Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është udhëheqësi i duhur për sot?

Kush është udhëheqësi i duhur për sot?

Kush është udhëheqësi i duhur për sot?

Në vitin 1940, në parlamentin britanik kishte një krizë në qeverisje. Dejvid Llojd Xhorxhi, një 77-vjeçar që dëgjoi debatin, e kishte udhëhequr Britaninë drejt fitores gjatë Luftës I Botërore. Ai kishte shumë vjet që merrej me politikë, prandaj dinte ta vlerësonte objektivisht punën e zyrtarëve të lartë. Më 8 maj të atij viti, gjatë një fjalimi që mbajti në parlament, ai tha: «Kombi është gati të bëjë çdo sakrificë, në qoftë se ka dikë që ta udhëheqë, në qoftë se qeveria e tregon qartë çfarë synimesh ka dhe në qoftë se është i sigurt se ata që e udhëheqin po bëjnë më të mirën.»

FJALËT e Llojd Xhorxhit tregojnë më së miri se njerëzit presin nga udhëheqësit e tyre që të jenë të aftë dhe të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’i përmirësuar gjërat. Një punonjëse në një fushatë zgjedhore u shpreh kështu: «Kur njerëzit votojnë për një president, po ia japin votën dikujt të cilit po i besojnë jetën, të ardhmen dhe fëmijët e tyre.» Të ruash këtë mirëbesim është një angazhim jashtëzakonisht i madh. Përse?

Bota është plot me probleme për të cilat duket se s’ka zgjidhje. Për shembull, cili udhëheqës është kaq i mençur e kaq i fuqishëm sa të çrrënjosë luftën dhe krimet? Cili nga udhëheqësit e sotëm ka mundësitë dhe dhembshurinë e duhur për t’i dhënë çdo njeriu ushqim, ujë të pastër dhe kujdes shëndetësor? Cili ka njohurinë dhe vendosmërinë për ta mbrojtur e për ta përmirësuar mjedisin? Cili është aq i aftë dhe i fuqishëm sa t’i sigurojë njerëzimit një jetë të gjatë e të lumtur?

Njerëzit s’janë të aftë për këtë punë

Është e vërtetë se disa udhëheqës kanë arritur njëfarë suksesi. Por, shumë-shumë ata mund ta kenë këtë për disa dhjetëvjeçarë. Pastaj, kush vjen pas tyre? Një nga udhëheqësit më të aftë që ka jetuar, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, e mendoi këtë pyetje. Ja çfarë përfundimi nxori: «Kështu kam urryer çdo mundim që kam kryer nën diell, sepse duhet t’i lë të gjitha atij që do të vijë pas meje. Dhe kush e di nëse do të jetë i urtë ose budalla? Sidoqoftë ai do të jetë zot i gjithë punës që kam kryer me mund dhe për të cilën kam përdorur diturinë nën diell. Edhe kjo është kotësi.»​—Predikuesi 2:18, 19.

Solomoni nuk e dinte nëse pasardhësi i tij do ta vazhdonte punën e mirë që kishte bërë ai apo do ta prishte. Për Solomonin, zëvendësimi i vazhdueshëm i sundimtarëve të vjetër me të rinj ishte «kotësi». Një përkthim tjetër i Biblës thotë: «S’ka kuptim.»

Nganjëherë, për t’i ndërruar sundimtarët është përdorur dhunë. Udhëheqës të aftë i kanë vrarë ndërsa ishin në detyrë. Një herë, Abraham Linkolni, një president i Shteteve të Bashkuara që vlerësohej shumë, tha para një auditori: «Jam zgjedhur që të përmbush një rol të rëndësishëm për një kohë të shkurtër dhe tani, para jush, më është dhënë një pushtet që shumë shpejt do të përfundojë.» E në fakt, qëndrimi i tij në detyrë ishte vërtet i shkurtër. Sado që bëri shumë dhe kishte dëshirë të bënte edhe më shumë për popullin, presidenti Linkoln arriti ta udhëhiqte vendin e tij vetëm katër vjet. Sapo filloi detyrën, pasi e zgjodhën për herë të dytë si president, ai u vra nga një njeri që donte ndryshimin e qeverisjes.

As udhëheqësit më të mirë njerëzorë s’janë të sigurt për të ardhmen e tyre. Atëherë, a duhet t’u lësh në dorë të ardhmen tënde? Bibla thotë: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.» Përkthimi Byington e shpreh kështu pjesën e fundit të vargut 4: «Atë ditë, synimet e tij të mira humbasin krejt.»​—Psalmi 146:3, 4.

