Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund të jetoni përgjithmonë

Mund të jetoni përgjithmonë

Mund të jetoni përgjithmonë

SHUMICA e besimtarëve të feve në botë shpresojnë te ndonjë lloj jete e përhershme. Hollësitë mund të ndryshojnë nga feja në fe, por në thelb shpresa është e njëjtë: të jetojnë të lumtur në kushte ideale pa rrezikun e vdekjes. A nuk dëshironi edhe ju të njëjtën gjë? Si mund të shpjegohet përhapja e gjerë e këtyre bindjeve? A do të realizohet ndonjëherë shpresa e jetës së përhershme?

Shkrimet tregojnë se Krijuesi, që në fillim, që nga koha kur krijoi çiftin e parë njerëzor, vuri dëshirën e jetës së përhershme thellë në vetëdijen e njeriut. Bibla thotë: «[Perëndia] ka vënë . . . përjetësinë në zemrën e tyre.»—Eklisiastiu 3:11.

Por, që të realizonte dëshirën për të jetuar përgjithmonë, çifti i parë njerëzor duhej të pranonte autoritetin e Perëndisë për të vendosur se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Po të kishin vepruar kështu, Jehovai do t’i kishte konsideruar të denjë ‘për të jetuar përgjithnjë’ në shtëpinë që kishte përgatitur për ta, kopshtin e Edenit.—Zanafilla 2:8; 3:22.

Humbet jeta e përhershme

Bibla tregon se Perëndia mbolli në kopsht ‘pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes’ dhe e ndaloi Adamin dhe Evën që të hanin nga fryti i saj, përndryshe do të merrnin dënimin me vdekje. (Zanafilla 2:9, 17) Në qoftë se Adami dhe Eva nuk do të kishin ngrënë nga ai fryt, do t’i kishin treguar Perëndisë se e pranonin autoritetin e Tij. Nga ana tjetër, po të hanin nga ajo pemë, do të tregonin se e hidhnin poshtë autoritetin e Perëndisë. Adami dhe Eva nuk iu bindën urdhërimeve të Jehovait dhe morën anën e Satanait, krijesës frymore që ishte rebeluar kundër autoritetit të Perëndisë. Si pasojë, me të drejtë, Perëndia vendosi që Adami dhe Eva nuk ishin të përshtatshëm të jetonin përgjithmonë.—Zanafilla 3:1-6.

Ajo që kishte ofruar Perëndia ishte jeta ose vdekja, ekzistenca ose mosekzistenca. Pasoja e mosbindjes ishte vdekja dhe fundi i plotë i ekzistencës së tyre. Nuk ishte e mundur që Adami dhe Eva, ose ndonjë nga pasardhësit e tyre, të vazhdonin të jetonin falë ndonjë pijeje magjike ose një shpirti të pavdekshëm. *

Të gjithë pasardhësit e Adamit vuajtën nga rebelimi i tij. Pasojat i shpjegon apostulli Pavël. Ai shkroi: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.

Rifitohet jeta e përhershme

Apostulli Pavël e ilustroi gjendjen e pasardhësve të Adamit duke e krahasuar me atë të një skllavi të shekullit të parë. Për shkak të mëkatit të trashëguar, fëmijët e Adamit dhe të Evës lindën si «skllevër të mëkatit», dhe si pasojë do të vdisnin. (Romakëve 5:12; 6:16, 17) Kjo gjendje do të ishte e pashmangshme për ta, nëse Jehovai nuk do të kishte marrë masën ligjore për të blerë lirinë e këtyre skllevërve. Pavli shpjegoi: «Sikurse nëpërmjet një shkeljeje të vetme [asaj të Adamit] njerëz të çdo lloji përfunduan në dënim, po ashtu, nëpërmjet një akti të vetëm shfajësimi, njerëz të çdo lloji shpallen të drejtë për jetën.» Ai ‘akt shfajësimi’ çoi në flijimin e jetës së përsosur njerëzore të Jezuit si «një shpërblesë përkatëse për të gjithë». Jehovai e pranoi fuqinë ligjore të shpërblesës për të çliruar njerëzimin nga «gjykimi» i ‘dënimit’.—Romakëve 5:16, 18, 19; 1 Timoteut 2:5, 6.

