Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tregojeni besimin tuaj me mënyrën si jetoni

Tregojeni besimin tuaj me mënyrën si jetoni

Tregojeni besimin tuaj me mënyrën si jetoni

«Besimi, nëse nuk ka vepra, është i vdekur.»—JAKOVI 2:17.

1. Pse të krishterët e hershëm i kushtonin vëmendje edhe besimit, edhe veprave?

NË TËRËSI, të krishterët e hershëm e treguan besimin e tyre me mënyrën si jetuan. Dishepulli Jakov i nxiti të gjithë të krishterët: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.» Pastaj shtoi: «Ashtu si trupi pa frymë është i vdekur, edhe besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovi 1:22; 2:26) Rreth 35 vjet pasi ai shkroi këto fjalë, shumë të krishterë po vazhdonin ta tregonin besimin e tyre me vepra të përshtatshme. Por, mjerisht, disa të tjerë nuk po e bënin këtë. Jezui e lavdëroi kongregacionin e Smirnës, kurse për shumë veta në kongregacionin e Sardës tha: «I di veprat e tua dhe që ke emrin se je i gjallë, por je i vdekur.»—Zbulesa 2:8-11; 3:1.

2. Për çfarë duhet ta pyesin veten të krishterët lidhur me besimin e tyre?

2 Rrjedhimisht, Jezui i nxiti të krishterët në Sardë, por më gjerësisht edhe të gjithë ata që do të lexonin më vonë fjalët e tij, ta tregonin dashurinë e fillimit për të vërtetën e krishterë dhe të rrinin zgjuar frymësisht. (Zbulesa 3:2, 3) Secili nga ne mund të pyesë veten: ‘Po për veprat e mia ç’mund të thuhet? A tregojnë qartë veprimet e mia se po bëj çmos ta tregoj besimin tim me gjithçka që bëj, qoftë edhe në fushat që nuk lidhen drejtpërdrejt me veprën e predikimit ose me mbledhjet e kongregacionit?’ (Luka 16:10) Mund të merren në shqyrtim shumë fusha të jetës, por le të shqyrtojmë vetëm njërën: grumbullimet shoqërore, duke përfshirë edhe ato që bëjnë të krishterët pas ceremonisë së martesës.

Grumbullime të vogla shoqërore

3. Cila është pikëpamja e Biblës për pjesëmarrjen nëpër grumbullime?

3 Pothuajse të gjithëve na pëlqen kur na ftojnë në një grumbullim të krishterësh të gëzuar. Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’ dhe dëshiron që shërbëtorët e tij të jenë të lumtur. (1 Timoteut 1:11) Ai e drejtoi Solomonin që të përfshinte në Bibël këtë fakt: «Unë them se është mirë të gëzosh, sepse për njerëzit s’ka asgjë tjetër më të mirë nën diell, se të hanë, të pinë e të gëzojnë, dhe ky do t’i shoqërojë ata në mundin e tyre gjithë ditët e jetës.» (Eklisiastiu 3:1, 4, 13; 8:15) Mund të gëzojmë ndërsa hamë një vakt si familje ose në ndonjë grumbullim tjetër të vogël shoqëror mes adhuruesve të vërtetë.—Jobi 1:4, 5, 18; Luka 10:38-42; 14:12-14.

4. Për çfarë duhet të interesohet një njeri që organizon një grumbullim?

4 Nëse po organizoni një grumbullim të tillë dhe jeni përgjegjës për të, duhet të mendoni mirë për planet që bëni, qoftë edhe nëse ftoni vetëm disa bashkëbesimtarë për të ngrënë diçka e për të shkëmbyer biseda mes miqsh. (Romakëve 12:13) Duhet të siguroheni që ‘çdo gjë të ndodhë si ka hije’, të udhëhequr prej ‘mençurisë nga lart’. (1 Korintasve 14:40; Jakovi 3:17) Apostulli Pavël shkroi: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë. Ruhuni të mos bëheni shkak pengese.» (1 Korintasve 10:31, 32) Cilat janë disa aspekte që duan vëmendje të veçantë? Nëse i shqyrtoni që më përpara, do të jeni të sigurt se ajo që bëni ju dhe mysafirët tuaj do të jetë pasqyrim i besimit tuaj në veprim.—Romakëve 12:2.