Këshilla për të mos u besuar udhëheqësve njerëzorë mund të jetë e vështirë për t’u pranuar. Por Bibla nuk thotë se njerëzimi s’do të ketë kurrë një udhëheqës të mirë e të qëndrueshëm. Isaia 32:1 thotë: «Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi.» Perëndia Jehova, Krijuesi i njeriut, ka përgatitur «një mbret», një Udhëheqës, që së shpejti do t’i marrë në kontroll të gjitha çështjet në tokë. Kush është ky? Profecitë biblike e identifikojnë.

Ai që është vërtet i kualifikuar për të udhëhequr

Dy mijë vjet më parë një engjëll i tha Marisë, një gruaje judeje: «Ti do të ngjizesh në barkun tënd e do të lindësh një bir dhe ke për t’ia vënë emrin Jezu. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit; dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij, dhe ai do të sundojë si mbret përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:31-33) Po, Jezui i Nazaretit është Mbreti për të cilin flasin profecitë biblike.

Nëpër vepra arti fetare Jezui shpesh paraqitet si një foshnjë, si një njeri i dobët e i kequshqyer ose si një asket, që i nënshtrohet çfarëdo gjëje pa bërë zë. Këto pamje nuk të japin siguri tek ai si Sundimtar. Mirëpo, Jezu Krishti i vërtetë, i përshkruar në Bibël, u rrit, u bë një burrë i fuqishëm e i pjekur, plot zell dhe iniciativë. Kishte edhe cilësi të tjera që e kualifikonin si udhëheqës. (Luka 2:52) Ja disa nga tiparet e personalitetit të tij të mrekullueshëm.

Jezui tregoi ndershmëri të përsosur. Sjellja e tij ishte kaq e ndershme dhe e drejtë, saqë në sy të të gjithëve ai i sfidoi armiqtë që të nxirnin ndonjë akuzë të vlefshme kundër tij. Por, s’gjetën asnjë akuzë të tillë. (Gjoni 8:46) Mësimet e vërteta që dha, bindën shumë njerëz të sinqertë të bëheshin ithtarë të tij.​—Gjoni 7:46; 8:28-30; 12:19.

Jezui i ishte kushtuar plotësisht Perëndisë. Ishte kaq i vendosur ta përfundonte veprën që i kishte caktuar Perëndia, saqë s’e ndalte dot asnjë kundërshtar, njeri ose demon të ishte. Nuk e frikësuan sulmet e dhunshme. (Luka 4:28-30) Nuk e shkurajuan lodhja dhe uria. (Gjoni 4:5-16, 31-34) Edhe pse shokët e braktisën, nuk hoqi dorë kurrë nga synimi i tij.​—Mateu 26:55, 56; Gjoni 18:3-9.

Jezui interesohej thellësisht për njerëzit. U siguroi ushqim të uriturve. (Gjoni 6:10, 11) Ngushëlloi të dëshpëruarit. (Luka 7:11-15) U ktheu shikimin, dëgjimin dhe shëndetin atyre që ishin të sëmurë. (Mateu 12:22; Luka 8:43-48; Gjoni 9:1-6) U tha fjalë inkurajuese apostujve të tij të palodhur. (Gjoni, kapitujt 13-17) Ishte vërtet «bariu i shkëlqyer», që kujdesej për delet e tij.​—Gjoni 10:11-14.

Jezui ishte i gatshëm për të punuar. U lau këmbët apostujve për t’u dhënë një mësim të rëndësishëm. (Gjoni 13:4-15) Predikoi lajmin e mirë nëpër rrugët tërë pluhur të Izraelit. (Luka 8:1) Edhe kur kishte ndër mend të pushonte pak në «një vend të vetmuar», ua plotësoi kërkesën turmave që e kërkonin sepse donin të dëgjonin mësimet e tij. (Marku 6:30-34) Në këtë mënyrë la një shembull për të gjithë të krishterët për sa i përket zellit dhe papërtueshmërisë.​—1 Gjonit 2:6.

Jezui e mbaroi caktimin e tij në tokë dhe u ngjit në qiell. Si shpërblim për besnikërinë që tregoi, Perëndia Jehova i dha pozitën si mbret dhe jetën e pavdekshme në qiell. Bibla thotë për Jezuin e ringjallur: «Krishti, tani që është ngritur nga të vdekurit, nuk vdes më; vdekja nuk është më zot mbi të.» (Romakëve 6:9) Mund të jemi të sigurt se ai është Udhëheqësi më i mirë për njerëzimin. Kur Krishti Jezu të marrë plotësisht në kontroll çdo gjë në tokë, nuk do të ketë nevojë të zgjedhim dikë tjetër për të na drejtuar, as nuk do të ketë më nevojë të ndryshohet udhëheqja. Ai nuk do të hiqet kurrë ndërsa është në detyrë, dhe vepra që do të bëjë nuk do të shkatërrohet nga ndonjë pasardhës i paaftë. Por, çfarë do të bëjë ai në mënyrë specifike për njerëzimin?

