Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vendosur për t’i shërbyer Jehovait

Të vendosur për t’i shërbyer Jehovait

Jetëshkrim

Të vendosur për t’i shërbyer Jehovait

TREGUAR NGA RIMO KUOKANEN

Në vitin 1939, në Evropë shpërtheu Lufta II Botërore, dhe vendlindjen time, Finlandën, e sulmoi Bashkimi Sovjetik. Babai la shtëpinë për të luftuar në radhët e ushtrisë finlandeze. Shpejt, avionët luftarakë rusë po hidhnin bomba në qytetin ku jetonim ne, prandaj mamaja më dërgoi të rrija me gjyshen në një vend më të sigurt.

NË VITIN 1971, shërbeja si misionar në Ugandë, në Afrikën Lindore. Një ditë, tek predikoja nga shtëpia në shtëpi, shumë njerëz të frikësuar më kaluan me vrap. Dëgjova të shtëna dhe ia dhashë vrapit për në shtëpi. Ndërsa të shtënat afroheshin, u hodha në një kanal përgjatë rrugës. U hoqa zvarrë deri në shtëpi me plumbat që më fishkëllenin mbi kokë.

Vërtet s’mund të shmangia pasojat e Luftës II Botërore, por pse unë dhe gruaja ime vumë kokën në rrezik gjatë trazirave në Afrikën Lindore? Përgjigjja lidhet ngushtë me vendosmërinë tonë për t’i shërbyer Jehovait.

Mbillet fara e vendosmërisë

Linda në vitin 1934 në Helsinki, Finlandë. Im atë ishte bojaxhi, dhe një ditë shkoi të lyente ndërtesën ku gjendej zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Finlandë. Atje Dëshmitarët i treguan për mbledhjet e kongregacionit. Kur u kthye në shtëpi, i tregoi mamasë për ato mbledhje. Në atë kohë, ajo nuk filloi të merrte pjesë në to, por më vonë nisi të diskutonte për disa tema biblike me një shoqe pune, që ishte Dëshmitare. Shpejt mamaja filloi t’i zbatonte ato që kishte mësuar, dhe në vitin 1940 u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait.

Pak kohë para kësaj, gjyshja më kishte marrë në shtëpinë e saj në fshat, që të rrija derisa të mbaronte lufta. Mamaja, që ishte në Helsinki, filloi t’i shkruante gjyshes dhe tezes, motrës së saj më të vogël, për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Që të dyja treguan interes dhe, ato që mësonin, m’i thoshin edhe mua. Mbikëqyrës të Dëshmitarëve të Jehovait erdhën në shtëpinë e gjyshes dhe na inkurajuan, por unë nuk isha ende i vendosur t’i shërbeja Perëndisë.

Nis stërvitja që më ndihmoi t’i shërbeja Perëndisë

Në vitin 1945, kur mbaroi lufta, u ktheva në Helsinki dhe mamaja nisi të më merrte në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Nganjëherë, në vend që të shkoja në mbledhje, shkoja për të parë filma. Megjithatë, mamaja më fliste për fjalimin që kishte dëgjuar në mbledhje dhe, herë pas here, theksonte një gjë: Harmagedoni është shumë afër. Unë u binda për këtë dhe nuk i lashë më mbledhjet. Ndërsa kuptueshmëria për të vërtetat e Biblës rritej, shtohej edhe dëshira për të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e kongregacionit.

Më pëlqenin sidomos asambletë dhe kongreset. Në vitin 1948, mora pjesë në kongresin krahinor që u zhvillua afër shtëpisë së gjyshes, ku kaloja pushimet e verës. Një shoku im do të pagëzohej në atë kongres dhe më ftoi edhe mua të bëja po njësoj. I thashë që nuk kisha marrë me vete rroba banje, por ai më tha që pasi të pagëzohej, mund të vishja të tijat. Pranova dhe më 27 qershor 1948, në moshën 13-vjeçare, u pagëzova.

Pas kongresit, disa miq të mamasë i kishin treguar asaj se unë isha pagëzuar. Kur u takuam, ajo donte të dinte pse e kisha marrë këtë hap kaq të rëndësishëm pa u këshilluar me të. I shpjegova se i kuptoja mësimet themelore të Biblës dhe se isha i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kisha para Jehovait për sjelljen time.

