Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmi e dashurisë, e besimit dhe e bindjes

Dëshmi e dashurisë, e besimit dhe e bindjes

Dëshmi e dashurisë, e besimit dhe e bindjes

NË FERMAT Watchtower në Uollkill të Nju-Jorkut, mëngjesi i 16 majit 2005 ishte i freskët dhe me diell. Lëndinat e kositura bukur dhe parcelat me lule vezullonin nga një shi që kishte rënë para agimit. Një rosë me tetë rikat e saj rrëshqiste ngadalë në ujërat e qeta në skaj të një pellgu. Vizitorët u mrekulluan nga kjo bukuri. Ata flitnin me zë të ulët, sikur nuk donin të prishnin qetësinë e mëngjesit.

Vizitorët ishin Dëshmitarë të Jehovait që kishin ardhur nga 48 vende të botës. Por nuk kishin ardhur për të parë peizazhin. Ata ishin të interesuar për atë që po ndodhte brenda një ndërtese të madhe me tulla të kuqe, shtesa më e fundit në kompleksin e Bethelit, në Uollkill, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Brenda ndërtesës u mahnitën përsëri, ndonëse skena nuk ishte e qetë.

Nga një vend që ndodhej ndërmjet dy kateve vizitorët ia ngulën sytë disa makinerive të ndërlikuara. Pesë makina të mëdha shtypi ndodheshin mbi një dysheme betoni me lustër, më e madhe se gjashtë fusha futbolli. Këtu shtypen Bibla, libra dhe revista. Rrotulla të stërmëdha letre, ku secila peshon 1.700 kilogramë, rrotullohen si rrotat e një kamioni kur lëviz me shpejtësi. Çdo rrotull letre 23 kilometra e gjatë çmbështillet dhe kalon nëpër makinën e shtypit vetëm për 25 minuta. Gjatë kësaj kohe, makina e shtypit i hedh letrës bojën, e than, pastaj e ftoh që të paloset e të formohen revistat. Këto pastaj lëvizin shpejt përgjatë transportuesve, që kalojnë sipër makinës, dhe vendosen në kuti për t’u transportuar nëpër kongregacione. Makina të tjera shtypin pa pushim fashikuj librash, që transportohen me shpejtësi në një depo, derisa të dërgohen te reparti i libralidhjes. Të gjitha këto përbëjnë një simfoni veprimesh të sakta që drejtohen nga kompjuteri.

Pasi largohen nga makinat e shtypit, vizitorët shkojnë te reparti i libralidhjes. Këtu makineritë prodhojnë libra me kapak të fortë dhe Bibla luksi, me një shpejtësi deri në 50.000 kopje në ditë. Fashikujt e librave bashkohen, lidhen dhe priten te skajet. Më pas ngjiten kapakët. Kuti kartoni vihen sipër pirgjeve me librat e mbaruar. Në mënyrë automatike kutitë ngjiten, u vihet etiketë dhe vendosen stivë mbi paletë. Përveç kësaj, një linjë për librat me kapak të butë prodhon dhe paketon më shumë se 100.000 libra në ditë. Edhe kjo linjë përbëhet nga shumë makineri: motorë të panumërt, transportues, ingranazhe, rrota dhe rripa, e që të gjitha lëvizin me një shpejtësi marramendëse për të prodhuar literaturë biblike.

Makineritë e fjalës së fundit me shpejtësi të lartë të kësaj shtypshkronje, që punojnë me saktësinë e një ore dore të mirë, janë një mrekulli e teknologjisë së sotme. Siç do ta shohim, ato janë edhe dëshmi e dashurisë, e besimit dhe e bindjes së popullit të Perëndisë. Por, pse shtypja e botimeve u transferua nga Bruklini i Nju-Jorkut në Uollkill?

Një arsye kryesore ishte për të thjeshtuar shtypjen dhe transportimin, duke i përqendruar në një vend të vetëm. Prej vitesh librat shtypeshin dhe transportoheshin nga Bruklini, kurse revistat shtypeshin dhe transportoheshin nga Uollkilli. Nga zhvendosja e këtyre proceseve në një vend të vetëm do të pakësohej personeli, dhe kështu do të përdoreshin më mirë kontributet e vëllezërve. Për më tepër, meqë makinat e shtypit në Bruklin po vjetroheshin, u porositën në Gjermani dy makina shtypi MAN Roland Litoman. Këto makina shtypi ishin tepër të mëdha dhe nuk mund t’i nxinte shtypshkronja në Bruklin.

