Shërbimi ndaj të tjerëve të lehtëson vuajtjet
Jetëshkrim
Shërbimi ndaj të tjerëve të lehtëson vuajtjet
TREGUAR NGA JULIAN ARJASI
Në vitin 1988, kur isha 40 vjeç, e ardhmja e karrierës sime dukej e sigurt. Isha drejtori rajonal i një kompanie shumëkombëshe. Si shpërblim për punën që kryeja më dhanë një makinë shumë të bukur, një rrogë të mirë dhe një zyrë luksoze në qendër të Madridit, në Spanjë. Kompania madje hodhi fjalën se do të më bënte drejtor në tërë vendin. Nuk e mendoja se jeta ime do të ndryshonte krejtësisht.
NJË ditë të po atij viti, mjeku më dha lajmin se kisha sklerozë të përhapur, një sëmundje të pashërueshme. U ndjeva i dërrmuar. Më vonë u frikësova kur lexova se çfarë mund t’i bëjë skleroza e përhapur njeriut. * Dukej sikur shpata proverbiale e Damokleut do të rrinte e varur mbi mua për gjithë jetën. Si do të kujdesesha për gruan time, Milagrosin dhe për djalin tim trevjeçar, Ismaelin? Si do ta përballonim këtë situatë? Ndërkohë që ende po kërkoja kuturu përgjigjen e këtyre pyetjeve, më ndodhi edhe një ngjarje tjetër e hidhur.
Afro një muaj pasi mjeku më foli për sëmundjen, përgjegjësi më thirri në zyrën e tij dhe më njoftoi se kompania kishte nevojë për njerëz me «paraqitje të mirë». Kuptohet që një njeri me sëmundje degjeneruese, edhe pse në fazat e para të saj, nuk kishte një paraqitje të tillë. Kështu që, sa hap e mbyll sytë, shefi më pushoi nga puna. Papritur karriera ime mori fund!
Në sytë e familjes u përpoqa të isha i fortë, por dëshiroja me zjarr t’i kushtoja kohë vetes, të mendoja për rrethanat e reja dhe të meditoja për të ardhmen. U përpoqa të mposhtja ndjenjat e depresionit që po shtoheshin gjithnjë e më shumë. Ajo që më lëndoi më shumë ishte dijenia se krejt papritur isha bërë i panevojshëm për kompaninë.
Gjej forcë në dobësi
Lumturisht, në këtë kohë të zymtë, mund të mbështetesha në disa burime që më dhanë fuqi. Pothuajse 20 vjet më parë isha bërë Dëshmitar i Jehovait. Prandaj iu luta sinqerisht Jehovait për ndjenjat e mia dhe për pasigurinë që kisha për të ardhmen. Gruaja ime, e cila ka të njëjtin besim, ishte një kala e fortë. Kisha edhe përkrahjen e disa miqve të ngushtë, dashamirësia dhe dhembshuria e të cilëve ishte tepër e çmuar.—Fjalët e urta 17:17.
Më ndihmoi edhe ndjenja e përgjegjësisë që kisha për të tjerët. Dëshiroja ta rritja sa më mirë djalin tim, ta mësoja, të luaja me të dhe ta stërvitja në veprën e predikimit. Prandaj nuk mund të dorëzohesha. Mbi të gjitha, shërbeja si plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait dhe atje vëllezërit e motrat e krishtere kishin nevojë për mbështetjen time. Nëse lejoja që vuajtja të më minonte besimin, çfarë shembulli do të isha për të tjerët?
Padyshim jeta ime ndryshoi fizikisht dhe ekonomikisht, në disa mënyra për keq, por në disa të tjera për mirë. Njëherë dëgjova një mjek të thoshte: «Sëmundja nuk e shkatërron njeriun, përkundrazi e ndryshon atë.» Kam parë se jo të gjitha ndryshimet janë negative.
Para së gjithash, ‘gjembi në mish’ më ndihmoi t’i kuptoja më mirë problemet shëndetësore që kishin të tjerët dhe të bashkohesha me ndjenjat e tyre. (2 Korintasve 12:7) E kuptova më mirë se kurrë më parë atë që thuhet te Fjalët e urta 3:5: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.» Mbi të gjitha, rrethanat e reja më mësuan se çfarë ka vërtet rëndësi në jetë dhe çfarë të jep kënaqësi të vërtetë e një ndjenjë vlerësimi për veten. Kisha shumë për të bërë në organizatën e Jehovait. Kuptova domethënien e vërtetë të fjalëve të Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Veprat 20:35.
