Ji i mençur: Frikësoju Perëndisë!
Ji i mençur: Frikësoju Perëndisë!
«Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë.»—PROVERBAT 9:10.
1. Pse shumë veta e kanë të vështirë ta kuptojnë konceptin e frikës nga Perëndia?
NJË herë e një kohë, ta përshkruaje dikë si njeri me frikë Perëndie, ishte lëvdatë. Kurse sot, shumë vetave jo vetëm që u duket i vjetër si koncept të kesh frikë nga Perëndia, por edhe i vështirë për t’u kuptuar. Ata pyesin: ‘Në qoftë se Perëndia është dashuri, pse duhet ta kemi frikë?’ Për ta, frika është një ndjenjë negative që të paralizon. Por frika e vërtetë nga Perëndia ka një kuptim shumë më të gjerë dhe, siç do ta shohim, nuk është vetëm një ndjenjë ose emocion i çastit.
2, 3. Çfarë përfshin frika e vërtetë nga Perëndia?
2 Siç përdoret në Bibël, frika nga Perëndia është një cilësi pozitive. (Isaia 11:3) Është një nderim dhe respekt i thellë për Perëndinë, një dëshirë e fortë për të mos i shkaktuar pakënaqësi. (Psalmi 115:11) Do të thotë të pranojmë dhe të ndjekim një më një normat morale të Perëndisë dhe të duam të jetojmë sipas asaj që Perëndia thotë se është e drejtë ose e gabuar. Një vepër referimi thekson se kjo frikë e shëndetshme shpreh «atë qëndrim bazë ndaj Perëndisë që të çon në sjellje të mençur dhe në shmangien e çdo forme ligësie». Në mënyrë të përshtatshme, Fjala e Perëndisë na thotë: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë.»—Proverbat 9:10.
3 Në fakt, frika nga Perëndia lidhet me shumë aspekte të veprimtarisë së njeriut. Të sjell jo vetëm mençuri, por edhe gëzim, paqe, begati, jetë të gjatë, shpresë dhe siguri. (Psalmi 2:11; Proverbat 1:7; 10:27; 14:26; 22:4; 23:17, 18; Veprat 9:31) Lidhet ngushtësisht me besimin dhe dashurinë. Po, përfshin gjithçka që ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe me njerëzit e tjerë. (Ligji i përtërirë 10:12; Jobi 6:14; Hebrenjve 11:7) Frika nga Perëndia përfshin bindjen e thellë se Ati ynë qiellor interesohet personalisht për ne dhe është gati të na i falë shkeljet. (Psalmi 130:4) Vetëm të ligjtë e papenduar kanë arsye të jenë të tmerruar nga Perëndia. *—Hebrenjve 10:26-31.
Të mësojmë t’i frikësohemi Jehovait
4. Çfarë mund të na ndihmojë ‘të mësojmë t’i frikësohemi Jehovait’?
4 Meqë frika nga Perëndia është thelbësore për të marrë vendime të mençura dhe për të pasur bekime prej tij, si ‘të mësojmë t’i frikësohemi Jehovait’ në mënyrën e duhur? (Ligji i përtërirë 17:19) Ka shumë shembuj të burrave dhe grave që i frikësoheshin Perëndisë, të cilët janë ruajtur në Shkrime «për mësimin tonë». (Romakëve 15:4) Që të kuptojmë më mirë çfarë do të thotë në të vërtetë t’i frikësohemi Perëndisë, le të mendojmë për jetën e njërit prej tyre, Davidit, mbretit të Izraelit të lashtë.
