Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një ligj dashurie i shkruar në zemër

Një ligj dashurie i shkruar në zemër

Një ligj dashurie i shkruar në zemër

«Do ta vë ligjin tim brenda tyre dhe do t’ua shkruaj në zemër.»​—JEREMIA 31:33, BR.

1, 2. (a) Çfarë do të shqyrtojmë tani? (b) Si u shfaq Jehovai në malin Sinai?

NË DY artikujt e mëparshëm kemi parë se, kur Moisiu zbriti nga mali Sinai, fytyra i rrezatonte, duke pasqyruar lavdinë e Jehovait. Kemi folur edhe për velin që mbante Moisiu. Tani le të shqyrtojmë një çështje tjetër që lidhet me këto dhe që është me rëndësi për të krishterët sot.

2 Kur ishte lart në mal, Moisiu mori udhëzime nga Jehovai. Izraelitët e mbledhur përballë malit Sinai, qenë dëshmitarë të një shfaqjeje mahnitëse të vetë Perëndisë. «Pati bubullima dhe vetëtima: mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh. . . . Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre dhe tërë mali dridhej fort.»​—Eksodi (Dalja) 19:16-18.

3. Në ç’mënyrë ia dha Jehovai Dhjetë Urdhërimet Izraelit dhe çfarë arriti të kuptonte ai komb?

3 Jehovai i foli popullit me anë të një engjëlli, duke u dhënë disa urdhra, që u njohën më pas me emrin Dhjetë Urdhërimet. (Eksodi 20:1-17) Prandaj, s’kishte asnjë dyshim se këto ligje vinin nga i Plotfuqishmi. Jehovai i shkroi këto urdhërime në pllaka guri, të cilat Moisiu i theu kur pa izraelitët që po adhuronin një viç të artë. Jehovai i shkroi përsëri urdhërimet mbi pllaka guri. Kësaj here, kur Moisiu zbriti bashkë me pllakat e gurit, fytyra i rrezatonte. Tashmë të gjithë duhej ta kishin kuptuar se ato ligje kishin rëndësi të veçantë.​—Eksodi 32:15-19; 34:1, 4, 29, 30.

4. Pse kishin rëndësi të madhe Dhjetë Urdhërimet?

4 Dy pllakat mbi të cilat ishin shkruar Dhjetë Urdhërimet u vendosën në arkën e besëlidhjes, që ndodhej tek e ndara Më e Shenjtë e tabernakullit, e më vonë e tempullit. Ligjet që gjendeshin në to ishin thelbi i Ligjit të Moisiut dhe formonin bazën për mënyrën si do të sundonte Perëndia mbi kombin e Izraelit. Ishin dëshmi se Jehovai po hynte në një lidhje me një popull të veçantë, një popull të zgjedhur.

5. Si pasqyrohej dashuria e Perëndisë në ligjet që ai i dha Izraelit?

5 Ato ligje zbulonin shumë gjëra për Jehovain, e sidomos për dashurinë që kishte për popullin e tij. Ishin vërtet një dhuratë e çmuar për njerëzit që u bindeshin atyre! Një dijetar shkroi: «Asnjë sistem etik i formuluar nga njerëzit më përpara ose më pas . . . as u afrohet, e jo më të jetë i barabartë ose t’ua kalojë këtyre dhjetë urdhërimeve të Perëndisë.» Në lidhje me Ligjin e Moisiut në tërësi, Jehovai tha: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja. Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.»​—Eksodi 19:5, 6.

Një ligj i shkruar në zemër

6. Cili ligj tregoi qartë se kishte më shumë vlerë se ligjet e shkruara në gur?

6 Vërtet, ato ligje hyjnore kishin shumë vlerë. Por, a e dini se të krishterët e mirosur kanë diçka shumë më të vlefshme sesa ligjet e shkruara në gur? Jehovai paratha se do të bënte një besëlidhje të re, të ndryshme nga besëlidhja e Ligjit që kishte bërë me kombin e Izraelit. «Do ta vë ligjin tim brenda tyre dhe do t’ua shkruaj në zemër.» (Jeremia 31:31-34, BR) Vetë Jezui, Ndërmjetësi i besëlidhjes së re, nuk u dha ithtarëve të tij ndonjë kod të shkruar ligjor. Ai ua nguliti në mendje e në zemër ligjin e Jehovait dishepujve të vet, me gjërat që tha e që bëri.

