Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të ecni me Perëndinë?

A do të ecni me Perëndinë?

A do të ecni me Perëndinë?

«[Ji] modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd.»​—Mikea 6:8.

1, 2. Si krahasohen ndjenjat që ka Jehovai për ne me ndjenjat e një prindi që i mëson fëmijës të ecë?

NJË vocërrak, me këmbkat e brishta, zgjatet drejt mamit ose babit që po e pret me krahë hapur dhe nis të bëjë hapat e parë. Kjo mund të duket gjë e vogël, por për një nënë e për një baba, është çast i paharrueshëm, një çast shumë premtues për të ardhmen. Prindërit mezi presin të ecin bashkë me fëmijën, dorë për dore, në muajt dhe vitet që do të vijnë. Në mënyra të ndryshme, ata shpresojnë t’i japin fëmijës drejtim e përkrahje gjatë gjithë jetës.

2 Perëndia Jehova ka ndjenja të ngjashme për fëmijët e tij tokësorë. Një herë, ai tha për popullin e tij, Izraelin ose ndryshe Efraimin: «E mësova Efraimin të ecte, duke e marrë në krahë . . . Me litarët e njeriut i tërhiqja, me kordonët e dashurisë.» (Hozea 11:3, 4) Këtu Jehovai e përshkruan veten si një prind i dashur që me durim e mëson fëmijën të ecë, ndoshta duke e marrë në krahët e Tij kur bie. Jehovai, Prindi më i mirë, ka një dëshirë të madhe të na mësojë si të ecim. Gjithashtu, ai kënaqet shumë duke na shoqëruar ndërsa vazhdojmë të ecim përpara. Siç e tregon shkrimi kryesor i këtij artikulli, ne mund të ecim me Perëndinë! (Mikea 6:8) Por, çfarë do të thotë të ecim me Perëndinë? Pse duhet të veprojmë kështu? Si është e mundur të ecim me të? Dhe çfarë bekimesh vijnë kur ecim me Perëndinë? Le t’i shqyrtojmë një nga një këto katër pyetje.

Çfarë do të thotë të ecim me Perëndinë?

3, 4. (a) Pse është mbresëlënës përshkrimi i ecjes me Perëndinë? (b) Çfarë do të thotë të ecim me Perëndinë?

3 Sigurisht, një njeri prej mishi e prej gjaku s’mund të ecë në kuptim të mirëfilltë me Jehovain, që është person frymor. (Dalja 33:20; Gjoni 4:24) Prandaj, kur thotë se njerëzit ecin me Perëndinë, Bibla po përdor një gjuhë të figurshme. Po jep një përshkrim mbresëlënës, që i tejkalon kufijtë kombëtarë e kulturorë, e madje edhe kohorë. Se fundja, në cilin vend a në cilën epokë, njerëzit nuk do ta kuptonin dot konceptin e një njeriu që ecën përkrah një tjetri? Ky përshkrim përcjell ngrohtësi dhe e bën më të afërt Perëndinë, apo jo? Ndjenja të tilla na tregojnë, në njëfarë mënyre, se çfarë do të thotë të ecim me Perëndinë. Por, le të jemi më specifikë.

4 Sill ndër mend Enokun dhe Noenë, këta burra me besim. Pse thuhet për ta që ecën me Perëndinë? (Zanafilla 5:24; 6:9) Në Bibël, folja ‘të ecësh’ shpesh ka kuptimin të ndjekësh një drejtim të caktuar. Enoku dhe Noeja zgjodhën në jetë një drejtim që ishte në harmoni me vullnetin e Perëndisë Jehova. Ndryshe nga njerëzit që i rrethonin, ata i drejtoheshin Jehovait për udhëheqje dhe u bindeshin udhëzimeve të tij. Kishin besim tek ai. A do të thotë kjo se Jehovai merrte vendimet në vend të tyre? Jo. Jehovai u ka dhënë njerëzve vullnetin e lirë dhe dëshiron që ta përdorim këtë dhuratë, së bashku me ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’. (Romakëve 12:1) Por, kur marrim vendime, ne jemi të përulur dhe lejojmë që fuqia jonë për të arsyetuar të udhëhiqet nga mendimet e Jehovait që janë jashtëzakonisht më të larta. (Proverbat 3:5, 6; Isaia 55:8, 9) Me fjalë të tjera, ndërsa ecim në rrugën e jetës, e bëjmë këtë udhëtim duke pasur Jehovain përkrah.