Ç’lloj grumbullimi do të jetë?

5. Pse organizatorët duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe nëse duhet të shërbejnë pije alkoolike dhe të vënë muzikë?

5 Shumë organizatorë janë përballur me çështjen nëse duhet të shërbejnë apo jo pije alkoolike. Pije të tilla nuk janë të domosdoshme që një grumbullim të jetë i këndshëm. Sillni ndër mend që Jezui i siguroi ushqim një grupi të madh njerëzish që erdhën tek ai, duke shumëfishuar bukë dhe peshq. Tregimi nuk thotë se ai siguroi edhe verë, me anë të mrekullisë, ndonëse e dimë se ishte në gjendje ta bënte këtë. (Mateu 14:14-21) Nëse vendosni të shërbeni pije alkoolike në një grumbullim, jini të matur lidhur me sasinë e tyre dhe sigurohuni që të ketë pije të shijshme joalkoolike për ata që i dëshirojnë. (1 Timoteut 3:2, 3, 8; 5:23; 1 Pjetrit 4:3) Në asnjë mënyrë mos e bëni dikë të ndihet nën presion për të pirë diçka që mund të kafshojë «si një gjarpër». (Proverbat 23:29-32) Po për muzikën ose për këngët? Nëse do të keni muzikë gjatë festës, pa dyshim do t’i zgjidhni me kujdes këngët, duke parë si muzikën, edhe tekstin. (Kolosianëve 3:8; Jakovi 1:21) Shumë të krishterë kanë parë se nëpër festa krijohet një atmosferë e këndshme kur luhen Meloditë e Mbretërisë ose kur këndohen këto këngë së bashku. (Efesianëve 5:19, 20) E, sigurisht, kontrollojeni herë pas here volumin, me qëllim që muzika të mos prishë bisedat e këndshme dhe të mos bezdisë fqinjët.—Mateu 7:12.

6. Si mund ta tregojë një organizator se ka një besim të gjallë kur bëhet fjala për bisedat ose për aktivitete të tjera?

6 Në një grumbullim shoqëror, të krishterët mund të flasin për tema të ndryshme, të lexojnë me zë ndonjë material ose të tregojnë përvoja interesante. Nëse biseda merr një drejtim jo të mirë, me takt, organizatori do ta çojë prapë në drejtimin e duhur. Ai duhet të jetë vigjilent edhe që të mos ketë ndonjë që mbizotëron bisedën. Nëse ndodh një gjë e tillë, ai mund të ndërhyjë me kujdes e të përfshijë edhe të tjerë në bisedë, ndoshta duke pyetur të rinjtë në moshë ose duke hapur një temë për të cilën do të bëhen komente të ndryshme. Si të rinjtë, edhe të moshuarit, do të jenë të kënaqur me këtë aspekt të festës. Nëse ju si organizatorë i drejtoni gjërat me mençuri dhe me takt, të pranishmit ‘do ta njohin arsyetueshmërinë tuaj’. (Filipianëve 4:5) Do ta ndiejnë se besimi juaj është i gjallë dhe ndikon në çdo fushë të jetës suaj.

Ceremonia e martesës dhe festa që vijon

7. Pse i duhet kushtuar vëmendje planifikimit të martesës dhe të festës që e shoqëron?

7 Raste të veçanta për të gëzuar janë dasmat e krishtere. Shërbëtorët e lashtë të Perëndisë, përfshirë edhe Jezuin e dishepujt e tij, shkonin me dëshirë në ngjarje të tilla të gëzuara, si edhe në festat që bëheshin me rastin e tyre. (Zanafilla 29:21, 22; Gjoni 2:1, 2) Kohët e fundit, megjithatë, përvoja ka treguar qartë se kërkohen përpjekje të veçanta për të planifikuar veprimtaritë që lidhen me aspektin shoqëror të dasmave, nëse duam që të pasqyrojnë gjykim të shëndoshë dhe ekuilibër të krishterë. Gjithsesi, këto janë aspekte normale të jetës që i japin mundësi një të krishteri të tregojë besimin e tij.

