«Gëzo me gruan e rinisë sate!»
«Gëzo me gruan e rinisë sate!»
«Gëzo me gruan e rinisë sate. . . . Pse, o biri im, të dalldisesh pas gruas imorale?»—PROVERBAT 5:18, 20.
1, 2. Pse mund të thuhet se dashuria romantike midis burrit dhe gruas është e bekuar?
BIBLA nuk e shmang argumentin e marrëdhënieve seksuale. Te Proverbat 5:18, 19 lexojmë: «I bekuar qoftë burimi yt i ujërave dhe gëzo me gruan e rinisë sate, drenushë e dashur, sorkadhe magjepsëse! Gjinjtë e saj të të dehin gjithë kohës. Nga dashuria e saj qofsh vazhdimisht i dalldisur!»
2 Këtu fraza ‘burimi i ujërave’ bën fjalë për burimin e kënaqësisë seksuale. Është i bekuar sepse ndjenja e dashurisë romantike dhe e dalldisjes që provohet mes bashkëshortëve është një dhuratë nga Perëndia. Megjithatë ky intimitet duhet përjetuar vetëm në martesë. Prandaj mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, njëri shkrimtar i Proverbave, bën këtë pyetje retorike: «Pse, o biri im, të dalldisesh pas gruas imorale apo të pushtosh gjirin e një të përdale?»—Proverbat 5:20.
3. (a) Cili është realiteti i trishtueshëm për shumë martesa? (b) Si e sheh Perëndia kurorëshkeljen?
3 Ditën e martesës një burrë dhe një grua bëjnë një premtim solemn se do ta duan dhe do t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit. Por shumë martesa prishen nga kurorëshkelja. Në fakt, një studiues, pasi analizoi 25 anketa, arriti në përfundimin se «25 për qind e grave dhe 44 për qind e burrave kishin kryer kurorëshkelje». Apostulli Pavël tha: «Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1 Korintasve 6:9, 10) Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Kurorëshkelja është një mëkat i rëndë në sytë e Perëndisë dhe adhuruesit e vërtetë duhet të ruhen nga tradhtia bashkëshortore. Çfarë do të na ndihmojë që ‘ta nderojmë martesën dhe ta mbajmë shtratin martesor pa ndyrësi’?—Hebrenjve 13:4.
Të ruhemi nga zemra e pabesë
4. Cilat janë disa mënyra se si një i krishterë i martuar mund të përfshihet pa e kuptuar në një marrëdhënie romantike jashtë martesës?
4 Në klimën e sotme të degjeneruar moralisht, shumë njerëz «kanë sy plot kurorëshkelje [dhe] s’munden ta lënë mëkatin». (2 Pjetrit 2:14) Ata me dashje lidhin marrëdhënie romantike jashtë martesës. Në disa vende shumë gra punojnë jashtë shtëpisë dhe përzierja e gjinive në punë ka krijuar një terren pjellor për zhvillimin e lidhjeve romantike të papërshtatshme. Po ashtu të ashtuquajturat ‘dhoma bisedash’ e kanë bërë të lehtë, madje edhe për individët më të ndrojtur, që të fillojnë miqësi intime në Internet. Shumë të martuar bien në këto gracka pa e kuptuar se ç’po u ndodh.
5, 6. Si u përfshi një grua e krishterë në një situatë të rrezikshme dhe çfarë mësojmë nga kjo?
5 Shqyrtoni se si një e krishterë, që do ta quajmë Maria, u përfshi në një situatë që e çoi në atë pikë të rrezikshme sa për pak nuk kreu imoralitet. Burri i saj, i cili nuk është Dëshmitar i Jehovait, tregonte fare pak përzemërsi për familjen. Maria kujton kur para disa vitesh takoi një shok pune të burrit. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe madje një herë shprehu interes për bindjet fetare të Marisë. Ajo thotë: «Ishte shumë i këndshëm dhe shumë i ndryshëm nga burri im.» Brenda pak kohe Maria dhe shoku i burrit zhvilluan ndjenja romantike për njëri-tjetrin. Maria arsyetonte: «Unë nuk kam kryer kurorëshkelje dhe ai është i interesuar për Biblën. Ndoshta mund ta ndihmoj.»
6 Para se lidhja e saj romantike ta çonte në kurorëshkelje, Maria erdhi në vete. (Galatasve 5:19-21; Efesianëve 4:19) Ndërgjegjja filloi t’i punonte dhe i ndreqi gjërat. Përvoja e Marisë ilustron se «zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme». (Jeremia 17:9) Bibla na paralajmëron: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën.» (Proverbat 4:23) Si mund ta bëjmë këtë?
