Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Të gjejmë kënaqësi të madhe te Jehovai’

‘Të gjejmë kënaqësi të madhe te Jehovai’

‘Të gjejmë kënaqësi të madhe te Jehovai’

«Gjej kënaqësi të madhe te Jehovai, dhe ai do të të japë ç’të të dojë zemra.»​—PSALMI 37:4, BR.

1, 2. Kush është Burimi i lumturisë së vërtetë? Si e tregon këtë mbreti David?

«LUM ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore, . . . lum të mëshirshmit, . . . lum paqebërësit.» Këto shprehje, bashkë me gjashtë shprehje të tjera që përshkruajnë njerëzit e lumtur, shërbejnë si një hyrje e mrekullueshme për fjalimin e famshëm të Jezuit, Predikimin në Mal. Ky fjalim është shkruar nga Mateu, një shkrimtar i ungjillit. (Mateu 5:3-11) Fjalët e Jezuit na japin sigurinë se lumturia është një gjë që mund ta arrijmë.

2 Një psalm i shkruar nga mbreti David i Izraelit të lashtë tregon Burimin e lumturisë së vërtetë, Jehovain. Davidi tha: «Gjej kënaqësi të madhe te Jehovai, dhe ai do të të japë ç’të të dojë zemra.» (Psalmi 37:4, BR) Por, pse gjejmë një ‘kënaqësi të madhe’ kur njohim Jehovain dhe anët e shumta të personalitetit të tij? Pse kemi shpresë se do të marrim ‘ç’të na dojë zemra’, po të shqyrtojmë atë që ka bërë dhe që do të bëjë ende Jehovai për të plotësuar qëllimin e tij? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i marrim duke shqyrtuar me hollësi vargjet 1 deri 11 të Psalmit 37.

‘Mos ki smirë’

3, 4. Çfarë këshille jep Davidi në Psalmin 37:1? Pse është mirë që t’i vëmë veshin kësaj këshille sot?

3 Jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» dhe ligësia është me bollëk. Kemi parë se kanë dalë të vërteta këto fjalë të apostullit Pavël: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar edhe vetë.» (2 Timoteut 3:1, 13) Suksesi dhe begatia që duket se kanë njerëzit e ligj mund të ndikojë te ne shumë lehtë. Kjo mund të na shpërqendrojë nga gjërat frymore. Vër re se si na paralajmërojnë për këtë rrezik të mundshëm fjalët hapëse të Psalmit 37 (BR): «Mos u nxeh për shkak të keqbërësve. Mos i ki smirë ata që bëjnë padrejtësi.»

4 Gazetat dhe televizori na bombardojnë me një mori lajmesh për padrejtësitë që kryhen. Tregtarët e pandershëm mashtrojnë dhe ia dalin pa u lagur. Kriminelët përfitojnë nga njerëzit e pambrojtur. Vrasësit nuk zbulohen ose nuk ndëshkohen. Gjithë këta shembuj të shtrembërimit të drejtësisë mund të na zemërojnë dhe mund të na e heqin paqen mendore. Suksesi në dukje i keqbërësve mund të na ngjallë madje edhe ndjenja smire. Por, nëse shqetësohemi prej këtyre gjërave, a do të përmirësohet gjendja? Në qoftë se kemi smirë për dobitë që duket sikur kanë të ligjtë, a do ta ndryshojë kjo fundin që i pret ata? Jo, aspak. Dhe as nuk kemi pse të ‘nxehemi’. Pse jo?

5. Pse keqbërësit krahasohen me barin?

5 Psalmisti përgjigjet: «Sepse ata do të thahen shpejt si bari dhe do të veniten si bari i njomë.» (Psalmi 37:2, BR) Bari i njomë mund të duket i këndshëm, por fijet e barit fishken dhe thahen shumë shpejt. Po kështu është edhe me keqbërësit. Begatia e jashtme e tyre nuk është e përhershme. Kur ata vdesin, fitimet e tyre të pandershme nuk i ndihmojnë më. Në fund secili merr atë që kërkon drejtësia. «Paga që paguan mëkati është vdekja»,—shkroi Pavli. (Romakëve 6:23) Keqbërësit dhe të gjithë të padrejtët do të marrin në fund ‘pagën’ e tyre. Çfarë jete e padobishme!—Psalmi 37:35, 36; 49:16, 17.

