Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një administrim për të përmbushur qëllimin e Perëndisë

Një administrim për të përmbushur qëllimin e Perëndisë

Një administrim për të përmbushur qëllimin e Perëndisë

«[Perëndia] i bën të gjitha gjërat ashtu si këshillon vullneti i tij.»​—EFESIANËVE 1:11.

1. Përse do të mblidhen të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait më 12 prill 2006?

TË MËRKURËN në mbrëmje, më 12 prill 2006, rreth 16 milionë njerëz do të mblidhen për të mbajtur Darkën e Zotërisë. Në secilin vend që do të mblidhen, do të ketë një tryezë ku do të jetë vendosur bukë pa maja, e cila paraqet trupin e Krishtit, dhe verë e kuqe, e cila paraqet gjakun e tij që u derdh. Aty nga fundi i fjalimit që do të mbahet për të shpjeguar domethënien e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit, këto simbole—së pari buka, pastaj vera—do të kalojnë dorë më dorë te të gjithë të pranishmit. Relativisht në pak kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait, një a më shumë të pranishëm do të marrin këto simbole. Kurse në shumë raste, asnjë i pranishëm nuk do të marrë nga ato. Përse vetëm disa të krishterë, ata që shpresojnë të jetojnë në qiell, i marrin këto simbole, kurse shumica, që shpreson të jetojë përgjithmonë në tokë, nuk i merr?

2, 3. (a) Si i krijoi Jehovai gjërat, në përputhje me qëllimin e tij? (b) Për ç’qëllim e krijoi Jehovai tokën dhe njerëzimin?

2 Jehovai është një Perëndi që ka qëllime dhe i përmbush. Për të përmbushur qëllimin e tij, ai «i bën të gjitha gjërat ashtu si këshillon vullneti i tij». (Efesianëve 1:11) Fillimisht, ai krijoi Birin e tij të vetëmlindur. (Gjoni 1:1, 14; Zbulesa 3:14) Pastaj, me anë të këtij Biri, Jehovai krijoi një familje me bij frymorë e më pas universin fizik, ku përfshihet edhe toka me njerëzit.—Jobi 38:4, 7; Psalmi 103:19-21; Gjoni 1:2, 3; Kolosianëve 1:15, 16.

3 Jehovai nuk e krijoi tokën si një vend prove, me qëllim që pastaj të zgjeronte familjen e tij qiellore me bij frymorë, siç mësojnë shumë kisha të të ashtuquajturit krishterim. Ai e krijoi duke pasur në mendje një qëllim të përcaktuar, domethënë që «të banohej». (Isaia 45:18) Perëndia e krijoi tokën për njeriun dhe njeriun për tokën. (Psalmi 115:16) E gjithë toka do të bëhej një parajsë e mbushur me njerëz të drejtë, që do ta punonin e do të kujdeseshin për të. Çiftit të parë njerëzor nuk iu ofrua kurrë mundësia që, në një të ardhme, të shkonin në qiell.—Zanafilla 1:26-28; 2:7, 8, 15.

Përpjekje për të prishur qëllimin e Jehovait

4. Si u sfidua mënyra se si e ushtron Jehovai sovranitetin, në fillim të historisë së njerëzimit?

4 Një bir frymor i Perëndisë, duke keqpërdorur dhuratën e vullnetit të lirë që Ai i kishte dhënë, ngriti krye dhe vendosi të prishte qëllimin e Jehovait. Ai prishi paqen që provojnë të gjithë ata që, me dashuri, i nënshtrohen sovranitetit të Jehovait. Satanai e shtyu çiftin e parë njerëzor që të niste një rrugë pavarësie nga Perëndia. (Zanafilla 3:1-6) Satanai nuk mohoi fuqinë e Jehovait, por sfidoi mënyrën se si e ushtronte Ai sovranitetin, pra të drejtën e Tij për të sunduar. Kështu, që në fillim të historisë së njerëzimit, këtu në tokë u ngrit çështja kryesore e sovranitetit të Jehovait.

5. Cila çështje dytësore u ngrit e cilët përfshinte?

5 Ka edhe një çështje dytësore, që lidhet ngushtë me çështjen kryesore të sovranitetit universal, të cilën Satanai e ngriti në ditët e Jobit. Satanai hodhi dyshime për motivet që i shtyjnë krijesat t’i nënshtrohen dhe t’i shërbejnë Jehovait. La të nënkuptohej se e bënin këtë për arsye egoiste dhe se, po të viheshin në provë, do të ktheheshin kundër Perëndisë. (Jobi 1:7-11; 2:4, 5) Edhe pse u ngrit për një shërbëtor njerëzor të Jehovait, kjo çështje përfshinte edhe bijtë frymorë të Perëndisë, madje edhe Birin e Tij të vetëmlindur.

