Kur shërben në një kongregacion në gjuhë të huaj
Kur shërben në një kongregacion në gjuhë të huaj
«PASHË një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli»,—shkroi apostulli Gjon. (Zbulesa 14:6) Në përmbushje të këtij vegimi profetik, lajmi i mirë i Mbretërisë po predikohet në gjuhë të ndryshme në mbarë botën. Shumë nga këto gjuhë fliten nga emigrantë që jetojnë larg atdheut të tyre. Edhe ata po e dëgjojnë lajmin e mirë nga Dëshmitarë të zellshëm të Jehovait që kanë mësuar një gjuhë tjetër.
A je edhe ti një prej Dëshmitarëve që po shërbejnë në një kongregacion në gjuhë të huaj? Apo ndoshta po mendon ta bësh këtë hap? Që t’ia dalësh mbanë, ke nevojë për një motiv që të të nxitë për të mirën e të tjerëve dhe që të kesh qëndrimin e duhur mendor. Meqë synimi yt është t’i ndihmosh të tjerët që të mësojnë të vërtetën nga Fjala e Perëndisë, ke motivin më të mirë që mund të gjesh—dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin. (Mateu 22:37-39; 1 Korintasve 13:1) Dëshira për të ndihmuar të tjerët që të njohin Perëndinë të jep një arsye shumë më të fortë, sesa thjesht të kënaqesh me shoqërinë, ushqimin dhe kulturën e njerëzve të ndonjë kombi tjetër a grupi etnik. A të tremb ideja që të mësosh një gjuhë të huaj? Po qe se është kështu, do të të ndihmojë pikëpamja e duhur. Xhejmsi, që mësoi japonishten, tha: «Mos lejo që gjuha të të shkurajojë.» Po të mbash parasysh se shumë të tjerë para teje ia kanë dalë me sukses, do ta kesh më të lehtë të këmbëngulësh e të ruash optimizmin. Pra, si mund të mësosh një gjuhë të huaj? Çfarë do të të ndihmojë që të përshtatesh me kongregacionin ku flitet kjo gjuhë? Çfarë duhet të bësh që të qëndrosh i fortë frymësisht?
Përpjekje për të mësuar gjuhën
Ka shumë mënyra për të mësuar një gjuhë. Studentët ose mësuesit parapëlqejnë metoda të ndryshme. Megjithatë, shumica e studentëve e kanë më të lehtë dhe e mësojnë më shpejt gjuhën, kur ndjekin disa orë mësimi me një mësues të kualifikuar. Po të lexosh në gjuhën e huaj Biblën dhe botime të bazuara në Bibël e të dëgjosh çfarëdo materiali të regjistruar, do të pasurosh fjalorin e do të mësosh fjalë të reja teokratike. Edhe radioja, televizori dhe videokasetat me përmbajtje të përshtatshme, të krijojnë mundësi të njihesh me gjuhën ose kulturën e ndonjë vendi tjetër. Përsa i përket kohëzgjatjes së seancave të studimit, zakonisht është më e dobishme po të studiosh nga pak çdo ditë, sesa të rrish me orë të tëra në seanca të gjata e të lodhshme, por që bëhen me hope.
Të mësosh një gjuhë është si të mësosh notin. Nuk mund ta mësosh notin thjesht duke lexuar një libër. Duhet të hysh në ujë dhe të luash duart e këmbët. Njësoj është edhe kur mëson një gjuhë të huaj. Është e vështirë ta mësosh vetëm duke studiuar. Duhet të
komunikosh me njerëzit sa herë të jetë e mundur, t’i dëgjosh kur flasin, të shoqërohesh me ta dhe, sigurisht, të bisedosh. Veprimtaritë e krishtere krijojnë mundësi të shkëlqyera për këtë gjë. Shpesh, atë që mëson, mund ta përdorësh menjëherë në shërbim. Midori që po mëson gjuhën kineze, thotë: «Ndoshta kjo të frikëson, por, ama, njerëzit që na dëgjojnë mund të shohin që ne Dëshmitarët po përpiqemi shumë. Kjo mund t’u prekë zemrën. Mjafton të themi: ‘Gëzohem që u njohëm’ në gjuhën e tyre dhe sytë u shndritin nga kënaqësia!»Një ndihmë e madhe janë edhe mbledhjet e krishtere. Përpiqu të komentosh të paktën një herë në çdo mbledhje. Edhe pse në fillim mund të të duket e tmerrshme, mos u shqetëso. Kongregacioni do që ti t’ia dalësh mbanë. Monifa, që po mëson gjuhën koreane, thotë: «I jam shumë mirënjohëse motrës që ulet pranë meje në mbledhje dhe më shkruan kuptimin e disa fjalëve. Mbështetja e përzemërt dhe durimi i saj vërtet më ndihmojnë shumë.» Ndërkohë që fjalori yt zgjerohet, mund të fillosh të mendosh në gjuhën e huaj, duke i lidhur menjëherë fjalët me kuptimin, në vend që të përkthesh çdo fjalë me mendje.
