Qëndrueshmëria sjell gëzim
Jetëshkrim
Qëndrueshmëria sjell gëzim
TREGUAR NGA MARJO ROSHA DE SUZA
«Nuk ka të ngjarë që zoti Rosha të mbijetojë nga operacioni.» Me gjithë këtë parashikim të zymtë të një mjeku, sot, rreth 20 vjet më vonë, jam ende gjallë dhe po shërbej si një predikues në kohë të plotë i Dëshmitarëve të Jehovait. Çfarë më ka ndihmuar të vazhdoj të shërbej gjatë gjithë këtyre viteve?
FËMIJËRINË e kalova në një fermë pranë Santu-Estevaut, një fshat në shtetin e Bahias, në Brazilin Verilindor. Kur isha shtatë vjeç, fillova të ndihmoja babanë në punët e fermës. Çdo ditë, pasi kthehesha nga shkolla, ai më caktonte një punë. Me kalimin e kohës, sa herë që babai shkonte për punë në Salvador, në kryeqytet, ma linte mua në dorë fermën.
Nuk kishim elektricitet, ujë të rrjedhshëm ose komoditetet e sotme të zakonshme, e megjithatë ishim të lumtur. Luaja me balona ose me makina-lodër prej druri që i bëja vetë me shokët e mi. Gjithashtu i bija klarinetës në procesionet fetare. Këndoja në korin e kishës dhe pikërisht atje pashë një libër me temë História Sagrada (Historia e shenjtë), që më ngjalli kureshtjen për Biblën.
Në vitin 1932, kur isha në moshën 20-vjeçare, Brazilin Verilindor e goditi një thatësirë e ashpër dhe e gjatë. Gjedhët na ngordhën dhe të korrat u prishën, prandaj shkova në Salvador ku gjeta punë si shofer tramvaji. Më vonë mora me qira një shtëpi dhe erdhi edhe familja të jetonte bashkë me mua. Në vitin 1944 babai vdiq, duke më lënë të kujdesesha për mamanë dhe për tetë motrat e tre vëllezërit.
Nga shofer tramvaji në ungjillëzues
Me të mbërritur në Salvador, ndër gjërat e para që bëra, bleva një Bibël. Pasi shkova për disa vite në kishën baptiste, zura miqësi me Durvalin, një shofer tramvaji. Unë dhe Durvali bisedonim gjatë për Biblën. Një ditë ai më dha një broshurë me titull Ku janë të vdekurit? * Edhe pse besoja se njeriu ka një shpirt të pavdekshëm, isha kureshtar të kontrolloja vargjet biblike që përmendeshin në broshurë. Për habinë time, Bibla vërtetonte se shpirti që mëkaton, vdes.—Ezekieli 18:4.
Kur vërejti interesin tim, Durvali kërkoi të më vizitonte në shtëpi Antonio Andradi, një Dëshmitar i Jehovait që shërbente në kohë të plotë. Pas vizitës së tretë, Antonioja më ftoi ta shoqëroja kur të fliste me të tjerët për mësimet e Biblës. Pasi foli në dy dyert e para, ai tha: «Tani është radha jote.» Unë u shtanga, por për gëzimin tim një familje dëgjoi me vëmendje dhe i pranoi dy librat që i ofrova. Edhe sot e kësaj dite ndihem po aq i gëzuar kur takoj dikë që është i interesuar për të vërtetën e Biblës.
Më 19 prill 1943, që atë vit ishte data e Përkujtimit të vdekjes së Krishtit, u pagëzova në Oqeanin Atlantik pranë Salvadorit. Ngaqë nuk kishte burra të krishterë me përvojë, më caktuan të ndihmoja grupin e Dëshmitarëve që mblidhej në shtëpinë e vëlla Andradit. Kjo shtëpi ndodhej në një nga rrugët e ngushta që lidh pjesën e sipërme dhe të poshtme të qytetit të Salvadorit.
Kundërshtimi i hershëm
Vepra jonë e krishterë nuk ishte shumë e mirëpritur gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939-1945). Disa zyrtarë dyshonin se ishim spiunë amerikanë, sepse shumica e botimeve vinte nga Shtetet e Bashkuara. Si pasojë arrestimet dhe marrjet në pyetje ishin të zakonshme. Kur një Dëshmitar nuk kthehej nga shërbimi, nxirrnim përfundimin që e kishin ndaluar, kështu shkonim në rajonin e policisë për të kërkuar lirimin e tij.
