Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Harmagedoni​—Një fillim i lumtur

Harmagedoni​—Një fillim i lumtur

Harmagedoni​—Një fillim i lumtur

FJALA hebraike «Harmagedon» ka kuptimin «Mali i Megidos». Ajo gjendet te Zbulesa 16:16, ku thuhet: «Ato i mblodhën ata së bashku në vendin që në hebraisht quhet Harmagedon.» Cilët mblidhen në Harmagedon dhe pse? Vetëm dy vargje më sipër, te Zbulesa 16:14, lexojmë që «mbretërit e mbarë tokës së banuar» janë mbledhur «për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». Dihet që këto fjalë të ngjallin kureshtjen dhe bëjnë që të lindin pyetje të tjera. Ku luftojnë këta ‘mbretër’? Për çfarë luftojnë dhe me kë? A do të përdorin armë të shkatërrimit në masë, siç besojnë shumë njerëz? A do të ketë të mbijetuar në Harmagedon? Le t’i marrim përgjigjet nga Bibla.

Meqë përmendet «mali i Megidos», a do të thotë kjo se lufta e Harmagedonit do të bëhet në ndonjë mal në Lindjen e Mesme? Jo. Në të vërtetë, ky mal as ekziston fare. Atje ku dikur gjendej Megidoja e lashtë, ka vetëm një kodrinë që ngrihet rreth 20 metra mbi luginën aty pranë. Veç kësaj, në zonën përreth Megidos nuk mund të qëndrojnë të gjithë «mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre». (Zbulesa 19:19) Sidoqoftë Megidoja ka qenë shesh beteje për disa nga luftimet më të ashpra e betejat më vendimtare në historinë e Lindjes së Mesme. Prandaj, emri Harmagedon simbolizon një përleshje vendimtare, ku do të dallohet qartë një fitimtar i vetëm.​—Shih kutinë «Megidoja ​—Një simbol i përshtatshëm», në faqen 5.

Harmagedoni s’mund të jetë vetëm një përleshje mes kombeve të tokës, pasi në Zbulesën 16:14 thuhet se «mbretërit e mbarë tokës së banuar» formojnë një forcë të bashkuar në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». Në profecinë e tij të frymëzuar, Jeremia tha se «të vrarët nga Jehovai» do të shpërndahen gjithkund, «nga njëri skaj i tokës në tjetrin». (Jeremia 25:33) Pra, Harmagedoni s’është një luftë e zhvilluar nga njerëzit dhe e kufizuar në një vend të caktuar në Lindjen e Mesme. Përkundrazi, është lufta e Jehovait dhe do të përfshijë gjithë globin.

Megjithatë, te Zbulesa 16:16 Harmagedoni quhet ‘vend’. Në Bibël fjala ‘vend’ mund të nënkuptojë një gjendje ose situatë, dhe në këtë rast tregon mbarë botën të bashkuar kundër Jehovait. (Zbulesa 12:6, 14) Në Harmagedon të gjitha kombet e tokës bëjnë aleancë me njëri-tjetrin kundër ‘ushtrive në qiell’ që janë nën komandën e Jezu Krishtit, ‘Mbretit të mbretërve dhe Zotërisë së zotërinjve’.​—Zbulesa 19:14, 16.

Ç’mund të thuhet për pohimin se Harmagedoni do të jetë një masakër ku do të vihen në përdorim armë të shkatërrimit në masë ose që toka do të përplaset me trupa qiellorë? A do të lejonte një Perëndi i dashur që njerëzimi dhe shtëpia e tyre, toka, të kishte një fund të tillë të tmerrshëm? Jo. Ai e ka thënë qartë se nuk e krijoi tokën «më kot», por «e formoi që të banohej». (Isaia 45:18; Psalmi 96:10) Në Harmagedon, Jehovai nuk do ta shkatërrojë globin tonë me zjarr duke shkaktuar një katastrofë. Përkundrazi, ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’.​—Zbulesa 11:18.

Harmagedoni​—Kur?