Një jetë e re
Jo shumë kohë pasi m’u përcaktua diagnoza e sëmundjes më ftuan në një seminar në Madrid, ku vullnetarë të krishterë mësuan të forcojnë bashkëpunimin midis mjekëve dhe pacientëve të tyre Dëshmitarë. Më vonë, këta vullnetarë u bënë anëtarë të Komiteteve të Lidhjes me Spitalet. Për mua, ai seminar erdhi pikërisht në kohën e duhur. Zbulova një karrierë më të mirë, një karrierë që do të më sillte shumë më tepër kënaqësi se çdo punë tregtare.
Në seminar mësuam se Komitetet e Lidhjes me Spitalet, të cilët sapo ishin formuar, ishin krijuar me qëllim që të vizitonin spitalet, të intervistonin mjekët dhe të flitnin para punonjësve të mjekësisë. Të gjitha këto kishin si qëllim të forconin bashkëpunimin dhe të parandalonin mosmarrëveshjet. Komitetet i ndihmojnë Dëshmitarët të gjejnë mjekë, të cilët janë të gatshëm të kryejnë ndërhyrje mjekësore pa përdorur gjak. Meqenëse ishte një fushë e re për mua, sigurisht që kisha shumë për të mësuar rreth termave mjekësorë, etikës mjekësore dhe organizimit të spitalit. Megjithëkëtë, pas seminarit shkova në shtëpi si një njeri tjetër, i shoqëruar nga një sfidë e re e cila më emocionoi.
Vizitat nëpër spitale—Një burim kënaqësie
Edhe pse sëmundja po më gjymtonte dalëngadalë dhe pa mëshirë, m’u shtuan përgjegjësitë si anëtar i Komitetit të Lidhjes me Spitalet. Mora një pension invaliditeti, kështu që kisha më shumë kohë për të bërë vizita nëpër spitale. Pavarësisht se ndonjëherë ndihesha i zhgënjyer, këto vizita dolën më të lehta dhe më shpërblyese nga ç’e prisja. Megjithëse tani jam i ngujuar në një karrocë invalidi, kjo nuk ka qenë një pengesë e madhe. Gjithmonë më shoqëron një anëtar i komitetit. Për më tepër, mjekët janë mësuar të flasin me njerëz në karrocë invalidi dhe ndonjëherë duket se dëgjojnë me respekt më të madh kur vëzhgojnë përpjekjet që bëj për t’i vizituar.
Gjatë dhjetë viteve të fundit kam vizituar qindra mjekë. Disa ishin të gatshëm të na ndihmonin pothuajse që në fillim. Dr. Huan Duarti, një kirurg zemre në Madrid, i cili njihet për respektin që ka ndaj ndërgjegjes së pacientit, doli menjëherë i gatshëm. Që atëherë ai ka kryer më shumë se 200 operacione pa përdorur gjak, me pacientë Dëshmitarë nga shumë vende të Spanjës. Me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë mjekë kanë filluar të kryejnë operacione pa gjak. Vizitat e rregullta që bëmë luajtën rolin e tyre, por progresi u arrit edhe falë përparimeve të mjekësisë dhe falë rezultateve të shkëlqyera që u arritën nga kirurgjia pa gjak. Gjithashtu jemi të bindur që Jehovai i ka bekuar përpjekjet tona.
Më ka inkurajuar sidomos qëndrimi që kanë treguar disa kirurgë të zemrës, të cilët janë të specializuar në kurimin e fëmijëve. Për dy vjet vizituam një skuadër prej dy kirurgësh dhe anesteziologët e tyre. U dhamë literaturë mjekësore dhe u shpjeguam atë që po bënin mjekët e tjerë në këtë fushë. Përpjekjet tona u shpërblyen në vitin 1999, gjatë Konferencës Mjekësore për Kirurgjinë Kardiovaskulare ndaj Foshnjave. Dy kirurgët, nën drejtimin e një kirurgu të zotë nga Anglia që dëshironte të bashkëpunonte, kryen një operacion jashtëzakonisht të vështirë tek një foshnjë që i ka prindërit Dëshmitarë. Asaj i duhej bërë një ndërhyrje në valvulën e aortës. * U gëzova bashkë me prindërit e saj kur një nga kirurgët doli nga salla e operacionit për të lajmëruar se operacioni doli me sukses dhe se ishte respektuar ndërgjegjja e familjes. Tani këta dy mjekë presin rregullisht pacientë Dëshmitarë nga e gjithë Spanja.