Në gusht 1943, Adolf Mesmeri, një Dëshmitar gjerman, erdhi në Salvador që të ndihmonte për të organizuar asamblenë tonë të parë. Pasi u mor leja nga autoritetet që të mbahej asambleja, në gazetat vendëse u botuan njoftimet për fjalimin publik «Liri në Botën e Re» dhe u vendosën afishe në dritaret e dyqaneve dhe anash tramvajeve. Por ditën e dytë të asamblesë, një polic na njoftoi se ishte anuluar leja për asamblenë. Kryepeshkopi i Salvadorit i kishte bërë presion shefit të policisë që të ndërpriste asamblenë. Megjithatë, në muajin prill të vitit vijues, më në fund, na dhanë leje që të mbanim fjalimin publik që kishim njoftuar.
Një synim për t’u ndjekur
Në 1946 mora një ftesë që të ndiqja Asamblenë Teokratike «Kombet e gëzuara» në
qytetin e San-Paulos. Kapiteni i një anije mallrash në Salvador lejoi një grup prej nesh që të udhëtonim në anijen e tij, me kusht që të flinim në kuvertë. Edhe pse ndeshëm një stuhi, gjatë së cilës na zuri deti të gjithëve, pas katër ditësh në det, zbritëm shëndoshë e mirë në portin e Rio-de-Zhanejros. Dëshmitarët atje na mirëpritën në shtëpitë e tyre që të pushonim për disa ditë, përpara se të vazhdonim udhëtimin me tren. Kur mbërriti treni në San-Paulo, na përshëndeti një turmë e vogël që mbante pankarta ku ishte shkruar: «Mirë se erdhët Dëshmitarë të Jehovait!»Shumë shpejt pasi u ktheva në Salvador fola me Heri Blekun, një misionar nga Shtetet e Bashkuara, në lidhje me dëshirën time për t’u bërë pionier, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Heri më tha se kisha përgjegjësi familjare dhe më këshilloi të isha i durueshëm. Së fundi, në qershor 1952, vëllezërit dhe motrat e mia ishin bërë të pavarur nga ana financiare dhe më caktuan të shërbeja si pionier në një kongregacion të vogël në Iljeus, në bregdet, 210 kilometra në jug të Salvadorit.
Një masë bujare
Vitin vijues u caktova në Zhekje, një qytet i madh në brendësi të vendit, ku nuk kishte asnjë Dëshmitar. Njeriu i parë që vizitova ishte prifti vendës. Ai më tha se qyteti i përkiste atij dhe më ndaloi të predikoja aty. Prifti i lajmëroi njerëzit që vinin në kishë, në lidhje me ardhjen e «një profeti të rremë» dhe vuri spiunë përreth qytetit që të më vëzhgonin çfarë bëja. Gjithsesi atë ditë shpërndava 90 botime biblike dhe fillova katër studime biblike. Dy vjet më vonë në Zhekje kishte një Sallë Mbretërie me 36 Dëshmitarë. Sot në Zhekje ka tetë kongregacione dhe rreth 700 Dëshmitarë.
Gjatë muajve të parë në Zhekje, banoja në një dhomë të vogël me qira në periferi të qytetit. Pastaj takova Migel Vaz-de-Olivejrën, pronari i hotelit Sudoeste, një nga hotelet më të mira në Zhekje. Migeli pranoi një studim biblik dhe këmbënguli të banoja në një dhomë të hotelit të tij. Më vonë, Migeli dhe gruaja e tij u bënë Dëshmitarë.
Një kujtim tjetër i çmuar i ditëve në Zhekje ka të bëjë me Luiz Kotrimën, një mësues në shkollën e mesme, me të cilin bëra një studim biblik. Luizi u ofrua të më ndihmonte për të përmirësuar njohuritë e mia për gjuhën portugeze dhe matematikën. Mezi e kisha mbaruar shkollën fillore, prandaj pranova menjëherë. Ato mësime që bëja çdo javë, pas studimit të Biblës me Luizin, më ndihmuan të përgatitesha për privilegje të tjera që më dha shumë shpejt organizata e Jehovait.
