Dinjiteti—Një e drejtë që shpesh dhunohet
Dinjiteti—Një e drejtë që shpesh dhunohet
«Çdo hollësi e jetës në kamp ishte një hap tjetër në rrugën drejt poshtërimit dhe dhunimit të dinjitetit.»—MAGDALENA KUSEROV ROJTER, NJË E MBIJETUAR E KAMPEVE NAZISTE TË PËRQENDRIMIT.
BARBARIZMAT e tmerrshme të kampeve naziste gjatë Luftës II Botërore, nuk ishin as fillimi e as fundi i cenimit të dinjitetit të njeriut. Po të shohim si të shkuarën, edhe të tashmen, përfundimi është i qartë: ‘Rruga e poshtërimit dhe e dhunimit të dinjitetit’ është e gjatë dhe mjaft e rrahur.
Por dhunimet e dinjitetit të njeriut nuk kufizohen vetëm me aktet barbare që kanë njollosur historinë njerëzore. Shpesh ato shfaqen shëmtuar edhe në forma të papërfillshme. Mendoni pak për një fëmijë që e tallin për ndonjë mangësi fizike. Ose për emigrantin që e tallin për zakonet e tij «të huaja». Për atë që duron diskriminimin për shkak të ngjyrës së lëkurës ose kombësisë. Tallësit mund ta konsiderojnë thjesht si shaka këtë gjë, por dhembja dhe poshtërimi që ndiejnë ata që nëpërkëmben nuk është për të qeshur.—Proverbat 26:18, 19.
Çfarë është dinjiteti i njeriut?
Një fjalor e përkufizon dinjitetin si ‘cilësia ose gjendja e të qenët me vlerë, i nderuar ose vlerësuar’. Prandaj dinjiteti përfshin mënyrën si konsiderojmë veten, si edhe mënyrën se si na trajtojnë të tjerët. Ndonëse ka shumë faktorë që ndikojnë në mënyrën si e
shohim veten, mënyra si na konsiderojnë ose trajtojnë të tjerët luan një rol të rëndësishëm në pikëpamjen tonë për vlerat që kemi në jetën e përditshme.Në çdo shoqëri ka të varfër, të pambrojtur dhe të dobët emocionalisht. Por të jesh i tillë nuk do të thotë se nuk ke dinjitet. Është qëndrimi dhe reagimi i të tjerëve që mund të ulë dinjitetin e dikujt. Realiteti i hidhur është se ata që ndodhen në rrethana të pafavorshme janë zakonisht pikërisht ata që merren nëpër këmbë ose nuk merren seriozisht. Sa shpesh i dëgjojmë fjalë të tilla «s’vlen për asgjë», «s’meriton asgjë» ose «njeri koti», kur keqtrajtohen të moshuarit, të varfrit ose ata me probleme fizike a mendore!
Pse e poshtërojnë njerëzit njëri-tjetrin? A do ta ketë ndonjëherë njeriu të drejtën bazë për t’u trajtuar me dinjitet? Për këtë, në artikullin vijues, do të marrim përgjigje nga Fjala e Perëndisë, Bibla.