Vendosmëria rritet

Vëllezërit në kongregacion më ndihmuan ta forcoja vendosmërinë për t’i shërbyer Jehovait. Ata më shoqëronin në shërbimin nga shtëpia në shtëpi dhe më caktonin të zhvilloja pjesë në mbledhje gati çdo javë. (Veprat 20:20) Në moshën 16-vjeçare bëra fjalimin e parë publik. Jo shumë kohë pas kësaj, u emërova shërbëtor i studimit të Biblës në kongregacion. Tërë ai aktivitet frymor më ndihmoi të piqesha. Por, prapëseprapë, duhej të mposhtja frikën nga njeriu.

Gjatë kësaj kohe, ne përdornim tabela të mëdha për të njoftuar titullin e fjalimit publik, që do të mbahej në kongresin krahinor. Këto tabela ishin formuar nga dy afishe të lidhura me rripa, që vareshin në supe dhe mbulonin pjesën e përparme dhe të pasme të trupit. Ja pse disa na quanin «njerëz sanduiç».

Një herë kisha vënë tabelat dhe gjendesha në cepin e një rruge të qetë. Kur ja, pashë një grup nga shokët e klasës që po vinin drejt meje. Mënyra se si më panë kur m’u afruan, më bëri të strukesha. Iu luta Jehovait për guxim dhe qëndrova pa lëvizur, ashtu siç isha bashkë me gjithë tabelat. Përballimi i frikës nga njeriu gjatë asaj kohe, më përgatiti për sprovën më të madhe në lidhje me asnjanësinë e krishtere.

Kohë më vonë, qeveria urdhëroi që një grup Dëshmitarësh të rinj të paraqiteshin për shërbimin ushtarak. Ne shkuam te reparti ushtarak, siç ishim urdhëruar, por me respekt nuk pranuam të vishnim uniformën. Zyrtarët na mbajtën në arrest në repartin ushtarak, dhe shpejt pas kësaj, një trup gjykues na dënoi me gjashtë muaj burg. U mbajtëm në burg edhe për tetë muaj të tjerë, muajt që duhej të kryenim shërbimin ushtarak. Kështu, kaluam gjithsej 14 muaj në burg, për shkak të qëndrimit tonë asnjanës.

Gjatë kohës që qëndronim në barakat e burgut, ne takoheshim çdo ditë me njëri-tjetrin për të diskutuar rreth Biblës. Gjatë atyre muajve, shumë nga ne e lexuan të gjithë Biblën dy herë. Kur përfunduam dënimin, shumica prej nesh dolën nga burgu më të vendosur se kurrë për t’i shërbyer Jehovait. Shumë nga ai grup Dëshmitarësh të rinj i shërbejnë me besnikëri Jehovait deri sot e kësaj dite.

Pasi dola nga burgu, u ktheva të jetoja me prindërit. Pak më pas, njoha Verën, një Dëshmitare të zellshme të sapopagëzuar. Në vitin 1957, u martuam.

Një mbrëmje që na ndryshoi jetën

Një mbrëmje kishin ardhur për vizitë disa vëllezër përgjegjës nga zyra e degës. Njëri prej tyre na pyeti nëse do të na pëlqente të shërbenim në veprën qarkore. Pasi u luta gjithë natën, i telefonova zyrës dhe thashë se pranonim. Të filloja shërbimin e plotkohor, kërkonte të lija punën ku paguhesha mirë. Sidoqoftë, ne ishim të vendosur të vinim Mbretërinë në vend të parë në jetën tonë. Në dhjetor të 1957-s, kur nisëm shërbimin si mbikëqyrës, unë isha 23 vjeç dhe Vera ishte 19. Patëm kënaqësinë që për tre vjet të vizitonim dhe të inkurajonim kongregacionet e popullit të Jehovait në Finlandë.

Nga fundi i viteve 60, më ftuan në Shkollën Biblike të Galaadit, në Bruklin, Nju-Jork. Ne, tre vëllezërit nga Finlanda, do të bënim një kurs të veçantë dhjetëmujor, që do të na stërviste për punën në degë. Gratë nuk erdhën me ne, por punuan në zyrën e degës, në Finlandë.

Pak para se të përfundonte kursi, më thanë të paraqitesha në zyrën e Nejthën H. Norit, që në atë kohë mbikëqyrte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Vëlla Nori na ofroi mua dhe gruas sime një caktim misionar në Republikën Malagaziane, që tani njihet si Madagaskari. I shkrova Verës dhe e pyeta se çfarë mendonte për këtë caktim. Pa e bërë të gjatë, ajo u përgjigj «po». Kur u ktheva në Finlandë, nxituam të bëheshim gati për jetën në Madagaskar.

