Mrekullitë e krijimit lartësojnë Jehovain
Mrekullitë e krijimit lartësojnë Jehovain
PERËNDIA JEHOVA është më i lartësuar nga ç’mund ta përfytyrojnë njerëzit e papërsosur. Veprat e tij krijuese, në tokë e në qiej, i sjellin atij lavdi dhe na mbushin me nderim të thellë.—Psalmi 19:1-4.
Si Krijuesi dhe Sovrani i Universit, patjetër që Jehovai meriton ta dëgjojmë kur flet. E megjithatë, sa të mahnitur do të ngeleshim, sikur ai të na fliste ne njerëzve të vegjël këtu në tokë! Mendo sikur ai të fliste me ty, ndoshta me anë të një engjëlli. S’ka dyshim që do t’i kushtoje vëmendje. Rreth 3.500 vjet më parë, njeriu i drejtë Job duhet të ketë dëgjuar me vëmendje të madhe, kur Perëndia foli me të. Ç’mund të mësojmë nga ajo që i tha Perëndia Jobit për tokën dhe për qiejt fizikë?
Kush ia vuri themelet tokës, kush e bën zap detin?
Nga stuhia, Perëndia e pyet Jobin për tokën e për detin. (Jobi 38:1-11) Asnjë arkitekt njerëzor nuk e vendosi sa e madhe duhej të ishte toka dhe nuk ndihmoi më pas në krijimin e saj. Duke e krahasuar tokën me një ndërtesë, Perëndia e pyet Jobin: «Kush ia vuri gurin e qoshes?» Patjetër që jo ndonjë njeri! Bijtë e Perëndisë, engjëjt, shihnin e ngazëllonin, teksa Jehovai krijonte këtë planet.
Deti është si foshnjë para Perëndisë dhe, në mënyrë të figurshme, ai e vesh me rroba. Deti «doli vrullshëm si nga barku i nënës». Perëndia i vë kufij, si me shula e porta, dhe baticat e zbaticat ndjekin rregullat e diktuara nga tërheqja e hënës dhe e diellit.
Në një enciklopedi thuhet: «Era shkakton pjesën më të madhe të dallgëve në oqeane, që nga valët e lehta deri te dallgët gjigante të uraganeve, mbi 30 metra të larta. . . . Kur pushon era, dallgët vazhdojnë të lëvizin mbi faqen e oqeanit dhe mund të udhëtojnë shumë larg vendit prej nga u nisën. Bëhen më të qeta, më të gjata. Së fundi arrijnë bregun, ku përplasen e kthehen në shkumë.» (The World Book Encyclopedia) Deti i bindet urdhrit të Perëndisë: «Deri këtu mund të vish e jo më tutje. Deri këtu është kufiri i dallgëve të tua krenare.»
Kush bën të lindë agimi?
Pastaj Perëndia e pyet Jobin për efektet e dritës e për gjëra të tjera. (Jobi 38:12-18) Asnjë njeri nuk mund të urdhërojë që natës t’ia zërë vendin dita. Në mënyrë të figurshme, drita e agimit zapton skajet e tokës dhe i shkund të ligjtë prej saj. Mëkatarët mund të bëjnë padrejtësi në «muzgun e mbrëmjes». (Jobi ) Por lindja e agimit i detyron shumë keqbërës të shpërndahen. 24:15, 16
Në dorën e Perëndisë, drita e mëngjesit është si një vulë, që i lë tokës një shenjë të bukur. Drita e diellit nxjerr në pah shumë ngjyra. Kështu planeti ngjan si i stolisur me petka të shkëlqyera. Jobi nuk kishte luajtur kurrfarë roli në tërë këtë, e as nuk ishte endur në thellësinë ujore, për të vëzhguar thesaret e saj. Edhe sot e kësaj dite, studiuesit kanë njohuri të kufizuar për jetën në oqeane.
Kush ka depo bore dhe breshri?
Asnjë njeri nuk e ka çuar ndonjëherë dritën a errësirën deri në shtëpinë e tyre, e as nuk ka hyrë në depot e borës dhe të breshrit, që Perëndia i ruan për «ditë lufte e beteje». (Jobi 38:19-23) Kur Jehovai përdori breshrin kundër armiqve të tij në Gibeon, «ata që vdiqën nga kokrrat e breshrit ishin më të shumtë se ata që u vranë me shpatë nga bijtë e Izraelit». (Josiu 10:11) Ai mund të përdorë kokrra breshri me një madhësi që ne s’e dimë, për të shkatërruar njerëzit e ligj të udhëhequr nga Gogu, pra Satanai.—Ezekieli 38:18, 22.