Kur do të vijë Harmagedoni? Gjatë shekujve, njerëzit janë hamendur pa fund për këtë pyetje ngulmuese. Shqyrtimi i librit të Zbulesës nën dritën e pjesëve të tjera të Biblës mund të na ndihmojë të përcaktojmë kohën se kur do të zhvillohet kjo betejë tejet e rëndësishme. Zbulesa 16:15 e lidh Harmagedonin me ardhjen e Jezuit si një hajdut. Kjo gjuhë e figurshme përdoret edhe nga vetë Jezui, kur përshkruan ardhjen e tij për të zbatuar gjykimin për këtë sistem.​—Mateu 24:43, 44; 1 Selanikasve 5:2.

Siç tregohet edhe nga përmbushja e profecive të Biblës, që nga viti 1914 ne po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi. * Pjesën përfundimtare të ditëve të fundit do ta shënojë periudha, të cilën Jezui e quajti ‘shtrëngimi i madh’. Në Bibël nuk thuhet sa do të zgjatë ajo periudhë, por fatkeqësitë që e shoqërojnë, do të jenë nga më të rëndat që ka parë ndonjëherë bota. Kulmi i atij shtrëngimi të madh do të jetë në Harmagedon.​—Mateu 24:21, 29.

Përderisa Harmagedoni është ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, njerëzit s’kanë asgjë në dorë për ta shtyrë. Jehovai e ka caktuar «kohën» se kur do të nisë ajo luftë. Ajo «nuk do të vonojë».​—Habakuku 2:3.

Perëndia i drejtësisë bën një luftë të drejtë

Pse Perëndia do të bëjë një luftë, që do të përfshijë gjithë globin? Harmagedoni lidhet ngushtë me një nga cilësitë e tij kryesore, me drejtësinë. Në Bibël thuhet: «Jehovai e do drejtësinë.» (Psalmi 37:28) Ai i ka parë të gjitha padrejtësitë që janë bërë gjatë historisë së njerëzimit dhe duket qartë se kjo me të drejtë i ngjall pakënaqësi. Prandaj, ka caktuar Birin e tij që të bëjë një luftë të drejtë për të zhdukur një herë e mirë tërë këtë sistem të lig.

Vetëm Jehovai është në gjendje të bëjë një luftë vërtet të drejtë e përzgjedhëse. Gjatë kësaj lufte, njerëzit me zemër të drejtë do të ruhen gjallë, kudo që të jenë në tokë. (Mateu 24:40, 41; Zbulesa 7:9, 10, 13, 14) Vetëm ai ka të drejtë të ushtrojë sovranitetin e tij në gjithë tokën, pasi është e krijuar prej tij.​—Zbulesa 4:11.

Çfarë do të përdorë Jehovai për të luftuar armiqtë e tij? Këtë ne s’e dimë. Por dimë se atij nuk i mungon asgjë për të shuar plotësisht kombet që kanë vepruar me ligësi. (Jobi 38:22, 23; Sofonia 1:15-18) Sidoqoftë, adhuruesit e Perëndisë në tokë, nuk do të marrin pjesë në betejë. Vegimi te libri i Zbulesës, në kapitullin 19, tregon se në këtë luftë do të marrin pjesë vetëm ushtritë qiellore dhe Jezu Krishti. Asnjë nga shërbëtorët e krishterë të Jehovait në tokë nuk do të marrë pjesë.​—2 Kronikave 20:15, 17.

Perëndia i mençurisë jep paralajmërime të mjaftueshme

A do të ketë të mbijetuar? Në të vërtetë, asnjë s’ka pse të shfaroset në Harmagedon. Apostulli Pjetër tha: «Jehovai . . . nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.» (2 Pjetrit 3:9) Kurse apostulli Pavël tha se «vullneti i [Perëndisë] është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës».​—1 Timoteut 2:4.