6. Ç’mësim nxjerrim nga Psalmi 37:1, 2?

6 Atëherë, a duhet të na shqetësojë begatia kalimtare e keqbërësve? Mësimi që nxjerrim nga dy vargjet e para të Psalmit 37 është ky: të mos lejojmë që suksesi i tyre të na bëjë të largohemi nga udha që kemi zgjedhur për t’i shërbyer Jehovait. Përkundrazi, të përqendrohemi te bekimet dhe te synimet frymore.—Fjalët e urta (Proverbat) 23:17.

«Ki besim te Zoti dhe bëj të mira»

7. Pse duhet të kemi besim te Jehovai?

7 «Ki besim te Zoti dhe bëj të mira»,—na nxit psalmisti. (Psalm 37:3a) Kur kemi shumë ankthe ose edhe dyshime, duhet të kemi besim të patundur te Jehovai. Ai na jep siguri të plotë frymore. Moisiu shkroi: «Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.» (Psalmi 91:1) Kur shqetësohemi nga rritja e paligjshmërisë në këtë botë, kemi edhe më shumë nevojë që të mbështetemi te Jehovai. Po të ndrydhim këmbën, na vjen mirë nëse mund të mbështetemi te krahu i një miku. Po kështu, ndërsa përpiqemi të ecim me besnikëri, kemi nevojë të mbështetemi te Jehovai.—Isaia 50:10.

8. Si mund të na ndihmojë pjesëmarrja në shërbimin e krishterë që të mos na shqetësojë tepër begatia e të ligjve?

8 Një mënyrë që të mos na shqetësojë begatia e të ligjve është që të jemi të zellshëm duke i kërkuar dhe duke i ndihmuar njerëzit ngjashëm deleve, që të fitojnë njohuri të saktë për qëllimin e Jehovait. Meqenëse shohim që ligësia është në rritje, duhet të jemi plotësisht të angazhuar duke ndihmuar të tjerët. Apostulli Pavël tha: «Mos harroni të bëni të mirën dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me sakrifica të tilla.» ‘E mira’ më e madhe që mund të bëjmë është t’u japim të tjerëve lajmin e mirë e të mrekullueshëm të Mbretërisë së Perëndisë. Predikimi që bëjmë është vërtet «një sakrificë lëvdimi».—Hebrenjve 13:15, 16; Galatasve 6:10.

9. Shpjegoni se çfarë donte të thoshte Davidi me fjalët «bano në tokë».

9 «Bano në tokë dhe vepro me besnikëri»,—thotë më tej Davidi. (Psalmi 37:3b, BR) Në ditët e Davidit ‘toka’ ishte territori që i kishte dhënë Jehovai Izraelit, pra, Toka e Premtuar. Gjatë mbretërimit të Solomonit, kufijtë e saj shtriheshin nga Dani në veri e deri në Beer-Sheba në jug. Ky ishte vendbanimi i Izraelit. (1 Mbretërve 4:25) Sot, pavarësisht se në ç’vend të tokës jetojmë, presim me padurim kohën kur e gjithë toka do të bëhet një parajsë në botën e re të drejtësisë. Tani për tani, jetojmë në një siguri frymore.—Isaia 65:13, 14.

10. Cili është rezultati kur ‘veprojmë me besnikëri’?

10 Cili do të jetë përfundimi po ‘të veprojmë me besnikëri’? Proverbi i frymëzuar na sjell në mendje këtë premtim: «Njeriu me vepra të besueshme do të marrë shumë bekime.» (Proverbat 28:20, BR) Kur ngulmojmë me besnikëri duke predikuar lajmin e mirë kudo që jetojmë dhe kujtdo që mundemi, patjetër që marrim shpërblime nga Jehovai. Për shembull, Franku dhe gruaja e tij, Roza, u caktuan 40 vjet më parë si pionierë në një qytet në veri të Skocisë. Atje, ata pak njerëz që kishin shfaqur interes dalëngadalë e kishin humbur interesin. Pa u sprapsur, ky çift pionierësh filloi veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Tani në atë qytet ka një kongregacion që po lulëzon. Për besnikërinë që ka treguar, çifti është bekuar nga Jehovai. Franku thotë me përulësi: «Bekimi më i madh është që jemi ende në të vërtetën dhe jemi të dobishëm për Jehovain.» Po, kur ‘veprojmë me besnikëri’, marrim dhe gëzojmë shumë bekime.