5. Si mësoi Davidi t’i frikësohej Jehovait, në kohën kur ishte bari?
5 Jehovai e hodhi poshtë Saulin, mbretin e parë të Izraelit, sepse u frikësohej njerëzve, por jo Perëndisë. (1 Samuelit 15:24-26) Nga ana tjetër, jeta e Davidit dhe lidhja e ngushtë që kishte me Jehovain, e portretizojnë si një njeri që kishte vërtet frikë nga Perëndia. Që në fëmijëri, Davidi rrinte shpesh përjashta, duke kullotur dhentë e të atit. (1 Samuelit 16:11) Në ato net që kaloi në natyrë, nën dritën e yjeve, me siguri Davidi kuptoi ç’ishte frika nga Jehovai. Edhe pse mund të shihte vetëm një pjesë të vogël të universit të paanë, Davidi nxori përfundimin e duhur: Perëndia meriton ta respektojmë e ta adhurojmë. Më vonë ai shkroi: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje dhe biri i njeriut që të kujdesesh për të?!»—Psalmi 8:3, 4.
6. Si u ndie Davidi pasi kuptoi sa madhështor është Jehovai?
6 Natyrisht që Davidi ishte mahnitur duke menduar sa i vogël ishte ai në krahasim me qiejt e paanë plot yje. Por kjo njohuri nuk e frikësoi, përkundrazi e shtyu të lëvdonte Jehovain dhe të thoshte: «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, hapësira qiellore flet për veprën e duarve të tij.» (Psalmi 19:1) Ky nderim që kishte për Jehovain, e afroi Davidin më shumë me të dhe e bëri të donte të mësonte e të ndiqte udhët e Tij të përsosura. Përfytyroni si ndihej Davidi në çastin kur i këndoi Jehovait: «Ti je i madh e bën gjëra të mahnitshme; ti, vetëm ti, je Perëndi. Mësomë, o Jehova, udhën tënde. Unë do të eci në të vërtetën tënde. Bashkoje zemrën time, që t’i frikësohet emrit tënd.»—Psalmi 86:10, 11.
7. Si e ndihmoi Davidin frika nga Perëndia që të ndeshej me Goliadin?
7 Kur filistinët pushtuan tokën e Izraelit, Goliadi, kampioni i tyre 3 metra i gjatë, i sfidoi izraelitët, duke thënë, me pak fjalë: ‘Nxirrni një burrë që të bëjë dyluftim me mua! Po të fitojë, ne do të bëhemi shërbëtorët tuaj.’ (1 Samuelit 17:4-10) Sauli dhe gjithë ushtria e tij u tmerruan, kurse Davidi jo. Ai e dinte se duhej pasur frikë nga Jehovai, jo nga ndonjë njeri, sado i fuqishëm të ishte ky. Davidi i tha Goliadit: «Unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive . . . Tërë ky kongregacion do ta marrë vesh se Jehovai nuk shpëton as me shpatë e as me heshtë, sepse beteja i përket Jehovait.» Me një hobe e një gur, si dhe me ndihmën e Jehovait, Davidi e vrau gjigantin.—1 Samuelit 17:45-47.
8. Çfarë na mësojnë shembujt biblikë të njerëzve me frikë Perëndie?
8 Ndoshta ne po hasim pengesa ose po përballemi me armiq jo më pak të frikshëm se ata që kishte Davidi. Çfarë mund të bëjmë? Të veprojmë me ta njësoj siç bëri Davidi dhe besnikë të tjerë në lashtësi, pra me frikë Perëndie. Frika nga Perëndia mund të ngadhënjejë mbi frikën nga njeriu. Nehemia, një shërbëtor besnik i Perëndisë, i nxiti izraelitët e tjerë, që ndiheshin nën presion nga kundërshtarët: «Mos kini frikë prej tyre! Mbani ndër mend Jehovain, atë që është i madh e ngjall frikë.» (Nehemia 4:14) Me mbështetjen e Jehovait, Davidi, Nehemia dhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë, arritën të plotësonin caktimet që u kishte dhënë Perëndia. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe ne, duke iu frikësuar Perëndisë.
T’i përballojmë problemet me frikë Perëndie
9. Në cilat rrethana shfaqi frikë Perëndie Davidi?
9 Pasi Davidi vrau Goliadin, Jehovai i dha edhe fitore të tjera. Mirëpo Sauli xheloz u orvat ta vriste Davidin, në fillim nga një nxitje e çastit, pastaj me anë të dinakërisë e në fund me një ushtri të tërë. Ndonëse Jehovai e kishte siguruar Davidin se do të ishte mbret, atij iu desh të arratisej për vite të tëra, të luftonte dhe të priste kohën kur Jehovai do ta bënte mbret. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Davidi tregoi se i frikësohej Perëndisë së vërtetë.—1 Samuelit 18:9, 11, 17; 24:2.