Ja përse shkencëtarët nuk do ta gjejnë kurrë çelësin e jetës së pafund te kodi gjenetik i njeriut. Çelësi gjendet diku tjetër. Sipas Biblës, shkaku rrënjësor i vdekjes së njeriut është moral dhe ligjor, e jo biologjik. Po ashtu edhe mjeti për të rifituar jetën e përhershme, pra flijimi shpërblyes i Jezuit, është një kërkesë ligjore. Shpërblesa është gjithashtu një shfaqje e drejtësisë dhe e dashamirësisë së Perëndisë. Atëherë, cilët do të përfitojnë nga shpërblesa dhe do të marrin jetën e përhershme?

Dhurata e pavdekësisë

Perëndia Jehova është nga «mot e jetë». Ai është i pavdekshëm. (Psalmi 90:2) Personi i parë të cilit Jehovai i dha dhuratën e pavdekësisë ishte Jezu Krishti. Apostulli Pavël shpjegon: «Tani që është ngritur nga të vdekurit, Krishti nuk vdes më dhe vdekja nuk është më zot mbi të.» (Romakëve 6:9) Në fakt, duke e krahasuar Jezuin e ringjallur me sundimtarët tokësorë, Pavli e përshkruan atë si të vetmin mes këtyre sundimtarëve që ka pavdekësinë. Jezui do të mbetet «i gjallë përgjithmonë». Jeta e tij është ‘e pashkatërrueshme’.—Hebrenjve 7:15-17, 23-25; 1 Timoteut 6:15, 16.

Jezui nuk është i vetmi që merr një dhuratë të tillë. Të krishterët e mirosur nga fryma, që janë zgjedhur të mbretërojnë në lavdinë qiellore, marrin të njëjtën lloj ringjalljeje si Jezui. (Romakëve 6:5) Apostulli Gjon tregon se ky privilegj u jepet 144.000 individëve. (Zbulesa 14:1) Edhe ata marrin pavdekësinë. Për ringjalljen e tyre, Pavli thotë: «Mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot mbretërinë e Perëndisë. . . . Trumbeta do të bjerë dhe të vdekurit do të ngrihen të paprishshëm, dhe ne do të shndërrohemi. Sepse ky që është i prishshëm, do të veshë paprishjen, dhe ky që është i vdekshëm, do të veshë pavdekësinë.» Vdekja nuk ka më pushtet mbi ata që marrin këtë ringjallje.—1 Korintasve 15:50-53; Zbulesa 20:6.

Kjo zbulesë nga Perëndia është vërtet e jashtëzakonshme. Madje as engjëjt nuk u krijuan të pavdekshëm, edhe pse janë krijesa frymore. Kjo tregohet ngaqë këto krijesa frymore, që u bashkuan me rebelimin e Satanait, do të ekzekutohen. (Mateu 25:41) Kurse bashkësundimtarët e Jezuit marrin dhuratën e pavdekësisë, e cila është provë e sigurisë së patundur që ka Jehovai te besnikëria e tyre.

A do të thotë kjo se vetëm 144.000 individë do të jetojnë përgjithmonë, numër ky relativisht i vogël në krahasim me miliarda njerëz që kanë jetuar gjatë historisë? Jo. Le të shohim përse.

Jeta e përhershme në një tokë parajsore

Libri biblik i Zbulesës paraqet një skenë të bukur me një shumicë të panumërt njerëzish që u jepet jeta e përhershme në një tokë parajsore. Bashkë me ta janë individë që kishin vdekur, por që ringjallen dhe u përtërihet shëndeti dhe forca e rinisë. (Zbulesa 7:9; 20:12, 13; 21:3, 4) Ata drejtohen te ‘një lumë me ujin e jetës, të kulluar si kristal, që rrjedh nga froni i Perëndisë’. Përgjatë brigjeve të lumit ndodhen ‘pemët e jetës, ndërsa gjethet e pemëve janë për shërimin e kombeve’. Ftesa mirëdashëse e Perëndisë Jehova është: «Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.»—Zbulesa 22:1, 2, 17.

Këto pemë dhe ujëra nuk janë eliksiri i jetës ose burimi i rinisë së përjetshme, si ato që kërkonin shekuj më parë alkimistët dhe eksploruesit. Përkundrazi, përfaqësojnë masat e Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit për ta rivendosur njerëzimin në gjendjen e përsosur në të cilën ndodhej më parë.