Gëzim dhe zhgënjim

Në janar të vitit 1962, morëm avionin për në Tananarive, kryeqyteti i Madagaskarit. Duke qenë se ishim nisur nga Finlanda në kohë dimri, kishim veshur kapele prej gëzofi dhe pallto të trasha. Në vapën tropikale të Madagaskarit, shpejt ndryshuam stilin e veshjes. Shtëpia jonë e parë misionare ishte një shtëpi e vogël me një dhomë gjumi. Atje jetonte tashmë një çift misionar, kështu që unë me Verën fjetëm në verandë.

Filluam të mësonim frëngjisht, një nga gjuhët zyrtare që flitet në Madagaskar. Kjo ishte mjaft e vështirë, sepse ne të dy nuk flitnim të njëjtën gjuhë me motrën Karbonó, që na bënte kursin. Ajo komunikonte me ne në anglisht, kur na shpjegonte gjuhën frënge, por Vera nuk fliste anglisht. Kështu, unë ia përktheja Verës në finlandisht shpjegimet e motrës Karbonó. Më pas kuptuam se Vera i kuptonte më mirë termat teknikë në suedisht, kështu që ia shpjegoja gramatikën e gjuhës frënge në suedisht. Shpejt, përparuam në gjuhën frënge dhe filluam të mësonim gjuhën malagaziane, që është gjuha vendëse.

Studimi i parë biblik që fillova në Madagaskar, ishte me një burrë që fliste vetëm gjuhën malagaziane. Në fillim i kërkoja vargjet në Biblën time në finlandisht dhe pastaj i gjenim në Biblën në gjuhën malagaziane. Shkrimet mund t’ia shpjegoja fare pak, megjithatë shpejt e vërteta u rrit në zemrën e tij dhe ai përparoi deri në pagëzim.

Në vitin 1963, në Madagaskar erdhi për vizitë Milton Hensheli, nga selia qendrore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Pak pas kësaj, në Madagaskar u vendos një zyrë e re dege dhe mua më emëruan mbikëqyrësin e degës, përveç punës si mbikëqyrës qarkor dhe krahinor. Gjatë kësaj kohe, Jehovai na bekoi pa masë. Nga viti 1962 deri në vitin 1970, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në Madagaskar u rrit nga 85 në 469.

Në vitin 1970, një ditë, tek ktheheshim nga shërbimi, gjetëm një shënim pas derës, që i urdhëronte të gjithë misionarët e Dëshmitarëve të Jehovait të paraqiteshin në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kur vajtëm atje, një zyrtar na tha se qeveria kishte dhënë urdhër që të iknim menjëherë nga ai vend. Kur i pyeta se ç’krim kisha bërë që po më dëbonin, zyrtari ma ktheu: «Zoti Kuokanen, ju s’keni bërë asgjë.»

«Kemi tetë vjet që jetojmë këtu,—i thashë.—Kjo është shtëpia jonë. Nuk mund të ikim kështu.» Pavarësisht nga përpjekjet tona, të gjithë misionarëve iu desh të iknin brenda një jave. Qeveria ndaloi punën në degë dhe një Dëshmitar vendës filloi të kujdesej për veprën e shërbimit. Para se të iknim nga vëllezërit tanë të shtrenjtë në Madagaskar, morëm një caktim të ri në Ugandë.

Sërish nga e para

Pak ditë pasi u nisëm nga Madagaskari, mbërritëm në Kampala, kryeqyteti i Ugandës. Menjëherë filluam të mësonim gjuhën lugande, një gjuhë me tinguj të bukur melodiozë, por shumë e vështirë. Misionarët e tjerë e ndihmuan Verën të mësonte në fillim anglisht, dhe në këtë gjuhë ne predikuam e patëm rezultate.

Klima e nxehtë dhe e lagësht e Kampalës ndikoi për keq në shëndetin e Verës. Prandaj, u caktuam në Mbarara, një qytet në Ugandë me klimë më të butë. Ne ishim Dëshmitarët e parë atje dhe që ditën e parë në shërbim u bekuam me një përvojë të bukur. Po flitja me një burrë në shtëpinë e tij, kur nga kuzhina doli e shoqja. Ajo quhej Margaret dhe e kishte dëgjuar prezantimin tim. Vera filloi të studionte Biblën me Margaretën, e cila bëri një përparim të shkëlqyer frymor. Ajo u pagëzua dhe predikonte me zell Mbretërinë.

