashurinë për të afërmin, për të cilën do të flasim në artikullin vijues. Për më tepër dashuria për Perëndinë kërkon nga ne bindje. Bibla thotë: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.»—1 Gjonit 5:3.

9. Si e tregoi Jezui dashurinë për Perëndinë?

9 Jezui e tregoi në mënyrë të përsosur se çfarë do të thotë të duam Perëndinë. Dashuria për Perëndinë e nxiti atë që të linte shtëpinë e tij qiellore dhe të banonte në tokë si njeri. Ajo e nxiti t’i jepte lavdi Atit me anë të gjërave që bëri e mësoi. Dashuria e nxiti që ‘të bindej madje deri në vdekje’. (Filipianëve 2:8) Ajo bindje, e cila ishte një shprehje e dashurisë së tij, u hapi rrugën njerëzve besnikë që të kenë një qëndrim të drejtë para Perëndisë. Pavli shkroi: «Ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm [Adamit], shumë u bënë mëkatarë, po ashtu edhe nëpërmjet bindjes së një të vetmi [Krishtit Jezu], shumë do të bëhen të drejtë.»—Romakëve 5:19.

10. Pse dashuria për Perëndinë përfshin bindjen?

10 Ashtu si Jezui, e tregojmë dashurinë tonë duke iu bindur Perëndisë. Apostulli Gjon, që Jezui e kishte për zemër, shkroi: «Kjo do të thotë dashuri: të vazhdojmë të ecim sipas urdhërimeve të tij.» (2 Gjonit 6) Ata që e duan vërtet Jehovain dëshirojnë fort drejtimin e tij. Duke e kuptuar se nuk mund t’i drejtojnë vetë me sukses hapat e tyre, ata kanë besim te mençuria e Perëndisë dhe i nënshtrohen drejtimit të tij të dashur. (Jeremia 10:23) Ata janë si njerëzit me mendje fisnike në Berenë e lashtë të cilët e pranuan mesazhin e Perëndisë «me etje të madhe», duke pasur një dëshirë të zjarrtë për të bërë vullnetin e Perëndisë. (Veprat 17:11) Ata shqyrtonin me kujdes Shkrimet që të kuptonin më plotësisht vullnetin e Perëndisë, i cili i ndihmonte ta shprehnin dashurinë me vepra të tjera bindjeje.

11. Çfarë do të thotë ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën tonë?

11 Siç tha Jezui, dashuria për Perëndinë përfshin gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën tonë. (Marku 12:30) Një dashuri e tillë buron nga zemra, në të cilën përfshihen ndjenjat, dëshirat dhe mendimet më të thella, dhe ne dëshirojmë me zjarr t’i pëlqejmë Jehovait. Gjithashtu ne e duam me gjithë mendjen tonë. Përkushtimi ynë nuk është i verbër. Ne kemi njohur Jehovain: cilësitë, normat dhe qëllimet e tij. E përdorim shpirtin tonë, pra gjithë qenien dhe jetën tonë, për t’i shërbyer e për t’i dhënë Atij lavdi. E po ashtu e përdorim edhe forcën tonë për këtë qëllim.

Pse duhet ta duam Jehovain?

12. Pse Perëndia kërkon që ta duam?

12 Një arsye pse duhet ta duam Jehovain është se ai kërkon që të pasqyrojmë cilësitë e tij. Perëndia është burimi dhe shembulli më i lartë i dashurisë. «Perëndia është dashuri»,—shkroi apostulli i frymëzuar Gjon. (1 Gjonit 4:8) Njerëzit u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; u projektuam që të duam. Në fakt, sovraniteti i Jehovait bazohet te dashuria. Ai do si nënshtetas të tij ata që i shërbejnë ngaqë e duan dhe dëshirojnë mënyrën e tij të drejtë të të sunduarit. Në të vërtetë dashuria është thelbësore për paqen dhe harmoninë e gjithë krijimit.

13. (a) Pse iu tha izraelitëve: ‘Duajeni Jehovain, Perëndinë tuaj.’ (b) Pse është e arsyeshme që Jehovai pret që edhe ne ta duam?

13 Një arsye tjetër pse e duam Jehovain është se çmojmë atë që ka bërë për ne. Kujto se Jezui u tha judenjve: ‘Duajeni Jehovain, Perëndinë tuaj.’ Nuk pritej që ata të donin një qenie hyjnore që ishte e largët dhe e panjohur. Ata duhej të donin Personin që u kishte shfaqur atyre dashurinë e tij. Jehovai ishte Perëndia i tyre. Ai ishte Perëndia që i nxori nga Egjipti dhe i çoi në Tokën e Premtuar, Ai që i mbrojti, i ushqeu dhe i donte, Ai që i disiplinoi me dashuri. Po ashtu sot, Jehovai është Perëndia ynë, ai që dha Birin e tij si shpërblesë, që të mund të kemi jetën e përhershme. Sa e arsyeshme është që Jehovai pret që edhe ne ta duam! Dashuria jonë i përgjigjet dashurisë së Perëndisë, pra, na kërkohet të duam Perëndinë që na do. Dashuria jonë është për Atë që «na deshi i pari».—1 Gjonit 4:19.

14. Në ç’mënyrë dashuria e Jehovait është si ajo e një prindi të dashur?

14 Dashuria e Jehovait për njerëzimin është si ajo e një prindi të dashur për fëmijët e vet. Edhe pse janë të papërsosur, prindërit mundohen shumë për vite të tëra që të kujdesen për fëmijët dhe e bëjnë këtë me sakrifica të mëdha materiale ose të ndonjë lloji tjetër. Prindërit i mësojnë, u japin zemër, i mbështetin dhe i disiplinojnë fëmijët e tyre, sepse duan që ata të jenë të lumtur dhe t’u vejë mbarë. Çfarë duan prindërit në këmbim? Duan që fëmijët t’i duan dhe të marrin seriozisht gjërat që u kanë mësuar fëmijëve për të mirën e tyre. A nuk është e arsyeshme që Ati ynë i përsosur qiellor të presë që të tregojmë me dashuri mirënjohje për gjithçka që ka bërë për ne?

Ta zhvillojmë dashurinë për Perëndinë

15. Cili është hapi i parë për ta zhvilluar dashurinë për Perëndinë?

15 Ne nuk e kemi parë kurrë Perëndinë dhe as e kemi dëgjuar zërin e tij. (Gjoni 1:18) Megjithatë, ai na fton që të kemi një marrëdhënie të dashur me të. (Jakovi 4:8) Si mund ta bëjmë këtë? Hapi i parë për të dashur dikë është që ta njohim atë; është e vështirë të kemi shumë për zemër dikë që nuk e njohim. Jehovai na ka siguruar Fjalën e tij, Biblën, që të mësojmë gjërat për Të. Ja pse Jehovai nëpërmjet organizatës së tij na nxit ta lexojmë Biblën rregullisht. Vetëm Bibla na mëson për Perëndinë, për cilësitë, personalitetin, si edhe për mënyrën si ka vepruar me njerëzit gjatë mijëra vjetëve. Ndërsa meditojmë për këto tregime, çmueshmëria dhe dashuria jonë për të do të rritet.—Romakëve 15:4.

16. Në ç’mënyrë meditimi për shërbimin e Jezuit na e shton dashurinë për Perëndinë?

16 Një mënyrë e rëndësishme për të rritur dashurinë për Jehovain është që të meditojmë për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Në të vërtetë Jezui pasqyroi Atin e tij në mënyrë kaq të përsosur, sa mundi të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) A nuk prekesh nga dhembshuria që tregoi Jezui kur i riktheu jetën birit të vetëm të vejushës? (Luka 7:11-15) A nuk është e këndshme të dish se ai—Biri i Perëndisë dhe njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë—u lau me përulësi këmbët dishepujve? (Gjoni 13:3-5) A nuk prekesh kur mëson se megjithëse ishte më i madh e më i mençur se çdo njeri, ai ishte i afrueshëm me të gjithë, duke përfshirë edhe fëmijët? (Marku 10:13, 14) Ndërsa meditojmë me çmueshmëri për këto gjëra, bëhemi si ata të krishterë për të cilët Pjetri shkroi: «Edhe pse nuk e keni parë kurrë [Jezuin], ju e doni atë.» (1 Pjetrit 1:8) Teksa dashuria jonë për Jezuin rritet, po kështu rritet edhe dashuria jonë për Jehovain.

17, 18. Meditimi për cilat masa të dashura të Jehovait mund të na e rritë dashurinë për të?

17 Një mënyrë tjetër se si mund ta rritim dashurinë për Perëndinë është të meditojmë për masat e bollshme e të dashura që ka marrë që ne ta gëzojmë jetën, të tilla si: bukuria e krijimit, larmia e pafund e gjërave të këndshme për të ngrënë, shoqëria e ngrohtë e miqve të mirë, si edhe gjëra të tjera të panumërta që na sjellin kënaqësi dhe ëndje. (Veprat 14:17) Sa më shumë mësojmë për Perëndinë, aq më shumë arsye kemi për të çmuar mirësinë dhe bujarinë e tij të pakufishme. Mendo për gjërat që Jehovai ka bërë për ty si person. A nuk je dakord se ai meriton dashurinë tënde?

18 Ndër dhuratat e shumta të Perëndisë është mundësia që kemi për t’iu afruar në lutje në çdo kohë, duke e ditur se ‘Dëgjuesi i lutjes’ na dëgjon. (Psalmi 65:2) Jehovai ia ka deleguar Birit të tij të dashur autoritetin për të sunduar dhe për të gjykuar. Por ai nuk ua delegon të tjerëve, as Birit të tij, dëgjimin e lutjeve. Ai i dëgjon vetë lutjet tona. Interesimi personal dhe i dashur që tregon në këtë mënyrë Jehovai, na afron me të.

19. Cilat premtime të Jehovait na afrojnë me të?

19 I afrohemi Jehovait edhe kur mendojmë për atë që ka si qëllim të bëjë për njerëzimin. Ai ka premtuar t’u japë fund sëmundjeve, brengave dhe vdekjes. (Zbulesa 21:3, 4) Kur njerëzimi të jetë bërë i përsosur, askush nuk do të vuajë nga depresioni, shkurajimi ose tragjeditë. Nuk do të ketë më uri, varfëri dhe luftëra. (Psalmi 46:9; 72:16) Toka do të shndërrohet në një parajsë. (Luka 23:43) Jehovai nuk do t’i sjellë këto bekime sepse është i detyruar, por sepse na do.

20. Çfarë tha Moisiu për dobitë që vijnë nga dashuria për Jehovain?

20 Pra, ka arsye të fuqishme që ta duam Perëndinë tonë dhe që ta rritim këtë dashuri. A do të vazhdosh ta forcosh dashurinë për Perëndinë, duke e lejuar Atë që të drejtojë udhët e tua? Kjo varet nga ty. Moisiu e kuptoi sa dobi kishte që të zhvillonte e të ruante dashurinë për Jehovain. Ai u tha izraelitëve në kohën e lashtë: «Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të, pasi ai është jeta juaj dhe ju jep bollëk ditësh.»—Ligji i përtërirë 30:19, 20.

A të kujtohet?

• Pse është thelbësore që ta duam Jehovain?

• Si mund ta tregojmë dashurinë për Perëndinë?

• Cilat arsye kemi që ta duam Jehovain?

• Si mund ta zhvillojmë dashurinë për Perëndinë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 20]

Jehovai vlerëson më shumë atë që të gjithë ne mund ta shprehim, pra, dashurinë tonë për të!

[Figurat në faqen 23]

«Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:9.