Qëllimi i Perëndisë për t’u dhënë jetën e përhershme në tokë njerëzve të bindur nuk ka ndryshuar. Ai qëllim do të përmbushet, sepse Jehovai është besnik. Te Psalmi 37:29 thuhet: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» Ky premtim na nxit neve, si edhe ata njerëz që u jepet pavdekësia në qiell, që të shpallim: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë! Kush nuk do të ketë frikë nga ti, o Jehova, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd? Sepse vetëm ti je besnik!»—Zbulesa 15:3, 4.

A e dëshironi dhuratën e çmuar të jetës së përhershme? Nëse po, duhet të tregoheni besnikë dhe të bindur ndaj ‘Mbretit të përjetësisë’. Duhet të mësoni për Jehovain dhe për atë, nëpërmjet të cilit është e mundur një jetë e tillë, Jezu Krishtin. Të gjithë atyre që janë të gatshëm të pranojnë normat e Perëndisë për të drejtën e të gabuarën, do t’u jepet dhurata e ‘jetës së përhershme’.—Gjoni 17:3.

[Shënimi]

^ par. 7 Për një trajtim të plotë të doktrinës së pavdekësisë së shpirtit, ju lutemi shihni broshurën Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Një ëndërr e vazhdueshme

Në Epin e Gilgameshit, një sagë mesopotamiane që mendohet se i përket mijëvjeçarit të dytë p.e.s, përshkruhet kërkimi i një heroi për rininë e përjetshme. Egjiptianët e lashtë i kthenin të vdekurit në mumie me idenë se shpirtrat, të cilët besohej se ishin të pavdekshëm, do të mund t’i përdornin përsëri trupat e tyre. Si pasojë, disa varre egjiptiane i mbushnin me çdo gjë që mund t’i nevojitej të vdekurit në të ashtuquajturën botë të përtejme.

Besimi në pavdekësinë e trupit, që kishin alkimistët kinezë, duket se ekzistonte të paktën në shekullin e tetë p.e.s dhe besimi se pavdekësia mund të arrihej nëpërmjet pijeve magjike, ekzistonte që në shekullin e katërt p.e.s. Alkimistët mesjetarë evropianë dhe arabë kërkonin dhe përpiqeshin të shpiknin eliksirin e jetës. Disa nga përzierjet e tyre përmbanin kripëra arseniku, mërkur dhe squfur. Kushedi sa veta u helmuan duke provuar këto përzierje!

Gjithashtu, dikur ishin shumë të përhapura legjendat për të ashtuquajturin burim të rinisë: një burim që thuhej se u ripërtërinte fuqinë të gjithë atyre që pinin nga ai.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

A do të jetë e mërzitshme jeta e përhershme?

Disa kundërshtojnë duke thënë se jeta e përhershme do të ishte e mërzitshme, sepse do të ishte vetëm një harxhim i kotë kohe në përjetësi me zbavitje të pakuptimta që do të përsëriteshin pafundësisht. Ndoshta përjetësia që imagjinojnë këta njerëz është një zgjatje e pafund e mënyrës dhe e kushteve të sotme të jetesës, që shumë njerëzve do t’u dukej e mërzitshme dhe e pakuptimtë. Sidoqoftë, në Parajsën që do të rivendosë Perëndia, ai premton se njeriu ‘do të kënaqet pa masë me paqen e pafund’. (Psalmi 37:11) Një jetë e tillë do t’i japë mundësinë njerëzimit që të fitojë njohuri për krijimin e Jehovait dhe që të kalojë kohë duke zhvilluar disa ose të gjitha aftësitë, si edhe duke kryer studime dhe veprimtari që tani vetëm mund t’i ëndërrojë.

Dr. Obri dë Grej, gjenetist në Universitetin e Kembrixhit që merret me kërkime për zgjatjen e jetës së njeriut, thotë: «Njerëzit me një arsimim të mirë dhe që kanë kohë ta përdorin atë, nuk mërziten aspak sot dhe as e imagjinojnë ndonjëherë se nuk do të kenë më gjëra të reja për të bërë.» Megjithatë, siç thuhet në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, ‘njerëzit nuk do ta zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë’.—Eklisiastiu 3:11.