Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund ta ndryshojë dikush botën?

A mund ta ndryshojë dikush botën?

A mund ta ndryshojë dikush botën?

«Të varfrit na thonë se, para së gjithash, duan paqe e siguri dhe pastaj mundësi për të përmirësuar jetën. Ata kërkojnë sisteme të drejta kombëtare dhe ndërkombëtare, në mënyrë që përpjekjet e tyre të mos pengohen nga vendet dhe kompanitë e pasura e më të fuqishme.»

KËSHTU u shpreh drejtoresha e një organizate ndërkombëtare humanitare, për shpresat dhe aspiratat e të varfërve. Në fakt, fjalët e saj përshkruajnë mjaft mirë dëshirën e gjithë viktimave të tragjedive dhe të padrejtësive në botë. Ata të gjithë dëshirojnë me zjarr një botë ku ka paqe dhe siguri të vërtetë. A do të bëhet ndonjëherë realitet kjo dëshirë? A ekziston dikush që ka fuqinë dhe aftësinë për të ndryshuar një botë e cila, që në rrënjë të saj, është e padrejtë?

Përpjekje për të sjellë ndryshim

Shumë njerëz janë përpjekur. Për shembull, Florens Najtingejli, një angleze në shekullin e 19-të, ia kushtoi jetën kauzës për t’u siguruar pacientëve në spital një shërbim të pastër e të dhembshur. Në ditët e saj​—para se të zbuloheshin antiseptikët dhe antibiotikët​—shërbimi i infermiereve në spitale nuk ishte ashtu siç pritet të jetë sot. «Infermieret​—thuhet në një libër,​—ishin të pasjellshme, jo të pastra, njiheshin si imorale dhe pijanece.» Por, a pati sukses Florens Najtingejli në përpjekjet e saj për të ndryshuar botën e infermierisë? Po. Gjithashtu, edhe njerëz të tjerë të dhembshur e altruistë kanë pasur sukses të madh në shumë fusha të jetës, për shembull në arsimim, edukim, mjekësi, strehim dhe në programet humanitare të të ushqyerit. Si rezultat, është përmirësuar ndjeshëm jeta për miliona njerëz në situata të pafavorshme.

Megjithatë, nuk mund ta shpërfillim këtë realitet të ashpër: qindra milionë njerëz vuajnë ende nga luftërat, krimet, sëmundjet, zia e bukës dhe nga probleme të tjera. «Varfëria,​—thotë organizata humanitare irlandeze Concern,​—vret çdo ditë 30.000 veta». Edhe skllavëria, kundër së cilës kanë luftuar shumë reformatorë gjatë shekujve, ekziston ende. «Numri i skllevërve sot është më i madh sesa i të gjithë atyre që iu zhvatën Afrikës gjatë tregtisë së skllevërve përtej Atlantikut»,​—thotë libri Njerëz që flaken tej​—Skllavëria e re në ekonominë globale (anglisht).

Pse njerëzit dështojnë në përpjekjet e tyre për të sjellë një ndryshim të plotë e të përhershëm? Është thjesht fuqia mbizotëruese e të pasurve dhe e të fuqishmëve, apo ka diçka tjetër?

Pengesat për ndryshimin

Sipas Fjalës së Perëndisë, pengesa më e madhe që has njeriu në përpjekjet e tij për të krijuar një botë vërtet të drejtë, është Satana Djalli. Apostulli Gjon na thotë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) Në të vërtetë, pikërisht në këto kohë, Satanai po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Derisa të zhduket ndikimi i tij i lig, do të vazhdojë të ketë viktima të ligësisë dhe të padrejtësisë. Por, si ra njerëzimi në këtë gjendje të vajtueshme?

Prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, iu dha mundësia të jetonin në një tokë që ishte krijuar për të qenë një banesë e përsosur parajsore për të gjithë familjen njerëzore, një botë ku çdo gjë ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Kush i ndryshoi gjërat? Ishte Satanai. Ai sfidoi të drejtën e Perëndisë për të vendosur rregulla se si duhej të jetonin njerëzit. Ai la të nënkuptohej se sundimi i Perëndisë ishte i padrejtë. E shtyu Adamin dhe Evën që të vendosnin të kishin një jetë të pavarur nga Perëndia, që të vendosnin vetë se ç’ishte e mirë apo e keqe. (Zanafilla 3:1-6) Kështu lindi pengesa e dytë për përpjekjet e njeriut për një botë të drejtë: mëkati e papërsosmëria.​—Romakëve 5:12.

