Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A përdorte Jozefi, një shërbëtor besnik i Jehovait, një kupë të veçantë argjendi për të lexuar oguret, siç duket nga Zanafilla 44:5?

Nuk ka asnjë arsye që të besojmë se Jozefi merrej vërtet me ndonjë formë falli.

Bibla na zbulon se si është e vërteta në lidhje me kuptueshmërinë e Jozefit për përdorimin e arteve magjike për të njohur të ardhmen. Më parë, kur iu kërkua të interpretonte ëndrrat e faraonit, Jozefi këmbënguli se vetëm Perëndia mund ‘të njoftojë’ ngjarjet e së ardhmes. Si rrjedhim, vetë faraoni arriti të besonte se Perëndia që adhuronte Jozefi—Perëndia i vërtetë, e jo fuqitë e mistershme—i dha Jozefit hollësi për të ardhmen. (Zanafilla 41:16, 25, 28, 32, 39) Në Ligjin që i dha më vonë Moisiut, Jehovai e ndaloi magjinë ose fallin, duke pohuar kështu se vetëm Ai mund të parathotë të ardhmen.—Ligji i përtërirë 18:10-12.

Atëherë, pse Jozefi tha nëpërmjet shërbëtorit të tij se përdorte një kupë argjendi ‘për të interpretuar oguret’? * (Zanafilla 44:5) Duhet të shqyrtojmë rrethanat kur u bë ky pohim.

Për shkak të një zie buke shumë të rëndë, vëllezërit e Jozefit kishin shkuar në Egjipt për të marrë ushqim. Vite më parë, këta vëllezër e kishin shitur Jozefin si skllav. Tani, pa e ditur, ata po i kërkonin ndihmë vëllait të tyre, i cili administronte ushqimin në Egjipt. Jozefi nuk u dha të njohur. Në vend të kësaj, vendosi t’i vinte në provë. Me të drejtë Jozefi donte të përcaktonte nëse ishin penduar sinqerisht. Gjithashtu dëshironte të zbulonte nëse e donin dhe se sa e donin të vëllanë, Beniaminin, dhe atin e tyre, Jakobin, i cili e donte në mënyrë të veçantë Beniaminin. Prandaj Jozefi përdori një dredhi.—Zanafilla 41:55–44:3.

Jozefi urdhëroi një nga shërbëtorët e tij që të mbushte torbat e vëllezërve me ushqim, t’ia rikthente paratë e secilit në grykën e torbës së vet dhe, në grykën e torbës së Beniaminit, të vinte kupën e argjendtë të Jozefit. Me këto veprime Jozefi po sillej si administratori i një vendi pagan. Ai u përshtat vetë, përshtati veprimet dhe gjuhën, me karakteristikat e një administratori të tillë, ashtu si duhej të dukej në sytë e të vëllezërve që nuk dyshonin gjë.

Kur u ndesh me vëllezërit, Jozefi vazhdoi me dredhinë e tij dhe i pyeti: «A s’e dini që një njeri si unë mund të interpretojë me mjeshtëri oguret?» (Zanafilla 44:15) Pra, me sa duket, kupa ishte vetëm pjesë e strategjisë. Jozefi nuk e përdorte me të vërtetë kupën për të lexuar oguret, pikërisht siç Beniamini nuk e vodhi me të vërtetë kupën.

[Shënimi]

^ par. 5 Duke përshkruar këtë praktikë të lashtë, botimi Bibla e Shenjtë, me shpjegime dhe kritika (anglisht), i autorit F. K. Kuk, shpjegon: «Ajo praktikohej ose duke hedhur në ujë ar, argjend apo xhevahirë, e më pas shqyrtohej pamja, ose thjesht duke parë në ujë siç shihet një pasqyrë.» Komentuesi biblik Kristofer Uordzuorth thotë: «Disa herë kupa mbushej me ujë dhe përgjigjja jepej nëpërmjet shëmbëllimit që krijonte dielli mbi ujin e kupës.»