Jehovai më ndihmoi të përballoja vështirësitë e jetës
Jetëshkrim
Jehovai më ndihmoi të përballoja vështirësitë e jetës
TREGUAR NGA DEJL IRVINI
«TETË JANË BOLL! KATËRNJAKË, DYFISH HALLE.» Ky ishte titulli i një artikulli në një gazetë vendëse që njoftonte lindjen e katërnjakëve në familjen tonë me katër vajza. Kur isha i ri, nuk kisha pasur ndër mend as të martohesha, e jo më të kisha fëmijë. Por ja që tani isha baba i tetë fëmijëve!
LINDA në vitin 1934 në qytetin e Maribës në Australi. Isha më i vogli nga të tre fëmijët. Më vonë familja jonë u shpërngul në Brisbejn, ku mamaja jepte katekizëm të dielave në kishën metodiste.
Në fillim të vitit 1938 gazetat vendase raportuan se Jozef F. Radhërfordit, nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait, mund t’i ndalohej të hynte në Australi. «Pse po ia bëjnë këtë?»—pyeti mamaja një Dëshmitare që erdhi në shtëpinë tonë. Dëshmitarja u përgjigj: «A nuk tha Jezui se njerëzit do t’i përndiqnin ithtarët e tij?» Atëherë mamaja pranoi broshurën Shërimi, në të cilën tregoheshin shumë ndryshime midis fesë së vërtetë dhe fesë së rreme. * Meqë i bëri përshtypje broshura, të dielën vijuese, mamaja na mori ne fëmijët në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Në fillim babai kundërshtoi me vendosmëri, por, ndonjëherë, ai i shkruante mamasë pyetje biblike që t’ia jepte njërit prej vëllezërve frymorë. Më pas, vëllai i shkruante përgjigjet mamasë që t’ia jepte babait.
Një të diel babai erdhi me ne në mbledhje, me qëllim që t’u shprehte Dëshmitarëve
pakënaqësinë e tij ndaj tyre. Por, pasi foli me mbikëqyrësin udhëtues, që në atë kohë po vizitonte kongregacionin, babai ndryshoi qëndrim, e madje lejoi që shtëpia të përdorej si qendër për një studim biblik javor, ku merrnin pjesë të interesuarit e zonës sonë.Në shtator të vitit 1938 prindërit e mi u pagëzuan. Fëmijët e tjerë të familjes dhe unë u pagëzuam në dhjetor të vitit 1941 në një kongres kombëtar që u mbajt në Hargriv Park në Sidnei, në Uellsin e Ri Jugor. Isha shtatë vjeç. Më pas merrja pjesë rregullisht në shërbim me prindërit. Në ato ditë, kur shkonin shtëpi më shtëpi, Dëshmitarët merrnin me vete një gramafon dhe vendosnin në të fjalime biblike të regjistruara që t’i dëgjonin të zotët e shtëpive.
Një Dëshmitar që e kam të gjallë në kujtesë është Bert Hortoni. Ai kishte një makinë me një altoparlant të madh, e cila ishte e pajisur me një amplifikator të fuqishëm dhe altoparlanti ishte montuar sipër makinës. Të shërbeja me Bertin ishte emocionuese, sidomos për një djalosh të moshës sime. Për shembull, kur transmetonim një fjalim biblik nga maja e një kodre, shpesh shihnim një makinë policie që vinte drejt nesh. Menjëherë Berti e fikte pajisjen, shkonte në një kodër tjetër disa kilometra larg dhe aty vinte një regjistrim tjetër. Nga Berti dhe vëllezër të tjerë besnikë e guximtarë si ai, mësova shumë që të besoja te Jehovai dhe të kisha guxim.—Mateu 10:16.
Kur isha 12 vjeç, jepja rregullisht dëshmi i vetëm pas mësimit. Në një rast takova familjen Adshed. Me kalimin e kohës, prindërit e asaj familjeje, tetë fëmijët dhe shumë nipër e mbesa mësuan të vërtetën. Falënderoj Jehovain që më përdori mua, edhe pse isha veçse një fëmijë, që t’i jepja të vërtetën kësaj familjeje të shkëlqyer!—Mateu 21:16.
Privilegje shërbimi që në moshë të re
Në moshën 18-vjeçare u bëra pionier në kohë të plotë dhe u caktova në Mejtlënd në Uellsin e Ri Jugor. Më 1956 mora ftesën për të shërbyer në zyrën e degës së Australisë, në Sidnei. Nga 20 pjesëtarët që ishin aty, rreth një e treta ishin të mirosur, domethënë kishin shpresën për të sunduar me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. Ç’privilegj ishte të punoja bashkë me ta!—Luka 12:32; Zbulesa 1:6; 5:10.