«Gjej kënaqësi të madhe te Jehovai»

11, 12. (a) Si mund të ‘gjejmë kënaqësi të madhe te Jehovai’? (b) Çfarë synimi mund të vini në lidhje me studimin personal? Cili mund të jetë rezultati po ta bëni këtë?

11 Për ta forcuar marrëdhënien me Jehovain dhe për të pasur gjithnjë besim tek ai, duhet ‘të gjejmë kënaqësi të madhe te Jehovai’. (Psalmi 37:4a, BR) Si gjejmë «kënaqësi të madhe»? Në vend që të përqendrohemi tepër në gjendjen tonë, sado e vështirë qoftë ajo, të përqendrohemi te Jehovai. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke lënë kohë për të lexuar Fjalën e tij. (Psalmi 1:1, 2) A ke kënaqësi kur lexon Biblën? Po qe se e lexon duke pasur si synim që të mësosh më shumë për Jehovain do të kesh vërtet kënaqësi. Pasi lexon një pjesë, pse të mos ndalesh pak e të pyesësh veten: ‘Çfarë mësoj për Jehovain nga kjo pjesë?’ Kur lexon Biblën, mund të jetë mirë të kesh pranë një bllok shënimesh ose disa fleta. Sa herë që ndalesh e mendon se ç’kuptim ka ajo që lexove, shkruaj ca fjalë që të të kujtojnë një nga cilësitë tërheqëse të Perëndisë. Në një psalm tjetër Davidi këndoi: «Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime, edhe mendimi i zemrës sime para teje, o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!» (Psalmi 19:14, Dom Simon Filipaj) Pra, kur e përqendrojmë vëmendjen te Fjala e Perëndisë, kjo gjë i ‘pëlqen’ Jehovait dhe na sjell kënaqësi edhe neve.

12 Si mund të gjejmë lumturi kur studiojmë dhe mendojmë thellë për atë që kemi studiuar? Mund të vëmë si synim që të mësojmë sa më shumë për Jehovain dhe për udhët e tij. Botime të tilla si librat Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë dhe T’i afrohemi Jehovait * na japin shumë informacione për të cilat të mendojmë me çmueshmëri. Davidi i siguron njerëzit e drejtë se po të veprojnë kështu, Jehovai ‘do t’u japë çfarë t’u dojë zemra’. (Psalmi 37:4b, BR) Një siguri e tillë duhet ta ketë nxitur apostullin Gjon që të shkruante këto fjalë: «Kjo është siguria që kemi ndaj tij: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon. Për më tepër, nëse e dimë se ai na dëgjon për çfarëdo gjëje që ne i kërkojmë, e dimë se do t’i kemi gjërat e kërkuara, sepse ia kemi kërkuar atij.»—1 Gjonit 5:14, 15.

13. Si është përhapur vepra e predikimit të Mbretërisë vitet e fundit në shumë vende?

13 Si njerëz me integritet, kënaqësia jonë më e madhe është që të shohim shfajësimin e sovranitetit të Jehovait. (Fjalët e urta 27:11) A nuk na gufon zemra nga gëzimi kur dëgjojmë për veprën e jashtëzakonshme të predikimit që po kryejnë vëllezërit tanë në vendet që dikur ishin nën regjimet totalitare ose diktatoriale? Mezi presim të shohim se sa vende të tjera do të kenë lirinë e adhurimit para se të vijë fundi i sistemit. Shumë shërbëtorë të Jehovait që jetojnë në vendet perëndimore u predikojnë me zell studentëve, refugjatëve dhe të tjerëve që banojnë përkohësisht atje dhe janë të lirë të adhurojnë Perëndinë. Dëshira jonë e zjarrtë është që, kur këta individë të kthehen në shtëpitë e tyre, të vazhdojnë ta lënë dritën e së vërtetës të ndriçojë edhe atëherë kur mund të duket se janë në errësirë të padepërtueshme.—Mateu 5:14-16.

