Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e çliron të munduarin

Jehovai e çliron të munduarin

Jehovai e çliron të munduarin

«I drejti heq shumë të këqija, por Jehovai e çliron nga të gjitha.»​—PSALMI 34:19.

1, 2. Cilin problem hasi një e krishterë besnike dhe përse mund të lindin edhe te ne ndjenja të ngjashme?

NJË grua me emrin Keiko * ka më shumë se 20 vjet që është Dëshmitare e Jehovait. Për njëfarë kohe, shërbeu si pioniere e rregullt ose lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë, një privilegj që e vlerësonte shumë. Por, jo shumë kohë më parë, e pushtuan ndjenja dëshpërimi dhe veçimi. «Vetëm qaja»,—thotë ajo. Për të luftuar këto mendime negative, Keikoja i kushtoi më shumë kohë studimit personal. «Po prapë, nuk i ndryshoja dot ato mendime,​—thotë.—​Arrita në një pikë që doja të vdisja.»

2 A ke luftuar edhe ti me ndjenja të tilla dëshpërimi? Si Dëshmitar i Jehovait, ke shumë arsye për t’u gëzuar, sepse përkushtimi hyjnor «mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë». (1 Timoteut 4:8) Madje që tani je në një parajsë frymore! Megjithatë, a do të thotë kjo se je i mbrojtur nga gjithë mundimet? Jo! Bibla thotë: «I drejti heq shumë të këqija.» (Psalmi 34:19) Kjo nuk na habit, sepse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», Satana Djallit. (1 Gjonit 5:19) Secili prej nesh, kush më shumë e kush më pak, i provon pasojat e kësaj.​—Efesianëve 6:12.

Pasojat e mundimeve

3. Jepni shembuj nga Bibla për shërbëtorë të Perëndisë që kaluan dëshpërim të thellë.

3 Vuajtjet e zgjatura mund të na e errësojnë pikëpamjen që kemi për jetën. (Proverbat 15:15) Mendo për Jobin e drejtë që, kur u gjend mes hallesh të mëdha, tha: «Njeriu i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur në halle.» (Jobi 14:1) Jobit i kishte ikur krejt gëzimi. Madje, për njëfarë kohe, ai mendoi se Jehovai e kishte braktisur. (Jobi 29:1-5) Por Jobi nuk ishte i vetmi shërbëtor i Perëndisë që provoi angështi të madhe. Bibla na thotë që Hana ishte «me shpirt të hidhëruar» se nuk kishte fëmijë. (1 Samuelit 1:9-11) Ngaqë po e mundonte një situatë familjare, Rebeka tha: «Më është neveritur jeta.» (Zanafilla 27:46) Në kohën kur po meditonte rreth gabimeve të veta, Davidi tha: «Gjithë ditën e ditës endem i trishtuar.» (Psalmi 38:6) Këta janë vetëm disa shembuj që tregojnë qartë se në kohët para krishterimit, burra e gra me frikë Perëndie kaluan periudha dëshpërimi të thellë.

4. Pse nuk habitemi që sot mes të krishterëve ka «shpirtra të dëshpëruar»?

4 Po të krishterët? Apostulli Pavël e pa të nevojshme t’u thoshte selanikasve që ‘t’u flitnin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’. (1 Selanikasve 5:14) Një vepër referimi thotë se fjala greke e përkthyer ‘shpirtra të dëshpëruar’ mund t’u referohet atyre «që për njëfarë kohe streset e jetës i kanë vënë përfund». Nga fjalët e Pavlit, kuptohet se disa të mirosur në kongregacionin e Selanikut i kishte lëshuar zemra. Edhe sot, mes të krishterëve ka shpirtra të dëshpëruar. Por, përse ndihen kështu? Le të shqyrtojmë tri shkaqe të zakonshme.

Natyra jonë mëkatare mund të na dëshpërojë

5, 6. Ç’ngushëllim mund të gjejmë nga fjalët e Romakëve 7:22-25?

5 Ndryshe nga njerëzit e korruptuar që ‘nuk kanë më asnjë ndjesi morale’, të krishterët e vërtetë i mundon gjendja e tyre mëkatare. (Efesianëve 4:19) Ndoshta ndihen si Pavli, i cili shkroi: «Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.» Pastaj Pavli tha: «Ç’njeri i mjerë që jam!»​—Romakëve 7:22-24.

