Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Populli i Perëndisë duhet ta dojë mirëdashjen

Populli i Perëndisë duhet ta dojë mirëdashjen

Populli i Perëndisë duhet ta dojë mirëdashjen

«Çfarë kërkon në këmbim Jehovai prej teje, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»​—MIKEA 6:8, BR.

1, 2. (a) Pse nuk habitemi që Jehovai pret që populli i tij të shfaqë mirëdashje? (b) Cilat pyetje rreth mirëdashjes meritojnë të shqyrtohen?

JEHOVAI është Perëndi i mirëdashjes. (Romakëve 2:4; 11:22) Sa mirënjohës duhet të ketë qenë për këtë çifti i parë, Adami dhe Eva! Në kopshtin e Edenit ata ishin të rrethuar nga krijesa që dëshmonin për mirëdashjen e Perëndisë ndaj njerëzve të cilët mund të kënaqeshin me to. Dhe Perëndia vazhdon të tregohet mirëdashës ndaj të gjithëve, madje edhe ndaj njerëzve mosmirënjohës dhe të ligj.

2 Meqë janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, njerëzit kanë aftësinë për të pasqyruar cilësitë e tij. (Zanafilla 1:26) Prandaj nuk habitemi që Jehovai pret që të shfaqim mirëdashje. Siç thuhet te Mikea 6:8, populli i Perëndisë ‘duhet ta dojë mirëdashjen’. Por, çfarë është mirëdashja? Si lidhet me cilësitë e tjera hyjnore? Meqë njerëzit janë në gjendje të shfaqin mirëdashje, pse bota është kaq mizore dhe e egër? Pse si të krishterë duhet të përpiqemi të shfaqim mirëdashje në marrëdhëniet me të tjerët?

Çfarë është mirëdashja?

3. Si do ta përshkruanit mirëdashjen?

3 Mirëdashja tregohet duke shfaqur interes të vërtetë për mirëqenien e të tjerëve. Shfaqet me anë të veprave të dobishme dhe të fjalëve që tregojnë kujdes të dashur për tjetrin. Të jesh mirëdashës do të thotë të bësh të mirën, në vend që të bësh ndonjë gjë të dëmshme. Një njeri mirëdashës është miqësor, i njerëzishëm, i ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve dhe i përzemërt. Ai është bujar dhe tregon kujdes të dashur për të tjerët. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë.» (Kolosianëve 3:12) Mirëdashja, pra, është pjesë e veshjes së figurshme të çdo të krishteri të vërtetë.

4. Pse mund të themi që Jehovai shfaqi i pari mirëdashje ndaj njerëzimit?

4 Perëndia Jehova shfaqi mirëdashje i pari. Siç e tha Pavli, ishte pikërisht kur «u shfaq mirëdashja dhe dashuria për njeriun nga ana e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë», që «ai na shpëtoi . . . nëpërmjet larjes që na solli në jetë dhe nëpërmjet rinimit tonë me anë të frymës së shenjtë». (Titit 3:4, 5) Perëndia i ‘lan’ ose i pastron në gjakun e Jezuit të krishterët e mirosur, duke përdorur vlerën e flijimit shpërblyes të Krishtit në dobi të tyre. Gjithashtu, ata rinohen nëpërmjet frymës së shenjtë, duke u bërë «një krijesë e re» si bij të Perëndisë të lindur nga fryma. (2 Korintasve 5:17) Mirëdashja dhe dashuria e Perëndisë shfaqet edhe ndaj ‘një shumice të madhe’, pjesëtarët e së cilës i «kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit».​—Zbulesa 7:9, 14; 1 Gjonit 2:1, 2.

5. Pse duhet të shfaqin mirëdashje ata që udhëhiqen nga fryma e Perëndisë?

5 Mirëdashja është gjithashtu pjesë e frytit të frymës së shenjtë ose forcës vepruese të Perëndisë. Pavli tha: «Fryti i frymës është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.» (Galatasve 5:22, 23) Atëherë, a nuk duhet që ata që udhëhiqen nga fryma e Perëndisë të shfaqin mirëdashje ndaj të tjerëve?