Synimi yt kryesor në lidhje me gjuhën, duhet të jetë ‘të thuash fjalë që kuptohen lehtësisht’. (1 Korintasve 14:8-11) Edhe pse njerëzit mund t’i kuptojnë vështirësitë e tua, gabimet ose një theks i rëndë mund t’i shpërqendrojë kur dëgjojnë mesazhin. Po t’i kushtosh kujdes që në fillim shqiptimit të duhur dhe gramatikës, nuk do të marrësh zakone të gabuara që mezi hiqen. Marku, i cili mësoi gjuhën suahili, thotë: «Kërkoju atyre që e flasin mirë gjuhën që të korrigjojnë gabimet e tua më të mëdha e pastaj, falënderoji për këtë.» Sigurisht, ki parasysh se atyre që të ndihmojnë u duhet të harxhojnë kohë dhe energji. Ndonëse mund t’i thuash dikujt të të korrigjojë shënimet, përpiqu t’i përgatitësh fjalimet dhe komentet duke përdorur fjalë që tashmë i di ose që i ke parë në fjalor. Kjo do të të japë siguri dhe do të mësosh më shpejt.
Vazhdo të përparosh
Monifa thotë: «Mësimi i një gjuhe të huaj është ku e ku më i vështirë se çdo gjë që kam bërë. Ka raste që them ta lë fare. Por sjell ndër mend se sa shumë i pëlqen një studenti të Biblës të dëgjojë të vërteta të thella frymore me atë koreançen time të thjeshtë dhe sa gëzohen vëllezërit kur unë përparoj, edhe sikur pak fare.» E rëndësishmja është të mos heqësh dorë shpejt. Synimi yt është të jesh në gjendje t’u mësosh të tjerëve të vërteta jetëshpëtuese nga Shkrimet e Shenjta. (1 Korintasve 2:10) Kështu, t’u mësosh të tjerëve Biblën në një gjuhë tjetër, është diçka që kërkon shumë përpjekje dhe kohë. Teksa përmirëson, mos e mat përparimin tënd duke e krahasuar me të tjerët dhe duke e parë me sy kritik. Ata që mësojnë një gjuhë të huaj nuk përparojnë me të njëjtin ritëm. Gjithashtu, dikush përparon më shumë në një drejtim, dikush në një tjetër. Sidoqoftë është mirë të jesh i vetëdijshëm për përparimin tënd. (Galatasve ) «Mësimi i gjuhës është sikur ngjit shkallët,—thotë Juni, që po mëson gjuhën kineze.—Atëherë kur mendon se nuk po ecën, papritur e kupton se ke bërë përmirësime.» 6:4
Mësimi i gjuhës së huaj vazhdon gjithë jetën. Prandaj shijoje dhe mos prit përsosmëri. (Psalmi 100:2) Gabime do të bësh se s’bën. Ato janë pjesë e procesit të mësimit. Kur filloi të predikonte në italisht, një i krishterë e pyeti të zotin e shtëpisë: «A e dini cila është fshesa e jetës?» Në fakt donte të thoshte «qëllimi i jetës». Një Dëshmitar që po mësonte polonishten e ftoi kongregacionin të këndonte një qen, në vend të një kënge. Dikush që po mësonte gjuhën kineze, ngaqë e ndryshoi vetëm pak theksin, e nxiti auditorin të kishte besim në bibliotekën e Jezuit në vend të shpërblesës së Jezuit. E mira e gabimeve është se të ndihmojnë që të mos harrosh fjalët e sakta.