7. Kujt iu dha fillimisht ‘ligji i Krishtit’ dhe kush tjetër e pranoi më vonë?

7 Ky ligj quhet ‘ligji i Krishtit’. Nuk iu dha kombit natyror të Izraelit, pasardhësve të Jakobit, por një kombi frymor, ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 6:2, 16; Romakëve 2:28, 29) Izraeli i Perëndisë është i përbërë nga të krishterë të mirosur me frymën e shenjtë. Me kalimin e kohës, me ta u bashkua «një shumicë e madhe» nga të gjitha kombet, që duan gjithashtu të adhurojnë Jehovain. (Zbulesa 7:9, 10; Zakaria 8:23) Si «një kope e vetme nën një bari të vetëm», që të dyja grupet e pranojnë «ligjin e Krishtit», duke lejuar që t’i drejtojë në gjithçka që bëjnë.​—Gjoni 10:16.

8. Cili ishte një ndryshim ndërmjet Ligjit të Moisiut dhe ligjit të Krishtit?

8 Ndryshe nga izraelitët natyrorë, të cilët ishin nën Ligjin e Moisiut që kur lindnin, të krishterët qëndrojnë me dëshirën e tyre nën ligjin e Krishtit, kurse faktorët e tjerë, si raca dhe vendi i lindjes, janë të parëndësishëm. Ata mësojnë për Jehovain e për udhët e tij dhe kanë dëshirë të bëjnë vullnetin e tij. Ngaqë e kanë ligjin e Perëndisë «brenda tyre», si ta kishin të shkruar «në zemër», të krishterët e mirosur nuk i binden Atij vetëm ngaqë ka fuqinë për të ndëshkuar atë që s’bindet. As i binden vetëm nga ndjenja e detyrës. Bindja e tyre është e rrënjosur në diçka më themelore dhe shumë më të fuqishme. Po ashtu, edhe delet e tjera binden sepse e kanë në zemër ligjin e Perëndisë.

Ligje të bazuara te dashuria

9. Si tregoi Jezui se dashuria ishte thelbi i ligjeve të Jehovait?

9 Thelbi i të gjitha ligjeve dhe urdhrave të Jehovait mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: dashuri. Kjo ka qenë dhe do të jetë gjithnjë pjesë thelbësore e adhurimit të pastër. Kur e pyetën cili ishte urdhërimi më i madh i Ligjit, Jezui u përgjigj: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» Urdhërimi i dytë ishte: «Duhet ta duash të afërmin si vetveten.» Pastaj tha: «Në këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.» (Mateu 22:35-40) Pra, Jezui tregoi se, jo vetëm Ligji me Dhjetë Urdhërimet, por gjithë Shkrimet Hebraike, ishin të bazuara te dashuria.

10. Si e dimë që dashuria është thelbësore në ligjin e Krishtit?

10 A është dashuria për Perëndinë e për të afërmin thelbësore edhe për ligjin që kanë në zemër të krishterët? Patjetër që po! Ligji i Krishtit përfshin dashurinë me gjithë zemër për Perëndinë, por edhe një urdhërim të ri: të krishterët duhet të kenë dashuri vetëmohuese për njëri-tjetrin. Duhet të duan siç deshi Jezui, i cili, me dëshirë, dha jetën për miqtë e tij. Ai i mësoi dishepujt ta duan Perëndinë dhe të duan njëri-tjetrin, ashtu siç i deshi ai. Dashuria e jashtëzakonshme që tregojnë të krishterët e vërtetë për njëri-tjetrin, është cilësia kryesore që i identifikon. (Gjoni 13:34, 35; 15:12, 13) Jezui madje i udhëzoi të donin edhe armiqtë e tyre.​—Mateu 5:44.

11. Si tregoi Jezui dashuri për Perëndinë dhe për njerëzit?

11 Jezui la shembullin e përsosur në shfaqjen e dashurisë. Kur ishte një krijesë e fuqishme në qiell, ai e pranoi me kënaqësi mundësinë për të çuar përpara interesat e Atit të tij në tokë. Përveçse dha jetën e tij njerëzore që të tjerët të jetonin përgjithmonë, ai u tregoi në praktikë njerëzve se si duhej të jetonin. Ishte i përulur, i dashur dhe tregonte konsideratë, duke ndihmuar ata që ishin të rënduar e të shtypur. Gjithashtu tha «fjalë jete të përhershme», duke i ndihmuar pa u lodhur të tjerët që të njihnin Jehovain.​—Gjoni 6:68.

12. Pse mund të themi se dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin janë shumë të ndërthurura me njëra-tjetrën?