Vendimi im për të qëndruar beqar u venit kur takova Xhudi Helbergun, një pioniere tërheqëse që ishte ftuar përkohësisht në zyrën e degës për të më ndihmuar në një projekt të madh. Unë dhe Xhudi u dashuruam dhe u martuam pas dy vjetësh. Më pas nisëm veprën qarkore, e cila përfshinte të vizitonim çdo javë një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait, për të inkurajuar vëllezërit e motrat.
Në vitin 1960 Xhudi lindi vajzën tonë të parë, Kimin. Sot, kur një çift që është në veprën qarkore bëhet me fëmijë, zakonisht e lënë veprën qarkore dhe vendosen diku me banim. Por, për habinë tonë të madhe, na ftuan që të vazhdonim të vizitonim kongregacionet. Pasi u lutëm shumë, e pranuam ftesën dhe, për shtatë muajt vijues, Kimi udhëtoi bashkë me ne për rreth 13.000 kilometra me autobus, aeroplan dhe tren, ndërsa u shërbenim kongregacioneve të largëta nëpër Kuinsland dhe në Territorin Verior. Në atë kohë nuk kishim makinë.
Gjithmonë qëndronim në shtëpitë e vëllezërve dhe të motrave. Për shkak të klimës tropikale, në atë kohë, dhomat e gjumit kishin zakonisht perde në vend të dyerve, dhe kjo na e
shtonte stresin kur Kimi qante natën. Së fundi, përgjegjësia për t’u kujdesur për një foshnjë dhe për caktimin tonë u bë tepër e vështirë. Prandaj u vendosëm në Brisbejn dhe unë fillova të punoja në pikturimin e tabelave të reklamave, një lloj arti tregtar. Dy vjet pasi kishte lindur Kimi, patëm një vajzë tjetër, Petinën.Përballoj një tragjedi
Në vitin 1972, kur vajzat ishin 12 dhe 10 vjeç, Xhudi vdiq nga sëmundja e Hoxhkinit, një lloj tumori i indit limfoid. Kjo humbje qe pothuajse e padurueshme për familjen tonë. Por, kur Xhudi ishte e sëmurë dhe pas vdekjes së saj, Jehovai na ngushëlloi nëpërmjet Fjalës së tij, frymës së shenjtë dhe vëllazërisë. Gjithashtu u forcuam nga një numër i revistës Kulla e Rojës që morëm menjëherë pas tragjedisë. Në të kishte një artikull që fliste për sprovat personale, përfshirë humbjen e një njeriu të afërm, dhe tregohej se në ç’mënyrë sprovat mund të na ndihmojnë që të zhvillojmë cilësi të tilla të perëndishme, si qëndrueshmëria, besimi dhe integriteti. *—Jakovi 1:2-4.
Pas vdekjes së Xhudit, unë dhe vajzat u afruam më shumë me njëri-tjetrin. Por më duhet ta pranoj që ishte shumë e vështirë të përpiqesha të përmbushja edhe rolin e babait, edhe të nënës. Megjithatë, dy vajzat e mia të mrekullueshme ma bënë më të lehtë këtë punë.
Rimartohem dhe zgjeroj familjen
Pas ca kohësh u martova përsëri. Unë dhe gruaja ime e dytë, Maria, kishim shumë gjëra të përbashkëta. Edhe asaj i kishte vdekur burri nga sëmundja e Hoxhkinit. Po ashtu kishte dy vajza: Kolinën dhe Xheniferin. Kolina ishte rreth tre vjet më e vogël se Petina. Kështu, familja jonë tani përbëhej nga katër vajza që ishin 14, 12, 9 dhe 7 vjeçe.
Unë dhe Maria vendosëm që në fillim se secili prej nesh do të disiplinonte fëmijët e vet, derisa fëmijët e tjerë të ndiheshin rehat që të pranonin drejtimin e prindit të ri. Në marrëdhënien tonë si burrë e grua, unë dhe Maria kishim dy rregulla të rëndësishme. Së pari, kurrë nuk i shfaqnim mosmarrëveshjet tona para fëmijëve dhe, së dyti, në përputhje me parimin biblik të shkruar tek Efesianëve 4:26, flitnim derisa t’i zgjidhnim gjërat—edhe nëse duheshin orë të tëra!