Jehovai e mbështet veprën

Qëllimi i shtypjes së botimeve ka qenë gjithmonë për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ka qenë e dukshme se Jehovai e ka bekuar veprën e shtypjes që në fillim. Nga viti 1879 deri më 1922, librat shtypeshin nga shtypshkronja tregtare. Më 1922, në adresën Concord Street nr. 18, në Bruklin, u mor me qira një ndërtesë gjashtëkatëshe dhe u blenë pajisje për shtypjen e librave. Në atë kohë, disa dyshuan nëse vëllezërit mund ta bënin një punë të tillë.

Ndër ata që dyshuan ishte presidenti i kompanisë që kishte shtypur pjesën më të madhe të librave tona. Kur vizitoi ndërtesën në Concord Street, ai tha: «Keni në dorë një stabiliment shtypi të klasit të parë, por askush nuk di gjë prej gjëje se si ta vërë në punë. Brenda gjashtë muajve e gjithë kjo do të katandiset në një grumbull rrangullinash dhe atëherë do të kuptoni se, njerëzit e duhur për të bërë shtypjen, janë ata që e kanë bërë gjithmonë këtë punë e që e kanë zanat.»

Mbikëqyrësi i shtypshkronjës në atë kohë, Robert Xh. Martini, tha: «Kjo tingëllonte mjaft logjike, por në të ishte lënë pa përmendur Zotëria, dhe ai ka qenë gjithmonë me ne. . . . Jo shumë kohë pas kësaj po prodhonim libra.» Gjatë 80 viteve vijuese, Dëshmitarët e Jehovait kanë shtypur miliarda botime me makinat e tyre të shtypit.

Pastaj, më 5 tetor 2002, në mbledhjen vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, u njoftua se Trupi Udhëheqës kishte miratuar transferimin e shtypjes së botimeve në degën e Shteteve të Bashkuara në Uollkill. Ishin porositur dy makina të reja shtypi të cilat do të dorëzoheshin në shkurt 2004. Vëllezërit duhej ta projektonin dhe ta zgjeronin shtypshkronjën e të ishin gati brenda 15 muajve, për të marrë në dorëzim makinat e reja të shtypit. Më pas instalimi i repartit të ri të libralidhjes dhe operacionet e transportimit duhej të përfundonin brenda nëntë muajve. Disave mund t’u kenë ardhur dyshime kur dëgjuan afatet, e gjithë kjo detyrë sikur të fuste frikën. Gjithsesi, vëllezërit e dinin se me bekimin e Jehovait, mund të arrihej.

«Një frymë e gëzuar bashkëpunimi»

Të sigurt se populli i Jehovait do të paraqitej vullnetarisht, vëllezërit nisën projektin. (Psalmi 110:3) Ngaqë projekti ishte i madh, kërkoheshin më shumë punëtorë sesa ishin në repartet e ndërtimit brenda Bethelit. Nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja dolën vullnetarë më tepër se 1.000 vëllezër e motra me aftësi në fushën e ndërtimit, që të shërbenin nga një javë deri në tre muaj si pjesë e një programi me vullnetarë të përkohshëm. Edhe të tjerë që ishin shërbëtorë ndërkombëtarë ose që bënin pjesë në programin e vullnetarëve, u ftuan të merrnin pjesë në projekt. Gjithashtu, ndihmesë të madhe dhanë edhe Komitetet Rajonale të Ndërtimit.

Shumë veta, për të marrë pjesë si vullnetarë në projektin e Uollkillit, bënë shumë shpenzime për udhëtimin, dhe u larguan për një kohë të gjatë nga puna që kishin. Megjithatë i bënë me gëzim këto sakrifica. Të strehonin dhe të ushqenin këta vullnetarë të shumtë i dha mundësi familjes Bethel që të bënte mjaft përpjekje për të përkrahur projektin. Më tepër se 535 pjesëtarë të familjes Bethel nga Bruklini, Patersoni dhe Uollkilli, dolën vullnetarë për të punuar në projekt të shtunave, përveç caktimeve normale që kishin gjatë ditëve të javës. Përkrahja e jashtëzakonshme e popullit të Perëndisë në këtë vepër të paparë u bë e mundur vetëm sepse Jehovai e mbështeste projektin.