5. Pse Jezui tha se njeriu s’mund t’i shtojë jetës së vet as një kut?

5 Shpesh Bibla e krahason jetën me një udhëtim ose me një ecje. Në disa raste, ky krahasim është i drejtpërdrejtë, por në raste të tjera, nënkuptohet. Për shembull, Jezui tha: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?» (Mateu 6:27) Në gjuhën origjinale, fjala e përkthyer «sadopak» ishte «një kut». Disave kjo mund t’u duket e çuditshme. Pse Jezui tha se njeriu s’mund ta zgjatë «jetën» e vet as «një kut», që është njësi për të matur gjatësinë, kur normalisht jeta matet me njësi të kohës? * Me sa duket, Jezui po e mendonte jetën si një udhëtim. Pra, po na mësonte se shqetësimi i tepërt nuk do të na ndihmojë t’i shtojmë as edhe një hap udhëtimit të jetës. Por, a duhet të mendojmë atëherë se s’mund të bëjmë asgjë për ta zgjatur këtë udhëtim? Aspak! Kjo na çon te pyetja e dytë: pse duhet të ecim me Perëndinë?

Pse duhet të ecim me Perëndinë?

6, 7. Për çfarë kanë se s’bën nevojë njerëzit e papërsosur, dhe pse duhet t’i drejtohemi Jehovait që të na e plotësojë këtë nevojë?

6 Një arsye pse duhet të ecim me Perëndinë Jehova, shpjegohet te Jeremia 10:23: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» Pra, ne njerëzit s’kemi as aftësinë dhe as të drejtën për të drejtuar jetën tonë. Na duhet se s’bën udhëheqje. Ata që ngulin këmbë për të ecur sipas kokës së tyre, të pavarur nga Perëndia, bëjnë të njëjtin gabim që bënë Adami dhe Eva. Këta morën përsipër të drejtën për të vendosur vetë ç’është e mirë dhe e keqe. (Zanafilla 3:1-6) Por, kjo e drejtë thjesht «nuk [na] takon».

7 A e ndien nevojën për udhëheqje ndërsa ecën në rrugën e jetës? Çdo ditë na duhet të marrim vendime, të mëdha e të vogla. Disa prej tyre janë të vështira e mund të ndikojnë në të ardhmen tonë, si edhe të njerëzve të afërt. Por, mendo sikur dikush që është shumë më i madh e më i mençur se ne, të na jepte me kënaqësi udhëheqje për të marrë këto vendime! Mjerisht, shumica e njerëzve sot pëlqejnë më shumë t’i besojnë gjykimit të tyre dhe t’i drejtojnë vetë hapat. Ata e shpërfillin të vërtetën që thuhet te Proverbat 28:26: «Kush i zë besë zemrës së vet, është budalla, por kush ecën me mençuri, do të shpëtojë.» Jehovai dëshiron të na kursejë nga telashet që vijnë kur i besojmë zemrës sonë të pabesë. (Jeremia 17:9) Ai dëshiron që ne të ecim me mençuri, t’i besojmë atij si Udhërrëfyesit tonë të mençur që na drejton. Kur veprojmë kështu, rruga jonë në jetë është e sigurt, e kënaqshme dhe e suksesshme.

8. Ku i çon njerëzit normalisht mëkati e vdekja, por çfarë dëshiron Jehovai për ne?

8 Një arsye tjetër pse duhet të ecim me Perëndinë, ka të bëjë me gjatësinë e udhëtimit që duam të bëjmë. Bibla pohon një të vërtetë jo të këndshme. Në njëfarë kuptimi, të gjithë njerëzit e papërsosur po shkojnë drejt së njëjtës vendmbërritje. Ndërsa përshkruan sprovat që vijnë me moshën e shkuar, Eklisiastiu 12:5 thotë: «Njeriu ecën drejt asaj që do të jetë shtëpia e tij për një kohë të gjatë dhe kortezhi i vajtuesve vjen përqark rrugëve.» Çfarë është kjo ‘shtëpi për një kohë të gjatë’? Varri, ku na çon vetvetiu mëkati dhe papërsosmëria. (Romakëve 6:23) Megjithatë, Jehovai nuk ka ndër mend për ne vetëm një udhëtim të shkurtër e me telashe, nga djepi për në varr. (Jobi 14:1) Vetëm duke ecur me Perëndinë, mund të shpresojmë të ecim aq sa kishte ndër mend ai për ne, domethënë përgjithmonë. A nuk është kjo ajo që dëshirojmë? Atëherë, është e qartë se duhet të ecim me Atin tonë.