‘Njeriu mendjehollë fshihet’
7. Ndjekja e cilës këshillë biblike do të jetë një mbrojtje kur ndihmojmë dikë që ka vështirësi në martesë?
7 Apostulli Pavël shkroi: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» (1 Korintasve 10:12) Dhe te Proverbat 22:3 thuhet: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» Në vend që me siguri të tepruar te vetja të mendosh ‘nuk do të më ndodhë asgjë’, tregohesh i mençur nëse shqyrton që më përpara se si disa situata mund të të futin në telashe. Për shembull, mos lejo që dikush i seksit tjetër që ka vështirësi në martesë të flasë vetëm me ty për problemet. (Proverbat 11:14) Thuaji individit që problemet martesore diskutohen më mirë me bashkëshortin, me një të krishterë të pjekur të së njëjtës gjini, i cili do që martesa të jetë e suksesshme, ose me pleqtë. (Titit ) Pleqtë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait lënë një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim. Kur një plak duhet të flasë privatisht me një të krishtere, ai e bën këtë në një mjedis publik, si për shembull, në Sallën e Mbretërisë. 2:3, 4
8. Ndaj cilës gjëje është thelbësore të tregohet kujdes në vendin e punës?
8 Në vendin e punës dhe kudo gjetkë ki kujdes nga situatat që mund të krijojnë marrëdhënie intime. Për shembull, të kalosh orë jashtë orarit duke punuar ngushtë me dikë të seksit tjetër mund të të çojë në tundim. Si i martuar a e martuar, duhet ta bësh të qartë me të folurit dhe me sjelljen tënde se nuk ke ndër mend të përfshihesh në një lidhje romantike. Si një njeri që ndjek përkushtimin hyjnor, sigurisht që nuk duhet të tërheqësh vëmendje të papërshtatshme duke flirtuar ose duke mos qenë modest me veshjen dhe me rregullimin tënd. (1 Timoteut 4:8; 6:11; 1 Pjetrit 3:3, 4) Nëse mban fotografi të bashkëshortit dhe të fëmijëve në vendin e punës, kjo do të të kujtojë ty dhe të tjerëve që i shohin, se për ty familja është e rëndësishme. Ji i vendosur të mos i nxitësh, madje as të mos i tolerosh propozimet joshëse të një tjetri.—Jobi 31:1.
«Gëzoje jetën me gruan që do»
9. Cili zinxhir ngjarjesh mund ta bëjë joshëse një lidhje të re romantike?
9 Të ruash zemrën kërkon më shumë sesa vetëm të shmangësh situata të rrezikshme. Tërheqja romantike ndaj dikujt jashtë martesës mund të jetë një tregues që burri dhe gruaja nuk tregojnë vëmendje ndaj nevojave të njëri-tjetrit. Ndoshta gruaja lihet vazhdimisht pas dore ose burri kritikohet vazhdimisht. Papritur një individ tjetër—në vendin e punës ose edhe në kongregacionin e krishterë—duket se ka pikërisht ato cilësi që i mungojnë bashkëshortit. Shpejt formohet një lidhje, dhe marrëdhënia e re bëhet aq joshëse, sa duket pothuajse e pamundur t’i rezistosh. Ky zinxhir ngjarjesh që zhvillohen tinëzisht, mbështet vërtetësinë e thënies biblike: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet.»—Jakovi 1:14.
10. Si mund ta forcojnë marrëdhënien e tyre burrat dhe gratë?
10 Në vend që të kërkojnë jashtë martesës për të kënaqur dëshirat e tyre—qofshin për përzemërsi, miqësi ose mbështetje gjatë një situate të vështirë—burrat dhe gratë duhet të përpiqen të forcojnë marrëdhënien e dashur me bashkëshortin. Prandaj, me çdo kusht kaloni kohë bashkë dhe afrohuni më shumë me njëri-tjetrin. Mendoni se çfarë ju bëri të binit në dashuri. Përpiquni të përjetoni përsëri ndjenjën e ngrohtë që ndiet ndaj personit që u bë bashkëshorti juaj. Mendoni për çastet e bukura që keni kaluar bashkë. Lutjuni Perëndisë për këtë gjë. Psalmisti David iu përgjërua Jehovait: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur!» (Psalmi 51:10) Ji i vendosur ‘ta gëzosh jetën me gruan që do, gjithë ditët e jetës sate që Perëndia të ka dhënë nën diell’.—Eklisiastiu 9:9.