10. Si tregoi frikë Perëndie Davidi kur u gjend përballë rrezikut?
10 Në një rast, Davidi u përpoq të fshihej tek Akishi, mbreti i qytetit filistin të Gathit, që kishte qenë edhe vendlindja e Goliadit. (1 Samuelit 21:10-15) Shërbëtorët e mbretit e akuzuan Davidin si armik të kombit të tyre. Si reagoi ai në atë situatë të rrezikshme? Ia zbrazi zemrën në lutje Jehovait. (Psalmi 56:1-4, 11-13) Ndonëse iu desh të hiqej si i çmendur që të shpëtonte, Davidi e dinte se në të vërtetë e kishte çliruar Jehovai, duke bekuar përpjekjet e tij. Mbështetja me gjithë shpirt te Jehovai dhe siguria që kishte tek ai, treguan se Davidi ishte vërtet një njeri me frikë Perëndie.—Psalmi 34:4-6, 9-11.
11. Si mund të tregojmë frikë Perëndie në sprova, siç bëri Davidi?
11 Ashtu si Davidi, edhe ne mund të tregojmë frikë Perëndie, duke i besuar premtimit të tij se do të na ndihmojë të përballojmë problemet. Psalmi 37:5) Kjo nuk do të thotë që thjesht t’ia kalojmë problemet tona Jehovait, pa bërë atë që kemi në dorë për t’i zgjidhur, e të presim që të veprojë për ne. Davidi nuk u mjaftua vetëm duke iu lutur Perëndisë për ndihmë. Ai përdori aftësitë fizike dhe intelektuale që i kishte dhënë Jehovai dhe u përpoq ta zgjidhte problemin që i doli. Gjithsesi, Davidi e dinte se, vetëm me forcat e veta, njeriu nuk mund të kishte sukses. Njësoj duhet të mendojmë edhe ne. Pasi kemi bërë gjithçka që kemi në dorë, të tjerat duhet t’ia lëmë Jehovait. Në fakt, shpeshherë s’mund të bëjmë gjë tjetër veçse të mbështetemi te Jehovai. Pikërisht ky është rasti kur duhet të tregojmë se i frikësohemi Perëndisë. Mund të gjejmë ngushëllim në fjalët plot ndjenjë të Davidit: «Ata që i frikësohen Jehovait, gëzojnë një miqësi të ngushtë me të.»—Psalmi 25:14.
«Lëre udhën tënde në dorë të Jehovait e mbështetu tek ai, dhe ai do të veprojë»,—tha Davidi. (12. Pse duhet t’i marrim seriozisht lutjet tona dhe cilin qëndrim nuk duhet të kemi kurrë?
12 Pra, duhet t’i marrim seriozisht lutjet tona dhe marrëdhënien që kemi me Perëndinë. Kur i afrohemi në lutje Jehovait, duhet ‘të besojmë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm’. (Hebrenjve 11:6; Jakovi 1:5-8) Dhe kur na ndihmon, duhet ‘të tregohemi mirënjohës’, siç na këshilloi apostulli Pavël. (Kolosianëve 3:15, 17) Kurrë nuk duhet të jemi si ata që përshkroi një i krishterë i mirosur, me shumë përvojë, i cili tha: «Ata e mendojnë Perëndinë si një farë kamerieri qiellor. Kur kanë nevojë për ndonjë gjë, duan t’i bëjnë shenjë me gisht që të vijë. Pastaj, kur marrin atë që duan, dëshirojnë që ai të largohet.» Një qëndrim i tillë do të tregonte se nuk kemi frikë Perëndie.
