Gjendja frymore dhe mirëqenia jote
Gjendja frymore dhe mirëqenia jote
KA SHUMË të ngjarë që ti kalon shumë kohë duke u kujdesur për shëndetin tënd. Çdo ditë mund të kalosh deri në tetë orë duke fjetur, disa orë duke gatuar e duke ngrënë dhe tetë ose më shumë orë duke punuar me qëllim që të paguash strehimin dhe ushqimin. Nëse sëmuresh ndoshta harxhon kohë dhe para për t’u vizituar te një mjek ose për të përgatitur vetë ndonjë mjekim. Pastron shtëpinë, lahesh e madje mund të bësh rregullisht gjimnastikë, dhe të gjitha këto i bën që të kesh një shëndet të mirë.
Megjithatë të ruash shëndetin përfshin më tepër se vetëm të kujdesesh për nevojat fizike. Ka diçka tjetër që luan një rol të fuqishëm në mirëqenien tënde. Kërkimet mjekësore kanë treguar se shëndeti fizik është i lidhur ngushtë me shëndetin frymor, pra me gjendjen frymore.
Një lidhje e drejtpërdrejtë
Hedli G. Piku, profesor në Universitetin e Melburnit në Australi, thotë: «Artikujt kërkimorë rreth kësaj teme kanë zbuluar se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes gjendjes së mirë frymore dhe shëndetit të mirë.» Duke komentuar rreth këtyre zbulimeve, një revistë, The Medical Journal of Australia (MJA), thotë: «Ka një lidhje mes përkushtimit fetar të njeriut dhe . . . presionit më të ulët të gjakut, nivelit më të ulët të kolesterinës . . . e madje edhe shkallës më të ulët të rrezikut të kancerit në shtyllën kurrizore.»
Po kështu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një studim i vitit 2002 të drejtuar nga Universiteti i Kalifornisë në Barkli, i cili u krye te 6.545 njerëz, u zbulua se «njerëzit që ndiqnin shërbesat fetare një herë në javë jetonin më gjatë sesa ata që i ndiqnin më rrallë ose që nuk i ndiqnin kurrë». Dag Omani, autori kryesor i këtij studimi dhe lektor në Fakultetin e Shëndetit Publik të Universitetit të Kalifornisë në Barkli, tha: «E vërejtëm këtë ndryshim madje edhe pasi morëm parasysh faktorë të tillë, si shoqëritë dhe zakonet shëndetësore, përfshirë pirjen e duhanit dhe ushtrimet fizike.»
Duke treguar disa dobi të tjera që kanë njerëzit me një pikëpamje frymore për jetën, revista MJA thotë: «Nga studimet e kryera në Australi është vërejtur se njerëzit fetarë janë më shumë të qëndrueshëm në martesë, abuzojnë më pak me alkoolin e me drogat e paligjshme, tek ta vihen re përqindje më të ulëta të vetëvrasjes e më pak mundësi për të menduar vetëvrasjen, më pak ankth e depresion dhe më shumë altruizëm.» Gjithashtu, revista BMJ (dikur e njohur si The British Medical Journal) raporton: «Njerëzit që pohojnë se kanë bindje të forta fetare duket se e largojnë pikëllimin të shkaktuar nga vdekja e një njeriu të afërt më shpejt dhe në mënyrë më të plotë se njerëzit që nuk kanë bindje fetare.»
Ka mendime të ndryshme se çfarë është gjendja e vërtetë frymore. Gjithsesi, gjendja jote frymore ndikon në shëndetin tënd fizik dhe mendor. Ky fakt është në përputhje me pohimin që bëri Jezu Krishti gati 2.000 vjet më parë. Ai tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (Mateu 5:3) Meqë shëndeti dhe lumturia jote ndikohen nga gjendja jote frymore, është e logjikshme të pyesësh: ‘Ku mund të gjej një udhëheqje të besueshme frymore? Çfarë përfshin të jesh një person frymor?’
[Burimet e figurave në faqen 2]
Fotografitë: Faqja 18: Mao Ce Duni dhe Golda Mir: Hulton/Archive by Getty Images; Franc Ferdinandi: Nga libri The War of the Nations; Hirohito, Lindbergu dhe Ajnshtajni: fotografi nga arkivat kombëtarë të SHBA-së; Stalini: foto e ushtrisë së SHBA-së; Ruzvelti: Biblioteka Franklin D. Ruzvelti; Çërçilli: The Trustees of the Imperial War Museum (MH 26392)