11. Ç’rol luan njohuria, mençuria dhe aftësia dalluese në forcimin e lidhjes martesore?
11 Në forcimin e lidhjes martesore nuk duhet shpërfillur vlera që ka njohuria, mençuria dhe aftësia dalluese. Te Proverbat 24:3, 4 thuhet: «Me anë të mençurisë do të ndërtohet shtëpia, dhe me anë të aftësisë dalluese do të bëhet e patundur. Me anë të njohurisë dhomat do të mbushen me gjithfarë gjërash me vlerë, të çmuara e të këndshme.» Ndër gjërat e çmuara që mbushin një shtëpi të lumtur janë cilësi të tilla, si: dashuria, besnikëria, frika nga Perëndia dhe besimi. Që të fitohen këto cilësi kërkohet njohuria e Perëndisë. Prandaj çiftet e martuara duhet ta studiojnë seriozisht Biblën. Por sa të rëndësishme janë mençuria dhe aftësia dalluese? Që të përballojmë problemet e përditshme kërkohet mençuri, pra aftësia për të zbatuar njohurinë biblike. Një njeri me aftësi dalluese është në gjendje të kuptojë mendimet dhe ndjenjat e bashkëshortit ose të bashkëshortes. (Proverbat 20:5) Jehovai thotë nëpërmjet Solomonit: «Oh, biri im, kushtoji vëmendje mençurisë sime. Ktheje veshin nga aftësia ime dalluese.»—Proverbat 5:1.
Kur ka «shtrëngim»
12. Pse nuk është për t’u çuditur që çiftet e martuara të hasin probleme?
12 Asnjë martesë nuk është e përsosur. Madje Bibla thotë se burrat dhe gratë do të kenë «shtrëngim në mish». (1 Korintasve 7:28) Ankthet, sëmundjet, përndjekja dhe faktorë të tjerë mund të sjellin stres në një martesë. Kur lindin probleme duhet të kërkoni zgjidhje bashkë, si bashkëshortë besnikë që kërkoni t’i pëlqeni Jehovait.
13. Në cilat fusha një burrë dhe një grua mund të analizojnë veten?
13 Po sikur martesa të jetë nën stres për shkak të mënyrës se si bashkëshortët sillen me njëri-tjetrin? Kërkohen përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Për shembull, ndoshta dalëngadalë u është bërë zakon t’u flasin ashpër njëri-tjetrit. (Proverbat 12:18) Siç u diskutua në artikullin e mëparshëm, kjo mund të ketë pasoja shkatërrimtare. Një proverb biblik thotë: «Më mirë të banosh në shkretëtirë, se i acaruar me një grua që ndez grindje.» (Proverbat 21:19) Në rast se je grua në një martesë të tillë, pyet veten: ‘A kam një prirje që ia bën të vështirë burrit të kalojë kohë me mua?’ Bibla u thotë burrave: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolosianëve 3:19) Nëse je burrë, pyet veten: ‘A sillem ftohtë, duke e bërë kështu gruan të kërkojë ngushëllim diku tjetër?’ Natyrisht që nuk ka asnjë justifikim për imoralitetin. Por fakti që një tragjedi e tillë mund të ndodhë, përbën një arsye të vlefshme për t’i diskutuar problemet haptazi.
14, 15. Pse të kërkosh ngushëllim jashtë martesës nuk është zgjidhja për problemet martesore?
14 Të kërkosh ngushëllim në një lidhje romantike jashtë martesës nuk është zgjidhja për problemet martesore. Ku mund të çojë një lidhje e tillë? Në një martesë më të mirë? Disa mund të mendojnë kështu. Ata argumentojnë: ‘Në fund të fundit ky person ka pikërisht cilësitë që dua te një bashkëshort.’ Por ky arsyetim është i rremë, sepse kushdo që lë bashkëshortin a bashkëshorten—ose të nxit ty që të bësh kështu—e shpërfill seriozisht shenjtërinë e martesës. Është e paarsyeshme të presim që kjo lidhje të përfundojë në një martesë më të mirë.
15 Maria, e përmendur më sipër, mendoi seriozisht për pasojat e sjelljes së saj. Ndër të tjera, ajo mund t’i sillte vetes ose dikujt tjetër mosmiratimin e Perëndisë. (Galatasve 6:7) Ajo thotë: «Kur fillova të shqyrtoja ndjenjat e mia për shokun e punës të burrit, kuptova se, po të kishte ndonjë mundësi që ky njeri të njihte të vërtetën, unë po bëhesha pengesë. Keqbërja do të ndikonte për keq te cilido i përfshirë dhe do t’i pengonte të tjerët.»—2 Korintasve 6:3.