6 A je ndier ndonjëherë si Pavli? Nuk është e gabuar të jesh i vetëdijshëm për gjendjen e papërsosur, sepse kjo të ngulit në mendje sa i rëndë është mëkati dhe të bën më të vendosur që t’i rrish larg çdo ligësie. Por nuk ka pse të ndihesh vazhdimisht i mjerë duke menduar për mangësitë e tua. Pasi tha fjalët e dëshpëruara që sapo lexuam, Pavli shtoi: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» (Romakëve 7:25) Po, Pavli ishte i sigurt se gjaku i derdhur i Jezuit mund ta shpengonte atë nga mëkati i trashëguar.​—Romakëve 5:18.

7. Çfarë mund ta ndihmojë dikë që të mos jetë i dëshpëruar për shkak të prirjeve mëkatare?

7 Nëse ndihesh i rënduar për shkak të natyrës mëkatare, fjalët e apostullit Gjon të ngrohin zemrën: «Nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, që është i drejtë, Jezu Krishtin. E ai është një flijim pajtues për mëkatet tona, madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.» (1 Gjonit 2:1, 2) Nëse je i dëshpëruar për shkak të prirjeve mëkatare, mos e hiq kurrë nga mendja se Jezui vdiq për mëkatarët, jo për njerëz të përsosur. Në fakt, «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë».​—Romakëve 3:23.

8, 9. Pse duhet t’i hedhim poshtë mendimet që na bëjnë të dënojmë veten?

8 Por, ta zëmë se në të kaluarën ke bërë një mëkat të rëndë. Me siguri që ia ke shprehur këtë në lutje Jehovait, ndoshta shpeshherë. Ke marrë ndihmë frymore nga pleqtë e krishterë. (Jakovi 5:14, 15) Ngaqë u pendove vërtet, vazhdove si pjesë e kongregacionit. Ose ndoshta e le për pak kohë organizatën e Perëndisë, por pastaj e more veten dhe rifitove një qëndrim të pastër. Sido që të ketë ndodhur, ndoshta herë pas here, të vjen në mendje mëkati që ke bërë në të kaluarën dhe të mundon. Nëse është kështu, mos harro se Jehovai i fal «në masë të madhe» ata që pendohen vërtet. (Isaia 55:7) Për më tepër, ai nuk dëshiron që ti të ndihesh sikur je i dënuar dhe i pashpresë. Kjo do t’u shërbente qëllimeve të Satanait. (2 Korintasve 2:7, 10, 11) Djalli do të shkatërrohet sepse këtë gjë meriton, por atij do t’i pëlqente që edhe ti të mendoje se meriton të njëjtin gjykim. (Zbulesa 20:10) Mos e lejo Satanain të ketë sukses në këtë intrigë për të të shkatërruar besimin! (Efesianëve 6:11) Përkundrazi, ‘kundërviju’ në këtë drejtim, siç bën edhe për çdo gjë tjetër.​—1 Pjetrit 5:9.

9 Te Zbulesa 12:10, Satanai quhet «paditësi i vëllezërve tanë», i të krishterëve të mirosur. Ai «i padit ata ditë e natë» para Perëndisë. Meditimi për këtë varg të ndihmon të kuptosh se Satanai, paditësi i rremë, do të kënaqej sikur ti të akuzoje e të dënoje veten, ndërkohë që Jehovai nuk e bën këtë. (1 Gjonit 3:19-22) Pse të vazhdosh të vuash e të lëngosh për mangësitë e tua deri në atë pikë sa të dorëzohesh? Mos e lejo Satanain të të shkatërrojë marrëdhënien që ke me Perëndinë! Kurrë mos e lejo të të verbojë, aq sa të harrosh se Jehovai është ‘i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi e të vërtetë’!​—Dalja 34:6.

Kufizimet mund të na shkurajojnë

10. Si mund të na shkurajojnë kufizimet tona?

10 Disa të krishterë shkurajohen kur shohin si ndikojnë kufizimet e tyre në shërbimin që i bëjnë Perëndisë. A po ndodh kështu edhe me ty? Ndoshta një sëmundje e rëndë, mosha e shkuar ose rrethana të tjera të pengojnë t’i kushtosh shërbimit aq kohë sa i kushtoje në të kaluarën. Kuptohet, të krishterët nxiten që të blejnë kohë për t’i shërbyer Perëndisë. (Efesianëve 5:15, 16) Por, ç’të themi nëse ke vërtet kufizime që të pengojnë të bësh më shumë në shërbim, dhe kjo gjë të shkurajon?