Si mund të ecim me Perëndinë?

9. Pse nganjëherë Jehovai fshihej prej popullit të tij, e megjithatë, çfarë sigurie u dha ai, sipas Isaisë 30:20?

9 Pyetja e tretë që do të shqyrtojmë, meriton që t’i kushtojmë shumë vëmendje. Ajo është: si mund të ecim me Perëndinë? Përgjigjen e gjejmë tek Isaia 30:20, 21: «Mësuesi yt i Madh nuk do të fshihet më, dhe sytë e tu do të shohin Mësuesin tënd të Madh. Ngado që të shkoni, djathtas ose majtas, veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha. Ecni në të!’» Në këtë pjesë inkurajuese, fjalët e Jehovait në vargun 20 mund t’i kenë rikujtuar popullit të tij se, kur u rebeluan, ai u fsheh prej tyre. (Isaia 1:5; 59:2) Por, tani Jehovai portretizohet, jo më sikur fshihet, por sikur qëndron haptas para popullit të tij besnik. Kjo na sjell ndër mend një instruktor që qëndron para nxënësve të tij dhe u demonstron atë që dëshiron t’u mësojë.

10. Në ç’kuptim mund ‘të dëgjojmë nga prapa fjalët’ e Mësuesit të Madh?

10 Në vargun 21, kemi një përshkrim paksa të ndryshëm. Jehovai paraqitet sikur ecën prapa popullit të tij, duke u dhënë udhëzime se cila është rruga e duhur ku të ecin. Studiuesit biblikë kanë komentuar se kjo shprehje mund të bazohet në mënyrën se si, disa herë, një bari i ndjek delet e tij nga pas, duke u thirrur për t’i drejtuar e për t’i ruajtur që të mos shkojnë në rrugë të gabuar. Si zbatohet për ne ky ilustrim? Po ja, kur kërkojmë udhëheqje në Fjalën e Perëndisë, po lexojmë fjalë që janë dokumentuar mijëra vite më parë. Në njëfarë kuptimi, ato vijnë nga pas në rrjedhën e kohës. E megjithatë janë po aq të rëndësishme sot, sa ç’ishin edhe në kohën kur u shkruan. Këshillat biblike mund të na udhëheqin në vendimet që marrim ditë për ditë, dhe mund të na ndihmojnë të hartojmë drejtimin e jetës sonë në vitet që do të vijnë. (Psalmi 119:105) Kur i kërkojmë me zell këto këshilla dhe i zbatojmë, atëherë Jehovai është Udhërrëfyesi ynë. Po ecim me Perëndinë.

11. Sipas Jeremisë 6:16, cilën kërkesë inkurajuese i bëri Jehovai popullit të tij, por, si reaguan ata?

11 A po e lejojmë vërtet Fjalën e Perëndisë të na udhëheqë hap pas hapi? Ia vlen që nganjëherë të ndalemi dhe të bëjmë një vetëshqyrtim të sinqertë. Ja një varg që do të na ndihmojë: «Kështu thotë Jehovai: ‘Rrini nëpër rrugë pa lëvizur dhe shihni. Pyetni për rrugët e kohëve më parë se ku është udha e mirë dhe ecni në të e gjeni prehje për shpirtrat tuaj.’» (Jeremia 6:16) Këto fjalë mund të na sjellin ndër mend një udhëtar që ndalon në një kryqëzim për të kërkuar udhëzime. Në kuptimin frymor, populli rebel i Jehovait në Izrael, duhej të bënte diçka të ngjashme. Ata duhej të gjenin përsëri «rrugët e kohëve më parë». Ajo ‘udhë e mirë’ ishte udha nëpër të cilën kishin ecur paraardhësit e tyre besnikë, por, me marrëzi, kombi ishte shmangur prej saj. Mjerisht, Izraeli reagoi me kokëfortësi ndaj këtij përkujtuesi që Jehovai i dha me dashuri. I njëjti varg vazhdon: «Por ju u përgjigjët: ‘Ne nuk do të ecim në të.’» Kurse, në kohët moderne, populli i Perëndisë ka reaguar shumë ndryshe ndaj kësaj këshille.