Raste kur mungoi frika nga Perëndia
13. Në cilin rast Davidi nuk tregoi respekt për Ligjin e Perëndisë?
13 Kur provonte ndihmën e Jehovait në kohë të vështira, Davidit i shtohej frika nga Perëndia dhe siguria tek Ai. (Psalmi 31:22-24) Por, në tri raste shumë të njohura, Davidit i mungoi kjo frikë Perëndie, çka solli pasoja të rënda. Rasti i parë ishte kur mori masa që arka e besëlidhjes së Jehovait të transportohej për në Jerusalem me qerre, jo mbi supet e levitëve, siç ishte urdhri në Ligjin e Perëndisë. Kur Uzahu, që po i printe qerres, e kapi me dorë Arkën për ta mbajtur, vdiq në vend për «veprimin [e tij] pa respekt». Vërtet që Uzahu mëkatoi rëndë, por në thelb kjo tragjedi ndodhi për faj të Davidit që nuk tregoi respektin e duhur për Ligjin e Perëndisë. T’i frikësohesh Perëndisë do të thotë t’i bësh gjërat sipas mënyrës që ka përcaktuar ai.—2 Samuelit 6:2-9; Numrat 4:15; 7:9.
14. Çfarë erdhi si pasojë, kur Davidi numëroi Izraelin?
14 Më vonë, i nxitur nga Satanai, Davidi numëroi burrat e Izraelit që ishin të aftë për të luftuar. (1 Kronikave 21:1) Me këtë veprim, Davidi nuk po tregonte frikë Perëndie, dhe kjo çoi në vdekjen e 70.000 izraelitëve. Edhe pse Davidi u pendua para Jehovait, ai dhe populli vuajtën shumë.—2 Samuelit 24:1-16.
15. Si ndodhi që Davidi ra në mëkat e kreu marrëdhënie të paligjshme seksuale?
15 Një mungesë tjetër e përkohshme e frikës nga Perëndia e çoi Davidin në një lidhje imorale me Betshebën, gruan e Uriahut. Davidi e dinte se ishte e gabuar kurorëshkelja ose edhe të dëshiroje bashkëshorten e tjetrit. (Dalja 20:14, 17) Problemi filloi kur ai pa Betshebën tek lahej. Po të kishte frikë nga Perëndia, Davidi menjëherë do t’i kishte hequr sytë dhe do t’i kishte drejtuar gjetkë mendimet. Në vend të kësaj, me sa duket, Davidi ‘vazhdoi ta shikonte’ Betshebën derisa pasioni fitoi mbi frikën nga Perëndia. (Mateu 5:28; 2 Samuelit 11:1-4) Davidi harroi se Jehovai ishte i përfshirë në çdo aspekt të jetës së tij.—Psalmi 139:1-7.
16. Ç’pasoja pati Davidi nga mëkati i tij?
16 Nga kjo lidhje e paligjshme e Davidit me Betshebën, lindi një djalë. Pak më vonë, Jehovai dërgoi profetin Natan për të nxjerrë në shesh mëkatin e Davidit. Pasi erdhi në vete, Davidi e ndjeu përsëri frikën nga Perëndia dhe u pendua. Iu përgjërua Jehovait të mos e flakte dhe të mos ia hiqte frymën e Tij të shenjtë. Psalmi 51:7, 11) Jehovai e fali Davidin dhe ia lehtësoi ndëshkimin, por nuk e mbrojti nga gjithë pasojat e këqija të veprimeve të tij. Djali i Davidit vdiq dhe, që prej asaj kohe, në familjen e tij ranë tragjedi e vuajtje. Sa çmim i rëndë për t’u paguar, për shkak të mungesës së frikës nga Perëndia!—2 Samuelit 12:10-14; 13:10-14; 15:14.
(17. Ilustroni dhembjet që vijnë si pasojë e mëkateve.