6. Si i qëndroi besnik Jehovai qëllimit dhe emrit të tij?

6 Në përputhje me qëllimin e tij dhe me domethënien e emrit të vet, Jehovai u bë Profet dhe Shpëtimtar. * Ai i tha Satanait: «Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zanafilla 3:15) Nëpërmjet Farës së kësaj ‘gruaje’, që është pjesa qiellore e organizatës së tij, Jehovai do t’i përgjigjej sfidës së Satanait dhe do t’u siguronte pasardhësve të Adamit shpresën për t’u çliruar e për të pasur jetën.—Romakëve 5:21; Galatasve 4:26, 31.

‘Sekreti i shenjtë i vullnetit të tij’

7. Cilin qëllim zbuloi Jehovai me anë të apostullit Pavël?

7 Në letrën drejtuar të krishterëve në Efes, apostulli Pavël e shpjegon shumë bukur se si i administron Jehovai gjërat për të përmbushur qëllimin e tij. Pavli shkroi: «[Ai na bëri] të njohur sekretin e shenjtë të vullnetit të tij. Në përputhje me pëlqimin e tij, ai pati si qëllim në vetvete një administrim, kur të mbusheshin kohët e caktuara, domethënë të mblidhte përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë.» (Efesianëve 1:9, 10) Qëllimi i lavdishëm i Jehovait është të ketë një univers të bashkuar, të banuar nga krijesa që, me dashuri, i nënshtrohen sovranitetit të tij. (Zbulesa 4:11) Në këtë mënyrë, emri i Tij do të shenjtërohet, Satanai do të dalë gënjeshtar dhe vullneti i Perëndisë do të bëhet «si në qiell, edhe në tokë».—Mateu 6:10.

8. Ç’domethënie ka fjala e përkthyer «administrim»?

8 ‘Pëlqimi’ ose qëllimi i Jehovait do të përmbushej me anë të një ‘administrimi’. Pavli përdori një fjalë që në kuptim të mirëfilltë do të thotë «të drejtosh shtëpinë». Nuk ka të bëjë me një qeveri, si Mbretëria Mesianike, por me mënyrën se si organizohen dhe drejtohen gjërat. * Në mënyrën e mrekullueshme se si do t’i administronte Jehovai gjërat për të përmbushur qëllimin e tij, përfshihej një ‘sekret i shenjtë’ që dalëngadalë do të bëhej i njohur gjatë shekujve.—Efesianëve 1:10; 3:9, shënimet, anglisht.

9. Si e zbuloi Jehovai gradualisht sekretin e shenjtë të vullnetit të tij?

9 Nëpërmjet një sërë besëlidhjesh, Jehovai zbuloi hap pas hapi se si do të përmbushej qëllimi i tij lidhur me Farën e premtuar në Eden. Besëlidhja që bëri ai me Abrahamin, tregoi se Fara e premtuar do të vinte këtu në tokë në linjën gjenealogjike të Abrahamit dhe do të ishte mjeti me anë të të cilit do të bekoheshin «të gjitha kombet e tokës». Kjo besëlidhje tregoi, gjithashtu, se me pjesën kryesore të farës do të bashkoheshin edhe të tjerë. (Zanafilla 22:17, 18) Besëlidhja e Ligjit, e bërë me kombin natyror të Izraelit, bëri të qartë qëllimin e Jehovait për të pasur «një mbretëri priftërinjsh». (Dalja 19:5, 6) Besëlidhja me Davidin tregoi se Fara do të ishte Kreu i një Mbretërie që do të mbetej përjetë. (2 Samuelit 7:12, 13; Psalmi 89:3, 4) Pasi besëlidhja e Ligjit i çoi judenjtë te Mesia, Jehovai zbuloi aspekte të tjera që kishin të bënin me përmbushjen e qëllimit të tij. (Galatasve 3:19, 24) Ata njerëz që do të bashkoheshin me pjesën kryesore të Farës, do të formonin ‘mbretërinë e priftërinjve’ që ishte parathënë dhe do të ishin pjesë e ‘një besëlidhjeje të re’ si ‘Izraeli’ i ri, një komb frymor.—Jeremia 31:31-34; Hebrenjve 8:7-9. *

10, 11. (a) Si e zbuloi Jehovai se kush do të ishte Fara e parathënë? (b) Pse erdhi në tokë Biri i vetëmlindur i Perëndisë?

10 Sipas administrimit të qëllimit të Perëndisë, erdhi koha që Fara e parathënë të shfaqej në tokë. Jehovai dërgoi engjëllin Gabriel për t’i thënë Marisë se do të lindte një bir, që do të quhej Jezu. Engjëlli i tha asaj: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit. Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Kështu u bë i qartë identiteti i Farës së premtuar.—Galatasve 3:16; 4:4.