Mirëdashja e vërtetë nuk është një dobësi

6. Kur mirëdashja është një dobësi dhe pse?

6 Disa njerëz e shohin mirëdashjen si një dobësi. Ata mendojnë se një njeri duhet të jetë i sertë, madje i ashpër ndonjëherë, që të tjerët të kuptojnë se është i fortë. Por, në fakt kërkohet vërtet forcë të jesh mirëdashës dhe të mos shfaqësh pa vend mirëdashje. Meqë mirëdashja e vërtetë është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë, ajo nuk mund të jetë një qëndrim i dobët dhe që mbyll sytë para sjelljes së gabuar. Nga ana tjetër të shfaqësh pa vend mirëdashje është një dobësi që e bën dikë të tolerojë keqbërjen.

7. (a) Si tregoi Eli se ishte tolerues? (b) Pse pleqtë duhet të kenë kujdes që të mos shfaqin pa vend mirëdashje?

7 Të marrim për shembull kryepriftin e Izraelit, Elin. Ai u tregua tolerues në disiplinimin e bijve të tij, Hofnit dhe Finehasit, të cilët shërbenin si priftërinj në tabernakull. Bijtë e Elit nuk ishin të kënaqur me atë pjesë të flijimit që duhej të merrnin sipas Ligjit të Perëndisë. Kështu ata i thoshin një shërbëtori që, përpara se të digjej mbi altar dhjami i flijimit që sillte një individ, t’i kërkonte këtij mish të gjallë nga kafsha që po ofrohej. Përveç kësaj, djemtë e Elit kryenin marrëdhënie imorale me gratë që shërbenin në hyrjen e tabernakullit. Por në vend që t’i shkarkonte nga detyra e tyre Hofnin dhe Finehasin, Eli vetëm sa i qortonte me butësi. (1 Samuelit 2:12-29) Nuk ishte për t’u habitur që «fjala e Zotit ishte e rrallë në ato ditë». (1 Samuelit 3:1) Pleqtë e krishterë duhet të kenë kujdes që të mos dorëzohen dhe të shfaqin pa vend mirëdashje ndaj keqbërësve që mund të vënë në rrezik gjendjen frymore të kongregacionit. Mirëdashja e vërtetë nuk është e verbër përpara fjalëve dhe veprave që janë në kundërshtim me normat e Perëndisë.

8. Si shfaqi Jezui mirëdashje të vërtetë?

8 Jezu Krishti, Shembulli ynë, nuk shfaqi asnjëherë pa vend mirëdashje. Ai ishte shembulli më i mirë i mirëdashjes së vërtetë. Për shembull, ‘ai ndjeu përzemërsi të butë për njerëzit, sepse ishin të keqtrajtuar dhe të hallakatur si dele pa bari’. Njerëzit e sinqertë ndiheshin të lirshëm për t’iu afruar Jezuit, duke i sjellë madje fëmijët e tyre tek ai. Mendoni për mirëdashjen dhe dhembshurinë që shfaqi ai teksa «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte»! (Mateu 9:36; Marku 10:13-16) Edhe pse Jezui ishte mirëdashës, prapëseprapë ai nuk bëri kompromis me atë që ishte e drejtë në sytë e Atit të tij qiellor. Jezui kurrë nuk e toleroi të ligën; me guximin që i dha Perëndia, ai i denoncoi udhëheqësit fetarë si hipokritë. Siç vihet re te Mateu 23:13-26, disa herë ai shpalli: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë!»

