Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja si i mbajnë mend disa

Ja si i mbajnë mend disa

Ja si i mbajnë mend disa

RRETH tre mijë vjet më parë, Davidi po fshihej nga mbreti Saul i Izraelit. Ai dërgoi disa burra te Nabali, një i pasur që kishte dele e dhi, për të kërkuar ushqim dhe ujë. Në të vërtetë Nabali i detyrohej një nder Davidit dhe njerëzve që ishin me të, sepse këta i kishin mbrojtur kopetë. Mirëpo Nabali nuk donte të tregonte fare mikpritje. Madje u bërtiti njerëzve të Davidit dhe i shau. Nabali po luante me zjarrin, se Davidi s’ishte nga ata që mund të viheshin në lojë.​—1 Samuelit 25:5, 8, 10, 11, 14.

Qëndrimi që mbajti Nabali nuk përputhej fare me traditën që ishte në Lindjen e Mesme për t’u treguar mikpritje vizitorëve dhe të huajve. Prandaj, çfarë emri po i bënte vetes Nabali? Bibla thotë se ai «ishte i ashpër dhe i keq në veprimet e tij». Emri i tij ka kuptimin ‘i pamend’, e s’ka dyshim që Nabali e tregoi me jetën e tij se ishte i tillë. (1 Samuelit 25:3, 17, 25) A do të doje të të mbanin mend si të tillë? A je i ashpër dhe i rreptë me të tjerët, sidomos nëse duket se ata janë në një situatë të pafavorshme? Apo je i dashur, mikpritës e i dhembshur?

Abigaila, një grua e matur

Nabali tani e kishte punën pisk, për shkak të qëndrimit të tij të ashpër. Davidi dhe 400 njerëzit që ishin me të ngjeshën shpatat dhe u nisën për t’i dhënë atij një mësim të mirë. E shoqja e Nabalit, Abigaila, mori vesh çfarë kishte ndodhur. Ajo e dinte se së shpejti do të plaste një përleshje. Çfarë mund të bënte? Nxitoi të përgatiste ushqim me bollëk dhe doli të takonte Davidin me njerëzit e tij. Kur i takoi, ajo iu lut Davidit që të mos derdhte gjak pa shkak. Zemra e Davidit u zbut. I dëgjoi lutjet e saj dhe ndryshoi mendje. Pak pas këtyre ngjarjeve, Nabali vdiq. Duke i kuptuar cilësitë e mira të Abigailës, Davidi e mori për grua.​—1 Samuelit 25:14-42.

Çfarë emri i bëri vetes Abigaila? Ajo ishte «me gjykim të shëndoshë» ose «inteligjente», siç e shpreh gjuha origjinale hebraike. Dukej qartë që ajo ishte e arsyeshme dhe praktike, dinte si dhe kur të merrte iniciativën. Veproi me besnikëri për ta mbrojtur burrin e saj të pamend dhe shtëpinë e tij nga katastrofa. Me kalimin e kohës ajo vdiq, por duke lënë pas një emër të mirë si grua e matur.​—1 Samuelit 25:3.

Ç’emër la Pjetri?

Le të ecim përpara në kohë deri në shekullin e parë të erës sonë dhe le të flasim për 12 apostujt e Jezuit. Pa dyshim, njëri nga ata që ishin me natyrë më të gjallë e të rrëmbyer ishte Pjetri ose Kefa, që më parë kishte qenë peshkatar në Galile. Duket se ai ishte një njeri energjik që s’kishte frikë t’i shprehte ndjenjat e tij. Për shembull, në një rast Jezui u lau këmbët dishepujve të tij. Si reagoi Pjetri kur i erdhi radha që Jezui t’i lante këmbët?

Pjetri i tha Jezuit: «Zotëri, ti po më lan këmbët?» Ai iu përgjigj: «Ti nuk e kupton tani për tani atë që po bëj, por mbas këtyre gjërave do ta kuptosh.» Pjetri ia ktheu: «Ti nuk do të m’i lash këmbët kurrën e kurrës.» Vër re çfarë reagimi shprehës, por i rrëmbyer. Si u përgjigj Jezui?