Për këtë qëllim, me mençuri Jehovai ka siguruar që «lajmi i mirë i mbretërisë» të shpallet anekënd tokës, në qindra gjuhë. Njerëzve gjithkund po u jepet mundësia që të mbijetojnë dhe të shpëtojnë. (Mateu 24:14; Psalmi 37:34; Filipianëve 2:12) Ata që i përgjigjen lajmit të mirë mund të mbijetojnë në Harmagedon dhe të jetojnë përgjithmonë të përsosur në një tokë parajsore. (Ezekieli 18:23, 32; Sofonia 2:3; Romakëve 10:13) A nuk presim pikërisht këtë nga një Perëndi që është dashuri?​—1 Gjonit 4:8.

A mund të luftojë Perëndia i dashurisë?

Megjithatë, shumë njerëz pyesin se përse një Perëndi, i cili është vetë mishërimi i dashurisë, të shkatërrojë dhe të çojë drejt vdekjes një pjesë të madhe të njerëzimit? Kjo mund të krahasohet me një shtëpi të pushtuar nga buburrecat. A nuk mendon edhe ti se një njeri që është i vetëdijshëm për rrezikun e tyre, duhet të mbrojë shëndetin dhe mirëqenien e familjes së tij, duke i zhdukur buburrecat?

Po kështu, lufta e Harmagedonit bëhet për hir të dashurisë së thellë që ka Jehovai për njerëzit. Qëllimi i Perëndisë është që ta bëjë tokën parajsë, ta bëjë njerëzimin të përsosur dhe t’i falë paqe, si edhe që ‘askush të mos e trembë’. (Mikea 4:3, 4; Zbulesa 21:4) Atëherë, çfarë duhet bërë me ata që kërcënojnë paqen dhe sigurinë e njerëzve të tjerë? Për hir të të drejtëve, Perëndia ka për t’i zhdukur këta «buburreca», të ligjtë e pandreqshëm.​—2 Selanikasve 1:8, 9; Zbulesa 21:8.

Pjesa më e madhe e konflikteve dhe gjakderdhjeve sot shkaktohet nga sundimi i papërsosur njerëzor dhe përpjekjet egoiste për interesa kombëtare. (Eklisiastiu 8:9) Në përpjekje për të shtrirë ndikimin e tyre, qeveritë njerëzore shpërfillin krejtësisht Mbretërinë tashmë të vendosur të Perëndisë. Deri tani asgjë nuk tregon që ata do të heqin dorë nga fuqia e tyre sunduese për t’ia lënë Perëndisë dhe Krishtit. (Psalmi 2:1-9) Këto qeveri duhet të hiqen për t’i hapur rrugën sundimit të drejtë të Mbretërisë së Jehovait nën drejtimin e Krishtit. (Danieli 2:44) Lufta e Harmagedonit duhet të vijë që të zgjidhë një herë e mirë se kush ka të drejtë ta qeverisë këtë planet dhe njerëzimin.

Ndërhyrja aktive e Jehovait në Harmagedon do të jetë në dobi të njerëzimit. Përballë kushteve të botës gjithnjë e në përkeqësim, vetëm sundimi i përsosur i Perëndisë do t’i përmbushë plotësisht nevojat e njerëzimit. Vetëm Mbretëria e tij do të sjellë me bollëk paqe dhe begati të vërtetë. Si do të ishte bota, nëse Perëndia nuk do të ndërhynte kurrë? A nuk do të vazhdonin t’i shkaktonin plagë njerëzimit urrejtja, dhuna dhe luftërat, siç kanë bërë gjatë gjithë shekujve që ka sunduar njeriu? Lufta e Harmagedonit në të vërtetë është gjëja më e mirë që mund të presim!​—Luka 18:7, 8; 2 Pjetrit 3:13.

Lufta që do t’u japë fund të gjitha luftërave

Harmagedoni do të bëjë diçka që s’e ka bërë asnjë luftë tjetër: do t’u japë fund të gjitha luftërave. Kush nuk është i etur për ditën kur luftërat të jenë një gjë e së shkuarës?! Megjithatë, të gjitha përpjekjet e njeriut kanë dështuar t’i japin fund luftës. Dështimi i përsëritur i përpjekjeve njerëzore për t’i dhënë fund luftës, thjesht nxjerr në pah vërtetësinë e fjalëve të Jeremisë: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Në lidhje me atë që do të bëjë Jehovai, Bibla premton: «Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»​—Psalmi 46:8, 9.

