Lufta ka marrë pamje tjetër
Lufta ka marrë pamje tjetër
LUFTA ka qenë gjithmonë mizore. Gjithmonë u ka shkatërruar e u ka marrë jetën ushtarëve dhe u ka sjellë vuajtje civilëve. Por vitet e fundit lufta ka marrë një pamje tjetër. Në ç’mënyrë?
Luftërat e sotme janë kryesisht luftëra civile, pra luftëra mes grupeve ndërluftuese me qytetarë të të njëjtit shtet. Luftërat civile shpesh zgjatin më shumë, u shkaktojnë njerëzve trauma më të rënda dhe i shkatërrojnë vendet më shumë se sa luftërat midis kombeve. «Luftërat civile janë mizore, gjakderdhëse që sjellin mijëra vdekje, përdhunime, shpërngulje dhe në rastet më ekstreme gjenocid»,—vëren historiani spanjoll Hulian Kasanova. Vërtet, kur mizoritë kryhen fqinj me fqinj, plagëve që hapen mund t’u duhen shekuj që të shërohen.
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, nuk janë zhvilluar shumë luftëra midis kombeve. Një institut, Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI), raporton: «Nga konfliktet e mëdha të armatosura, të regjistruara në periudhën e viteve 1990-2000, vetëm tri nuk ishin konflikte të brendshme.»
Vërtet, konfliktet e brendshme mund të duken më pak kërcënuese se konfliktet e mëdha mes kombeve dhe madje mund të mos u kushtohet vëmendje nga mediat ndërkombëtare, por dhembja dhe dëmet që shkaktohen nga armiqësi të tilla janë po aq shkatërrimtare. Miliona njerëz kanë vdekur në konflikte të brendshme. Në të vërtetë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, afërsisht pesë milionë njerëz humbën jetën vetëm në tri vende të shkretuara nga lufta: në Afganistan, Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudan. Në Ballkan luftimet e ashpra etnike u morën jetën pothuajse 250.000 vetave dhe lufta e gjatë guerilase në Kolumbi la 100.000 të vdekur.
Gjurmët e mizorisë së luftërave civile janë më të dukshme se kudo tjetër te fëmijët. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit më shumë se dy milionë fëmijë humbën jetën në konfliktet civile, sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. U plagosën gjashtë milionë të tjerë. Gjithnjë e më shumë fëmijë u stërvitën për ushtarë. Një fëmijë ushtar tregon: «Më stërvitën, më dhanë një pushkë, merrja drogë, vritja civilë, madje shumë. Ishte thjesht luftë . . . U bindesha urdhrave. E dija që ishte gjë e keqe. Unë vetë s’doja.»
Shumë fëmijë që rriten në vendet ku lufta civile është bërë diçka normale nuk e dinë se ç’do të thotë paqe. Ata jetojnë në një botë ku shkollat janë shkatërruar, ku njerëzit nuk flasin me fjalë, por me gjuhën e armëve. Dunja 14-vjeçare thotë: «Sa shumë njerëz që janë vrarë! . . . Nuk mund të dëgjohen më këngët e zogjve. Dëgjohen vetëm ngashërimet e fëmijëve që qajnë për nënën ose babain që nuk është më, për vëllain ose motrën që nuk do të shohin më.»
Përse një gjendje e tillë?
Çfarë i ndez zjarret e këtyre luftërave civile të pamëshirshme? Urrejtja fisnore e etnike, dallimet fetare, padrejtësitë dhe trazirat politike janë të gjithë faktorë të rëndësishëm. Një tjetër shkak rrënjësor është lakmia—për pushtet dhe për para. Udhëheqësit politikë, shpesh të shtyrë nga lakmia, nxitin urrejtjen që i fryn zjarrit të luftës. Një raport i botuar nga SIPRI thotë se shumë pjesëmarrës në konfliktet e armatosura «nxiten prej përfitimeve personale». Raporti shton: «Lakmia shfaqet në shumë forma, që nga tregtia shumë e përhapur e diamanteve nga ana e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë, deri te plaçkitjet nëpër fshatra nga të rinj të armatosur.»
Armët vdekjeprurëse mund të gjenden lehtë dhe me një çmim të ulët, e kjo i kontribuon masakrës. Rreth 500.000 vdekje në vit, kryesisht gra dhe fëmijë, shkaktohen nga të ashtuquajturat armë të lehta. Në një vend të Afrikës një kallashnikov mund të blihet me çmimin e një pule. Mjerisht në disa vende këto armë gjenden me bollëk, ashtu si pulat shtëpiake. Në mbarë botën ka tani rreth 500 milionë armë të lehta—1 për çdo 12 veta.
A do të jenë konfliktet e ashpra civile një damkë e shekullit të 21-të? A mund të mbahen nën kontroll luftërat civile? A do të pushojnë më në fund njerëzit së vrari? Artikulli vijues do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.
[Kutia në faqen 4]
Pasojat tragjike të luftërave civile
Luftërat civile, ndonëse në to nuk përdoren pajisje me teknologji të lartë, mbeten përsëri mizore. Në to 90 për qind e viktimave janë civilët, e jo palët luftuese. Grasa Mashel, specialiste për «Ndikimin e Konflikteve të Armatosura te Fëmijët» pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, thotë: «Është e qartë se fëmijët nuk janë vetëm viktima të rastësishme të konflikteve të armatosura, por po bëhen gjithnjë e më shumë shënjestra të tyre.»
Përdhunimi është bërë një taktikë ushtarake. Në disa vende të rrënuara nga lufta, rebelët përdhunojnë pothuajse çdo vajzë adoleshente që gjejnë në fshatrat që pushtojnë. Qëllimi i këtyre përdhunuesve është të përhapin panik ose të shkatërrojnë lidhjet familjare.
Pasojat e luftës janë uria dhe sëmundjet. Lufta civile nënkupton që të mbillen dhe të korren pak drithra, të funksionojë pak ose asnjë shërbim mjekësor dhe nevojtarëve të mos u vijnë shumë ndihma ndërkombëtare. Një studim rreth një lufte civile në Afrikë zbuloi se 20 për qind e viktimave ishin për shkak të sëmundjeve dhe 78 për qind nga uria. Vetëm 2 për qind vdiqën nga luftimet.
Mesatarisht çdo 22 minuta dikush humbet një gjymtyrë ose jetën duke shkelur mbi një minë toke. Ka rreth 60 deri 70 milionë mina toke të shpërndara në më shumë se 60 vende.
Njerëzit detyrohen t’ia mbathin nga shtëpia. Përreth botës tani ka 50 milionë refugjatë dhe të shpërngulur, gjysma e tyre fëmijë.
[Burimi i figurës në faqen 2]
KAPAKU: djali: Fotografi nga Chris Hondros/Getty Images
[Burimi i figurës në faqen 3]
Fotografi nga Chris Hondros/Getty Images