11 Biri i vetëmlindur i Jehovait duhej të vinte në tokë dhe të sprovohej deri në fund. Me jetën e tij, Jezui do të mund të jepte përgjigjen e përsosur ndaj sfidës së Satanait. A do t’i mbetej besnik Atit të tij? Kjo përfshinte një sekret të shenjtë. Më vonë, apostulli Pavël shpjegoi rolin e Jezuit: «Sekreti i shenjtë i këtij përkushtimi hyjnor është pa dyshim i madh: ‘Ai u shfaq në mish, u shpall i drejtë në frymë, iu paraqit engjëjve, u predikua ndër kombe, u besua në botë, u mor lart në lavdi.’» (1 Timoteut 3:16) Po, duke e mbajtur të pacenuar integritetin e tij deri në vdekje, Jezui siguroi përgjigjen vendimtare ndaj sfidës së Satanait. Por mbeteshin për t’u zbuluar edhe hollësi të tjera të sekretit të shenjtë.

‘Sekreti i shenjtë i mbretërisë së Perëndisë’

12, 13. (a) Cili është një aspekt i ‘sekretit të shenjtë të mbretërisë së Perëndisë’? (b) Çfarë përfshinte zgjedhja e një numri të vogël njerëzish nga Jehovai, për të shkuar në qiell?

12 Në një nga udhëtimet e tij të predikimit në Galile, Jezui tregoi se sekreti i shenjtë ishte i lidhur ngushtë me qeverinë e tij, Mbretërinë Mesianike. Ai u tha dishepujve: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të mbretërisë së qiejve [«mbretërisë së Perëndisë», Marku 4:11].» (Mateu 13:11) Një aspekt i këtij sekreti ishte se Jehovai do të zgjidhte një ‘kope të vogël’ me 144.000 njerëz, që të bashkoheshin me Birin e tij si pjesë e farës, për të mbretëruar me të në qiell.—Luka 12:32; Zbulesa 14:1, 4.

13 Njerëzit u krijuan për të jetuar në tokë, prandaj, kërkohej «një krijesë e re» nga Jehovai, me qëllim që disa njerëz të shkonin në qiell. (2 Korintasve 5:17) Duke folur si një nga ata që ishin zgjedhur për këtë shpresë të veçantë qiellore, apostulli Pjetër shkroi: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse në përputhje me mëshirën e tij të madhe, na dha një lindje të re për një shpresë të gjallë nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit, për një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet. Ajo është rezervuar në qiej për ju.»—1 Pjetrit 1:3, 4.

14. (a) Si u përfshinë johebrenjtë në «sekretin e shenjtë të mbretërisë së Perëndisë»? (b) Pse arrijmë t’i kuptojmë këto ‘gjëra të thella të Perëndisë’?

14 Një pjesë tjetër e sekretit të shenjtë që kishte lidhje me Mbretërinë e ardhshme, ishte vullneti i Perëndisë për të përfshirë edhe johebrenj në numrin e vogël të njerëzve që do të thirreshin për të mbretëruar me Krishtin në qiell. Pavli e shpjegoi këtë aspekt të ‘administrimit’ ose të mënyrës se si e përmbushi Jehovai qëllimin e tij: «Ky sekret nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve në brezat e tjerë, siç iu zbulua tani me anë të frymës apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve, domethënë, që njerëzit e kombeve duhej të ishin bashkëtrashëgimtarë e gjymtyrë të të njëjtit trup dhe pjesëmarrës me ne të premtimit në unitet me Krishtin Jezu me anë të lajmit të mirë.» (Efesianëve 3:5, 6) Kuptueshmëria për këtë pjesë të sekretit të shenjtë iu zbulua ‘apostujve të shenjtë’. Edhe sot, po të mos kishim ndihmën e frymës së shenjtë, nuk do t’i kuptonim dot këto ‘gjëra të thella të Perëndisë’.—1 Korintasve 2:10; 4:1; Kolosianëve 1:26, 27.

15, 16. Pse Jehovai i zgjodhi bashkësundimtarët e Krishtit nga gjiri i njerëzimit?

15 Ata «njëqind e dyzet e katër mijë» që u panë në vegim teksa qëndronin bashkë me «Qengjin» në malin qiellor të Sionit, janë «blerë nga toka», «blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin», Krishtin Jezu. (Zbulesa 14:1-4) Si pjesë kryesore të farës së premtuar në Eden, Jehovai zgjodhi birin e tij të parë qiellor, por pyetja lind, pse shokët e Krishtit i zgjodhi nga njerëzimi? Apostulli Pavël shpjegon se ky numër i kufizuar është «thirrur sipas qëllimit të tij [të Jehovait]», «sipas pëlqimit të vullnetit të vet».—Romakëve 8:17, 28-30; Efesianëve 1:5, 11; 2 Timoteut 1:9.