Kur në të ardhmen kombet të përdorin armët e tyre vdekjeprurëse kundër njëri-tjetrit dhe të vënë në rrezik shkatërrimin e mjedisit, Bërësi i tokës do të ndërhyjë: gjatë Harmagedonit që paraqet Bibla. (Zbulesa 11:18) Kjo luftë do të plotësojë atë që shpresuan njerëzit me frikë Perëndie gjatë gjithë shekujve. Ajo do të shfajësojë të drejtën e Pronarit të tokës, Perëndisë Jehova, për të sunduar mbi tërë krijimin e tij.

Kështu, njerëzit që e duan drejtësinë, nuk kanë pse të frikësohen nga Harmagedoni. Përkundrazi, ai jep një bazë për shpresë. Lufta e Harmagedonit do të pastrojë tokën nga tërë korrupsioni dhe ligësia, dhe do t’i hapë rrugën një sistemi të ri e të drejtë nën sundimin e Mbretërisë Mesianike të Perëndisë. (Isaia 11:4, 5) Harmagedoni nuk do të jetë një fund katastrofik i llahtarshëm. Përkundrazi, ai do të shënojë një fillim të lumtur për të drejtët që do të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore.​—Psalmi 37:29.

[Shënimi]

^ par. 9 Shih librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, kapitullin 11, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 5]

MEGIDOJA​—NJË SIMBOL I PËRSHTATSHËM

Megidoja e lashtë ndodhej në një vend strategjik. Me pamje nga pjesa perëndimore e luginës pjellore të Jezreelit, në veri të Izraelit, ajo kishte nën kontroll rrugët ndërkombëtare tregtare dhe ushtarake që kryqëzoheshin atje. Kështu, Megidoja u bë një vend ku u zhvilluan beteja vendimtare. Profesori Graham Dejvis shkruan në një libër të tij: «Tregtarë dhe emigrantë nga të gjitha drejtimet shkonin lehtë . . . në qytetin e Megidos. Në të njëjtën kohë, po të ishte mjaft e fuqishme, ajo mund të kontrollonte me anë të këtyre rrugëve edhe hyrjen në qytet, e kështu të drejtonte zhvillimin e tregtisë dhe të luftës. S’është për t’u habitur që ky qytet ishte . . . një çmim për të cilin luftohej, dhe kur fitohej, mbrohej fuqimisht.» ​—Cities of the Biblical World​—Megiddo.

Historia e gjatë e Megidos nisi në vitet 1.500 p.e.s., kur sundimtari egjiptian, Tutmesi III, mundi atje sundimtarët kananitë. Më pas, vazhdoi përgjatë shekujve deri më 1918, kur gjenerali britanik, Edmund Alenbi, mundi dhembshëm ushtrinë turke. Po këtu, në Megido, Perëndia i dha mundësi gjykatësit Barak t’i jepte një goditje shkatërrimtare mbretit kananit, Jabinit. (Gjykatësit 4:12-24; 5:19, 20) Në rrethinat aty afër, gjykatësi Gideon shpartalloi midianitët. (Gjykatësit 7:1-22) Atje u vranë edhe mbretërit Ahaziah dhe Josia.​—2 Mbretërve 9:27; 23:29, 30.

Pra, lidhja e Harmagedonit me rrethinat e atij vendi është e përshtatshme, pasi ishte vendi ku u zhvilluan shumë beteja vendimtare. Është një simbol i përshtatshëm i fitores së plotë të Perëndisë mbi të gjitha forcat kundërshtare.

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figurat në faqen 7]

Njerëzve në mbarë botën po u jepet paralajmërimi dhe mundësia që të mbijetojnë në Harmagedon

[Figura në faqen 7]

Harmagedoni do të shënojë një fillim të lumtur