Mirëdashja dhe cilësitë e tjera hyjnore

9. Si lidhet mirëdashja me shpirtgjerësinë dhe me mirësinë?

9 Mirëdashja lidhet me cilësitë e tjera që prodhon fryma e Perëndisë. Mirëdashja radhitet midis ‘shpirtgjerësisë’ dhe ‘mirësisë’. Po, individi që kultivon mirëdashje e shfaq këtë cilësi duke qenë shpirtgjerë. Ai është i durueshëm madje edhe me njerëzit keqdashës. Mirëdashja lidhet me mirësinë në kuptimin që ajo shfaqet shpesh me vepra të dobishme për të mirën e të tjerëve. Disa herë fjala greke e përdorur në Bibël për «mirëdashje» mund të përkthehet «mirësi». Të krishterët e hershëm shfaqnin mirëdashje. Prandaj paganët habiteshin kaq shumë me ta, saqë, sipas Tertulianit, i quanin këta ithtarë të Jezuit ‘njerëzit e mirëdashjes’.

10. Si lidhet mirëdashja me dashurinë?

10 Mirëdashja lidhet edhe me dashurinë. Jezui tha për ithtarët e tij: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Ndërsa në lidhje me këtë dashuri, Pavli tha: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse.» (1 Korintasve 13:4) Fjala mirëdashje përdoret shpesh në Shkrime e lidhur me fjalën dashuri. Në këtë rast, ajo tregon një lloj mirëdashjeje që buron nga një dashuri besnike. Emri hebraik që përdoret për këtë lloj mirëdashjeje nënkupton më shumë sesa përzemërsi të butë. Ajo është një mirëdashje që i përmbahet me dashuri një synimi derisa ta arrijë atë. Mirëdashja ose dashuria besnike e Jehovait shfaqet në mënyra të ndryshme. Për shembull, ajo shihet në veprat e tij çliruese dhe mbrojtëse.​—Psalmi 6:4; 40:11; 143:12.

11. Çfarë sigurie na jep mirëdashja ose dashuria besnike e Perëndisë?

11 Mirëdashja e Jehovait i tërheq njerëzit drejt tij. (Jeremia 31:3) Kur shërbëtorët besnikë të Perëndisë kanë nevojë për çlirim ose për ndihmë, ata e dinë se ai do të shfaqë vërtet dashuri besnike ndaj tyre. Kjo dashuri besnike nuk do t’i zhgënjejë ata. Prandaj, me besim të plotë, ata mund të luten si psalmisti i cili tha: «Unë kam besim në mirësinë [mirëdashjen, BR] tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd.» (Psalmi 13:5) Meqë dashuria e Perëndisë është besnike, shërbëtorët e tij mund të besojnë plotësisht tek ai. Ata kanë këtë siguri: «Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.»​—Psalmi 94:14.

Pse bota është kaq mizore?

12. Kur filloi sundimi shtypës? Si filloi ai?

12 Përgjigjja e kësaj pyetjeje ka të bëjë me atë që ndodhi në kopshtin e Edenit. Në fillimet e historisë njerëzore një krijesë frymore që ishte bërë egoiste dhe fodulle nisi një plan për t’u bërë sundimtar i gjithë botës. Si rezultat i intrigës së tij, ai jo vetëm u bë «sundimtari i kësaj bote», por madje një sundimtar shtypës. (Gjoni 12:31) U bë i njohur si Satana Djalli, kryekundërshtari i Perëndisë dhe i njerëzve. (Gjoni 8:44; Zbulesa 12:9) Plani i tij egoist për të vendosur një sundim që do të ishte në rivalitet me sundimin mirëdashës të Jehovait doli në shesh shumë shpejt pasi u krijua Eva. Kështu, ky sundim i keq filloi kur Adami vendosi të ishte i pavarur nga sundimi i Perëndisë, duke hedhur poshtë plotësisht mirëdashjen e Tij. (Zanafilla 3:1-6) Në vend që të ishin vërtet të pavarur, Adami dhe Eva në fakt u gjendën nën ndikimin egoist e krenar të Satanait dhe iu nënshtruan këtij sundimi.

13-15. (a) Cilat ishin disa nga pasojat që erdhën duke hedhur poshtë sundimin e drejtë të Jehovait? (b) Pse është e egër kjo botë?