Çfarë do të bëjë ky udhëheqës i ri?

Psalmi 72 na jep disa hollësi profetike se si do të sundojë ky Mbret i përsosur e i pavdekshëm. Në Ps 72 vargjet 7 dhe 8 lexojmë: «Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë. Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.» Gjatë sundimit të tij dobiprurës, banorët e tokës do të jenë të sigurt përgjithmonë. Ai do t’i shkatërrojë gjithë armët që ekzistojnë e do të çrrënjosë dëshirën për konflikte nga zemra e njerëzve. Ata njerëz që sot sulmojnë njëri-tjetrin, si të ishin luanë të egër, ose që sillen vrazhdë me të tjerët, si të ishin arinj, do të kenë ndryshuar krejt personalitetin. (Isaia 11:1-9) Do të ketë paqe me bollëk.

Psalmin 72, te vargjet 12 deri 14, thuhet më tej: «Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.» Të varfrit, nevojtarët dhe të shtypurit do të bëhen pjesë e një familjeje të lumtur njerëzore, të bashkuar nën udhëheqjen e mbretit Jezu Krisht. Jeta e tyre do të jetë e mbushur plot me gëzim, jo me dhembje e dëshpërim.​—Isaia 35:10.

Ps 72 vargun 16 premtohet: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve.» Miliona njerëz sot në tokë vuajnë vazhdimisht nga uria. Shpesh politika dhe lakmia pengojnë shpërndarjen e drejtë të ushqimit i cili është më se i mjaftueshëm, kështu që shumë njerëz, e sidomos fëmijë, vdesin urie. Por, nën sundimin e Jezu Krishtit, ky problem do të zhduket. Toka do të bekohet me të korra të mbara dhe me ushqime të shijshme. I gjithë njerëzimi do të ushqehet mirë.

A do të doje t’i gëzoje bekimet që vijnë nga kjo udhëheqje e mirë? Nëse po, të inkurajojmë të mësosh për Udhëheqësin që së shpejti do të ushtrojë kontroll të plotë mbi tokën. Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi për të mësuar më shumë për të. Nuk do të zhgënjehesh, sepse vetë Perëndia Jehova thotë për Birin e tij: «E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.»​—Psalmi 2:6.

[Kutia në faqen 5]

HUMBJE E PAPRITUR E PUSHTETIT

Në përgjithësi, në qoftë se një udhëheqës u sjell njëfarë paqeje dhe u siguron kushte të mira jetese nënshtetasve të tij, mund të jetë i sigurt se ata do ta respektojnë e do ta mbështetin. Mirëpo, në qoftë se për ndonjë arsye populli e humbet sigurinë që ka tek ai, shumë shpejt kolltukun mund t’ia zërë dikush tjetër. Ja disa shembuj të situatave që hoqën papritur nga pushteti sundimtarë të fuqishëm.

Kushte të këqija jetese. Aty nga fundi i shekullit të 18-të, shumë francezë ishin të detyruar që nga njëra anë të paguanin shumë taksa të rënda, e nga ana tjetër nuk kishin ushqim për të ngrënë. Këto kushte sollën si pasojë Revolucionin Francez dhe në vitin 1793, mbretin Luigji XVI e dënuan me vdekje në gijotinë.

Lufta. Lufta I Botërore solli fundin e sundimit të disa prej perandorëve më të fuqishëm në histori. Për shembull, në vitin 1917, një zi buke në Shën-Pjetërburg, Rusi, e shkaktuar nga lufta, solli si pasojë Revolucionin e Shkurtit. Kjo kryengritje hoqi nga froni carin Nikolla II dhe solli regjimin komunist. Në nëntor të vitit 1918, Gjermania donte paqe, por Aleatët nuk kishin ndër mend ta pushonin luftën, derisa të kishte ndryshime në udhëheqje. Si pasojë, perandori gjerman Vilhelmi II u detyrua të shkonte në mërgim në Holandë.

Dëshira për sisteme të ndryshme qeverisjeje. Në vitin 1989 u hoq Perdja e Hekurt. Regjime që dukeshin të forta shkëmb u thërrmuan, kur nënshtetasit e tyre hodhën poshtë komunizmin dhe vendosën sisteme të ndryshme qeverisjeje.

[Figurat në faqen 7]

Jezui ushqeu të uriturit, shëroi të sëmurët dhe la një shembull të shkëlqyer për gjithë të krishterët

[Burimi i figurës në faqen 4]

Llojd Xhorxhi: Fotografi nga Kurt Hutton/Picture Post/Getty Images