8, 9. Në ç’mënyrë shumë dasma tregojnë atë që lexojmë te 1 Gjonit 2:16, 17?

8 Shumë njerëz që as i njohin parimet hyjnore dhe as duan t’ia dinë për to, e shohin dasmën si një rast për ta tepruar në çdo gjë, ose ndoshta si një rast kur teprimet lejohen. Në një revistë evropiane, një grua e sapomartuar tha për dasmën e saj «mbretërore»: ‘Ne ishim në një karrocë paradash të tërhequr nga katër kuaj, dhe pas na vinin kabrioleta të tërhequra nga 12 kuaj e një karrocë ku ishte banda që luante muzikë. Pastaj hëngrëm gjëra shumë të shijshme dhe patëm muzikë të shkëlqyer. Gjithçka ishte madhështore. Ishte tamam si e kisha ëndërruar. Atë ditë, unë isha mbretëreshë.’

9 Edhe pse zakonet mund të ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, ndjenjat që shprehu kjo grua thjesht tregojnë atë që shkroi apostulli Gjon: «Gjithçka e botës: dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati, por nga bota.» E përfytyroni dot një çift të pjekur të krishterësh që dëshiron të ketë një dasmë «mbretërore» me një festë luksoze si në përralla? Jo, përkundrazi, në pikëpamjen e tyre duhet të ndikojë dijenia se «ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë».—1 Gjonit 2:16, 17.

10. (a) Pse është thelbësor planifikimi, për një dasmë të arsyeshme? (b) Si duhen marrë vendimet për ata që do të ftohen?

10 Çiftet e krishtere duan të jenë realiste dhe të arsyeshme, e Bibla mund t’i ndihmojë. Sado e rëndësishme të jetë dita e dasmës, ata e dinë se është vetëm fillimi i jetës martesore për dy të krishterë që kanë para tyre jetën e përhershme. Nuk janë të detyruar të bëjnë një festë të madhe me rastin e martesës. Nëse vendosin të bëjnë një festë, do të llogaritin shpenzimet e saj dhe do të shqyrtojnë ç’lloj feste do të jetë. (Luka 14:28) Në jetën e krishterë që do të kalojnë së bashku, burri do të jetë kreu sipas Shkrimeve. (1 Korintasve 11:3; Efesianëve 5:22, 23) Prandaj, dhëndri është kryesisht përgjegjës për festën që bëhet me rastin e martesës. Natyrisht, ai do të këshillohet me dashuri edhe me gruan e tij të ardhshme për çështje të tilla se kë duan ose kë munden të ftojnë në dasmë. Mund të mos jetë e mundur ose praktike t’i ftojnë të gjithë miqtë dhe të afërmit, prandaj, duhen marrë disa vendime të arsyeshme. Çifti duhet të ndihet i sigurt se, nëse nuk arrijnë t’i ftojnë disa të krishterë, këta do ta kuptojnë dhe nuk do të fyhen.—Eklisiastiu 7:9.

«I pari i gostisë»

11. Ç’rol mund të luajë në një dasmë «i pari i gostisë»?

11 Nëse çifti vendos të organizojë një festë me rastin e martesës, si mund të sigurohen se do të jetë një rast dinjitoz? Prej disa dhjetëvjeçarësh, Dëshmitarët e Jehovait e kanë kuptuar sa e mençur është të përfshijnë një aspekt të përmendur në festën ku ishte Jezui, në Kanë. Aty kishte një ‘të parë të gostisë’, me siguri një bashkëbesimtar të përgjegjshëm. (Gjoni 2:9, 10) Po kështu, me mençuri dhëndri do të zgjedhë për këtë rol kyç një vëlla të pjekur frymësisht. Pasi është siguruar për dëshirat dhe shijet e dhëndrit, i pari i gostisë mund të merret me hollësitë e tjera, qoftë para, qoftë gjatë festës.

12. Çfarë duhet të marrë parasysh dhëndri lidhur me pijet alkoolike?