17 Sot, kur njerëzit nuk tregojnë frikë Perëndie në çështjet morale, mund të kenë të njëjtat pasoja të rënda e afatgjata. Përfytyroni dhembjen që ndjeu një grua e re kur mori vesh se i shoqi, që ishte i krishterë, e kishte tradhtuar kur punonte jashtë shtetit. E kërrusur nga tronditja e nga hidhërimi, ajo mbuloi fytyrën me duar dhe u shkreh në vaj. Sa kohë do t’i duhet atij burri të rifitojë besimin dhe respektin e së shoqes?! Pasoja të tilla të rënda mund të shmangen, në qoftë se vërtet i frikësohemi Perëndisë.—1 Korintasve 6:18.
Frika nga Perëndia na pengon të mëkatojmë
18. Cili është synimi i Satanait dhe ç’metodë veprimi përdor?
18 Satanai po i gërryen me shpejtësi normat morale të botës, e në mënyrë të veçantë do që të korruptojë të krishterët e vërtetë. Për këtë qëllim, shfrytëzon rrugën më të drejtpërdrejtë për në zemrën e në mendjen tonë, domethënë shqisat, sidomos sytë e veshët. (Efesianëve 4:17-19) Si do të reagosh kur ndeshesh papritur me pamje, fjalë ose njerëz imoralë?
19. Si e ndihmoi një të krishterë frika nga Perëndia, që të kapërcente tundimin?
19 Shqyrtoni rastin e Andresë nga Evropa, një plak i krishterë, baba dhe mjek. * Kur kishte turnin e natës në spital, koleget e tij vazhdimisht i vinin në jastëk pusulla të zbukuruara me zemra, duke e ftuar të kishte marrëdhënie seksuale me to. Prerazi, Andrea as që i mori parasysh propozimet e tyre. Për më tepër, që të largohej nga ai mjedis i degraduar, gjeti punë diku tjetër. Jo vetëm që u tregua i mençur duke iu frikësuar Perëndisë, por pati edhe bekime, sepse sot ai shërben pjesërisht në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin e tij.
20, 21. (a) Si na ndihmon frika nga Perëndia që të mos mëkatojmë? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?
20 Nëse një njeri bluan mendime të gabuara, kjo mund ta çojë në një gjendje mendore në të cilën është i gatshëm ta braktisë marrëdhënien e tij të çmuar me Jehovain, në këmbim të diçkaje që nuk i takon. (Jakovi 1:14, 15) Nga ana tjetër, nëse i frikësohemi Jehovait, do të qëndrojmë larg ose edhe do të ikim larg nga njerëz, vende, aktivitete dhe zbavitje që mund të na e ulin vigjilencën morale. (Proverbat 22:3) Çfarëdo sikleti ose sakrifice të përfshijë kjo, është e vogël në krahasim me humbjen e miratimit të Perëndisë. (Mateu 5:29, 30) Pa dyshim, frika nga Perëndia përfshin të mos ekspozohemi kurrë me dashje ndaj gjërave imorale, përfshirë pornografinë në çfarëdolloj forme, por ‘t’i largojmë sytë nga gjërat e kota’. Nëse veprojmë kështu, mund të kemi besim se Jehovai ‘do të na ruajë gjallë’ e do të na sigurojë çdo gjë që na nevojitet vërtet.—Psalmi 84:11; 119:37.
21 Po, të veprosh me frikë të vërtetë Perëndie është gjithnjë rruga më e mençur. Është edhe burimi i lumturisë së vërtetë. (Psalmi 34:9) Kjo do të sqarohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 3 Shih artikullin «Pikëpamja e Biblës: Si mund të kesh frikë nga Perëndia i dashurisë?» në Zgjohuni!, 8 janar 1998, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 19 Emri është ndryshuar.
A mund të shpjegoni?
• Çfarë cilësish të krishtere përfshin frika nga Perëndia?
• Si ngadhënjen frika nga Perëndia mbi frikën nga njeriu?
• Si mund të tregojmë se kemi pikëpamjen e duhur për lutjen?
• Si na pengon të mëkatojmë frika nga Perëndia?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 23]
Davidi e mësoi frikën nga Jehovai duke vëzhguar veprën e duarve të Tij
[Figurat në faqen 24]
Si do të reagosh kur të ndeshesh papritur me një situatë tunduese?