«Po nuk të lava, ti nuk ke pjesë me mua.» Atëherë Simon Pjetri i tha: «Zotëri, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.» Tani Pjetri shkon në ekstremin tjetër. Por ama gjithnjë dihej si do të reagonte Pjetri. Ai s’vepronte asnjëherë me dredhi ose dyfytyrësi.​—Gjoni 13:6-9.

Pjetri mbahet mend edhe për dobësitë e tij, të zakonshme për njerëzit. Për shembull, ai e mohoi Krishtin tri herë para njerëzve që e akuzuan se ishte ithtar i të dënuarit, Jezuit nga Nazareti. Kur e kuptoi gabimin e tij, Pjetri qau me ngashërim. Ai s’kishte frikë të shprehte keqardhjen dhe trishtimin. Është po ashtu domethënëse se ky tregim ku Pjetri mohoi Jezuin u dokumentua nga shkrimtarët e ungjijve, me siguri falë informacionit që vetë Pjetri u kishte dhënë. Ai ishte aq i përulur sa të pranonte të metat e tij. A e ke ti këtë virtyt?​—Mateu 26:69-75; Marku 14:66-72; Luka 22:54-62; Gjoni 18:15-18, 25-27.

Pak javë pasi kishte mohuar Krishtin, Pjetri, i mbushur me frymë të shenjtë, i predikoi me guxim një turme judenjsh në Festën e Ditës së Pesëdhjetë. Kjo ishte shenjë e sigurt se Jezui i ringjallur kishte besim tek ai.​—Veprat 2:14-21.

Në një rast tjetër, Pjetri ra në një grackë të ndryshme nga e para. Apostulli Pavël shpjegoi se para mbërritjes së disa vëllezërve judenj në Antioki, Pjetri ishte shoqëruar lirisht me besimtarët johebrenj. Por u nda prej tyre «nga frika e atyre të klasës së rrethprerë» që sapo kishin ardhur nga Jerusalemi. Pavli e dënoi këtë qëndrim të dyfishtë të Pjetrit.​—Galatasve 2:11-14.

Gjithsesi, cili nga dishepujt foli me guxim në një çast kritik, kur u duk se shumë ithtarë ishin gati për ta lënë Jezuin? Ky ishte rasti kur Jezui zbuloi diçka të re, se ç’domethënie kishte ngrënia e mishit të tij dhe pirja e gjakut të tij. Ai tha: «Po të mos hani mishin e Birit të njeriut e të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në veten tuaj.» Shumica e ithtarëve të Jezuit u penguan nga kjo dhe thanë: «Ky i folur është tronditës; kush mund ta dëgjojë?» Çfarë ndodhi më pas? «Prej kësaj, shumë nga dishepujt e tij iu kthyen gjërave të lëna prapa dhe nuk ecnin më me të.»​—Gjoni 6:50-66.

Në këtë çast kritik, Jezui u kthye nga 12 apostujt dhe u bëri pyetjen zhbiruese: «Mos doni të shkoni edhe ju?» Pjetri u përgjigj: «Zotëri, te kush të ikim? Ti ke fjalë jete të përhershme; e ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.»​—Gjoni 6:67-69.

Çfarë emri i bëri vetes Pjetri? Një njeri që lexon tregimet për të nuk mund të mos mahnitet nga personaliteti i tij i ndershëm dhe i hapur, nga besnikëria e tij dhe nga gatishmëria për të pranuar dobësitë që kishte. Sa emër të shkëlqyer që i bëri vetes!

Si e mbanin mend njerëzit Jezuin?

Shërbimi tokësor i Jezuit zgjati vetëm tre vjet e gjysmë. Por, si e mbajnë mend ithtarët e tij? A ishte i ftohtë dhe i largët, meqenëse ishte i përsosur e pa mëkat? A mbahej me të madh, meqenëse e dinte se ishte Biri i Perëndisë? A i bëri të bindeshin ithtarët e tij duke i frikësuar ose duke u bërë presion? A mendonte kaq shumë për imazhin e tij, saqë nuk kishte ndjenjën e humorit? A ishte kaq i zënë me punë, saqë s’kishte kohë për të dobëtit e të sëmurët ose për fëmijët? A i shihte me përbuzje njerëzit e racave të tjera dhe gratë, siç bënin shpesh burrat në atë kohë? Çfarë na thonë dokumentimet?

Jezui interesohej për njerëzit. Kur shqyrtojmë shërbimin e tij, shohim që në shumë raste shëroi të çalë e të sëmurë. Bëri çmos që të ndihmonte nevojtarët. Tregoi interes për fëmijët dhe u tha dishepujve të tij: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni.» Pastaj Jezui «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». A u kushtoni kohë fëmijëve, apo jeni tepër të zënë me punë dhe as që e vini re se janë aty?​—Marku 10:13-16; Mateu 19:13-15.

Kur Jezui ishte në tokë, judenjtë ishin të rënduar me rregulla fetare që shkonin përtej kërkesave të Ligjit. Udhëheqësit e tyre fetarë po i rëndonin me barrë të rënda, kurse për vete nuk po i lëviznin ato barrë as me gisht. (Mateu 23:4; Luka 11:46) Prandaj, sa ndryshe ishte Jezui! Ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj.»​—Mateu 11:28-30.

Njerëzit rigjallëroheshin kur rrinin me Jezuin. Ai nuk i frikësonte dishepujt e tij, prandaj ata s’kishin frikë të shpreheshin. Madje ai u bënte pyetje për të ditur se çfarë mendonin. (Marku 8:27-29) Mbikëqyrësit e krishterë bëjnë mirë të pyesin veten: ‘A u lë të njëjtën përshtypje bashkëbesimtarëve? A më thonë pleqtë e tjerë me të vërtetë atë që mendojnë apo ngurrojnë ta bëjnë këtë?’ Sa freskuese është kur mbikëqyrësit janë të afrueshëm, i dëgjojnë të tjerët dhe janë gjithnjë elastikë! Paarsyetueshmëria vetëm sa u mbyll rrugë bisedave të hapura e të lirshme.

Ndonëse ishte Biri i Perëndisë, Jezui nuk e shpërdoroi kurrë pushtetin ose autoritetin që kishte. Përkundrazi arsyetoi me dëgjuesit. Ky ishte rasti kur farisenjtë donin ta futnin në grackë me një pyetje mashtruese: «A është e ligjshme t’i paguash Cezarit haraç për kokë, apo jo?» Jezui u tha t’i tregonin një monedhë dhe i pyeti: «E kujt është kjo shëmbëlltyrë dhe ky mbishkrim?» Ata iu përgjigjën: «E Cezarit.» Atëherë ai u tha: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (Mateu 22:15-21) Mjaftonte vetëm një logjikë e thjeshtë.

A kishte Jezui ndjenjën e humorit? Disa lexues mund të kapin një nuancë humori kur lexojnë pjesën ku Jezui tha se ishte më e lehtë që një deve të kalonte nëpër vrimën e gjilpërës, sesa që një i pasur të hynte në Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 19:23, 24) Vetë ideja që deveja të përpiqet të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre është e zmadhuar. Një shembull tjetër i përdorimit të hiperbolës është të shohësh një lëmishte në syrin e vëllait por të mos shohësh traun që ke në syrin tënd. (Luka 6:41, 42) Jo, Jezui nuk ishte një njeri strikt i rezervuar në fjalë. Ai ishte i përzemërt e miqësor. Të krishterëve të sotëm ndjenja e humorit mund t’ua lehtësojë disi zymtësinë në kohë stresuese.

Dhembshuria e Jezuit për gratë

Si ndiheshin gratë kur ishin pranë Jezuit? Patjetër ai kishte shumë ithtare besnike femra, përfshirë edhe nënën e tij, Marinë. (Luka 8:1-3; 23:55, 56; 24:9, 10) Gratë ndiheshin kaq të lira për t’iu afruar Jezuit, saqë në një rast një grua ‘që njihej si mëkatare’ ia lau këmbët atij me lot dhe ia leu me vaj të parfumuar. (Luka 7:37, 38) Një grua tjetër që kishte vuajtur nga një rrjedhje gjaku për vite të tëra, çau rrugën nëpër turmë për t’i prekur rrobën, që të shërohej. Jezui e lavdëroi për besimin e saj. (Mateu 9:20-22) Po, gratë mendonin se Jezui ishte i afrueshëm.

Në një rast tjetër, Jezui foli me një grua samaritane te një pus. Ajo mbeti kaq e habitur, saqë tha: «Si vallë ti, megjithëse je jude, më kërkon për të pirë mua, që jam një grua samaritane?» Dihet që judenjtë s’kishin fare të bënin me samaritanët. Jezui vazhdoi duke i mësuar asaj një të vërtetë të mrekullueshme për ‘ujin që gufon për të dhënë jetë të përhershme’. Ai ndihej rehat me gratë. Nuk ndihej sikur po i vinin në dyshim pozitën.​—Gjoni 4:7-15.

Jezui mbahet mend për cilësitë e shumta që pasqyronin dhembshuri, përfshirë edhe frymën vetëmohuese. Ishte personifikimi i dashurisë së perëndishme. Jezui lë modelin për të gjithë ata që duan të jenë ithtarë të tij. Sa me kujdes e ndjek ti shembullin e tij?​—1 Korintasve 13:4-8; 1 Pjetrit 2:21.

Si mbahen mend të krishterët e sotëm?

Në kohët e sotme kanë vdekur mijëra të krishterë besimplotë, shumë në moshë të shkuar, të tjerët relativisht të rinj. Por kanë lënë pas një emër të mirë. Disa, si Kristali që vdiq kur ishte e moshuar, mbahen mend për dashurinë dhe për natyrën e shoqërueshme. Të tjerë, si për shembull Dirku që vdiq rreth të dyzetave, mbahen mend për natyrën e gëzuar dhe për frymën e gatshme.

Kemi edhe rastin e Hozesë nga Spanja. Në vitet 60, kur vepra e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait atje ishte e ndaluar, Hozeja u martua dhe pati tri vajza. Kishte një punë të sigurt në Barcelonë. Por në atë kohë kishte nevojë për pleq të pjekur të krishterë në jug të Spanjës. Hozeja e la punën e tij të sigurt dhe u transferua në Malagë, bashkë me familjen. Kaluan kohë të vështira nga ana ekonomike, pasi shpesh ishin pa punë.

Megjithatë Hozenë e njihnin për shembullin e tij besnik në shërbim dhe për faktin që i rriti shumë mirë vajzat e tij. Këtë e arriti edhe me ndihmën e gruas së tij të dashur, Karmelës. Kur nevojitej dikush që të organizonte kongrese të krishtere në atë krahinë, Hozeja gjithnjë dilte vullnetar. Mjerisht, kur ishte në të 50-at, i ra një sëmundje e rëndë që i shkaktoi vdekjen. Megjithatë, la pas një emër si një plak i besueshëm, punëtor i palodhur dhe si një burrë e baba i dashur.

Atëherë, si do të të mbajnë mend ty? Po të kishe vdekur dje, çfarë do të thoshin njerëzit për ty sot? Kjo është një pyetje që mund të na nxitë të gjithëve të përmirësojmë mënyrën se si veprojmë.

Çfarë mund të bëjmë për të pasur një emër të mirë? Gjithnjë mund të përmirësohemi për të shfaqur më tepër frytin e frymës: dashurinë, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, butësinë dhe vetëkontrollin, ndër të tjera. (Galatasve 5:22, 23) Po, është e sigurt se «një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes».​—Predikuesi 7:1; Mateu 7:12.

[Figura në faqen 5]

Abigaila mbahet mend për maturinë e saj

[Figura në faqen 7]

Pjetri mbahet mend për personalitetin e tij të rrëmbyer, por të ndershëm

[Figura në faqen 8]

Jezui u kushtoi kohë fëmijëve