12 Në përputhje me atë që u shqyrtua në paragrafin 5, disa çifte vendosin të mos shërbejnë pije alkoolike në dasmë, nga meraku se mos teprimi me to prish gëzimin dhe suksesin e gostisë. (Romakëve 13:13; 1 Korintasve 5:11) Gjithsesi, nëse shërbejnë pije alkoolike, dhëndri duhet të sigurohet që ato të shërbehen ose të nxirren me masë. Në dasmën ku shkoi Jezui, në Kanë, kishte verë dhe ai vetë e furnizoi me verë të cilësisë së mirë. Është interesant komenti i të parit të asaj gostie: «Të tjerët nxjerrin në fillim verën e mirë dhe, kur njerëzit dehen, nxjerrin atë me cilësi të dobët. Kurse ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.» (Gjoni 2:10) Natyrisht, Jezui nuk ndihmoi që njerëzit të deheshin, sepse kjo ishte e gabuar për të. (Luka 12:45, 46) Duke shprehur habi për cilësinë e verës, i pari i gostisë bëri të qartë se kishte parë raste të tjera kur disa të ftuar në dasma ishin dehur. (Veprat 2:15; 1 Selanikasve 5:7) Prandaj, dhëndri bashkë me të krishterin e besuar që cakton si të parin e gostisë duhet të sigurohen që të gjithë të pranishmit të ndjekin udhëzimin e qartë: «Mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim.»—Efesianëve 5:18; Proverbat 20:1; Hozea 4:11.

13. Çfarë duhet të shqyrtojë një çift, nëse mendojnë të kenë muzikë në dasmë, dhe përse?

13 Ashtu si në grumbullimet e tjera, nëse do të ketë muzikë, i duhet kushtuar vëmendja e duhur volumit, në mënyrë që njerëzit të mund të bisedojnë pa problem. Një plak i krishterë tha: «Gjatë mbrëmjes, kur biseda bëhet më e gjallë ose kur fillon kërcimi, disa herë ngrihet edhe volumi i muzikës. Ajo që filloi si muzikë në sfond mund të bëhet e lartë dhe të pengojë bisedat. Festa që bëhet me rastin e martesës të jep mundësinë të gëzosh shoqërinë e të tjerëve. Sa e trishtueshme do të ishte nëse muzika e lartë do ta prishte këtë mundësi!» Edhe këtu, dhëndri bashkë me të parin e gostisë duhet të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, duke mos ia lënë në dorë muzikantëve, me qira ose jo, se ç’lloj muzike do të vihet dhe çfarë volumi do të ketë. Pavli shkroi: «Çfarëdo që të bëni, në fjalë a në vepra, bëjeni në emër të Zotërisë Jezu.» (Kolosianëve 3:17) Kur të ftuarit të kthehen në shtëpi pas një dasme, a do ta kujtojnë muzikën e luajtur atje si diçka që tregonte se çifti po i bënte gjërat në emër të Jezuit? Kështu duhet të jetë.

14. Çfarë duhet të kujtojnë me kënaqësi të krishterët nga një dasmë?

14 Po, një dasmë e organizuar mirë do të mbahet mend me kënaqësi. Adami dhe Edita, të cilët kanë 30 vjet martuar, komentuan për një dasmë: «E ndieje vërtet se ishte një atmosferë e krishterë. U kënduan këngë lavdie për Jehovain, por pati edhe zbavitje të tjera të mira. Vallëzimit dhe muzikës iu dha një vend dytësor. Ishte e këndshme dhe inkurajuese, e gjithçka ishte në përputhje me parimet e Biblës.» Po, dhëndri dhe nusja mund të bëjnë shumë për të treguar se po japin prova të besimit të tyre me anë të veprave.

