Larja rituale judaike: Pararendëse e pagëzimit?
Larja rituale judaike: Pararendëse e pagëzimit?
GJON PAGËZORI predikonte «pagëzimin si simbol të pendimit». Edhe Jezui i urdhëroi ithtarët e vet që të bënin dishepuj e t’i pagëzonin.—Marku 1:4; Mateu 28:19.
Bibla tregon se pagëzimi i krishterë kërkon që individi të zhytet plotësisht në ujë. Libri Jezui dhe bota ku jetoi (anglisht) pohon se «rite të ngjashme mund të vërehen në shumë fe, të së kaluarës dhe të së tashmes, në shumë vende e kultura». Në libër pohohet se «pagëzimi i krishterë e ka origjinën . . . në judaizëm». Sa i vërtetë është ky pohim?
Pellgjet për larjen rituale judaike
Arkeologët që bëjnë gërmime pranë malit të tempullit të Jerusalemit, kanë zbuluar afro 100 banja rituale ose pellgje për t’u larë, që datojnë nga shekulli i parë p.e.s. dhe shekulli i parë i e.s. Mbishkrimi në një sinagogë të shekullit të dytë a të tretë të e.s., flet për këto banja që ishin për «ata vizitorë që kishin nevojë për to». Janë zbuluar edhe pellgje të tjera në një lagje të Jerusalemit që banohej nga familje të pasura dhe priftërore; pothuajse çdo shtëpi kishte një pellg të vetin për larjen rituale.
Këto pellgje ishin si pishina drejtkëndëshe të gërmuara në shkëmb ose në tokë dhe të shtruara me tulla ose gurë. Ishin të suvatuara, që të mos dilte uji. Shumica kishin përmasa 1,8 me 2,7 metra. Disa kanale e drejtonin ujin e shiut te këto pellgje. Uji ishte të paktën 1,2 metra i thellë, që të bëhej e mundur zhytja e plotë duke u gjunjëzuar. Shkallët që të çonin tek uji, disa herë ishin të ndara në mes me një mur të ulët. Mendohet se njëra anë e shkallëve përdorej për të hyrë në banjën për pastrim ritual, kur personi ishte i papastër, kurse ana tjetër e shkallëve për të dalë, që të mos ndotej.
Banjat përdoreshin në lidhje me pastërtinë rituale judaike. Çfarë përfshinte kjo?
Ligji dhe tradita për larjen
Ligji i Moisiut theksonte nevojën që populli i Perëndisë të ishte i pastër, frymësisht dhe fizikisht. Kishte një shumëllojshmëri veprimesh që i bënin të papastër izraelitët, e prandaj Levitiku 11:28; 14:1-9; 15:1-31; Ligji i përtërirë 23:10, 11.
duhej të pastroheshin duke larë trupin dhe rrobat.—Perëndia Jehova është i pastër e i shenjtë në mënyrë absolute. Prandaj, priftërinjve dhe levitëve u kërkohej të lanin duart dhe këmbët para se t’i afroheshin altarit të tij, përndryshe i priste dënimi me vdekje.—Dalja 30:17-21.
Dijetarët janë të mendimit se në shekullin e parë të erës sonë, institucioni fetar judaik i kishte bërë të detyrueshme kërkesat për pastrimin priftëror edhe për ata që s’ishin levitë. Si esenët, ashtu edhe farisenjtë, praktikonin larje të shpeshta rituale. Sipas një burimi, thuhet kështu për kohën e Jezuit: «Pastërtia rituale kërkohej nga një jude para se të hynte në malin e tempullit, para se të bënte një flijim, para se të merrte dobitë e blatimit priftëror dhe për qëllime të tjera të ngjashme.» Tekstet talmudike thonë se ata që laheshin, duhej të zhyteshin plotësisht në ujë.
Jezui i kritikoi farisenjtë që këmbëngulnin për larjen rituale. Me sa duket, ata praktikonin «zhytje të ndryshme në ujë», përfshirë ato «të kupave, të brokave dhe të enëve prej bakri». Jezui tha se farisenjtë shkelnin urdhërimet e Perëndisë për t’i detyruar njerëzit që të respektonin traditat e tyre. (Hebrenjve 9:10; Marku 7:1-9; Levitiku 11:32, 33; Luka 11:38-42) Asgjëkundi në Ligjin e Moisiut nuk kërkohej zhytja e plotë e trupit në ujë.
A duhet kërkuar origjina e pagëzimit të krishterë në larjen rituale që praktikonin judenjtë? Jo!
Larja rituale dhe pagëzimi i krishterë
Judenjtë i kryenin vetë ritet e tyre të pastrimit. Por pagëzimi që kryente Gjoni nuk ishte ndonjë lloj larjeje rituale që judenjtë e njihnin. Meqë Gjoni u bë i njohur si Pagëzori, kjo tregon se zhytja në ujë që kryente ai ishte e ndryshme. Madje, udhëheqësit fetarë judenj dërguan tek ai një delegacion për ta pyetur: «Përse pagëzon?»—Gjoni 1:25.
Pastrimi që kërkonte Ligji i Moisiut duhej përsëritur sa herë që një adhurues bëhej i papastër. Por nuk ishte kështu me pagëzimin që kryente Gjoni dhe as me atë që kryenin më vonë të krishterët. Pagëzimi i Gjonit ishte shenjë e pendimit dhe e braktisjes së jetës së mëparshme. Pagëzimi i krishterë simbolizonte kushtimin që kishte bërë një njeri ndaj Perëndisë. I krishteri e bënte këtë vetëm një herë, jo herë pas here.
Larja rituale që kryhej në shtëpitë e priftërinjve judaikë dhe në banjat publike pranë malit të tempullit, kishte veçse një ngjashmëri sipërfaqësore me pagëzimin e krishterë. Domethënia e secilës nga këto zhytje ishte krejtësisht e ndryshme. Një fjalor biblik (The Anchor Bible Dictionary) thotë: «Ka një mendim të përbashkët mes dijetarëve se Gjon [Pagëzori] nuk mori dhe nuk përshtati ndonjë pagëzim të veçantë nga mjedisi ku ishte rritur», domethënë nga judaizmi. E njëjta gjë mund të thuhet për pagëzimin që praktikohej në kongregacionin e krishterë.
Pagëzimi i krishterë përfaqëson ‘kërkesën drejtuar Perëndisë për një ndërgjegje të mirë’. (1 Pjetrit 3:21) Simbolizon kushtimin e plotë që ka bërë dikush ndaj Jehovait për t’i shërbyer si dishepull i Birit të Tij. Zhytja e plotë në ujë është simbol i përshtatshëm i këtij kushtimi. Zhytja në ujë tregon në mënyrë simbolike se ai njeri ka vdekur për sa i përket mënyrës së mëparshme të jetesës. Kur del nga uji, do të thotë se tani është gjallë për të bërë vullnetin e Perëndisë.
Perëndia Jehova u jep një ndërgjegje të mirë atyre që bëjnë këtë kushtim dhe që pagëzohen. Nën frymëzim, apostulli Pjetër mund t’u thoshte bashkëbesimtarëve: «[Pagëzimi] tani po ju shpëton edhe ju.» Kjo është diçka që nuk do ta arrinte kurrë asnjë larje rituale judaike.