11. Si nxjerrim dobi nga këshilla e Pavlit që gjejmë te Galatasve 6:4?

11 Bibla na nxit të mos jemi të plogësht, por të bëhemi «imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet». (Hebrenjve 6:12) Këtë mund ta bëjmë vetëm nëse shqyrtojmë shembullin e tyre të mirë dhe përpiqemi të imitojmë besimin e tyre. Por nuk do të kemi asnjë përfitim nëse e krahasojmë veten për keq me të tjerët dhe nxjerrim përfundimin se asgjë që bëjmë s’është mirë. Prandaj, më mirë të zbatojmë këshillën e Pavlit: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»​—Galatasve 6:4.

12. Pse mund të gëzojmë në shërbimin që i bëjmë Jehovait?

12 Të krishterët kanë arsye për t’u gëzuar, edhe kur problemet e rënda shëndetësore i kufizojnë. Bibla na siguron: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebrenjve 6:10) Ndoshta disa rrethana, që nuk janë në dorën tënde, ta kanë bërë të vështirë të bësh aq shumë sa bëje më parë në shërbim të Jehovait. Por, me ndihmën e Jehovait, mund të arrish të bësh më shumë në disa aspekte të shërbimit të krishterë, si dëshmia me telefon ose duke shkruar letra. Të jesh i sigurt se Perëndia Jehova do të të bekojë për shërbimin me gjithë shpirt dhe për dashurinë që tregon për të e për njerëzit e tjerë.​—Mateu 22:36-40.

«Kohë kritike» që mund të na lodhin

13, 14. (a) Si mund të na mundojnë këto «kohë kritike»? (b) Si duket qartë sot mungesa e përzemërsisë së natyrshme?

13 Ndonëse presim me padurim jetën në botën e re të drejtë të Perëndisë, tani për tani jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Ngjarjet që na sjellin stres tregojnë se çlirimi është afër, dhe duke ditur këtë kjo na ngushëllon. Megjithatë, ndikohemi nga kushtet që na rrethojnë. Për shembull, ç’të themi nëse je pa punë? Ndoshta në vendin tënd s’ka shumë punë dhe, me kalimin e muajve, mund të fillosh të dyshosh nëse Jehovai e sheh gjendjen tënde të vështirë ose nëse i dëgjon lutjet e tua. Ndoshta je bërë viktimë e diskriminimit apo e ndonjë padrejtësie tjetër. Nganjëherë, edhe të lexosh titujt e gazetave të bën të ndihesh si Loti i drejtë, të cilin «e brengoste» («e lodhte», Young’s Literal Translation of the Holy Bible) sjellja e shthurur e atyre që e rrethonin.​—2 Pjetrit 2:7.

14 Ka një aspekt të veçantë të ditëve të fundit që s’mund ta kalojmë pa e përmendur. Bibla paratha se shumë veta do të ishin «pa përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:3) Në shumë shtëpi, përzemërsia familjare mungon tmerrësisht. Madje në librin Dhuna në familje (anglisht) thuhet: «Dëshmitë tregojnë se sot ka më shumë mundësi që njerëzit të vriten, të sulmohen fizikisht ose të abuzohen emocionalisht e seksualisht nga familjarët e tyre, sesa nga kushdo tjetër. Për disa të rritur e fëmijë, vendi ku njerëzit normalisht duhet të ndiejnë dashuri e siguri, është vendi më i rrezikshëm në botë.» Ata që janë rritur në një mjedis familjar jo të mirë, në vitet e mëvonshme mund të kenë herë pas here periudha ankthi e dëshpërimi. Çfarë të bësh nëse edhe ti ke provuar këtë?

15. Në ç’mënyrë dashuria e Jehovait është më e madhe se ajo e çdo njeriu?

15 Psalmisti David këndoi: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» (Psalmi 27:10) Sa ngushëllohemi kur dimë se dashuria e Jehovait e tejkalon dashurinë e çdo prindi njerëzor! Ndonëse mund të jetë shumë e dhembshme kur një prind të refuzon, të keqtrajton ose të braktis, këto gjëra nuk ndikojnë fare në kujdesin e madh që ka Jehovai për ty. (Romakëve 8:38, 39) Mos harro se Perëndia tërheq ata që do. (Gjoni 3:16; 6:44) Pavarësisht se si të kanë trajtuar njerëzit, Ati yt qiellor të do!

Hapa praktikë për të lehtësuar dëshpërimin

16, 17. Ç’mund të bëjë dikush për të ruajtur forcën frymore, kur ndihet i shkurajuar?

