Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Antikrishti zbulohet

Antikrishti zbulohet

Antikrishti zbulohet

SI DO të mbroheshe po të merrje vesh se në zonën tënde po bën kërdinë një epidemi vdekjeprurëse? Me siguri do të forcoje sistemin tënd imunitar dhe do të qëndroje larg individëve të infektuar. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe në kuptimin frymor. Shkrimet thonë se antikrishti «është tashmë në botë». (1 Gjonit 4:3) Nëse duam të mos «infektohemi», duhet të identifikojmë «mbartësit e infeksionit» dhe t’i shmangim. Sa mirë që Bibla hedh mjaft dritë për këtë temë!

Fjala «antikrisht» do të thotë «kundër (ose në vend të) Krishtit». Kështu, në një kuptim të gjerë, termi u referohet të gjithë atyre që i kundërvihen Krishtit a përfaqësuesve të tij ose që, duke gënjyer, thonë se janë Krishti a përfaqësuesit e tij. Vetë Jezui tha: «Ai që nuk është me mua, është kundër meje [ose është antikrisht] dhe ai që nuk mbledh me mua, shpërndan.»—Luka 11:23.

Sigurisht kur Gjoni shkroi për antikrishtin, kishin kaluar më shumë se 60 vjet nga vdekja dhe ringjallja e Jezuit në qiell. Prandaj, veprimet e antikrishtit duhen kuptuar nga mënyra se si ndikojnë tek ithtarët besnikë të Jezuit në tokë.—Mateu 25:40, 45.

Antikrishti është kundër të krishterëve

Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij se bota në përgjithësi do t’i urrente. Ai tha: «Do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin, dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Do të dalin shumë profetë të rremë, që do të mashtrojnë shumë veta.»—Mateu 24:9, 11.

Meqë dishepujt e Jezuit përndiqen «për shkak të emrit [të Jezuit]», është e qartë se përndjekësit janë antikrishtër, pra, kundra Krishtit. Edhe ‘profetët e rremë’, disa prej të cilëve dikur ishin të krishterë, janë antikrishtër. (2 Gjonit 7) Këta ‘antikrishtër të shumtë’, shkroi Gjoni, «dolën nga gjiri ynë, por nuk ishin të sojit tonë, sepse, po të kishin qenë të sojit tonë, do të kishin qëndruar me ne».—1 Gjonit 2:18, 19.

Fjalët e Jezuit dhe të Gjonit tregojnë qartë se antikrishti nuk është një person i vetëm, por përbëhet nga shumë antikrishtër. Për më tepër, meqë janë profetë të rremë, një nga synimet e tyre kryesore janë mashtrimet fetare. Cilat janë disa nga taktikat e tyre?

Përhapin gënjeshtra fetare

Apostulli Pavël e paralajmëroi bashkëpunëtorin e tij Timoteun që të ruhej nga mësimet e apostatëve, si Himeneu dhe Fileti, ‘fjala e të cilëve do të përhapej si gangrenë’. Pavli shtoi: «Pikërisht këta njerëz janë larguar nga e vërteta dhe thonë se ringjallja ka ndodhur tashmë, e po minojnë besimin e disave.» (2 Timoteut 2:16-18) Me sa duket Himeneu dhe Fileti mësonin se ringjallja ishte simbolike dhe se të krishterët ishin ringjallur tashmë në kuptimin frymor. Sigurisht që, kur dikush bëhet dishepull i vërtetë i Jezuit, vjen në jetë sipas pikëpamjes së Perëndisë, dhe këtë Pavli e tha qartë. (Efesianëve 2:1-5) Megjithatë, mësimi i Himeneut dhe i Filetit shpërfillte premtimin e Jezuit për një ringjallje të mirëfilltë të të vdekurve nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë.—Gjoni 5:28, 29.

Idetë për një ringjallje tërësisht simbolike u zhvilluan më vonë nga një grup i quajtur gnostikët. Meqë gnostikët besonin se njohuria (greqisht gnósis) mund të fitohej në një mënyrë mistike, ata ndërthurën krishterimin apostat me filozofinë greke dhe misticizmin e Lindjes. Për shembull, ata besonin se e tërë materia fizike është e ligë, dhe për këtë arsye Jezui nuk erdhi në mish, por vetëm sa dukej sikur kishte trup njerëzor. Siç kemi parë, kjo është pikërisht ajo për të cilën kishte paralajmëruar Gjoni.—1 Gjonit 4:2, 3; 2 Gjonit 7.

