Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Xhevahiri i gjithë Galilesë»

«Xhevahiri i gjithë Galilesë»

«Xhevahiri i gjithë Galilesë»

VETËM 6 kilometra e gjysmë në veriperëndim të Nazaretit, qytetit ku u rrit Jezui, ishte një qytet që Ungjijtë nuk e përmendin fare. Megjithatë, historiani i njohur jude i shekullit të parë Jozef Flavi e lavdëronte si «xhevahirin e gjithë Galilesë». Ky ishte qyteti i Seforit. Po çfarë dimë për këtë qytet?

Pas vdekjes së Herodit të Madh, ndoshta në vitin 1 p.e.s., qytetarët e Seforit u ngritën kundër Romës, dhe kjo çoi në shkatërrimin e qytetit të tyre. I biri i Herodit, Antipa, trashëgoi Galilenë e Perenë, dhe rrënojat e Seforit i zgjodhi si vendin e kryeqytetit të tij të ri. Qyteti u rindërtua me një stil arkitekturor greko-romak, por popullsia ishte kryesisht hebreje. Sipas profesor Riçard Bejtit, Sefori u bë «qendra administrative nga ku qeveria kontrollonte Galilenë dhe Perenë» derisa, aty rreth vitit 21 të erës sonë, Antipa ndërtoi Tiberiadën që zëvendësoi Seforin si kryeqytet. Në këtë kohë Jezui jetonte në afërsi të këtij qyteti.

Profesori Xhejms Strejnxhi, i cili ka bërë gërmime në rrënojat e Seforit, është i mendimit se qyteti ka pasur arkiva, një thesar, një depo armësh, banka, ndërtesa publike dhe tregje ku shiteshin prodhime qeramike, qelqi, metalike, bizhuteri dhe një shumëllojshmëri ushqimesh. Kishte endës dhe tregtarë e dyqane veshjesh ku mund të gjeje shporta, mobilje, parfume dhe gjëra të ngjashme. Mendohet që numri i popullsisë në atë kohë mund të ketë qenë midis 8 mijë dhe 12 mijë banorë.

A e vizitoi ndonjëherë Jezui këtë qytet që ndodhej vetëm një orë në këmbë nga Nazareti? Ungjijtë nuk tregojnë gjë për këtë. Por një fjalor biblik (The Anchor Bible Dictionary) thotë se «një rrugë që të çonte nga Nazareti për në Kanë të Galilesë kalonte përmes Seforit». (Gjoni 2:1; 4:46) Nga Nazareti mund të shihje kodrën e Seforit, që ngrihej 120 metra mbi lëndinë. Disa mendojnë se Jezui kishte në mend pikërisht këtë qytet kur tha në një ilustrim se «një qytet nuk mund të fshihet, nëse ndodhet në mal».—Mateu 5:14.

Pas rënies së Jerusalemit në vitin 70 e.s., Sefori u bë qyteti kryesor judaik në Galile dhe më vonë vendndodhja e Sinedrit, gjykatës së lartë judaike. Për një periudhë kohe, ai lulëzoi si qendër e kulturës judaike.

[Harta dhe figura në faqen 32]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Deti i Galilesë

GALILE

Kanë

Tiberiadë

SEFOR

Nazaret

PERE

[Burimi i figurës në faqen 32]

Enë prej balte: zbuluar nga Muzeu Arkeologjik i Wohl-it, në Lagjen Herodiane, në Lagjen Judaike. Pasuri e Kompanisë për rindërtimin e Lagjes Judaike të qytetit të vjetër të Jerusalemit, Shpk