13 Le të shqyrtojmë disa nga pasojat e kësaj. Adami dhe Eva u dëbuan nga pjesa e tokës që ishte parajsë. Nga një park i gjelbëruar ku kishte bimë dhe fruta të shëndetshme, ata u gjendën jashtë kopshtit të Edenit në një mjedis të ashpër. Perëndia i tha Adamit: «Meqenëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: ‘Mos ha prej saj’, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore.» Mallkimi që iu bë tokës nënkuptonte se kultivimi i saj tani do të bëhej shumë i vështirë. Pasojat e mallkimit të tokës, me gjembat dhe bimët e saj gjembore, i ndien kaq shumë pasardhësit e Adamit, saqë i ati i Noesë, Lameku, foli për ‘mundin e duarve të tyre, për shkak të tokës që Zoti e kishte mallkuar’.​—Zanafilla 3:17-19; 5:29.

14 Po ashtu Adami dhe Eva në vend të qetësisë kishin telashe. Perëndia i tha Evës: «Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty.» Më vonë Kaini, i parëlinduri i Adamit dhe i Evës, kreu një akt mizor, duke vrarë të vëllanë, Abelin.​—Zanafilla 3:16; 4:8.

15 «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»,​—tha apostulli Gjon. (1 Gjonit 5:19) Ashtu si sundimtari i saj, bota sot shfaq karakteristika të liga, siç janë egoizmi dhe krenaria. Prandaj nuk habitemi nëse është shumë e egër dhe plot mizori. Por nuk do të jetë gjithnjë kështu. Jehovai do të bëjë që në Mbretërinë e tij të mbizotërojë jo ashpërsia dhe mizoria, por mirëdashja dhe dhembshuria.

Nën Mbretërinë e Perëndisë do të mbizotërojë mirëdashja

16. Pse sundimi i Perëndisë nëpërmjet Krishtit Jezu karakterizohet nga mirëdashja? Çfarë na nxit kjo gjë të bëjmë?

16 Jehovai dhe Mbreti i emëruar i Mbretërisë së Tij, Krishti Jezu, kërkojnë që nënshtetasit e tyre të dallohen për mirëdashjen që shfaqin. (Mikea 6:8) Jezu Krishti na dha një pamje paraprake se si sundimi që Ati i besoi atij, do të karakterizohet nga mirëdashja. (Hebrenjve 1:3) Kjo mund të vihet re nga fjalët e Jezuit të cilat demaskuan udhëheqësit fetarë të rremë që e rëndonin popullin me barra të rënda. Ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mateu 11:28-30) Shumë sundimtarë në tokë, qofshin sundimtarë fetarë ose jo, i rraskapitin njerëzit me barra plot rregulla të pafundme. Gjithashtu u ngarkojnë detyra për të cilat nuk vlerësohen pasi i kryejnë. Mirëpo ajo që kërkon Jezui nga ithtarët e tij përputhet me nevojat e tyre dhe është brenda mundësive të tyre. Po, zgjedha e Jezuit është vërtet freskuese dhe mirëdashëse! A nuk na nxit kjo edhe ne që të jemi si ai e të shfaqim mirëdashje ndaj të tjerëve?​—Gjoni 13:15.

17, 18. Pse mund të besojmë se ata që do të sundojnë me Krishtin në qiell dhe përfaqësuesit e tij tokësorë do të shfaqin mirëdashje?

17 Fjalët e goditura që Jezui u drejtoi apostujve theksojnë se si ndryshon dukshëm Mbretëria e Perëndisë nga sundimi njerëzor. Bibla thotë: «Mes tyre [dishepujve] u bë edhe një debat i zjarrtë se cili nga ata dukej se ishte më i madhi. Por ai u tha: ‘Mbretërit e kombeve sillen si padronë me to dhe ata që kanë autoritet mbi to quhen Bamirës. Kurse ju nuk duhet të jeni kështu. Por ai që është më i madhi ndër ju, le të bëhet si më i vogli dhe ai që vepron si kreu, si ai që shërben. Sepse kush është më i madh: ai që shtrohet në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që shtrohet në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.’»​—Luka 22:24-27.