Motivi më i fortë
16. Cilat janë disa pasoja të papastërtisë morale?
16 Bibla paralajmëron: «Buzët e gruas imorale pikojnë si hoje mjalti dhe qiellza e saj është më e butë se vaji. Por pasoja e saj është e hidhur si pelini; është e mprehtë si një shpatë me dy tehe.» (Proverbat 5:3, 4) Pasojat e papastërtisë morale janë të dhembshme dhe mund të jenë vdekjeprurëse. Ato përfshijnë një ndërgjegje të trazuar, sëmundje të transmetuara seksualisht dhe për bashkëshortin besnik rrënim emocional. Patjetër që këto pasoja janë arsye për të mos u futur në një rrugë që mund të çojë në tradhti bashkëshortore.
17. Cila është arsyeja më e fortë që të ruajmë besnikërinë bashkëshortore?
17 Arsyeja kryesore pse tradhtia bashkëshortore është e gabuar, është se Jehovai, Nismëtari i martesës dhe Dhënësi i aftësive seksuale të njeriut, e dënon atë. Nëpërmjet profetit Malakia, Ai thotë: «Unë do t’ju afrohem për t’ju gjykuar dhe do të dëshmoj pa u vonuar kundër . . . kurorëshkelësve.» (Malakia 3:5) Në lidhje me atë se çfarë sheh Jehovai, te Proverbat 5:21 thuhet: «Udhët e njeriut janë përpara syve të Jehovait, dhe ai i shqyrton me kujdes të gjitha shtigjet e tij.» Po, «të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari». (Hebrenjve 4:13) Pra, motivi më i fortë që të ruajmë besnikërinë bashkëshortore është dijenia se, çdo akt papastërtie seksuale dëmton marrëdhënien tonë me Jehovain, edhe nëse tradhtia bëhet në fshehtësi, edhe nëse pasojat e saj fizike ose shoqërore mund të duken të vogla.
18, 19. Çfarë mësojmë nga përvoja e Jozefit me gruan e Potifarit?
18 Shembulli i Jozefit, birit të patriarkut Jakob, tregon se dëshira për të pasur një marrëdhënie paqësore me Perëndinë është një motiv i fuqishëm. Meqë kishte gjetur hir në sytë e Potifarit, një zyrtar i oborrit të faraonit, Jozefit iu dha një pozitë e privilegjuar në shtëpinë e Potifarit. Jozefi ishte gjithashtu «një djalë me trup të bukur dhe i pashëm», e kjo nuk shpëtoi pa u vënë re nga gruaja e Potifarit. Çdo ditë ajo përpiqej ta joshte Jozefin, por orvatjet e saj nuk dhanë fryt. Çfarë e ndihmoi Jozefin që t’u rezistonte propozimeve të saj? Bibla thotë: «Ai nuk pranonte dhe i thoshte: ‘Imzot . . . s’më ka mbajtur asgjë tjetër, veç teje, sepse ti je gruaja e tij. Prandaj, si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?’»—Zanafilla 39:1-12.
19 Jozefi i pamartuar e ruajti dëlirësinë morale duke mos pranuar të ngatërrohej me gruan e një tjetri. Proverbat 5:15 u thotë të martuarve: «Pi ujë nga sterna jote, prej ujit që rrjedh nga pusi yt.» Ruhu që të mos krijosh pa e kuptuar lidhje romantike jashtë martesës. Përpiqu të forcosh lidhjen e dashurisë në martesë dhe të zgjidhësh çdo vështirësi që mund të krijohet. Po, «gëzo me gruan e rinisë sate»!—Proverbat 5:18.
Çfarë mësove?
• Në ç’mënyrë një i krishterë mund të bjerë pa e kuptuar në grackën e një lidhjeje romantike?
• Cilat masa parandaluese mund të na ndihmojnë që të mos formojmë lidhje romantike jashtë martesës?
• Çfarë duhet të bëjë një çift i martuar kur ka probleme?
• Cili është motivi më i fortë që na shtyn të ruajmë besnikërinë bashkëshortore?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 26]
Mjerisht, vendi i punës mund të bëhet një terren pjellor për zhvillimin e lidhjeve romantike të papërshtatshme
[Figura në faqen 28]
‘Me anë të njohurisë dhomat do të mbushen me gjithfarë gjërash të këndshme’