«Lëri gjërat në dorë të Jehovait»

14. Çfarë provash ka se mund të mbështetemi te Jehovai?

14 Sa të lehtësuar ndihemi kur mësojmë se mund të çlirohemi nga shqetësimet tona, si edhe nga gjërat që mund të na duken barrë të rënda! Si mund të çlirohemi? Davidi thotë: «Lëri gjërat në dorë të Jehovait dhe ki besim tek ai, dhe ai vetë do të veprojë.» (Psalmi 37:5, BR) Në kongregacionet tona kemi shumë prova se mund të mbështetemi te Jehovai. (Psalmi 55:22) Ata që shërbejnë në kohë të plotë, qofshin pionierë, mbikëqyrës udhëtues, misionarë ose vullnetarë që shërbejnë në Bethel, që të gjithë mund të dëshmojnë se Jehovai kujdeset vërtet. Pse të mos flasësh me ndonjë prej këtyre që njeh dhe ta pyesësh se si e ka ndihmuar Jehovai? Është e sigurt se do të dëgjosh shumë përvoja që tregojnë se edhe në rrethana të vështira, Jehovai është në gjendje t’i ndihmojë shërbëtorët e tij. Ai gjithnjë u siguron atyre gjërat e nevojshme për të jetuar.—Psalmi 37:25; Mateu 6:25-34.

15. Si shkëlqen drejtësia e popullit të Perëndisë?

15 Kur kemi siguri te Jehovai dhe besojmë plotësisht tek ai, mund ta provojmë vetë atë që thuhet më tej te fjalët e psalmistit: «[Ai] do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, të drejtën tënde porsi mesdita.» (Psalmi 37:6, Dom Simon Filipaj) Si Dëshmitarë të Jehovait shpesh na paraqesin në mënyrë të gabuar. Megjithatë Jehovai ua hap sytë njerëzve të ndershëm për t’i ndihmuar të kuptojnë se shërbimi ynë nxitet nga dashuria për Jehovain dhe për njerëzit. Njëkohësisht, edhe pse shumë njerëz mund të na keqparaqesin, sjellja jonë e drejtë nuk mund të fshihet. Jehovai na mbështet në çfarëdolloj kundërshtimi dhe përndjekjeje që hasim. Si rrjedhim drejtësia e popullit të Perëndisë shkëlqen si dielli i mesditës.—1 Pjetrit 2:12.

«Rri në heshtje . . . prit»

16, 17. Sipas Psalmit 37:7, për çfarë është koha tani? Pse?

16 Psalmisti thotë më tej këto fjalë: «Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.» (Psalmi 37:7) Këtu Davidi thekson se duhet të presim me durim që Jehovai të veprojë. Edhe pse fundi i sistemit nuk ka ardhur ende, nuk duhet të ankohemi për këtë. A nuk kemi parë se Jehovai ka shumë më tepër mëshirë dhe durim sesa mendonim ne në fillim? A mund të tregojmë tani se edhe ne presim me durim ndërsa predikojmë me zell lajmin e mirë përpara se të vijë fundi? (Marku 13:10) Tani është koha për të shmangur veprimet e nxituara që mund të na e heqin gëzimin dhe të na bëjnë të mos ndihemi të sigurt frymësisht. Tani është koha për të qëndruar edhe më të patundur përballë ndikimit korruptues të botës së Satanait. Dhe pikërisht tani është koha për të ruajtur pastërtinë morale dhe për të mos vënë kurrë në rrezik qëndrimin tonë të drejtë përpara Jehovait. Le të vazhdojmë t’i largojmë nga vetja mendimet imorale dhe të shmangim veprat e pahijshme ndaj atyre të seksit tjetër ose edhe të të njëjtit seks.—Kolosianëve 3:5.

17 Davidi na këshillon: «Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen. Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.» (Psalmi 37:8, 9) Po, mund të presim të sigurt kohën, që është kaq afër, kur Jehovai do të zhdukë nga toka gjithë korruptimin dhe ata që janë përgjegjës për të.

«Edhe pak»

18, 19. Si na japin zemër fjalët e Psalmit 37:10?