16 Qëllimi i Jehovait është të shenjtërojë emrin e tij të madh e të shenjtë dhe të shfajësojë sovranitetin e tij universal. Me anë të ‘administrimit’ ose të mënyrës së tij tejet të mençur se si i drejton gjërat, Jehovai e dërgoi Birin e vet të parëlindur në tokë, ku u sprovua deri në fund. Për më tepër, Jehovai përcaktoi se Mbretëria Mesianike e Birit të tij do të përfshinte njerëz që, po ashtu, e kishin mbështetur sovranitetin e Tij deri në vdekje.—Efesianëve 1:8-12; Zbulesa 2:10, 11.

17. Pse mund të jemi të lumtur që Krishti dhe bashkësundimtarët e tij kanë jetuar si njerëz?

17 Jehovai e tregoi dashurinë e tij të madhe për pasardhësit e Adamit, duke bërë që Biri i tij të vinte në tokë dhe duke zgjedhur nga mesi i njerëzimit ata që do të ishin bashkëtrashëgimtarë me Birin në Mbretëri. Si mund të nxirrnin dobi nga kjo gjë njerëzit e tjerë që janë treguar besnikë ndaj Jehovait, që nga Abeli e më tej? Të lindur si skllevër të mëkatit e të vdekjes, njerëzit e papërsosur do të kishin nevojë të shëroheshin frymësisht e fizikisht dhe të arrinin përsosmërinë, në përputhje me qëllimin fillestar që Jehovai kishte për njerëzimin. (Romakëve 5:12) Sa ngushëlluese është për të gjithë ata që shpresojnë jetën e përhershme në tokë, të dinë se Mbreti i tyre do t’u tregojë dashuri, kuptueshmëri e mirëdashje, ashtu siç bëri me dishepujt e tij gjatë shërbimit në tokë! (Mateu 11:28, 29; Hebrenjve 2:17, 18; 4:15; 7:25, 26) E sa qetësuese është kur kuptojnë se ata që do të shërbejnë si mbretër e priftërinj bashkë me Krishtin në qiell, më parë ishin burra e gra me besim, që edhe vetë luftuan kundër dobësive të tyre dhe provuan sfidat e jetës njësoj si ne!—Romakëve 7:21-25.

Qëllimi i padështueshëm i Jehovait

18, 19. Përse tani i kemi më të qarta fjalët e Pavlit tek Efesianëve 1:8-11 dhe çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

18 Tani e kuptojmë më mirë domethënien e fjalëve që Pavli u drejtoi të krishterëve të mirosur, tek Efesianëve 1:8-11. Ai tha se Jehovai u kishte bërë të njohur atyre «sekretin e shenjtë të vullnetit të tij», se ishin ‘caktuar si trashëgimtarë’ me Krishtin dhe se ishin «të paravendosur sipas qëllimit të Perëndisë, që i bën të gjitha gjërat ashtu si këshillon vullneti i tij». E kuptojmë se kjo është sipas ‘administrimit’ të mrekullueshëm të gjërave nga Jehovai për përmbushjen e qëllimit të tij. Kjo na ndihmon të kuptojmë edhe arsyen pse vetëm pak të krishterë që ndjekin Darkën e Zotërisë, i marrin simbolet.

19 Në artikullin vijues, do të shohim çfarë do të thotë Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për ata të krishterë që kanë shpresën qiellore. Do të shohim edhe për ç’arsye miliona të tjerë, që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë, duhet të jenë tej mase të interesuar për domethënien e Përkujtimit.

[Shënimet]

^ par. 6 Fjalë për fjalë, emri i Perëndisë ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Jehovai mund të bëhet çfarëdo të jetë e nevojshme, për të përmbushur qëllimin e tij.—Dalja 3:14, shënimi, anglisht.

^ par. 8 Nga fjalët e Pavlit, kuptojmë se ‘administrimi’ ishte në veprim në ditët e tij, ndërkohë që Shkrimet tregojnë se Mbretëria Mesianike u vendos vetëm në vitin 1914.

^ par. 9 Për një shqyrtim të hollësishëm të këtyre besëlidhjeve që përfshihen në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë, shih Kullën e Rojës, 1 shkurt 1989, faqet 10-15, anglisht, si edhe 1 shkurt 1998, faqet 8-13.

Pyetje për rishikim

• Pse e krijoi Jehovai tokën dhe e vendosi njeriun në të?

• Pse ishte e nevojshme që Biri i vetëmlindur i Jehovait të sprovohej në tokë?

• Pse Jehovai i zgjodhi bashkësundimtarët e Krishtit nga gjiri i njerëzimit?

[Pyetjet]