Kokrra breshri të mëdha sa një kokërr veze, vranë 25 njerëz dhe plagosën 200 të tjerë në qendër të provincës Henan në Kinë, në korrik të vitit 2002. Skulptori italian Benvenuto Çelini shkroi për një stuhi breshri, që ndodhi në vitin 1545: «Ishim një ditë larg Lionit . . . kur qiejt gjëmuan nga një rropamë bubullimash shurdhuese. . . . Pas gjëmimit, qiejt bënë një zhurmë kaq të fortë e të llahtarshme, sa mendova se erdhi fundi i botës. E ndala kalin në vend për një çast. Nisi një rrebesh breshri, por shi as edhe një pikë. . . . Kokrrat u rritën e u bënë sa një limon i madh. . . . Stuhia qe e furishme, por pas njëfarë kohe pushoi më në fund . . . I treguam njëri-tjetrit gërvishtjet dhe vragat që na la; mirëpo nja një kilometër më tutje, na panë sytë një shkatërrim që ia kalonte ku e ku asaj që kishim pësuar ne e që nuk përshkruhet dot me fjalë. Tërë pemët ishin zhveshur nga gjethet dhe ishin rrënuar; kafshët kishin ngordhur në fusha; edhe shumë barinj kishin mbetur të vrarë. Pamë mjaft kokrra breshri aq të mëdha, sa nuk i nxinin dot dy duar bashkë.»—Autobiografi (Libri II, 50), Klasikët e Harvardit, Vëllimi 31, faqet 352, 353, anglisht.
Çfarë do të ndodhë, kur Jehovai t’i hapë depot e tij të borës e të breshrit kundër armiqve të vet? Kur bora ose breshri të përdoren për të kryer vullnetin e tij, ata nuk do të mbijetojnë dot.
Vepër e duarve të kujt janë shiu, vesa, ngrica dhe akulli?
Më tej, Jehovai e pyet Jobin për shiun, vesën, ngricën dhe akullin. (Jobi 38:24-30) Perëndia është Ai që bën shiun, e madje edhe ‘shkretëtira ku s’ka njeri’ e gëzon këtë bekim. Asnjë qenie njerëzore nuk është babai ose krijuesi i shiut, i akullit dhe i ngricës.
Në botimin Nature Bulletin thuhet: «Vetia më e çuditshme e ndoshta më e rëndësishme
[e akullit] është që uji e rrit vëllimin kur ngrin . . . Shtresa e akullit që krijohet në dimër në një pellg e rri pezull në sipërfaqe, bën të mundur që bimët dhe kafshët e ujit (peshqit, etj.) të mbeten gjallë në ujë poshtë saj. Sikur . . . uji të tkurrej e të bëhej më i ngjeshur teksa ngrinte, atëherë akulli do të ishte më i rëndë se uji e do të zhytej në fund. Në sipërfaqe do të krijohej vazhdimisht akull, derisa pellgu të ngrinte i tëri. . . . Në pjesët më të ftohta të botës, gjithë lumenjtë, pellgjet, liqenet, e madje edhe oqeanet, do të ishin përjetësisht të ngrira.»Sa mirënjohës duhet të jemi që këto vende me ujë nuk ngrijnë krejtësisht! E patjetër jemi mirënjohës edhe që shiu e vesa—vepra të duarve të Jehovait—përtërijnë bimësinë e tokës.
Kush i vendosi ligjet e qiejve?
Më pas, Perëndia e pyet Jobin për qiejt. (Jobi 38:31-33) Yjësia Kimah identifikohet zakonisht me Plejadat: një grup me shtatë yje të mëdhenj e disa yje më të vegjël, rreth 380 vjet-dritë larg diellit. Nuk ka njeri që «i lidh dot hallkat e yjësisë Kimah», pra që ta mbajë të bashkuar këtë grup yjesh. Njeriu nuk «i zgjidh dot litarët e yjësisë Kesil», e cila zakonisht identifikohet me grupin yjor Orion. Sido që të quhen sot yjësitë Mazaroth dhe Ash, njeriu nuk është i zoti t’i drejtojë e t’u heqë udhën atyre. Njerëzit nuk mund t’i ndryshojnë «ligjet e qiejve», ligjet që qeverisin universin.