18 «Edhe pak dhe i pabesi [i ligu, BR] nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.» (Psalmi 37:10) Sa na japin zemër këto fjalë teksa afrohet fundi i këtij sistemi dhe i kohës kur njerëzit nuk do të jenë më të pavarur nga Jehovai! Çdo lloj qeverie ose autoriteti që ka shpikur njeriu, ka dështuar krejtësisht. Tani po i afrohemi kohës kur do të qeverisemi përsëri nga Perëndia Jehova, me anë të Mbretërisë së tij të drejtuar nga Jezu Krishti. Kjo Mbretëri do të marrë plotësisht në kontroll çështjet e botës mbarë dhe do të shfarosë të gjithë kundërshtarët e Mbretërisë së Perëndisë.—Danieli 2:44.

19 Në botën e re kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë, sado që të kërkosh, nuk do të arrish të gjesh një ‘të lig’. Në të vërtetë, kushdo që në atë kohë do të rebelohet kundër Jehovait, do të zhduket menjëherë. Nuk do të ketë më asnjeri që të sulmojë sovranitetin e Jehovait ose të mos pranojë t’i nënshtrohet autoritetit hyjnor. Të gjithë njerëzit që do të kesh pranë do të kenë dëshirën për t’i pëlqyer Jehovait. Sa siguri do të sjellë kjo! Nuk do të ketë më as dryna, as lloze. Njerëzit do të jenë të lumtur e do të kenë besim të plotë te njëri-tjetri dhe nuk do të ketë asgjë që ta cenojë këtë gjendje.—Isaia 65:20; Mikea 4:4; 2 Pjetrit 3:13.

20, 21. (a) Kush janë «zemërbutët» për të cilët flitet te Psalmi 37:11? Ku gëzojnë ata një «paqe të madhe»? (b) Çfarë bekimesh do të kemi nëse imitojmë Davidin më të Madh?

20 Atëherë «zemërbutët do të zotërojnë tokën». (Psalmi 37:11a) Por, kush janë «zemërbutët»? Fjala e përkthyer «zemërbutë» vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «përulem». Po, «zemërbutët» janë të gjithë ata që e presin me përulësi Jehovain të ndreqë të gjitha padrejtësitë që u janë bërë. Ata «do të gëzojnë paqe të madhe». (Psalmi 37:11b) Edhe tani gjejmë bollëk paqeje në parajsën frymore që gjendet në kongregacionin e të krishterëve të vërtetë.

21 Megjithëse ende nuk jemi çliruar nga mundimet, e mbështetim njëri-tjetrin dhe i ngushëllojmë ata që janë të dëshpëruar. Si rrjedhim, mes popullit të Jehovait ka kënaqësi të brendshme të vërtetë. Vëllezërit që janë emëruar si barinj shërbejnë me dashuri për t’u kujdesur për nevojat tona frymore, e ndonjëherë edhe për nevojat fizike. Në këtë mënyrë na ndihmojnë që të qëndrojmë kur jemi të munduar për hir të drejtësisë. (1 Selanikasve 2:7, 11; 1 Pjetrit 5:2, 3) Sa e çmuar është kjo paqe që kemi! Gjithashtu kemi edhe shpresën e jetës së përhershme në një parajsë paqësore e cila është shumë afër. Atëherë, le të imitojmë Davidin më të Madh, Krishtin Jezu, të cilin zelli për Jehovain e nxiti që t’i shërbente me besnikëri deri në fund! (1 Pjetrit 2:21) Duke vepruar kështu, do të vazhdojmë të jemi të lumtur, duke i dhënë lavdi Perëndisë tonë, Jehovait, tek i cili gjejmë kënaqësi të madhe.

[Shënimi]

^ par. 12 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Si do të përgjigjeshe?

• Çfarë mësimesh nxore nga Psalmi 37:1, 2?

• Si mund të ‘gjesh kënaqësi të madhe te Jehovai’?

• Çfarë provash ka se mund të mbështetemi te Jehovai?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

Të krishterët ‘nuk i kanë smirë ata që bëjnë padrejtësi’

[Figura në faqen 10]

«Ki besim te Zoti dhe bëj të mira»

[Figura në faqen 11]

Gjej kënaqësi të madhe te Jehovai duke mësuar sa më shumë për Të

[Figura në faqen 12]

«Zemërbutët do të zotërojnë tokën»