Të tjerë ndihmuan nga ana financiare. Për shembull, vëllezërit morën një letër nga nëntëvjeçarja Abi. Ajo shkruante: «Ju falënderoj shumë për gjithë punën tuaj e që bëni libra të mrekullueshëm. Ndoshta së shpejti do të vij t’ju vizitoj. Babi tha se do të vijmë vitin tjetër! Do të mbaj një distinktiv që të më njihni. Këtu keni 20 dollarë për makinën e re të shtypit. Janë paratë që më kanë dhënë prindërit për vete, por unë dua t’ua jap juve vëllezër.»

Një motër shkroi: «Ju lutem të pranoni dhuratën time modeste me kapela, që i punova vetë me grep. Do të doja që këto kapela t’u jepeshin punëtorëve që po punojnë në projektin e Uollkillit. Sipas një kalendari, do të bëjë shumë dimër këtë vit. Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo. Por di që pjesa më e madhe e punës në Uollkill do të bëhet jashtë, dhe dua të jem e sigurt që vëllezërit dhe motrat e mia e kanë kokën të ngrohtë. Nuk kam ndonjë nga aftësitë që kërkojnë vëllezërit, por mund të punoj me grep, kështu që vendosa të përdor këtë aftësi për të ndihmuar me sa mundja.» Në dhuratë përfshiheshin 106 kapela të punuara me grep.

Shtypshkronja përfundoi sipas programit. Xhon Larsoni, mbikëqyrësi i shtypshkronjës, tha: «Kishte një frymë të lumtur bashkëpunimi. E kush mund ta vinte në dyshim se Jehovai po e bekonte veprën?! Projekti eci shumë shpejt. Më kujtohet kur në maj të 2003-shit qëndroja në këmbë në mes të baltës duke parë vëllezërit që po hidhnin themelet e ndërtesës. Më pak se një vit më vonë qëndroja në të njëjtin vend duke parë se si punonte një makinë shtypi.»

Programi i kushtimit

Programi për kushtimin e shtypshkronjës së re dhe të tri godinave të banimit u mbajt në Uollkill të hënën më 16 maj 2005. Komplekset e Bethelit në Paterson dhe në Bruklin, si edhe Betheli i Kanadasë ishin të lidhur nëpërmjet videos. Gjithsej 6.049 veta ndoqën programin. Teodor Xharazi, pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, ishte drejtuesi i mbledhjes dhe paraqiti një përmbledhje të shkurtër të historisë së veprës së shtypjes së botimeve. Me anë të intervistave dhe të prezantimeve në video, anëtarët e Komitetit të Degës, Xhon Larsoni dhe Xhon Kikoti, bënë një përmbledhje të historisë së projekteve të ndërtimit dhe të shtypjes së literaturës në Shtetet e Bashkuara. Xhon Barri, nga Trupi Udhëheqës, mbajti fjalimin e fundit duke ia kushtuar Perëndisë Jehova shtypshkronjën e re dhe tri godinat e banimit.

Në javët vijuese bethelitëve nga Patersoni dhe Bruklini iu dha mundësia që të vizitonin ndërtesat e reja. Gjatë asaj kohe, këto ndërtesa i vizituan gjithsej 5.920 veta.

Si e shohim shtypshkronjën?

Në fjalimin e kushtimit vëllai Barr i kujtoi auditorit se shtypshkronja, megjithëse mbreslënëse, nuk është e rëndësishme për këtë arsye, por sepse u shërben njerëzve. Literatura që shtypim ndikon thellë në jetën e njerëzve.

Vetëm në një orë, secila makinë shtypi mund të shtypë një milionë fletushka! Mirëpo një fletushkë e vetme mund të ndikojë thellë në jetën e një njeriu. Për shembull, në vitin 1921 në Afrikën e Jugut një skuadër për mirëmbajtjen e hekurudhës po punonte gjatë një pjese të saj. Njërit prej punëtorëve, të quajtur Kristian, i zuri syri një copë letër të futur poshtë shinës. Ishte një fletushkë e jona. Kristiani e lexoi me shumë interes. Ai vrapoi të takonte dhëndrin dhe i tha i emocionuar: «Sot gjeta të vërtetën!» Menjëherë pas kësaj ata shkruan për të pasur më shumë informacione. Dega e Afrikës së Jugut u dërgoi literaturë biblike. Të dy burrat bënë një studim, u pagëzuan dhe u flitnin të tjerëve për të vërtetën biblike. Si rrjedhojë shumë veta pranuan të vërtetën. Në fakt, deri në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, më tepër se njëqind pasardhës të tyre ishin Dëshmitarë të Jehovait, dhe e gjithë kjo ngaqë një njeri gjeti një fletushkë në hekurudhë!