18 Sundimtarët njerëzorë përpiqen të tregohen më të mëdhenj ‘duke u sjellë si padronë’ me popullin dhe duke kërkuar tituj të lartë për veten, sikur këta tituj t’i bënin më të mirë sesa njerëzit e tjerë mbi të cilët sundojnë. Por Jezui tha se një individ është vërtet i madh nëse u shërben të tjerëve duke u përpjekur me zell e me ngulm. Të gjithë ata që do të sundojnë me Krishtin në qiell ose që do të shërbejnë si përfaqësuesit e tij tokësorë duhet të përpiqen të ndjekin shembullin e tij të përulësisë dhe të mirëdashjes.

19, 20. (a) Si e përshkroi Jezui se sa e madhe është mirëdashja e Jehovait? (b) Si mund ta imitojmë Jehovain duke shfaqur mirëdashje?

19 Le të shqyrtojmë një këshillë tjetër të dashur të Jezuit. Duke treguar se sa e madhe është mirëdashja e Jehovait, Jezui tha: «Nëse doni ata që ju duan, ç’meritë keni? Sepse edhe mëkatarët duan ata që i duan. Dhe nëse u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë, ç’meritë keni në të vërtetë ju? Edhe mëkatarët bëjnë po njëlloj. Gjithashtu, nëse u jepni hua pa interes atyre nga të cilët shpresoni të merrni, ç’meritë keni? Edhe mëkatarët u japin hua pa interes mëkatarëve, që t’u kthehet po aq. Përkundrazi, vazhdoni të doni armiqtë tuaj, të bëni mirë dhe të jepni hua pa interes, duke mos shpresuar që t’ju kthehet gjë; dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe do të jeni bij të Më të Lartit, sepse ai është mirëdashës ndaj mosmirënjohësve dhe të ligjve. Vazhdoni të bëheni të mëshirshëm, ashtu si Ati juaj është i mëshirshëm.»​—Luka 6:32-36.

20 Mirëdashja hyjnore nuk është egoiste. Ajo nuk kërkon asgjë nga të tjerët dhe nuk pret asgjë në këmbim. Me mirëdashje Jehovai «e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». (Mateu 5:43-45; Veprat 14:16, 17) Duke imituar Atin tonë qiellor, ne jo vetëm që nuk u bëjmë keq mosmirënjohësve, por u bëjmë mirë. Madje u bëjmë mirë edhe atyre që janë sjellë si armiq ndaj nesh. Kur shfaqim mirëdashje, i tregojmë Jehovait dhe Jezuit se dëshirojmë të jetojmë nën Mbretërinë e Perëndisë kur mirëdashja dhe cilësitë e tjera hyjnore do të karakterizojnë të gjitha marrëdhëniet njerëzore.

Pse të shfaqim mirëdashje?

21, 22. Pse duhet të shfaqim mirëdashje?

21 Për një të krishterë të vërtetë të shfaqë mirëdashje ka një rëndësi të veçantë. Kjo është një dëshmi se ka frymën e Perëndisë. Për më tepër, kur shfaqim mirëdashje të vërtetë imitojmë Perëndinë Jehova dhe Krishtin Jezu. Mirëdashja është gjithashtu një kërkesë për ata që do të jenë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj duhet ta duam mirëdashjen dhe të mësojmë ta shfaqim atë.

22 Cilat janë disa mënyra praktike se si të shfaqim mirëdashje në jetën e përditshme? Artikulli vijues do të trajtojë këtë temë.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë është mirëdashja?

• Pse bota është mizore dhe e egër?

• Si e dimë se mirëdashja do të mbizotërojë nën sundimin e Perëndisë?

• Pse është e rëndësishme të shfaqin mirëdashje ata që dëshirojnë të jetojnë nën Mbretërinë e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Pleqtë e krishterë përpiqen të jenë mirëdashës me kopenë

[Figura në faqen 15]

Dashuria besnike e Jehovait nuk do t’i zhgënjejë shërbëtorët e tij në kohë të vështira

[Figurat në faqen 16]

Jehovai me mirëdashje lejon që të ndriçojë dielli dhe të bjerë shiu mbi të gjithë njerëzit