Të gjithë u përshtatëm në mënyrë mahnitëse me jetën si familje e përzier, por kujtimi i vdekjes së të afërmve tanë nuk u zhduk menjëherë. Për shembull, nata e të hënave u bë «nata e të qarave» për Marinë. Pas studimit familjar, kur vajzat kishin shkuar të flinin, shpesh ndjenjat e përmbajtura të Marisë vërshonin jashtë.
Maria donte që të kishim një fëmijë tonin. Mjerisht ajo pati një abort spontan. Kur Maria mbeti përsëri shtatzënë, na priste një surprizë e madhe. Nga një ekografi zbuluam se ajo nuk priste vetëm një fëmijë, por katër. Isha i tronditur. Isha 47 vjeç dhe, së shpejti, do të isha baba i tetë fëmijëve! Katërnjakët lindën me operacion më 14 shkurt 1982, në javën e 32-të. Sipas radhës së lindjes, foshnjat ishin: Klinti, 1,6 kg;
Sindi, 1,9 kg; Jeremia, 1,4 kg dhe Daneta, 1,7 kg. Nuk ishin dy njësoj.Pas lindjes, mjeku i Marisë erdhi dhe u ul pranë meje.
«Je i shqetësuar se si do t’i mbash fëmijët?»—më pyeti.
«Epo, nuk e kam provuar më parë një gjë të tillë»,—i thashë.
Fjalët që tha më pas më befasuan e më dhanë zemër.
«Kongregacioni yt nuk do të të zhgënjejë,—më tha.—Mjafton vetëm të teshtish dhe do të të jepen një mijë shami hundësh!»
Falë ndihmës në një masë të madhe të këtij mjeku të jashtëzakonshëm dhe të ekipit të tij mjekësor, katër foshnjat, që ishin pothuajse të shëndetshme, u kthyen në shtëpi brenda dy muajve.
Vështirësia e rritjes së katërnjakëve
Që të mbanim rregullin, unë dhe Maria bëmë një program 24-orësh. Katër vajzat e mëdha ndihmonin për t’u kujdesur për foshnjat. Edhe fjalët e mjekut dolën të vërteta: mjaftonte një ‘teshtimë’ dhe kongregacioni mblidhej tok për të na ndihmuar. Më parë, një mik i vjetër, Xhon Mak-Arturi, kishte organizuar disa Dëshmitarë zanatçinj, që të na e zgjeronin shtëpinë. Kur lindën foshnjat, një grup motrash na ndihmonin për t’u kujdesur për to. E gjithë kjo mirëdashje ishte shprehje e dashurisë së krishterë në veprim.—1 Gjonit 3:18.
Në një farë kuptimi, katërnjakët ishin «fëmijët e kongregacionit». Edhe sot e kësaj dite, katërnjakët i konsiderojnë pjesë të familjes ata vëllezër e motra të shumtë që na ndihmuan. Maria është treguar një grua dhe nënë e jashtëzakonshme që është kujdesur me altruizëm për fëmijët. Ajo i ka zbatuar vërtet gjërat që ka mësuar nga Fjala dhe organizata e Perëndisë. Nuk ka këshilla më të mira se ato!—Psalmi 1:2, 3; Mateu 24:45.
Mbledhjet e krishtere dhe vepra e predikimit mbetën pjesë e rëndësishme e rutinës sonë të përjavshme, ndonëse ishte shumë e vështirë të mbaje urtë katër foshnjat. Një bekim në atë kohë ishin studimet biblike që drejtuam me dy çifte të martuara, të cilët me dashamirësi vinin në shtëpinë tonë për të bërë studimin. Edhe pse kjo na i lehtësonte gjërat, ndonjëherë Maria ndihej kaq e lodhur, saqë e zinte gjumi gjatë studimit, duke mbajtur në krah një foshnjë në gjumë. Përfundimisht të dyja çiftet u bënë vëllezërit tanë frymorë.
Stërvitje frymore që në moshë të njomë
Që para se të ecnin katër foshnjat, Maria, vajzat më të mëdha dhe unë i merrnim me vete në shërbim. Kur mësuan të ecnin, Maria dhe unë merrnim secili nga dy, dhe ata nuk ishin një barrë. Në të vërtetë, shpesh ata bëheshin shkas për të nisur biseda me të zotët e shtëpive që ishin miqësorë. Një ditë takova një burrë që tha se po të lindësh në muajin e një shenje astrologjike të caktuar ose në një ditë të caktuar, personaliteti yt do të ishte sipas një modeli të caktuar. Nuk e kundërshtova, por e pyeta nëse mund të kthehesha më vonë gjatë paradites. Ai pranoi dhe kështu u ktheva me katërnjakët. Ndërsa ai i vëzhgonte i habitur, i rreshtova sipas radhës së lindjes. Pastaj bëmë një bisedë miqësore, jo vetëm për ndryshimet e dukshme fizike të katërnjakëve, por edhe për ndryshimet e mëdha në personalitet, dhe kjo ishte një goditje për teorinë e tij. «Çudi se si ta thashë ty këtë teori,—tha ai.—Duhej të kisha bërë më shumë kërkime.»