12, 13. (a) Si i janë përgjigjur ithtarët e mirosur të Krishtit këshillës së Jeremisë 6:16? (b) Si mund të hetojmë veten lidhur me udhën në të cilën po ecim?

12 Duke filluar që nga fundi i shekullit të 19-të, ithtarët e mirosur të Krishtit e kanë marrë për zemër dhe e kanë zbatuar këshillën e Jeremisë 6:16. Si klasë, ata kanë marrë drejtimin dhe kanë vepruar të parët për t’u kthyer me gjithë zemër te «rrugët e kohëve më parë». Ndryshe nga krishterizmi apostat, ata i janë përmbajtur me besnikëri «modelit të fjalëve të shëndosha» që vendosi Jezu Krishti dhe që e mbajtën me shumë besnikëri ithtarët e tij në shekullin e parë të erës sonë. (2 Timoteut 1:13) Edhe sot e kësaj dite, të mirosurit ndihmojnë njëri-tjetrin, si dhe shokët e tyre nga ‘delet e tjera’, për të ndjekur udhën e sigurt dhe të lumtur që krishterizmi e ka braktisur.​—Gjoni 10:16.

13 Duke siguruar ushqim frymor në kohën e duhur, klasa e skllavit të besueshëm ka ndihmuar miliona njerëz që të gjejnë «rrugët e kohëve më parë» dhe të ecin me Perëndinë. (Mateu 24:45-47) A je edhe ti ndër ata miliona njerëz? Nëse po, ç’mund të bësh që të mos shmangesh nga kjo rrugë e të ndjekësh rrugën tënde? Është e mençur që herë pas here të ndalesh dhe të shqyrtosh si po ecën në jetë. Nëse me besnikëri lexon Biblën dhe botimet biblike, si dhe ndjek programet e përgatitura në ditët tona nga të mirosurit, atëherë po stërvitesh për të ecur me Perëndinë. E kur me përulësi pranon këshillat që të jepen, atëherë po ecën vërtet me Perëndinë, duke ndjekur «rrugët e kohëve më parë».

Ecni sikur ‘të shihni Atë që është i padukshëm’

14. Nëse Jehovai është real për ne, si do të pasqyrohet kjo në vendimet që marrim personalisht?

14 Që të ecim me Perëndinë Jehova, ai duhet të jetë real për ne. Mos harro, Jehovai i siguroi njerëzit besnikë në Izraelin e lashtë se nuk do t’u fshihej. Edhe sot ai i shfaqet popullit të tij si Mësuesi i Madh. A është Jehovai për ty kaq real, sa të duket sikur po qëndron para teje për të të udhëzuar? Ky është lloji i besimit që na duhet, nëse duam të ecim me Perëndinë. Moisiu kishte besim të tillë, «sepse qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm». (Hebrenjve 11:27) Nëse Jehovai është real për ne, atëherë do t’i mbajmë parasysh ndjenjat e tij, kur marrim vendime. Për shembull, as nuk do ta çojmë nëpër mend të përfshihemi në ndonjë keqbërje dhe pastaj të përpiqemi t’ua fshehim mëkatet tona pleqve të krishterë ose familjarëve tanë. Përkundrazi, përpiqemi të ecim me Perëndinë edhe kur nuk na sheh asnjë njeri tjetër. Ashtu si mbreti David në lashtësi, themi me vendosmëri: «Në shtëpinë time do të eci me një zemër me integritet.»​—Psalmi 101:2.

15. Si na ndihmon shoqërimi me vëllezërit e motrat në besim, që Jehovai të jetë edhe më real për ne?

15 Jehovai e kupton se jemi krijesa të papërsosura prej mishi dhe se nganjëherë mund ta kemi të vështirë të besojmë diçka që s’e shohim. (Psalmi 103:14) Ai bën shumë për të na ndihmuar që të kapërcejmë këtë dobësi. Për shembull, ka mbledhur «një popull për emrin e tij» nga të gjitha kombet e tokës. (Veprat 15:14) Ndërsa shërbejmë së bashku, marrim forcë nga njëri-tjetri. Kur dëgjojmë se si Jehovai e ka ndihmuar një vëlla a një motër në besim, që të kapërcejë ndonjë dobësi ose të kalojë ndonjë sprovë të vështirë, Ai bëhet edhe më real për ne.​—1 Pjetrit 5:9.