Është Perëndia ai që i vendosi ligjet që drejtojnë trupat qiellorë dhe ndikojnë te moti në tokë, te baticat e zbaticat, tek atmosfera e te vetë ekzistenca e jetës në këtë planet. Të mendojmë pak për diellin. Një enciklopedi thotë për të: «Rrezet e diellit i japin tokës ngrohtësi dhe dritë, ndihmojnë në rritjen e bimëve, bëjnë të avullojë ujë nga oqeanet e vende të tjera me ujë, luajnë rol në krijimin e erës dhe kryejnë shumë funksione të tjera thelbësore për të pasur jetë në tokë.» (The Encyclopedia Americana, Botimi 1996) Në po këtë enciklopedi thuhet: «Për ta kuptuar sa e pamasë është
fuqia e dritës së diellit, mjafton veç të mendojmë se e gjithë fuqia që vërejmë tek era, digat e lumenjtë, si dhe e gjithë fuqia brenda lëndëve djegëse natyrore si druri, qymyri e nafta, nuk është gjë tjetër veçse fuqi nga drita e diellit, e ruajtur në një planet të vockël [Toka], 50 milionë kilometra larg diellit.»Kush u dha mençuri reve?
Jehovai i thotë Jobit të mendojë pak për retë. (Jobi 38:34-38) Njeriu nuk urdhëron dot as edhe një re të vetme që të dalë e të lëshojë ujin që ka brenda. Por ama, sa shumë varet jeta e njeriut nga cikli i qarkullimit të ujit që ka vendosur Krijuesi!
Çfarë është cikli i qarkullimit të ujit? Në një vepër thuhet: «Cikli i qarkullimit të ujit përbëhet nga katër faza: depozitimi, avullimi, reshjet dhe futja e tyre në rrjedhat ujore. Uji mund të depozitohet përkohësisht në brendësi të tokës; në oqeane, liqene e lumenj; në borën e përhershme e në akullnaja. Ai avullon nga sipërfaqja e Tokës, kondensohet e formon retë, bie prapë në tokë në formën e reshjeve (shi ose borë), dhe së fundi o shkon në dete, o avullon sërish e ngjitet në atmosferë. Thuajse tërë uji që gjendet në tokë ka kaluar kushedi sa herë nëpër ciklin e qarkullimit të ujit.»—Microsoft Encarta Reference Library 2005.
Retë plot shi janë shtambat e qiellit. Kur Jehovai i përmbys, prej tyre mund të derdhet aq shumë shi, sa pluhuri bëhet baltë e plisat ngjiten me njëri-tjetrin. Perëndia mund ta krijojë shiun ose mund ta pengojë të bjerë.—Jakovi 5:17, 18.
Shpesh shiu shoqërohet me rrufe, që njeriu nuk i detyron dot të bëjnë siç do ai. Rrufetë përshkruhen sikur dalin e raportojnë para Perëndisë: «Ja ku jemi!» Compton’s Encyclopedia thotë: «Rrufeja shkakton ndryshime të mëdha kimike në atmosferë. Kur përshkon ajrin, ajo lëshon një nxehtësi të jashtëzakonshme, që bashkon azotin me oksigjenin, duke formuar nitrate dhe përbërje të tjera. Këto bien në Tokë bashkë me shiun. Kështu, atmosfera arrin ta furnizojë dheun vazhdimisht me lëndët ushqyese që i duhen për të rritur bimët.» Shumë gjëra që kanë lidhje me rrufetë, janë një mister për njeriun, por jo për Perëndinë.
Mrekullitë e krijimit i japin lavdi Perëndisë
Vërtet, mrekullitë e krijimit lartësojnë Krijuesin e gjithçkaje. (Zbulesa 4:11) Sa mbresë duhet t’i kenë lënë Jobit fjalët që i tha Jehovai për tokën dhe për trupat qiellorë!
Mrekullitë e krijimit te të cilat u ndalëm, nuk janë të vetmet pyetje dhe përshkrime që iu bënë Jobit. Prapëseprapë, edhe vetëm këto, na shtyjnë të themi me gjithë zemër: «E pra, Perëndia është shumë më i lartësuar nga sa dimë ne.»—Jobi 36:26.
[Burimi i figurës në faqen 14]
Flokë bore: snowcrystals.net
[Burimet e figurave në faqen 15]
Plejadat: NASA, ESA dhe AURA/Caltech; peshku: U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./William W. Hartley