Që nga mosha kur filluan të ecnin, katërnjakët kishin inat kur i disiplinonim së bashku në ato raste kur nuk silleshin mirë. Prandaj i qortonim individualisht. Megjithatë ata mësuan se të njëjtat rregulla zbatoheshin për të gjithë. Kur hasnin çështje të ndërgjegjes në shkollë, ata qëndronin të patundur ndaj parimeve biblike dhe e mbështetnin njëri-tjetrin, dhe Sindi ishte zëdhënësja e tyre. Shumë shpejt njerëzit mësuan që katërnjakët ishin një forcë e madhe.
Unë dhe Maria kaluam sfidat e zakonshme që t’i ndihmonim fëmijët t’i qëndronin besnikë Jehovait gjatë viteve të adoleshencës. Mund të themi vetëm që kjo gjë do të kishte qenë shumë më e vështirë, po të mos kishim pasur mbështetjen e kongregacionit të dashur dhe ushqimin e bollshëm frymor që merrnim nga pjesa e dukshme e organizatës së Jehovait. Përpiqeshim të mbanim një studim të rregullt familjar të Biblës dhe një komunikim të hapur, ndonëse nuk ishte gjithnjë e lehtë. Gjithsesi përpjekjet ia vlejtën, sepse që të tetë fëmijët kanë vendosur t’i shërbejnë Jehovait.
Përballoj problemet e pleqërisë
Gjatë viteve kam pasur shumë privilegje frymore: plak kongregacioni, mbikëqyrës qyteti dhe zëvendësmbikëqyrës qarkor. Gjithashtu kam shërbyer si pjesëtar i Komitetit të Lidhjes me Spitalet, funksioni i të cilit është që t’i ndihmojë mjekët të bashkëpunojnë me pacientët Dëshmitarë kur lind problemi i transfuzionit të gjakut. Po ashtu, për 34 vjet kam pasur privilegjin të shërbej si përfaqësues i autorizuar për kryerjen e ceremonive martesore. Kam drejtuar rreth 350 ceremoni martesash, përfshirë edhe ato të gjashtë vajzave të mia.
Falënderoj vazhdimisht Jehovain për mbështetjen besnike që kam marrë, në fillim nga Xhudi dhe tani nga Maria. (Proverbat 31:10, 30) Ndërkohë që më mbështetnin në caktimin tim si plak kongregacioni, ato lanë edhe një shembull të shkëlqyer në shërbim dhe ndihmuan që te fëmijët të nguliteshin cilësi frymore.
Në vitin 1996 më diagnostikuan me një çrregullim në tru që më shkaktonte dridhje të duarve dhe humbje të ekuilibrit. Kështu nuk mund të punoja më duke pikturuar tabelat e reklamave. Megjithatë, ende gjej shumë gëzim në shërbim të Jehovait, ndonëse nuk shërbej kaq shumë si më parë. Ana pozitive e kësaj është që i kuptoj më mirë të moshuarit e tjerë.
Kur mendoj për jetën time, falënderoj Jehovain që ka qëndruar pranë meje dhe familjes sime për të na ndihmuar që të përballojmë me gëzim vështirësi të shumta. (Isaia 41:10) Gjithashtu, unë dhe Maria, bashkë me tetë fëmijët, jemi mirënjohës për familjen e mrekullueshme me vëllezër e motra të kongregacionit që na kanë mbështetur gjithnjë. Të gjithë e kanë treguar dashurinë e tyre në kaq shumë mënyra, sa nuk mund ta shprehim me fjalë.—Gjoni 13:34, 35.
[Shënimet]
^ par. 6 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.
^ par. 17 Shih Kullën e Rojës të 15 marsit 1972, faqet 174-180, anglisht.
[Figura në faqen 12]
Me mamanë, vëllanë më të madh, Garthin, dhe motrën, Donën, gati për të udhëtuar për në kongresin e vitit 1941 në Sidnei
[Figura në faqen 13]
Me Xhudin dhe Kimin e vogël kur isha në veprën qarkore në Kuinsland
[Figura në faqen 15]
Pas lindjes së katërnjakëve, katër vajzat më të mëdha dhe kongregacioni u bashkuan tok për të na ndihmuar