16. Si do të na ndihmojë shembulli i Jezuit që të ecim me Perëndinë?

16 Mbi të gjitha, Jehovai na ka dhënë shembullin e Birit të tij. Jezui tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Studimi i jetës së Jezuit në tokë, është një nga mënyrat më të mira që Jehovai të bëhet edhe më real për ne. Çdo gjë që tha ose që bëri Jezui, ishte pasqyrim i përkryer i personalitetit dhe i udhëve të Atit të tij qiellor. (Gjoni 14:9) Ndërsa marrim vendime, duhet të mendojmë me kujdes si do të kishte vepruar Jezui në një rast të ngjashëm. Kur vendimet tona tregojnë se kemi menduar me kujdes e në lutje për këtë, atëherë po ndjekim gjurmët e Krishtit. (1 Pjetrit 2:21) Rrjedhimisht, po ecim me Perëndinë.

Çfarë bekimesh vijnë?

17. Çfarë ‘prehjeje’ do të gjejmë për shpirtin, nëse ecim në udhën e Jehovait?

17 Kur ecim me Perëndinë Jehova, kemi shumë bekime në jetë. Mos harro atë që i premtoi Jehovai popullit të tij, nëse kërkonin ‘udhën e mirë’. Ai tha: «Ecni në të e gjeni prehje për shpirtrat tuaj.» (Jeremia 6:16) Çfarë është kjo «prehje»? Një jetë e rehatshme, e mbushur me qejfe dhe luks? Jo. Jehovai siguron diçka shumë më të mirë, diçka që rrallëherë e gjejnë edhe më të pasurit e botës. Të gjesh prehje për shpirtin do të thotë të gjesh paqe të brendshme, gëzim, kënaqësi dhe të ndihesh mirë me veten nga ana frymore. Kjo prehje do të thotë që mund të jesh i sigurt se ke zgjedhur shtegun më të mirë në jetë. Një paqe e tillë mendore është një bekim i rrallë në këtë botë të mbushur me probleme!

18. Çfarë bekimi dëshiron të të japë Jehovai, dhe cila është vendosmëria jote?

18 Sigurisht, jeta është në vetvete një bekim i madh. Edhe një udhëtim i shkurtër në të është më mirë se hiç fare. Megjithatë, Jehovai kurrë nuk kishte ndër mend që jeta për ne të ishte thjesht një udhëtim i shkurtër nga forca dhe gjallëria e rinisë në dhembjet e moshës së shkuar. Jo, Jehovai dëshiron që të kesh bekimin më të madh nga të gjithë. Ai dëshiron që të ecësh me të përgjithmonë! Kjo është shprehur mirë te Mikea 4:5: «Gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.» A dëshiron të marrësh këtë bekim? A dëshiron të jetosh «jetën e vërtetë», siç e quan në mënyrë tërheqëse Jehovai? (1 Timoteut 6:19) Atëherë, me çdo kusht, ji i vendosur të ecësh me Jehovain sot, nesër e çdo ditë që do të vijë, deri në përjetësi!

[Shënimi]

^ par. 5 Disa përkthime të Biblës e ndryshojnë fjalën «kut» në këtë varg me një njësi të matjes së kohës, për shembull «një çast» (The Emphatic Diaglott) ose «një minutë të vetme» (A Translation in the Language of the People, nga Çarls B. Uilliamsi). Mirëpo, fjala e përdorur në tekstin origjinal do të thotë me siguri kut, që ishte rreth 45 centimetra i gjatë.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë do të thotë të ecësh me Perëndinë?

• Pse mendon se duhet të ecim me Perëndinë?

• Çfarë do të të ndihmojë të ecësh me Perëndinë?

• Çfarë bekimesh kanë ata që ecin me Perëndinë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Përmes faqeve të Biblës, dëgjojmë nga prapa zërin e Jehovait që na thotë «kjo është udha»

[Figura në faqen 25]

Në mbledhje, marrim ushqim frymor në kohën e duhur