Përleshje nëpër rrugë

Në vitin 1971, lufta civile i dha fund paqes në Ugandë. Një ditë u zhvillua një përleshje rreth shtëpisë sonë misionare në Mbarara. Kjo ishte koha kur përjetova atë ndodhinë që përshkrova në fillim.

Pasi u hoqa zvarrë nëpër një kanal, që të mos më shihnin ushtarët, mbërrita në shtëpi dhe Verën e gjeta atje. Në një cep të shtëpisë bëmë një «fortesë» me dyshekë e pajisje të tjera. Për një javë të tërë dëgjonim lajmet në radio dhe nuk dolëm nga shtëpia. Ndodhte që plumbat bënin rikoshet nëpër mure, ndërsa ne strukeshim në fortesën tonë. Natën nuk i ndiznim dritat, që të mos dukej se ishim në shtëpi. Njëherë ushtarët erdhën te dera e përparme dhe bërtitnin. Ne qëndruam pa lëvizur, duke iu lutur në heshtje Jehovait. Kur përfunduan përleshjet, fqinjët erdhën dhe na falënderuan që kishin shpëtuar gjallë. Ata besonin se Jehovai na kishte mbrojtur të gjithëve, dhe ne ishim në një mendje me ta.

Gjendja vazhdoi e qetë, gjersa një mëngjes dëgjuam në radio se qeveria e Ugandës e kishte ndaluar veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Folësi në radio tha se të gjithë Dëshmitarët e Jehovait duhej të ktheheshin në fenë e mëparshme. Unë ia parashtrova çështjen tonë zyrtarëve të qeverisë, por ishte e kotë. Pastaj shkova në zyrën e presidentit Idi Amin Dada dhe kërkova një takim me të. Kush ishte në recepsion më tha se presidenti ishte i zënë. Shkova shumë herë, por kurrë nuk fola dot me presidentin. Përfundimisht, në korrik të 1973-shit, na u desh të iknim nga Uganda.

Një vit zgjat dhjetë

Hidhërimin që ndiem kur na dëbuan nga Madagaskari, e përjetuam sërish kur u larguam nga vëllezërit tanë të shtrenjtë në Ugandë. Para se të niseshim për në caktimin tonë të ri, në Senegal, shkuam në Finlandë. Gjatë kohës që ishim atje, caktimi ynë në Senegal u anulua, dhe na thanë që të qëndronim në Finlandë. Puna jonë si misionarë dukej se kishte përfunduar. Gjatë qëndrimit tonë në Finlandë, shërbyem si pionierë specialë dhe më vonë, sërish në veprën qarkore.

Nga viti 1990, kundërshtimi ndaj veprës sonë në Madagaskar kishte rënë, dhe selia qendrore në Bruklin na befasoi duke na kërkuar që të shkonim atje për një vit. Donim të shkonim, por po përballeshim me dy sfida të mëdha. Babai im i moshuar kishte nevojë për kujdes dhe Vera vazhdonte të kishte probleme me shëndetin. Vdekja e babait në nëntor të vitit 1990 më hidhëroi, por përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Verës na dha shpresë se mund të ktheheshim në veprën misionare. Kështu, në shtator të vitit 1991, shkuam përsëri në Madagaskar.

Caktimi ynë në Madagaskar ishte një vit, por zgjati dhjetë vjet. Gjatë kësaj kohe, numri i lajmëtarëve u rrit nga 4.000 në 11.600. Më pëlqente shumë shërbimi si misionar. Por nganjëherë ndihesha i shkurajuar, se mendoja që ndoshta po lija pas dore nevojat fizike dhe emocionale të gruas sime të dashur. Megjithatë, Jehovai na dha të dyve forcën për të vazhduar. Qëndruam atje deri në vitin 2001 kur u kthyem në Finlandë, dhe që atëherë vazhdojmë të punojmë në zyrën e degës. Zelli ynë për të mbështetur Mbretërinë vazhdon të vlojë, dhe ende ëndërrojmë për Afrikën. Po, jemi të vendosur të bëjmë vullnetin e Jehovait kudo që ai të na caktojë.—Isaia 6:8.

[Harta në faqen 12]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

FINLANDË

EVROPË

[Harta në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

AFRIKË

MADAGASKAR

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

AFRIKË

UGANDË

[Figura në faqen 14]

Ditën e dasmës

[Figurat në faqet 14, 15]

Nga vepra qarkore në Finlandë, 1960 . . .

. . . në veprën misionare në Madagaskar, 1962

[Figura në faqen 16]

Me Verën sot