Dhuratat e dasmës

15. Cila këshillë biblike mund të zbatohet në lidhje me dhuratat e dasmës?

15 Në shumë vende, zakonisht miqtë dhe të afërmit i japin dhurata atyre që martohen. Çfarë mund të mbani në mend, nëse vendosni të jepni një dhuratë? Kujtoni atë që tha apostulli Gjon për ‘kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’. Këtë kapardisje nuk e lidhi me të krishterët që tregojnë besimin e tyre me veprime, por me ‘botën që po kalon’. (1 Gjonit 2:16, 17) Sipas këtij komenti të frymëzuar të Gjonit, a duhet që nusja dhe dhëndri të thonë para të gjithëve se kush e ka bërë një dhuratë? Të krishterët e Maqedonisë dhe të Akaisë dhanë kontribute për vëllezërit në Jerusalem, por nuk thuhet gjëkundi se u bënë të ditur emrat e tyre. (Romakëve 15:26) Shumë të krishterë që japin dhurata për dasmën do të donin të mbeteshin anonimë, jo të tërhiqnin vëmendjen te vetja në mënyrë të panevojshme. Në këtë aspekt, shqyrtoni këshillën e Jezuit që e gjejmë te Mateu 6:1-4.

16. Ç’mund të bëjë çifti i sapomartuar që të mos i lëndojë të tjerët për sa u përket dhuratave të dasmës?

16 Nëse thuhet emri i atyre që kanë bërë dhuratat, kjo mund ‘të ngjallë konkurrencë’ se dhurata e kujt ishte më e mirë ose më e kushtueshme. Kështu, me mençuri çifti i krishterë i sapomartuar nuk do të njoftojë para të gjithëve emrat e atyre që kanë bërë dhurata. Nëse do të bëhej kjo, do t’i vinte në siklet të tjerët që ndoshta nuk kishin mundësi të bënin dhuratë. (Galatasve 5:26; 6:10) Kuptohet, nuk është e gabuar që vetë dhëndri dhe nusja ta dinë se kush u ka dhënë një dhuratë. Ndoshta mund ta marrin vesh këtë me anë të një kartoline që shoqëron dhuratën, por kjo nuk lexohet para të tjerëve. Kur blejmë, japim dhe marrim dhurata dasme, të gjithë kemi mundësi të provojmë se edhe në këtë çështje personale, besimi ynë po ndikon në veprimet tona. *

17. Cilin synim duhet të kenë të krishterët, për sa i përket besimit dhe veprave të tyre?

17 Të tregojmë besimin tonë, patjetër përfshin më shumë sesa vetëm të bëjmë një jetë të pastër morale, të ndjekim mbledhjet e krishtere dhe të marrim pjesë në veprën e predikimit. Le të ketë secili prej nesh një besim të gjallë, që ndikon në gjithçka që bën! Po, mund ta tregojmë besimin tonë me vepra «të kryera plotësisht para Perëndisë», duke përfshirë edhe ato në fushat që trajtuam më lart.—Zbulesa 3:2.

18. Si dalin të vërteta fjalët e Gjonit 13:17 në lidhje me dasmat dhe festat e krishtere?

18 Pasi la një shembull të mirë për apostujt e tij besnikë, duke u larë këmbët me përulësi, Jezui tha: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.» (Gjoni 13:4-17) Sot, në vendin ku jetojmë, mund të mos jetë e nevojshme ose normale t’u lajmë këmbët të tjerëve, si për shembull mysafirëve që na vijnë në shtëpi. Por, siç e kemi shqyrtuar në këtë artikull, ka fusha të tjera të jetës ku mund ta tregojmë besimin tonë me vepra të dashura e të dhembshura, përfshirë edhe veprimet nëpër grumbullimet shoqërore dhe dasmat e krishtere. Kjo vlen qoftë për ata që martohen, qoftë për ata që janë të ftuar në një ceremoni martese dhe në festën e gëzuar që bëhet më pas, ku të krishterët duan të tregojnë me vepra besimin e tyre.

[Shënimi]

^ par. 16 Aspekte të tjera të dasmës dhe të festës që bëhet në këtë rast, trajtohen në artikullin vijues, me temë: «Si t’ia shtojmë gëzimin dhe dinjitetin ditës së dasmës?»

Si do të përgjigjeshit?

Si mund ta tregosh me vepra besimin tënd

• kur organizon një grumbullim shoqëror?

• kur organizon një ceremoni martese ose festë me rastin e saj?

• kur jep ose merr dhurata me rastin e martesës?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 24]

Edhe kur ftojmë vetëm pak veta, duhet të udhëhiqemi prej ‘mençurisë nga lart’