Pse e lejoi Perëndia?

Por disa mund të pyesin: ‘Pse lejoi Perëndia që mëkati dhe papërsosmëria të vazhdonin? Pse nuk përdori fuqinë e tij të pafund për të zhdukur rebelët dhe për ta filluar çdo gjë nga e para?’ Kjo mund të duket një zgjidhje e thjeshtë. Megjithatë, në lidhje me përdorimin e fuqisë, lindin pyetje të tjera mjaft serioze. A nuk është e vërtetë se keqpërdorimi i fuqisë ose pushtetit përbën një nga ankesat kryesore të të varfërve dhe të të shtypurve në botë? A nuk lindin pyetje në mendjen e njerëzve të drejtë, kur një diktator përdor pushtetin e tij për të zhdukur ndonjë që nuk është dakord me politikën e tij?

Për t’i siguruar ata me zemër të drejtë se nuk është një diktator që e keqpërdor fuqinë e tij, Perëndia vendosi ta lejonte Satanain dhe rebelët njerëzorë që të jetonin të pavarur nga ligjet dhe parimet hyjnore, por vetëm për një kohë të kufizuar. Koha do ta tregonte se mënyra e sundimit të Perëndisë është mënyra e vetme e drejtë. Do të tregonte se kufizimet që na vë ai, janë për të mirën tonë. Në fakt, pasojat tragjike të rebelimit ndaj sundimit të Perëndisë, tashmë kanë vërtetuar që kjo është më se e vërtetë. Dhe këto pasoja kanë vërtetuar gjithashtu se Perëndia ka arsye të vlefshme për të përdorur fuqinë e tij të madhe për të zhdukur gjithë ligësinë, atëherë kur të vendosë ta bëjë këtë. Dhe këtë gjë do ta bëjë shumë shpejt.​—Zanafilla 18:23-32; Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 37:9, 10, 38.

Derisa Perëndia të ndërhyjë, jemi në kthetrat e një sistemi të padrejtë, ‘duke rënkuar së bashku dhe duke përjetuar dhembje së bashku’. (Romakëve 8:22) Çfarëdo gjeje të bëjmë për të ndryshuar situatën, as mund ta zhdukim dot Satanain, as mund ta çrrënjosim komplet papërsosmërinë që është në rrënjë të të gjitha vuajtjeve tona. Thjesht jemi të pafuqishëm për të ndrequr pasojat e mëkatit të trashëguar nga Adami.​—Psalmi 49:7-9.

Jezu Krishti do të sjellë ndryshime të përhershme

A do të thotë kjo se situata është fare e pashpresë? Sigurisht që jo. Dikujt që është shumë më i fuqishëm se njeriu, i është ngarkuar përgjegjësia që të sjellë ndryshime të përhershme. Kush është ky? Është Jezu Krishti. Në Bibël ai përshkruhet si Kryepërfaqësuesi i Perëndisë për shpëtimin e familjes njerëzore.​—Veprat 5:31.

Tani ai po pret ‘kohën e caktuar’ nga Perëndia që të ndërhyjë. (Zbulesa 11:18) Po çfarë do të bëjë saktësisht? Do të sjellë ‘rivendosjen e të gjitha gjërave, për të cilat Perëndia foli nëpërmjet profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë’. (Veprat 3:21) Për shembull, Jezui «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. . . . Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin». (Psalmi 72:12-16) Me anë të Jezu Krishtit, Perëndia premton se ‘do t’i pushojë luftërat deri në skaj të dheut’. (Psalmi 46:9) «Asnjë banor [në tokën e pastruar] nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»​—premton ai. Të verbrit, të shurdhrit, të gjymtuarit dhe të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, do të shërohen e do të kenë shëndet të përsosur. (Isaia 33:24; 35:5, 6; Zbulesa 21:3, 4) Edhe ata që kanë vdekur në shekujt e kaluar do të përfitojnë. Ai premton t’i sjellë përsëri në jetë viktimat e padrejtësisë dhe të shtypjes.​—Gjoni 5:28, 29.