Puno me kongregacionin
Ndryshimet e gjuhës nuk janë të vetmet gjëra që i ndajnë njerëzit. Shpesh ato që të ndajnë më shumë janë ndryshimet kulturore, raciale e kombëtare. Gjithsesi, këto pengesa nuk janë të pakapërcyeshme. Një studiues që po studionte grupet fetare në gjuhën kineze në Evropë vuri re se Dëshmitarët e Jehovait i kapërcejnë dallimet kombëtare. Ai tha se te Dëshmitarët «përkatësia etnike nuk luan rol dhe gjuha s’është gjë tjetër, veçse një mjet për të kuptuar Fjalën e Perëndisë». Po, është zbatimi i parimeve biblike, ai që i ndihmon të krishterët e vërtetë të kapërcejnë ndryshimet kombëtare. Për ata që veshin ‘personalitetin e ri, nuk ka as grek, as jude, as të huaj’.—Kolosianëve 3:10, 11.
Prandaj, të gjithë në kongregacion duhet të punojnë që të forcojnë unitetin. Kjo kërkon të hapësh mendjen dhe zemrën ndaj mënyrave të reja se si njerëzit mendojnë, ndiejnë dhe i bëjnë gjërat. Duke mos u dhënë më shumë rëndësi se ç’duhet parapëlqimeve të tua, nuk do të lejosh që këto ndryshime të kthehen në ndarje. (1 Korintasve 1:10; 9:19-23) Mëso të përfitosh gjërat më të mira nga të gjitha kulturat. Mos harro, dashuria për të tjerët është çelësi për të pasur marrëdhënie të mira dhe unitet të vërtetë.
Shumica e kongregacioneve në gjuhë të huaj fillojnë si grupe të vogla. Shpesh në këto grupe një pjesë e mirë janë ata që po mësojnë gjuhën e huaj, bashkë me disa të tjerë që kanë filluar të mësojnë parimet e Biblës nga pak kohë. Kështu, në këto grupe keqkuptimet lindin më lehtë sesa në kongregacionet e mëdha, të formuara prej kohësh. Prandaj, të krishterët e pjekur duhet të bëjnë çmos që të ndihmojnë në qëndrueshmërinë e kongregacionit. Dashuria dhe mirësia në fjalë dhe në vepra krijojnë një mjedis të shëndetshëm ku të rinjtë në të vërtetën mund të rriten frymësisht.
Ata që shkojnë vullnetarisht të ndihmojnë në një kongregacion në gjuhë të huaj duhet të jenë të arsyeshëm për atë që presin nga të tjerët. Riku, plak në një kongregacion të tillë, shpjegon: «Disa Dëshmitarë më të rinj mund të mos jenë aq të stërvitur në gjërat organizative, siç mund të jenë ata në kongregacionet në gjuhën vendëse. Por atë që u mungon përsa u përket aftësive, shpesh e kompensojnë me dashurinë dhe entuziazmin e tyre. Gjithashtu, shumë të interesuar po vijnë në të vërtetën.» Duke qenë gjithnjë i pranishëm e duke dhënë çfarë të mundesh nga vetja, do të ndihmosh kongregacionin, edhe pse je ende duke e mësuar gjuhën. Bashkëpunimi mund të ndihmojë në përparimin frymor të kongregacionit.
Qëndro i fortë frymësisht
Një vëlla që ishte i ri në një kongregacion në gjuhë të huaj rastësisht dëgjoi një nënë që po fliste me fëmijën e saj, të cilin po e ndihmonte të përgatiste një koment. «Mami, po sikur ta bëj më të shkurtër?»—i lutej fëmija. «Jo, zemër,—iu përgjigj e ëma,—komentet e shkurtra janë për ata që po mësojnë gjuhën.»