Një gënjeshtër tjetër e sajuar shekuj më vonë, është doktrina e të ashtuquajturit Trinitet i shenjtë, sipas së cilës Jezui është edhe Perëndia i Plotfuqishëm, edhe Biri i Perëndisë. Në librin e tij Kisha e tre shekujve të parë (anglisht), dr. Alvan Lamsoni thotë se doktrina e Trinitetit «e kishte origjinën në një burim krejtësisht të huaj nga burimi i Shkrimeve Hebraike dhe të Krishtere; ajo u zhvillua dhe u shartua në Krishterim nga Etërit që ndiqnin idetë e Platonit». Cilët ishin këta «Etërit që ndiqnin idetë e Platonit»? Ishin klerikë apostatë që ishin dashuruar me mësimet e filozofit pagan grek Platonit.

Shartimi i doktrinës së Trinitetit ishte një veprim tinëzar i antikrishtit, sepse kjo doktrinë e mbulonte Perëndinë me mister dhe e bënte të paqartë marrëdhënien e tij me Birin. (Gjoni 14:28; 15:10; Kolosianëve 1:15) Mendo pak, si mund ‘t’i afrohet Perëndisë’ një njeri, siç nxitin Shkrimet, nëse Perëndia është një mister?—Jakovi 4:8.

Një gjë tjetër që e shton pështjellimin është se shumë përkthyes të Biblës e kanë hequr nga përkthimet e tyre emrin e Perëndisë, Jehova, megjithëse shfaqet më tepër se 7.000 herë në tekstin origjinal! Është e qartë, pra, se përpjekjet për ta shndërruar të Plotfuqishmin jo thjesht në një mister, por në një mister pa emër, përbëjnë një mungesë të hapur respekti për Krijuesin dhe Fjalën e tij të frymëzuar. (Zbulesa 22:18, 19) Për më tepër, zëvendësimi i emrit të Perëndisë me tituj të tillë si Zotëri dhe Perëndi është një dhunim i lutjes model të Jezuit, në të cilën thuhet pjesërisht: «U shenjtëroftë emri yt.»—Mateu 6:9.

Antikrishtërit mohojnë Mbretërinë e Perëndisë

Antikrishtërit janë bërë veçanërisht aktivë gjatë ‘ditëve të fundit’, pra gjatë kohës në të cilën jetojmë. (2 Timoteut 3:1) Një nga synimet kryesore të këtyre mashtruesve të sotëm është që t’i mashtrojnë njerëzit për sa i përket rolit të Jezuit si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë—qeverisë qiellore që së shpejti do të sundojë në mbarë tokën.—Danieli 7:13, 14; Zbulesa 11:15.

Për shembull, disa udhëheqës fetarë predikojnë se Mbretëria e Perëndisë është një gjendje në zemrën e njerëzve, por kjo pikëpamje nuk bazohet fare në Shkrime. (Danieli 2:44) Të tjerë thonë se Krishti vepron nëpërmjet qeverive dhe institucioneve njerëzore. Por Jezui tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Në të vërtetë, «sundimtari i kësaj bote» dhe «perëndia i kësaj bote» nuk është Krishti, por Satanai. (Gjoni 14:30; 2 Korintasve 4:4) Kjo shpjegon arsyen se përse Jezui do të zhdukë së shpejti gjithë qeveritë njerëzore dhe do të bëhet Sundimtari i vetëm i tokës. (Psalmi 2:2, 6-9; Zbulesa 19:11-21) Njerëzit luten që të ndodhë kjo gjë kur thonë përmendësh Lutjen e Zotërisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë.»—Mateu 6:10, Diodati i Ri.

Ngaqë mbështetin sistemet politike të botës, shumë udhëheqës fetarë kanë kundërshtuar, madje kanë përndjekur ata njerëz që shpallin të vërtetën për Mbretërinë e Perëndisë. Është interesante se në librin biblik të Zbulesës përmendet një prostitutë simbolike—«Babilonia e Madhe»—e cila është «dehur me gjakun e të shenjtëve dhe me gjakun e dëshmitarëve të Jezuit». (Zbulesa 17:4-6) Gjithashtu ajo praktikon kurvëri frymore duke i mbështetur «mbretërit» e tokës ose sundimtarët politikë, në këmbim të favoreve që i japin. Kjo grua simbolike nuk përfaqëson veçse fetë e rreme të botës. Ajo përbën pjesën kryesore të antikrishtit.—Zbulesa 18:2, 3; Jakovi 4:4.

Antikrishti ‘gudulis veshët’

Përveçse hedhin poshtë të vërtetën nga Bibla, shumë të ashtuquajtur të krishterë kanë hequr dorë nga normat biblike të sjelljes, për hir të moralit që është i zakonshëm sot. Fjala e Perëndisë e kishte parathënë këtë gjë: «Do të vijë një periudhë kohe kur ata njerëz [që thonë se i shërbejnë Perëndisë] nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët.» (2 Timoteut 4:3) Këta mësues të rremë fetarë janë përshkruar edhe si «apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që shndërrohen në apostuj të Krishtit». Bibla thotë më tej: «Fundi i tyre do të jetë sipas veprave të tyre.»—2 Korintasve 11:13-15.