Jezu Krishti nuk do të sjellë një ndryshim të pjesshëm dhe të përkohshëm. Ai do të zhdukë plotësisht të gjitha pengesat drejt një bote vërtet të drejtë. Do të zhdukë mëkatin dhe papërsosmërinë e do të shkatërrojë Satana Djallin dhe të gjithë ata që ndjekin udhën e tij të rebelimit. (Zbulesa 19:19, 20; 20:1-3, 10) ‘Nuk do të ketë për herë të dytë’ shqetësime dhe vuajtje, të cilat Perëndia i lejoi vetëm përkohësisht. (Naumi 1:9) Pikërisht për këtë e kishte fjalën Jezui kur na mësoi të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe të bëhet vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe në tokë».​—Mateu 6:10.

‘Por,​—mund të kundërshtoni ju,​—a nuk tha Jezui se “të varfrit do t’i kemi gjithmonë”? A nuk do të thotë kjo se padrejtësia dhe varfëria do të ekzistojnë gjithmonë?’ (Mateu 26:11) Po, Jezui vërtet tha se të varfër do të kishte gjithmonë. Megjithatë, konteksti i këtyre fjalëve, së bashku me premtimet e Fjalës së Perëndisë, tregojnë se ai donte të thoshte që do të kishte të varfër për aq kohë sa do të zgjaste ky sistem. Ai e dinte se asnjë njeri nuk do të ishte në gjendje të zhdukte varfërinë dhe padrejtësinë nga bota. Gjithashtu, e dinte se ai do të ndryshonte gjithçka. Së shpejti, ai do të sjellë një sistem tërësisht të ri, «qiej të rinj e një tokë të re», ku nuk do të ketë më dhembje, sëmundje, varfëri dhe vdekje.​—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1.

«Mos harroni të bëni të mira»

A do të thotë kjo se nuk ia vlen të bëjmë ç’të mundemi për të ndihmuar të tjerët? Aspak. Bibla na inkurajon t’i ndihmojmë të tjerët, kur hasin sprova dhe kur janë në rrethana të vështira. «Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon, kur e ke në dorë ta bësh»,​—shkruan Solomoni, një mbret në lashtësi. (Proverbat 3:27) Ndërsa apostulli Pavël na nxit: «Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët!»​—Hebrenjve 13:16.

Vetë Jezu Krishti na inkurajoi që të bëjmë ç’të mundemi për t’i ndihmuar të tjerët. Ai bëri ilustrimin me një samaritan që pa një burrë të cilin e kishin rrahur e grabitur. Jezui tha se samaritani, «i shtyrë nga keqardhja», përdori ç’kishte për t’i lidhur plagët atij që e kishin rrahur dhe për ta ndihmuar që të merrte veten. (Luka 10:29-37) Ky samaritan i dhembshur nuk ndryshoi botën, por ia përmirësoi shumë jetën dikujt tjetër. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe ne.

Por, Jezu Krishti mund të bëjë më shumë sesa të ndihmojë disa individë. Ai mund ta ndryshojë vërtet botën dhe do ta bëjë shumë shpejt këtë. Dhe kur ta bëjë këtë, ata që po vuajnë nga kushtet e sotme të padrejta do të kenë mundësinë të përmirësojnë jetën e tyre dhe të gëzojnë paqe e siguri të vërtetë.​—Psalmi 4:8; 37:10, 11.

Ndërsa presim që kjo të ndodhë, le të mos ngurrojmë kurrë që të bëjmë gjithçka mundemi, si nga ana frymore, ashtu edhe materiale, për ‘të bërë të mira’ kundrejt të gjithë atyre që janë viktima të kësaj bote të padrejtë!​—Galatasve 6:10.

[Figurat në faqen 5]

Florens Najtingejli solli ndryshime të mëdha në botën e infermierisë

[Burimi]

Me mirësjelljen e National Library of Medicine

[Figurat në faqen 7]

Ithtarët e Krishtit bëjnë të mira për të tjerët

[Burimi i figurës në faqen 4]

The Star, Johanesburg, Afrika e Jugut