Për një të rritur, pamundësia për të folur rrjedhshëm, mund të jetë e lodhshme nga ana mendore, emocionale dhe frymore. Xhaneta që tani e flet mirë spanjishten kujton: «Vështirësia në të folur më shkurajonte kollaj.» Hirokos, që mësoi anglisht, i kujtohet si mendonte: «Edhe qentë e macet në territor e kuptojnë më mirë se unë anglishten.» Kurse Keti thotë: «Më parë kisha disa studime biblike dhe një bllok plot me rivizita, por kur u transferova në një kongregacion spanjoll, nuk kisha më asnjë. Më dukej sikur s’po bëja gjë fare.»
Pikërisht në këtë moment duhet një qëndrim optimist. Kur shkurajohej, Hiroko arsyetonte: «Përderisa të tjerët ia arrijnë, edhe unë mund t’ia arrij.» Keti thotë: «Mendoja për burrin tim që po përparon kaq shumë dhe po jep një ndihmë kaq të madhe në kongregacion. Kjo më jepte forcë. Do ende shumë punë, por pak nga pak po arrij të predikoj e të mësoj të tjerët, dhe kjo më bën të lumtur.» I shoqi, Xhefi, shton: «Mund të jetë acaruese të mos kuptosh çdo gjë që thuhet në njoftime ose në mbledhjen e pleqve. Më duhet të tregohem i sinqertë dhe i përulur e të pyes për hollësirat, por vëllezërit më ndihmojnë me kënaqësi.»
Për të shmangur rraskapitjen frymore teksa punon në një kongregacion në gjuhë të huaj, nuk duhet të harrosh t’i japësh rëndësi kryesore shëndetit tënd frymor. (Mateu 5:3) Kazujuki, që për shumë vjet ka shërbyer në fushën portugeze, thotë: «Është e rëndësishme të ushqehemi sa duhet frymësisht. Ja përse si familje studiojmë dhe i përgatitim mbledhjet edhe në gjuhën tonë, edhe në portugalisht.» Herë pas here, disa i ndjekin mbledhjet në gjuhën e tyre. Për më tepër, është jetësore të pushoni sa duhet.—Marku 6:31.
Llogarit koston
Nëse po mendon të transferohesh në një kongregacion të gjuhës së huaj, duhet të llogaritësh koston. (Luka 14:28) Gjërat më të rëndësishme që duhet të mbash parasysh janë gjendja frymore dhe marrëdhënia jote me Jehovain. Shqyrtoji në lutje rrethanat e tua. Mendo për bashkëshorten dhe fëmijët. Pyete veten: ‘A i kam rrethanat dhe forcën e duhur frymore dhe emocionale për t’i hyrë një pune që do të zgjatë kaq gjatë?’ Është e mençur të bësh atë që është më e mira për gjendjen tënde frymore dhe të familjes. Ka shumë punë dhe mund të gjesh mjaft kënaqësi kudo që të shërbesh si lajmëtar i Mbretërisë.
Ata që mund të shërbejnë në një kongregacion në gjuhë të huaj i presin shumë shpërblime. «Kjo është një nga përvojat më të lumtura të jetës sime,—thotë Barbara, që bashkë me të shoqin u transferuan në një kongregacion spanjoll.—Është sikur ta marrësh prapë të vërtetën. Jam shumë mirënjohëse për këtë mundësi, sidomos ngaqë nuk mund të shkojmë misionarë në ndonjë vend tjetër.»
Anembanë botës, mijëra njerëz të moshave të ndryshme po përpiqen të mësojnë një gjuhë të huaj për të përhapur lajmin e mirë. Nëse edhe ti je një prej tyre, mbaj gjithmonë në mendje motivin e duhur dhe një pikëpamje optimiste. Mbi të gjitha, ki besim se Jehovai do të bekojë përpjekjet e tua.—2 Korintasve 4:7
[Figura në faqen 18]
Një kurs me një mësues të kualifikuar të ndihmon ta mësosh më shpejt dhe më lehtë gjuhën
[Figura në faqen 20]
Kur mëson një gjuhë të huaj nuk duhet të vihet në rrezik gjendja jote frymore