Në veprat e tyre përfshihet ‘sjellja e shthurur’, e cila është një shpërfillje e pacipë e parimeve të larta morale. (2 Pjetrit 2:1-3, 12-14) A nuk shohim gjithnjë e më shumë udhëheqës fetarë dhe ithtarë të tyre që përvetësojnë—ose më e pakta tolerojnë—praktika jo të krishtere, si homoseksualizmi dhe marrëdhëniet seksuale jashtë martesës? Të lutemi, ndalu pak dhe krahasoji këto pikëpamje dhe mënyra jetese të pranuara nga shumica e njerëzve, me atë që thotë Bibla te Levitiku 18:22; Romakëve 1:26, 27; 1 Korintasve 6:9, 10; Hebrenjve 13:4 dhe Juda 7.

‘Vërini në provë shprehjet e frymëzuara’

Duke pasur parasysh sa u tha më sipër, duhet t’u vëmë veshin fjalëve të apostullit Gjon që të mos i marrim lehtë e lehtë bindjet fetare. Ai paralajmëron: «Mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.»—1 Gjonit 4:1.

Shqyrto shembullin e mirë të disa njerëzve ‘me mendje fisnike’ që jetonin në qytetin e Beresë në shekullin e parë. Ata «e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra [që thoshte Pavli dhe Sila] ishin ashtu». (Veprat 17:10, 11) Po, edhe pse ishin të etur për të mësuar, bereasit u siguruan që gjërat që dëgjonin dhe pranonin t’i kishin rrënjët te Shkrimet.

Edhe sot, të krishterët e vërtetë nuk ndikohen nga luhatjet e pikëpamjeve të shumicës, por i përmbahen fort së vërtetës nga Bibla. Apostulli Pavël shkroi: «Lutem vazhdimisht që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më e madhe në njohurinë e saktë dhe aftësinë e plotë dalluese.»Filipianëve 1:9.

Nëse nuk e ke bërë tashmë, vër si synim të fitosh «njohurinë e saktë dhe aftësinë e plotë dalluese» duke mësuar se çfarë mëson vërtet Bibla. Ata që imitojnë bereasit, nuk mashtrohen nga ‘fjalët e shtira’ të antikrishtërve. (2 Pjetrit 2:3) Përkundrazi, e vërteta frymore e Krishtit të vërtetë dhe e ithtarëve të tij të vërtetë i liron ata.—Gjoni 8:32, 36.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

ÇFARË THOTË BIBLA PËR ANTIKRISHTIN?

«Fëmijë të vegjël, është ora e fundit [me sa duket fundi i periudhës apostolike], dhe sikurse keni dëgjuar se antikrishti po vjen, tani kanë dalë shumë antikrishtër.»—1 Gjonit 2:18.

«Kush është gënjeshtari, përveç atij që mohon se Jezui është Krishti? Ky është antikrishti, pra, ai që mohon Atin dhe Birin.»—1 Gjonit 2:22.

«Çdo shprehje e frymëzuar që nuk rrëfen Jezuin, nuk vjen nga Perëndia. Veç kësaj, kjo është shprehja e frymëzuar e antikrishtit, për të cilin ju keni dëgjuar se po vinte, e tani është tashmë në botë.»—1 Gjonit 4:3.

«Shumë mashtrues kanë dalë në botë, njerëz që nuk rrëfejnë se Jezu Krishti erdhi në mish. Ai është mashtruesi dhe antikrishti.»—2 Gjonit 7.

[Kutia dhe figurat në faqen 5]

NJË MASHTRUES ME SHUMË FYTYRA

Fjala «antikrisht» u referohet të gjithë atyre që mohojnë atë çka thotë Bibla për Jezu Krishtin, që i kundërvihen Mbretërisë së tij dhe që i keqtrajtojnë ithtarët e tij. Përfshin individë, organizata dhe kombe, të cilat në mënyrë të rreme thonë se përfaqësojnë Krishtin ose që, në mënyrë të papërshtatshme, marrin mbi vete rolin e Mesisë, duke premtuar me arrogancë se do të arrijnë atë që vetëm Krishti mund ta bëjë—të sjellin paqe dhe siguri të vërtetë.

[Burimi]

Agustini: ©SuperStock/age fotostock

[Figura në faqen 7]

Ashtu si bereasit, duhet ‘t’i shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë’