Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I mësuar nga Jehovai që në fëmijëri

I mësuar nga Jehovai që në fëmijëri

Jetëshkrim

I mësuar nga Jehovai që në fëmijëri

TREGUAR NGA RIÇARD ABRAHAMSONI

«O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.» Le t’ju shpjegoj se përse këto fjalë të Psalmit 71:17 kanë domethënie të veçantë për mua.

MAMAJA ime, Fania Abrahamsoni u lidh në vitin 1924 me Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Isha vetëm një vjeç. Ndërsa mamaja mësonte të vërtetat e Biblës, menjëherë u fliste fqinjëve e u thoshte gjërat që kishte mësuar. Gjithashtu më mësoi mua, motrën time të madhe dhe vëllain tim të madh. Përpara se të mund të lexoja më kishte ndihmuar të mësoja përmendësh shumë shkrime për bekimet e Mbretërisë së Perëndisë.

Në fund të viteve 20, grupi ynë i Studentëve të Biblës në Lë Grand, në shtetin e Oregonit, SHBA, ku linda dhe u rrita, përbëhej nga pak gra e fëmijë. Ndonëse ishim të veçuar, një ose dy herë në vit na vizitonin shërbëtorët udhëtues. Këta bënin fjalime inkurajuese, na shoqëronin në shërbimin nga shtëpia në shtëpi dhe interesoheshin me dashamirësi për fëmijët. Midis këtyre shërbëtorëve të dashur ishin Shilld Tutxhani, Xhin Orëlli dhe Xhon Buthi.

Në vitin 1931 askush nga grupi ynë nuk mundi të merrte pjesë në kongresin në Kolumbus të Ohajos, ku Studentët e Biblës morën emrin Dëshmitarët e Jehovait. Por kongregacionet dhe grupet e veçuara që nuk patën përfaqësues në kongres, u mblodhën në zonat e tyre në gusht të atij viti për të pranuar rezolutën për emrin e ri. Edhe grupi ynë në Lë Grand e bëri këtë. Pastaj, në fushatën e vitit 1933 për të shpërndarë broshurën Kriza, mësova përmendësh një prezantim biblik dhe për herë të parë dëshmova i vetëm nga shtëpia në shtëpi.

Gjatë viteve 30 kundërshtimi ndaj veprës sonë po rritej. Për ta përballuar këtë gjë, kongregacionet bashkoheshin dhe mbanin asamble të vogla. Një ose dy herë në vit kongregacionet merrnin pjesë në fushata predikimi. Në këto asamble mësonim metodat e predikimit dhe tregohej si të silleshim me respekt me policinë kur ndërhynte. Meqë Dëshmitarët i çonin shpesh përpara një gjykatësi të policisë ose një gjykate të rregullt, përgatitnim pjesë nga një fletë me udhëzime e quajtur Urdhër gjykate. Kjo na aftësoi për të përballuar kundërshtimin.

Rritem në të vërtetën që në fëmijëri

Që në fëmijëri kisha gjithnjë e më tepër çmueshmëri për të vërtetat biblike dhe për shpresën e bazuar në Bibël për të jetuar përgjithmonë në tokë nën Mbretërinë qiellore të Perëndisë. Në atë kohë nuk i vihej shumë theksi pagëzimit të atyre që nuk kishin shpresën për të sunduar në qiell me Krishtin. (Zbulesa 5:10; 14:1, 3) Prapëseprapë më thanë që nëse kisha vendosur në zemër të bëja vullnetin e Jehovait, do të ishte e përshtatshme të pagëzohesha. Këtë e bëra në gusht të vitit 1933.

Kur isha 12 vjeç, mësuesja mendonte se po ecja mirë në oratori, kështu ajo e nxiti mamanë që të stërvitesha më tej. Mamaja mendoi se kjo mund të më ndihmonte për t’i shërbyer më mirë Jehovait. Prandaj më pagoi leksionet duke i larë rrobat mësueses së oratorisë. Stërvitja që mora më solli shumë dobi në shërbim. Kur isha 14 vjeç, u sëmura nga ethja reumatizmale dhe për këtë arsye për më shumë se një vit nuk shkova në shkollë.

Në vitin 1939 në zonën tonë erdhi një shërbëtor në kohë të plotë i quajtur Uorën Hensheli. * Nga ana frymore ai ishte për mua vëllai i madh. Më merrte për orë të tëra në shërbimin në fushë. Shpejt më ndihmoi që të filloja shërbimin e pionierit të përkohshëm gjatë kohës së pushimeve, një lloj shërbimi në kohë të plotë. Atë verë grupi ynë u organizua si një kongregacion. Uorëni u emërua shërbëtor kongregacioni dhe unë drejtues i Studimit të Kullës së Rojës. Kur Uorëni u largua për të shërbyer në Bethel, pra në selinë ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, në Nju-Jork, unë u bëra shërbëtor kongregacioni.

Filloj shërbimin në kohë të plotë

Tani që kisha më shumë përgjegjësi si shërbëtor kongregacioni, dëshiroja edhe më shumë të filloja shërbimin e rregullt në kohë të plotë. E nisa këtë shërbim në moshën 17-vjeçare pasi mbarova vitin e tretë të shkollës së mesme. Babai nuk kishte të njëjtat bindje fetare me tonat, por ai kujdesej për nevojat e familjes dhe ishte një njeri me parime të larta. Donte që të shkoja në kolegj. Megjithatë thoshte se për sa kohë nuk do t’i kërkoja para për strehim e ushqim mund të bëja çfarë të doja. Kështu fillova të shërbeja si pionier më 1 shtator të vitit 1940.

Kur u largova nga shtëpia, mamaja më tha të lexoja Fjalët e urta 3:5, 6, ku thuhet: «Ki besim tek Zoti [Jehovai, BR] me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» Vërtet më ka sjellë shumë dobi ta lë gjithnjë jetën time në duart e Jehovait.

Pak kohë më pas u bashkova me Xho dhe Margaret Hartin për të shërbyer në veri të pjesës qendrore të shtetit të Uashingtonit. Territori ishte i larmishëm: ferma gjedhësh, ferma delesh, rezervate për indianët, si dhe shumë qyteza e fshatra. Në pranverën e vitit 1941 u emërova shërbëtor kongregacioni në kongregacionin e Uenaçit në Uashington.

Në një nga asambletë tona në Uolla-Uolla të Uashingtonit, po shërbeja si përcjellës, duke u dhënë mirëseardhjen atyre që hynin në sallë. Vura re një vëlla të ri në moshë që po përpiqej pa sukses të vinte në punë akustikën. Kështu i sugjerova që të rrinte në caktimin tim dhe unë do të rrija në të tijin. Kur shërbëtori krahinor, Albert Hofmani, u kthye dhe pa se e kisha lënë caktimin tim, më shpjegoi me një buzëqeshje miqësore sa e vlefshme është që dikush të qëndrojë në caktimin e tij deri kur të jepen udhëzime të tjera. E kam kujtuar këshillën e tij deri tani.

Në gusht të vitit 1941, Dëshmitarët e Jehovait planifikuan një kongres të madh në Sent-Luis të Misurit. Çifti Hart vendosi një mbulesë dhe disa stola prapa kamionçinës së tyre. Disa prej nesh, nëntë pionierë, bëmë me atë kamionçinë udhëtimin prej 2.400 kilometrash për në Sent-Luis. Udhëtimi zgjati një javë vetëm vajtje. Sipas policisë maksimumi i të pranishmëve në kongres arriti në 115.000 veta. Edhe pse të pranishmit ka të ngjarë të ishin më pak, ata ishin sigurisht më shumë se rreth 65.000 Dëshmitarë që kishte në atë kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kongresi ishte vërtet ndërtues nga ana frymore.

Shërbim në Bethelin e Bruklinit

Pasi u ktheva në Uenaçi, mora një letër ku më kërkohej që të shërbeja në Bethelin e Bruklinit. Sapo mbërrita më 27 tetor 1941, më çuan te zyra e Nejthën H. Norit, mbikëqyrësit të fabrikës. Ai me dashamirësi më shpjegoi se si ishte Betheli dhe theksoi se për të bërë një jetë të suksesshme aty, ishte thelbësore të qëndroja pranë Jehovait. Pastaj më çuan te Reparti i Dërgimeve dhe më caktuan të punoja për të lidhur bashkë kutitë me literaturë që do të dërgoheshin.

Më 8 janar 1942 vdiq Xhozef Radhërfordi, i cili kishte marrë drejtimin mes Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën. Pesë ditë më pas, drejtuesit e Shoqatës zgjodhën vëlla Norin si pasues të tij. Kur U. E. Van-Ambërgu, sekretar i thesarit të Shoqatës prej një kohe të gjatë, ia njoftoi këtë lajm familjes Bethel, tha: «Më kujtohet kur vdiq Ç. T. Rasëlli [në vitin 1916] dhe u zëvendësua nga XH. F. Radhërfordi. Zotëria vazhdoi ta drejtonte dhe ta begatonte veprën e Tij. Tani jam plotësisht i sigurt se vepra do të ecë përpara me Nejthën H. Norin si president, sepse kjo është vepra e Zotërisë, dhe jo e njerëzve.»

Në shkurt të vitit 1942 u njoftua se do të niste «Kursi i përparuar i shërbimit teokratik». Ishte përgatitur për të stërvitur pjesëtarët e familjes Bethel që të përmirësonin aftësinë për të bërë kërkime rreth temave biblike, për ta organizuar siç duhet materialin dhe për ta paraqitur atë me efektshmëri. Falë stërvitjes së mëparshme në oratori arrita të bëja përparim të shpejtë në program.

Jo shumë kohë më pas u caktova në Repartin e Shërbimit, i cili mbikëqyrte shërbimin e Dëshmitarëve në Shtetet e Bashkuara. Më vonë po atë vit u vendos të rifillonte programi i vizitave të kongregacioneve të Dëshmitarëve nga shërbëtorët udhëtues. Me kalimin e kohës këta shërbëtorë udhëtues, të njohur si shërbëtorë të vëllezërve, u quajtën mbikëqyrës udhëtues. Gjatë verës së vitit 1942 u organizua një kurs në Bethel për të stërvitur vëllezër për këtë lloj shërbimi dhe unë kisha privilegjin të isha mes atyre që do të stërviteshin. Kujtoj në mënyrë të veçantë që vëlla Nori, një nga instruktorët, na theksoi këtë pikë: «Mos u përpiqni t’u pëlqeni njerëzve, përndryshe nuk do t’i pëlqeni më askujt. Pëlqejini Jehovait dhe kështu do t’u pëlqeni të gjithë atyre që e duan Jehovain.»

Vepra udhëtuese nisi në tetor të vitit 1942. Disa nga ne në Bethel morëm pjesë në të gjatë disa fundjavëve, duke vizituar kongregacionet që ndodheshin në një rreze prej 400 kilometrash nga qyteti i Nju-Jorkut. Ne shqyrtonim raportet e veprës së predikimit të kongregacionit dhe të pranisë në mbledhje, bënim një mbledhje me ata që kujdeseshin për përgjegjësitë në kongregacion, mbanim një ose dy fjalime dhe dilnim në shërbim me Dëshmitarët vendës.

Në vitin 1944 isha mes atyre nga Reparti i Shërbimit që u dërguan në veprën udhëtuese për një periudhë gjashtëmujore dhe shërbeva në Delauer, Merilend, Pensilvani dhe në Virxhinia. Më vonë, për disa muaj, vizitova kongregacionet në Kënektikat, Masaçusets dhe në Roud-Ajlënd. Kur u ktheva në Bethel, punova në kohë të pjesshme në zyrë me vëlla Norin dhe sekretarin e tij, Milton Henshelin, ku u njoha me veprën tonë në mbarë botën. Gjithashtu shërbeva në kohë të pjesshme në Zyrën e Thesarit nën mbikëqyrjen e U. E. Van-Ambërgut dhe të ndihmësit të tij, Grent Sutërit. Pastaj, në vitin 1946 u bëra mbikëqyrës i disa zyrave në Bethel.

Ndryshime të mëdha në jetën time

Ndërsa u shërbeja kongregacioneve në vitin 1945, u njoha me Xhulia Çarnoskasin në Providens të Roud-Ajlëndit. Në mesin e vitit 1947 po mendonim të martoheshim. E doja shumë shërbimin në Bethel, por në atë kohë të martuarit nuk mund të shërbenin në Bethel. Kështu në janar të vitit 1948 u largova nga Betheli dhe Xhulia (Xhuli) e unë u martuam. Gjeta një punë në kohë të pjesshme në një supermarket në Providens dhe filluam së bashku shërbimin e pionierit.

Në shtator të vitit 1949 mora ftesën për të kryer veprën qarkore në veriperëndim të Uiskonsinit. Ishte një sfidë e madhe për mua dhe Xhulin që të predikonim kryesisht në qytezat dhe në fshatrat e një zone blegtorale. Dimrat ishin të gjatë e të ftohtë, kur për shumë javë temperatura ishte –20 gradë celsius ose edhe më e ulët dhe binte shumë dëborë. Nuk kishim makinë. Megjithatë gjithmonë kishte ndonjë që na merrte për të na çuar në kongregacionin tjetër.

Pak kohë pasi fillova veprën qarkore patëm një asamble qarkore. Më kujtohet që kontrolloja me vëmendje për të parë nëse po tregohej kujdes për të gjitha punët dhe kjo gjë i nervozoi pak disa. Kështu mbikëqyrësi krahinor, Nikolas Kovalaku, me dashamirësi më shpjegoi se vëllezërit vendës po punonin për t’u kujdesur për gjërat sipas metodës së tyre dhe nuk duhej të shqetësohesha për çdo hollësi. Kjo këshillë më ka vlejtur deri sot në të gjitha caktimet e shumta që kam pasur.

Në vitin 1950 mora një caktim të përkohshëm: të mbikëqyrja strehimin e delegatëve në të parin nga shumë kongreset e mëdha që u mbajtën në stadiumin Jenki të qytetit të Nju-Jorkut. Kongresi ishte drithërues nga fillimi e deri në fund. Në të kishte delegatë nga 67 vende dhe maksimumi i pjesëmarrësve arriti në 123.707 veta. Pas kongresit, Xhuli dhe unë rifilluam shërbimin udhëtues. Ishim shumë të lumtur në veprën qarkore. Megjithatë mendonim se duhej të vazhdonim të ishim të gatshëm për çdo lloj shërbimi. Kështu çdo vit dërgonim kërkesat për në Bethel dhe për shërbimin misionar. Në vitin 1952 u gëzuam tej mase kur morëm ftesën për të ndjekur klasën e 20-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, ku u stërvitëm për veprën misionare.

Shërbejmë jashtë shtetit

Pas diplomimit në vitin 1953, u caktuam në Britani, ku shërbeva në veprën krahinore në jug të Anglisë. Pas pothuajse një viti në këtë vepër, që mua dhe Xhulit na pëlqente shumë, u habitëm kur morëm caktimin për t’u transferuar në Danimarkë. Në Danimarkë kishte nevojë për një mbikëqyrje të re të zyrës së degës. Meqë isha afër dhe isha stërvitur për këtë vepër në Bruklin, më dërguan për të dhënë një ndihmë atje. Hipëm në një traget për në Holandë dhe atje morëm trenin për në Kopenhagen të Danimarkës. Mbërritëm më 9 gusht të vitit 1954.

Një nga problemet që duhej zgjidhur ishte se disa vëllezër me pozita përgjegjësie nuk pranonin drejtimin nga selia në Bruklin. Gjithashtu tre nga katër veta që përkthenin botimet në gjuhën daneze ikën nga Betheli dhe së fundi nuk shoqëroheshin më me Dëshmitarët e Jehovait. Por Jehovai iu përgjigj lutjeve tona. Dy pionierë, Jërni dhe Ana Larsen, të cilët kishin punuar ndonjëherë në kohë të pjesshme në përkthim, ishin të gatshëm të punonin në kohë të plotë. Si rrjedhim përkthimi i revistave tona në gjuhën daneze vazhdoi pa munguar asnjë numër. Çifti Larsen është ende në Bethelin e Danimarkës dhe Jërni është koordinator i Komitetit të Degës.

Një burim i vërtetë inkurajimi në ato vite të hershme ishin vizitat e rregullta të vëlla Norit. Ai linte kohë mënjanë për t’u ulur e për të folur me secilin, duke treguar përvoja që na jepnin kuptueshmëri për të zgjidhur problemet. Gjatë një vizite në vitin 1955 u vendos se duhej të ndërtonim një degë të re me shtypshkronja, në mënyrë që të shtypnim revista për Danimarkën. U ble një pronë në periferinë në veri të Kopenhagenit dhe në verën e vitit 1957 u transferuam në një ndërtesë të sapondërtuar. Heri Xhonsoni, i cili bashkë me të shoqen, Karinën, kishin ardhur nga pak kohë në Danimarkë pas diplomimit në klasën e 26-të të Galaadit, ndihmoi për të ndërtuar dhe për ta vënë në punë shtypshkronjën.

Përmirësuam organizimin për të mbajtur kongrese të mëdha në Danimarkë dhe përvoja që kisha fituar kur punoja në kongreset në Shtetet e Bashkuara doli e dobishme. Në vitin 1961, në kongresin e madh ndërkombëtar në Kopenhagen u mikpritën delegatë nga më shumë se 30 vende. Maksimumi i të pranishmëve arriti në 33.513 veta. Në vitin 1969 organizuam atë që doli se ishte kongresi më i madh që ishte mbajtur në vendet skandinave, ku u arrit një maksimum prej 42.073 të pranishmish.

Në vitin 1963 mora ftesën për të ndjekur klasën e 38-të të Galaadit. Ky ishte një kurs dhjetëmujor i përmirësuar, që kishte si qëllim në veçanti të stërviste personelin drejtues të degëve. Ishte një kënaqësi të ndodhesha përsëri në familjen Bethel të Bruklinit dhe të nxirrja dobi nga përvoja e atyre që kishin punuar prej vitesh duke u kujdesur për veprimtaritë e selisë.

Pas këtij kursi stërvitjeje u ktheva në Danimarkë që të vazhdoja të kujdesesha për përgjegjësitë e atjeshme. Përveç kësaj kisha privilegjin të shërbeja si mbikëqyrës zone, duke vizituar degët në perëndim e në veri të Evropës për t’i dhënë personelit të atjeshëm inkurajim dhe për t’i ndihmuar që të përmbushnin përgjegjësitë. Kohët e fundit e kam kryer këtë vepër në Afrikën Perëndimore dhe në Karaibe.

Në fund të viteve 70, vëllezërit në Danimarkë filluan të kërkonin një vend ku të mund të ndërtonin një godinë më të madhe për veprën e zgjeruar të përkthimit e të shtypjes. Rreth 60 kilometra në perëndim të Kopenhagenit ndodhej një pronë e shkëlqyer. Bashkë me vëllezër të tjerë punova për planifikimin dhe projektimin e kësaj ndërtese të re, dhe Xhuli e unë pritnim me padurim që të banonim me familjen Bethel në shtëpinë e re e të bukur. Por gjërat nuk shkuan kështu.

Përsëri në Bruklin

Në nëntor të vitit 1980 Xhuli dhe unë morëm ftesën për të shërbyer në Bethelin e Bruklinit, ku mbërritëm në fillim të janarit 1981. Ishim gati 60 vjeç dhe pasi kishim shërbyer për pothuajse gjysmën e jetës me vëllezërit dhe motrat në Danimarkë nuk e kishim të lehtë të ktheheshim në Shtetet e Bashkuara. Prapëseprapë nuk filluam të mendonim se ku do na pëlqente të ishim, por u përpoqëm të përqendroheshim në caktimet e reja dhe në çfarëdo sfide që të na paraqitnin ato.

Mbërritëm në Bruklin dhe u përshtatëm. Xhuli u caktua në zyrën e llogarisë për të bërë një punë të ngjashme me atë që kishte bërë në Danimarkë. Unë u caktova në Repartin e Shkrimit që të ndihmoja për të bërë programin e përgatitjes së botimeve tona. Fillimi i viteve 80 ishte një kohë ndryshimesh për veprimtaritë në Bruklin, sepse kaluam nga përdorimi i makinave të shkrimit dhe radhitja me plumb të shkrirë, në përpunimin me kompjuter dhe në shtypjen me ofset. Nuk dija asgjë për kompjuterët, por kisha disa njohuri për procedurat e organizimit dhe të punës në grup.

Pak kohë më pas kishte nevojë për të përmirësuar organizimin e Repartit të Artit, meqë kaluam në shtypjen me ofset me të gjitha ngjyrat dhe në përdorimin e ilustrimeve dhe të fotografive me ngjyra. Ndonëse nuk kisha përvojë në art, munda të ndihmoja në organizimin e gjërave. Kështu pata privilegjin që të mbikëqyrja këtë repart për nëntë vjet.

Në vitin 1992 u caktova për të dhënë ndihmesën time në Komitetin e Botimit të Trupit Udhëheqës dhe u transferova në Zyrën e Thesarit. Këtu vazhdoj të shërbej në lidhje me veprimtaritë financiare të Dëshmitarëve të Jehovait.

Shërbim që nga fëmijëria

Që nga fëmijëria dhe gjatë 70 viteve shërbimi të kushtuar, Jehovai më ka mësuar me durim me anë të Fjalës së tij, Biblës, dhe të vëllezërve të gjindshëm në organizatën e tij të mrekullueshme. Jam kënaqur duke shërbyer për më shumë se 63 vjet në shërbimin e plotkohor dhe nga kjo periudhë për më tepër se 55 vjet kam shërbyer bashkë me gruan time besnike, Xhulin. Vërtet, ndihem tejet i bekuar nga Jehovai.

Kohë më parë, në vitin 1940, kur ika nga shtëpia për të nisur shërbimin e pionierit, im atë u tall me vendimin që kisha marrë dhe tha: «Bir, nëse ikën nga shtëpia për të bërë këtë gjë, mos mendo se mund të kthehesh me vrap tek unë për ndihmë.» Gjatë viteve nuk më është dashur kurrë ta bëj këtë. Jehovai me bujari është kujdesur për nevojat e mia, shpesh nëpërmjet të bashkëkrishterëve që më ndihmonin me gatishmëri. Më vonë im atë filloi ta respektonte veprën tonë e madje bëri njëfarë përparimi në mësimin e së vërtetës biblike përpara se të vdiste në vitin 1972. Mamaja, e cila kishte shpresën e jetës qiellore, vazhdoi t’i shërbente Jehovait besnikërisht deri kur vdiq në vitin 1985, në moshën 102 vjeçare.

Ndonëse dalin probleme në shërbimin në kohë të plotë, Xhuli dhe unë nuk kemi menduar kurrë ta lëmë caktimin tonë. Jehovai na ka mbështetur gjithnjë në këtë vendim. Edhe kur prindërit e mi të moshuar kishin nevojë për ndihmë, motra ime, Viktoria Marlini, na erdhi në ndihmë dhe me dashamirësi u kujdes për ta. I jemi shumë mirënjohës për ndihmën e saj të dashur, e cila na ka dhënë mundësi të vazhdojmë shërbimin në kohë të plotë.

Xhuli më ka mbështetur me besnikëri në të gjitha caktimet, duke e parë këtë si pjesë të kushtimit ndaj Jehovait. Tani jam 80 vjeç dhe kam disa probleme shëndeti. Megjithatë, ndihem tejet i bekuar nga Jehovai. Gjej shumë inkurajim nga psalmisti, i cili pasi shpalli se Perëndia e kishte mësuar që nga fëmijëria, u lut: ‘Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.’—Psalmi 71:17, 18.

[Shënimi]

^ par. 12 Uorëni ishte vëllai i madh i Milton Henshelit, i cili shërbeu për shumë vite si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.

[Figura në faqen 20]

Me mamanë në vitin 1940, kur fillova shërbimin e pionierit

[Figura në faqen 21]

Me pionierët Xho dhe Margaret Harti

[Figura në faqen 23]

Ditën e dasmës në janar të vitit 1948

[Figura në faqen 23]

Në vitin 1953 me vëllezër të së njëjtës klasë të Galaadit. Nga e majta në të djathtë: Don dhe Virxhinia Uordi, Gertruida Stegenga, Xhuli dhe unë

[Figura në faqen 23]

Me Frederik U. Francin dhe Nejthën H. Norin në Kopenhagen të Danimarkës, viti 1961

[Figura në faqen 25]

Me Xhulin sot