Vëllai Barr tha se literatura që shtypim bën që njerëzit të njohin të vërtetën, të qëndrojnë në të, i nxit të kenë më shumë zell dhe bashkon vëllazërinë. E mbi të gjitha, literatura të cilën e shpërndajmë që të gjithë, i jep lavdi Perëndisë tonë, Jehovait.

Si e sheh Jehovai shtypshkronjën?

Po ashtu vëllai Barr i kërkoi auditorit që të mendonte se si e sheh Jehovai shtypshkronjën. Patjetër që ai nuk është i varur prej saj. Jehovai mund të bëjë gurët të predikojnë lajmin e mirë. (Luka 19:40) Për më tepër atij nuk i bën përshtypje sa e ndërlikuar është makineria, sa e madhe ose e shpejtë është, si edhe çfarë është në gjendje të bëjë. E pra, Jehovai krijoi universin! (Psalmi 147:10, 11) Jehovai di mënyra më të përparuara për të prodhuar literaturë, mënyra që njeriu as i ka shpikur dhe as i ka përfytyruar. Atëherë, çfarë sheh Jehovai që ka vërtet vlerë për të? Sigurisht që në këtë shtypshkronjë ai sheh cilësitë e çmuara të popullit të tij: dashurinë, besimin dhe bindjen.

Vëllai bëri një ilustrim për dashurinë. Një vajzë bën një kek për prindërit. Ndoshta prindërve do t’u pëlqejë. Por, pavarësisht se si është keku, ajo që i prek prindërit, është dashuria e fëmijës që shprehet me këtë akt bujar. Në mënyrë të ngjashme, kur Jehovai vështron shtypshkronjën e re, ai nuk sheh thjesht ndërtesën dhe makineritë. Më shumë, ai sheh një shprehje të dashurisë për emrin e tij.​—Hebrenjve 6:10.

Për më tepër, ashtu si Jehovai e shihte arkën si një shprehje të besimit të Noesë, po kështu ai e sheh këtë shtypshkronjë si një dëshmi të prekshme të besimit tonë. Besim në çfarë? Noeja kishte besim se ajo që kishte parathënë Jehovai do të dilte e vërtetë. Ne kemi besim se po jetojmë në ditët e fundit, se lajmi i mirë është mesazhi më i rëndësishëm që po shpallet në tokë dhe se është jetësore që njerëzit ta dëgjojnë atë. E dimë se mesazhi i Biblës mund të shpëtojë jetë.​—Romakëve 10:13, 14.

Pa dyshim, Jehovai sheh në këtë shtypshkronjë edhe një shprehje të bindjes sonë. Siç e dimë, është vullneti i tij që lajmi i mirë të predikohet në mbarë botën përpara se të vijë fundi. (Mateu 24:14) Kjo shtypshkronjë, bashkë me ato që ndodhen në rajone të tjera të rruzullit, do të luajë një rol në përmbushjen e kësaj detyre.

Po, dashuria, besimi dhe bindja, e treguar në financimin, ndërtimin dhe vënien në punë të këtyre projekteve, pasqyrohet edhe në aktivitetin e zellshëm të popullit të Jehovait anembanë, teksa ata vazhdojnë t’ua shpallin të vërtetën të gjithëve atyre që duan të dëgjojnë.

[Kutia dhe figurat në faqen 11]

ZGJERIMI I VEPRËS SË SHTYPJES NË SHTETET E BASHKUARA

1920: Shtypen revista me makinën e parë rotative të shtypit, Myrtle Avenue, nr. 35, Bruklin.

1922: Shtypshkronja u vendos në një ndërtesë me 6 kate në Concord Street nr. 18. Filluan të shtypeshin libra.

1927: Shtypshkronja u transferua në një ndërtesë të re në Adams Street nr. 117.

1949: Një ndërtesë e re me 9 kate dyfishoi përmasat e shtypshkronjës.

1956: Shtypshkronja në Adams Street u dyfishua përsëri me një ndërtesë që u ngrit në adresën Sands Street nr. 77.

1967: U ngrit një ndërtesë dhjetëkatëshe dhe kështu kishte një shtypshkronjë me pjesë të ndërlidhura mes tyre, e cila ishte dhjetë herë më e madhe se ajo e ndërtesës origjinale.

1973: Në Uollkill u ndërtua një shtypshkronjë ndihmëse kryesisht për prodhimin e revistave.

2004: Në SHBA, të gjitha veprimet për shtypjen, lidhjen dhe dërgimin e literaturës u vendosën në Uollkill.