16 Mund të bësh disa hapa praktikë për të lehtësuar dëshpërimin. Për shembull, ndiq një program ndërtues me veprimtari të krishtere. Medito rreth Fjalës së Perëndisë, sidomos në ato çaste kur të duket sikur shkurajimi po të mbyt. Psalmisti këndoi: «Kur thosha: ‘Po më merren këmbët’, dashamirësia jote, o Jehova, më mbajti. Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.» (Psalmi 94:18, 19) Leximi i rregullt i Biblës do të të ndihmojë, pasi do ta mbushësh mendjen me fjalë ngushëlluese dhe mendime inkurajuese.

17 Lutja është jetësore gjithashtu. Edhe sikur të mos arrish t’i shprehësh dot me fjalë ndjenjat e tua më të thella, Jehovai e di se çfarë po përpiqesh t’i thuash. (Romakëve 8:26, 27) Psalmisti dha këtë siguri: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»​—Psalmi 55:22.

18. Cilat hapa praktikë mund të bëjë një njeri që është me depresion?

18 Disa që ndihen të dëshpëruar mund të jenë të sëmurë me depresion. * Nëse po vuan edhe ti, përpiqu të përqendrosh vëmendjen në botën e re të Perëndisë dhe në kohën kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Nëse ndjenjat negative duken shumë më të forta sesa mërzitja që kemi të gjithë herë pas here, mund të jetë e mençur të kërkosh ndihmën e një mjeku. (Mateu 9:12) Është e rëndësishme edhe që të kujdesesh për veten fizikisht. Një mënyrë të ushqyeri e shëndetshme dhe ca ushtrime gjimnastikore mund të të ndihmojnë. Sigurohu se po pushon sa duhet. Mos rri zgjuar deri vonë duke parë televizor dhe shmang ato zbavitje që më vonë të lënë të sfilitur emocionalisht dhe fizikisht. Mbi të gjitha, vazhdo të merresh me vepra që i pëlqejnë Perëndisë! Edhe pse nuk ka ardhur ende koha që Jehovai ‘të fshijë çdo lot’, ai do të të ndihmojë të qëndrosh.​—Zbulesa 21:4; 1 Korintasve 10:13.

Të jetojmë «nën dorën e fuqishme të Perëndisë»

19. Çfarë u premton Jehovai atyre që janë të munduar?

19 Bibla na siguron se, ndonëse të këqijat që heq i drejti janë të shumta, «Jehovai e çliron nga të gjitha». (Psalmi 34:19) Si e bën Perëndia këtë? Kur apostulli Pavël iu lut herë pas here që të gjente çlirim nga ‘gjembi në mish’ që kishte, Jehovai i tha: «Fuqia ime përsoset në dobësi.» (2 Korintasve 12:7-9) Çfarë i premtoi Jehovai Pavlit dhe çfarë premton për ty? Jo një kurë të menjëhershme, por fuqinë për të qëndruar.

20. Për çfarë na siguron 1 Pjetrit 5:6, 7, pavarësisht nga sprovat?

20 Apostulli Pjetër shkroi: «Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjetrit 5:6, 7) Jehovai interesohet për ty, prandaj nuk do të të braktisë. Ai do të të mbështetë, pavarësisht nga sprovat që je duke hasur. Mos harro se të krishterët besnikë janë «nën dorën e fuqishme të Perëndisë». Kur i shërbejmë Jehovait, ai na jep forcën për të qëndruar. Në qoftë se i mbetemi besnikë, s’ka asgjë që të mund të na dëmtojë përgjithnjë frymësisht. Prandaj, le të mbajmë integritetin ndaj Jehovait, që të kemi jetën e përhershme në botën e re që ka premtuar dhe të shohim ditën kur vërtet do ta ketë çliruar një herë e mirë të munduarin!

[Shënimet]

^ par. 1 Emri është ndryshuar.

^ par. 18 Më tepër se shkurajim, depresioni është një gjendje shëndetësore e diagnostikuar, në të cilën trishtimi është i madh dhe i vazhdueshëm. Për informacione të mëtejshme, shih Kullën e Rojës, 15 tetor 1988, faqet 25-29, anglisht, 15 nëntor 1988, faqet 21-24, anglisht dhe 1 shtator 1996, faqet 30, 31.

A ju kujtohet?

• Pse mundimet prekin edhe shërbëtorët e Jehovait?

• Cilët janë disa faktorë që i bëjnë disa shërbëtorë të Perëndisë të ndihen të shkurajuar?

• Si na ndihmon Jehovai që të përballojmë ankthet?

• Në ç’kuptim jemi «nën dorën e fuqishme të Perëndisë»?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 25]

Pavarësisht nga sprovat, populli i Jehovait ka arsye për t’u gëzuar

[Figura në faqen 28]

Dëshmia me telefon është një mënyrë për t’i dhënë më të mirën Jehovait