Përballoj një sfidë të re
Në vitin 1956 mora një ftesë për në zyrën e degës, që në atë kohë ishte në Rio-de-Zhanejro, që të stërvitesha si mbikëqyrës qarkor, siç quhen mbikëqyrësit e Dëshmitarëve të Jehovait që shkojnë nga një vend në një tjetër. Kursi i stërvitjes, që e ndoqën edhe tetë të tjerë, zgjati pak më tepër se një muaj. Ndërsa afrohej fundi i kursit, më caktuan në San-Paulo, dhe kjo më bëri të shqetësohesha. Pyetja veten: ‘Ç’do të bëj unë, një zezak, mes gjithë atyre italianëve? A do të më pranojnë?’ *
Në kongregacionin e parë që vizitova në rajonin e Santu-Amarus, mora zemër kur pashë se Salla e Mbretërisë ishte e mbushur me Dëshmitarë dhe të interesuar. Ajo që më bindi se nuk kisha pse të shqetësohesha, ishte se të 97 pjesëtarët e kongregacionit morën pjesë në shërbim me mua atë fundjavë. ‘Këta janë vërtet vëllezërit e mi’,—mendova. Ishte ngrohtësia e atyre vëllezërve dhe e motrave të dashura që më dha guximin të qëndroja në shërbimin si mbikëqyrës.
Gomarë, kuaj dhe mizangrënës
Një nga sfidat më të mëdha që mbikëqyrësit udhëtues hasnin në ato ditë të hershme ishin udhëtimet e gjata për të shkuar nëpër kongregacionet dhe grupet e vogla të Dëshmitarëve në zonat fshatare. Në ato vende transporti publik ishte i paqendrueshëm ose nuk ekzistonte fare, dhe shumica e rrugëve ishin shtigje të ngushta me pluhur.
Disa qarqe e zgjidhën këtë problem duke blerë një gomar ose kalë që ta përdorte mbikëqyrësi qarkor. Për shumë të hëna shaloja kafshën, lidhja plaçkat dhe ecja rreth 12 orë për në kongregacionin tjetër. Në Santa-Fe-du-Sul, Dëshmitarët kishin një gomar që quhej Doradu (I praruari) i cili e dinte rrugën për te grupet e studimit në zonat fshatare. Doradu ndalonte te portat e fermave dhe priste me durim që t’i hapja. Pas vizitës unë dhe Doradu vazhdonim për te grupi tjetër.
Edhe mungesa e mjeteve të besueshme të komunikimit e bënte të vështirë veprën e mbikëqyrësit. Për shembull, për të vizituar një grup të vogël Dëshmitarësh që mblidheshin në një fermë në shtetin e Mato Grosos, m’u desh të kaloja me barkë lumin Aragua dhe të ecja me kafshën e barrës nëpër pyll për rreth 25 kilometra. Në një rast, i shkrova këtij grupi për t’i njoftuar për vizitën time, por me sa duket letra nuk u dërgua, sepse askush nuk po më priste kur kalova lumin. Ishte pasdite vonë, kështu që i kërkova pronarit të një lokali të vogël të më ruante plaçkat dhe u nisa në këmbë vetëm me një valixhe të vogël.
Shumë shpejt ra nata. Ndërsa ecja në errësirë duke u penguar, turfulloi një mizangrënës. Kisha dëgjuar që një mizangrënës mund të ngrihet në këmbë dhe ta vrasë njeriun me krahët e tij të fuqishëm. Prandaj sa herë që dëgjoja diçka në tokë që bënte zhurmë, ecja me kujdes përpara duke mbajtur valixhen përballë për t’u mbrojtur. Pasi eca për orë të tëra, mbërrita në një përrua të vogël. Mjerisht në errësirë nuk vura re që në bregun tjetër kishte një gardh me tela me gjemba. Arrita të kapërceja përroin me një të hedhur, por rashë mbi gardh dhe u çora.
Së fundi mbërrita në fermë dhe më përshëndetën të lehurat e qenve. Ishte e zakonshme që hajdutët e deleve sulmonin natën, prandaj sapo u hap porta, menjëherë thashë se kush
isha. Duhej të kisha një pamje të mjerë me rrobat e grisura e me njolla gjaku, por vëllezërit ishin të lumtur që po më shihnin.Pavarësisht nga vështirësitë, ato ishin ditë të bukura. Kënaqesha me udhëtimet e gjata me kalë e në këmbë, dhe disa herë pushoja nën hijen e pemëve, dëgjoja këngën e zogjve e shihja dhelprat që më kalonin përpara, ndërsa ecja nëpër ato rrugë të shkreta. Një gjë tjetër që më jepte gëzim ishte të dija që vizitat e mia i ndihmonin vërtet njerëzit. Shumë më shkruanin për të më shprehur mirënjohjen. Të tjerë më falënderonin personalisht kur takoheshim në asamble. Ç’kënaqësi më jepte të shihja njerëzit që kapërcenin problemet personale dhe përparonin nga ana frymore!