12 Në fakt, dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin janë shumë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Apostulli Gjon tha: «Dashuria është nga Perëndia. . . . Nëse ndokush deklaron: ‘Unë e dua Perëndinë’, mirëpo urren vëllanë e tij, ai është gënjeshtar. Sepse ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e ka parë, nuk mund të dojë Perëndinë, të cilin nuk e ka parë.» (1 Gjonit 4:7, 20) Jehovai është burimi dhe personifikimi i dashurisë. Çdo gjë që bën ai, është e motivuar nga dashuria. Ne tregojmë dashuri sepse jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:27) Duke u treguar dashuri njerëzve të tjerë, tregojmë dashurinë që kemi për Perëndinë.

Të duash do të thotë të bindesh

13. Çfarë duhet të bëjmë së pari, që të zhvillojmë dashurinë për Perëndinë?

13 Si mund ta duam Perëndinë, të cilin nuk e shohim? Hapi i parë thelbësor është ta njohim. Një të panjohur nuk mund ta duam me të vërtetë ose t’i besojmë. Kështu, Fjala e Perëndisë na nxit që ta njohim Perëndinë duke lexuar Biblën, duke u lutur dhe duke u shoqëruar me ata që tashmë e njohin dhe e duan atë. (Psalmi 1:1, 2; Filipianëve 4:6; Hebrenjve 10:25) Katër ungjijtë janë sidomos me vlerë, sepse zbulojnë personalitetin e Jehovait, të pasqyruar në jetën e në shërbimin e Jezu Krishtit. Dëshira jonë për t’iu bindur Perëndisë dhe për të imituar personalitetin e tij bëhet edhe më e fortë kur e njohim si person dhe vlerësojmë dashurinë që ka treguar për ne. Pra, dashuria për Perëndinë përfshin bindjen.

14. Pse mund të themi që ligjet e Perëndisë nuk janë të rënda?

14 Kur e duam dikë, e dimë mirë se çfarë pëlqen e çfarë jo, dhe sillemi në përputhje me këtë. Nuk dëshirojmë t’i mërzitim ata që i duam. «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda»,​—tha apostulli Gjon. (1 Gjonit 5:3) Ato nuk janë të rënda dhe as të shumta. Udhën tonë në jetë e drejton dashuria. Ne s’kemi nevojë të mësojmë përmendësh ndonjë kod të madh me rregulla që të na drejtojnë në çdo veprim; është dashuria për Perëndinë që na drejton. Në qoftë se e duam Perëndinë, për ne është një kënaqësi të bëjmë vullnetin e tij. Kështu fitojmë miratimin e Perëndisë dhe nxjerrim dobi për vete, pasi drejtimi i tij është gjithnjë për të mirën tonë.​—Isaia 48:17.

15. Çfarë do të na shtyjë që të imitojmë Jehovain? Shpjegoni.

15 Dashuria për Perëndinë na shtyn të imitojmë cilësitë e tij. Kur e duam një njeri, i admirojmë cilësitë e tij dhe përpiqemi të jemi si ai. Të shqyrtojmë lidhjen që ekzistonte ndërmjet Jehovait dhe Jezuit. Ata kanë qenë bashkë në qiell ndoshta për miliarda e miliarda vjet. Kishin një dashuri të thellë e të pastër për njëri-tjetrin. Jezui i ngjante Atit të tij qiellor në mënyrë kaq të përkryer, saqë u tha dishepujve të tij: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Ndërsa shtojmë njohurinë dhe vlerësimin për Jehovain dhe për Birin e tij, nxitemi që të jemi si ata. Dashuria për Jehovain, si edhe ndihma e frymës së shenjtë, do të na japin mundësi ‘të zhveshim personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe të veshim personalitetin e ri’.​—Kolosianëve 3:9, 10; Galatasve 5:22, 23.

Dashuria në veprim

16. Si e tregojmë dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin me veprën e predikimit dhe të mësimdhënies?

16 Si të krishterë, dashuria për Perëndinë e për të afërmin na motivon që të marrim pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Duke vepruar kështu, kënaqim Perëndinë Jehova, «vullneti i të cilit është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:3, 4) Në këtë mënyrë, gjejmë edhe vetë gëzim, duke ndihmuar të tjerët që ta kenë ligjin e Krishtit të shkruar në zemër. Gjithashtu, kënaqemi kur vërejmë si e ndryshojnë personalitetin, për të pasqyruar cilësitë e mrekullueshme të Jehovait. (2 Korintasve 3:18) Në të vërtetë, ndihma që u japim të tjerëve për të njohur Perëndinë është dhurata më e çmuar që mund t’u bëjmë. Ata që e pranojnë miqësinë e Jehovait, mund ta kenë këtë miqësi për gjithë përjetësinë.