Më në fund një ndihmëse
Gjatë atyre viteve në veprën si mbikëqyrës shpesh isha vetëm, dhe kjo më mësoi të mbështetesha te Jehovai si ‘shkrepi im dhe kalaja ime’. (Psalmi 18:2) Gjithashtu e kuptoja se, duke qenë beqar, mund të përqendrohesha tërësisht tek interesat e Mbretërisë.
Megjithatë, në vitin 1978, takova një pioniere me emrin Zhulia Takahashi. Ajo kishte lënë një punë të sigurt si infermiere në një spital të madh në San-Paulo që të shërbente atje ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Pleqtë e krishterë që e njihnin e lavdëronin për cilësitë frymore dhe për aftësitë e saj si pioniere. Siç mund ta imagjinoni, vendimi im për t’u martuar pas kaq shumë vitesh, ishte një surprizë për disa. Një miku im i mirë nuk mund ta besonte dhe premtoi se do të më jepte një dem 270-kilësh po të martohesha vërtet. Më 1 korrik 1978, e poqëm në zgarë atë dem për dasmën tonë.
Vazhdoj të shërbej, me gjithë shëndetin e dobët
Zhulia u bashkua me mua në veprën qarkore dhe, për tetë vjet, vizituam së bashku kongregacionet në jug dhe juglindje të Brazilit. Atje fillova të kisha probleme në zemër. Dy herë më ra të fikët ndërsa flitja me të zotët e shtëpive në veprën e predikimit. Për shkak të kufizimeve të mia, pranuam një caktim si pionierë specialë në Birigui, në shtetin e San-Paulos.
Dëshmitarët në Birigui më çuan me makinë te një mjek në Gojania, rreth 500 kilometra larg. Pasi gjendja ishte përmirësuar, u operova për të vënë një aparat për të rregulluar ritmin e zemrës. Kjo ndodhi para 20 vjetësh. Edhe pse jam operuar edhe dy herë të tjera në zemër, jam ende aktiv në veprën e bërjes së dishepujve. Ashtu si shumë gra të krishtere besnike, Zhulia ka qenë një burim i vazhdueshëm force dhe inkurajimi.
Megjithëse problemet e shëndetit më kanë kufizuar aktivitetet e mia dhe ndonjëherë më shkurajojnë, jam ende pionier. I kujtoj vetes që Jehovai nuk na ka premtuar aspak që në këtë sistem të vjetër jeta do të shkonte vaj. Nëse apostullit Pavël dhe të krishterëve të tjerë besnikë në kohët e lashta iu desh të ngulmonin, pse duhet të jenë gjërat ndryshe për ne?—Veprat 14:22.
Kohët e fundit gjeta Biblën e parë që sigurova në vitet 30. Në pjesën e brendshme të kapakut kam shkruar 350: ky është numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në Brazil kur fillova të ndiqja mbledhjet në vitin 1943. Duket e pabesueshme që tani në Brazil ka më tepër se 600.000 Dëshmitarë. Ç’privilegj ka qenë të kem një pjesë të vogël në këtë rritje! Sigurisht Jehovai më ka bekuar bujarisht ngaqë kam ngulmuar. Ashtu si psalmisti, mund të them: «Po, ajo që bëri Jehovai me ne, është madhështore. Ne jemi mbushur me gëzim.»—Psalmi 126:3.
[Shënimet]
^ par. 9 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.
^ par. 23 Gati 1.000.000 imigrantë italianë u shpërngulën në San-Paulo mes viteve 1870-1920.
[Figura në faqen 9]
Dëshmitarë duke njoftuar fjalimin publik në asamblenë e parë në qytetin e Salvadorit, 1943
[Figura në faqen 10]
Dëshmitarë që erdhën në San-Paulo për asamblenë «Kombet e gëzuara», 1946
[Figurat në faqet 10, 11]
Në veprën si mbikëqyrës në fund të viteve 50
[Figura në faqen 12]
Me gruan, Zhulian