17. Pse është e mençur të zhvillojmë dashuri për Perëndinë dhe për të tjerët, dhe jo për gjërat materiale?

17 Jetojmë në një botë që i vlerëson shumë, e madje i dëshiron, gjërat materiale. Megjithatë, gjërat materiale nuk rrojnë përgjithmonë. Ato mund t’i vjedhin ose mund të prishen. (Mateu 6:19) Bibla na paralajmëron: «Bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:16, 17) Po, Jehovai do të jetë përgjithmonë, e po kështu edhe ata që e duan e që i shërbejnë. Rrjedhimisht, a nuk është më e arsyeshme të zhvillojmë dashuri për Perëndinë e për njerëzit, në vend që të ndjekim gjërat e botës, që s’janë veçse të përkohshme?

18. Si tregoi dashuri vetëmohuese një misionare?

18 Ata që shfaqin dashuri, i sjellin lavdi Jehovait. Të shohim përvojën e Sonjës, një misionare në Senegal. Ajo studioi Biblën me një grua që quhej Hajdi, e cila mori virusin e HIV-it nga i shoqi jobesimtar. Pasi i vdiq i shoqi, Hajdi u pagëzua, por s’kaloi shumë dhe shëndeti filloi t’i keqësohej, prandaj e shtruan në spital me SIDA. Sonja tregon: «Personeli i spitalit bëri aq sa mundi, po ishin pak në numër. Atëherë në kongregacion u kërkuan vullnetarë që të kujdeseshin për nevojat e saj në spital. Natën e dytë që ajo ishte në spital, ndenja përtokë në një rrugicë pranë shtratit të saj dhe u kujdesa për të derisa vdiq. Mjeku i rojës tha: ‘Problemi më i madh për ne është se të afërmit i braktisin të sëmurët, kur marrin vesh se janë me SIDA. Si ka mundësi që ti, edhe pse s’e ke të afërme, nuk je nga ky vend e madje s’ke as të njëjtën ngjyrë të lëkurës, pranon ta vësh veten në rrezik?’ I shpjegova se unë e konsideroja vërtet motër Hajdin, njësoj sikur të na kishte bërë një baba e një nënë. Pasi kisha gjetur këtë motër të re, ishte një kënaqësi të kujdesesha për të.» Faktikisht, asnjë dëm s’i erdhi Sonjës ngaqë i qëndroi afër Hajdit dhe u kujdes për të me dashuri.

19. Çfarë duhet të bëjmë, duke e pasur ligjin e Perëndisë të shkruar në zemër?

19 Mes shërbëtorëve të Jehovait mund të gjejmë shumë shembuj të dashurisë vetëmohuese. Sot, popullin e Perëndisë nuk e identifikon ndonjë kod ligjor i shkruar. Në vend të kësaj, ne shohim përmbushjen e asaj që shkruhet te Hebrenjve 8:10: «‘Kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve’,​—thotë Jehovai.​—‘Do t’i vë ligjet e mia në mendjen e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre. Dhe unë do të bëhem Perëndia i tyre e ata do të bëhen populli im.’» Le ta çmojmë gjithnjë ligjin e dashurisë që Jehovai ka shkruar në zemrën tonë, duke përfituar nga çdo mundësi për të shfaqur dashuri.

20. Pse ligji i Krishtit është diçka shumë e çmuar?

20 Sa bukur është t’i shërbejmë Perëndisë përkrah një vëllazërie mbarëbotërore që shfaq këtë dashuri! Ata që e kanë ligjin e Krishtit në zemër, zotërojnë një gjë shumë të çmuar në këtë botë pa dashuri. Jo vetëm që kanë dashurinë e Jehovait, por kënaqen edhe me lidhjen e fortë të dashurisë që kanë në vëllazërinë e tyre. «Ja, sa e mirë dhe sa e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!» Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait gjenden në shumë kombe, flasin gjuhë të ndryshme dhe vijnë nga kultura të shumta, kanë një unitet fetar që s’ka të dytë. Ky unitet sjell miratimin e Jehovait. Psalmisti shkroi: «Atje [mes popullit që është i bashkuar në dashuri] Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.»​—Psalmi 133:1-3.

A mund të përgjigjeni?

• Sa të rëndësishme ishin Dhjetë Urdhërimet?

• Çfarë është ligji i shkruar në zemrën e njerëzve?

• Ç’rol luan dashuria në ‘ligjin e Krishtit’?

• Në cilat mënyra shfaqim dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 25]

Izraelitët i kishin ligjet të shkruara në pllaka guri

[Figurat në faqen 26]

Të krishterët e kanë ligjin e Perëndisë në zemër

[Figura në faqen 28]

Sonja me një vajzë senegaleze në kongresin krahinor të 2004-ës