Ajo që më jep vërtet kënaqësi në këto raste është dijenia se mund të ndihmoj vëllezërit e krishterë. Zakonisht, kur ata kontaktojnë me Komitetin e Lidhjes me Spitalet, ndodhen në një nga momentet më të vështira të jetës së tyre. Ata duhet të bëjnë operacion dhe mjekët në spitalin e vendit nuk janë të aftë ose të gatshëm t’i kurojnë pa gjak. Megjithatë vëllezërit ndihen mjaft të lehtësuar kur mësojnë se këtu në Madrid ka kirurgë nga të gjitha fushat e mjekësisë, të cilët janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Kam parë se si shprehja e shqetësuar e fytyrës së një vëllai u kthye në një pamje të qetë, vetëm ngaqë ishim përkrah tij në spital.
Bota e gjykatësve dhe e etikës mjekësore
Vitet e fundit, anëtarët e Komiteteve të Lidhjes me Spitalet kanë vizituar edhe gjykatësit. Gjatë këtyre vizitave u japim një botim të titulluar Familja dhe shëndeti; Informacion mjeko-ligjor mbi Dëshmitarët e Jehovait, i cili është përgatitur veçanërisht për t’i informuar këta zyrtarë rreth qëndrimit tonë ndaj përdorimit të gjakut dhe vlerës së alternativave mjekësore pa gjak. Ishte shumë e nevojshme të bëheshin këto vizita, meqenëse më parë nuk ishte diçka e pazakontë në Spanjë që gjykatësit të autorizonin mjekët për të bërë transfuzion kundër dëshirës së pacientit.
Zyrat e gjykatësve janë vende madhështore dhe në vizitën e parë që bëra dukesha shumë i vogël ndërsa kaloja përmes korridorit me karrocën time. Si për të keqësuar situatën, patëm një aksident të lehtë dhe unë rashë në gjunjë nga karroca. Disa gjykatës dhe avokatë, që më panë kur rashë, erdhën me dashamirësi për të më ndihmuar, por u ndjeva në siklet përpara tyre.
Ndonëse gjykatësit nuk i kishin të qarta arsyet e vizitës sonë, shumica na pritën me mirësjellje. Gjykatësi i parë që vizitova tashmë kishte menduar thellë rreth qëndrimit tonë dhe tha se dëshironte të fliste më gjatë me ne. Në vizitën tjetër, ai vetë më shoqëroi për në zyrat e tij dhe më dëgjoi me vëmendje. Rezultatet e shkëlqyera të vizitës së parë i inkurajuan shokët e mi dhe mua që ta mposhtnim frikën dhe shpejt pamë të tjera rezultate të mira.
Po atë vit i lamë një gjykatësi tjetër një kopje të botimit Familja dhe shëndeti. Ai na priti me mirësjellje dhe na premtoi se do ta lexonte materialin. I dhashë numrin tim të telefonit nëse kishte nevojë të kontaktonte me ne në raste urgjente. Dy javë më vonë më mori në telefon për të më thënë se një kirurg i qytetit i kishte kërkuar autorizim për transfuzionin që do t’i bëhej një Dëshmitari që duhej operuar. Gjykatësi na tha se dëshironte ta ndihmonim të gjente një zgjidhje që do të respektonte dëshirën e Dëshmitarit për të mos marrë gjak. Nuk e patëm shumë të vështirë të gjenim një spital tjetër, në të cilin kirurgët e kryen me sukses operacionin pa gjak. Gjykatësi u kënaq kur dëgjoi rezultatin dhe na siguroi se do përpiqej të gjente zgjidhje të ngjashme në të ardhmen.
Gjatë vizitave nëpër spitale bisedat silleshin shpesh rreth etikës mjekësore, për shkak se dëshironim që mjekët të merrnin parasysh të drejtat dhe ndërgjegjen e pacientit. Një spital në Madrid, i cili pranoi të bashkëpunonte me ne, më ftoi të merrja pjesë në një kurs që po jepnin në lidhje me etikën. Ky kurs më dha mundësi të flisja për pikëpamjen biblike para shumë specialistëve të kësaj fushe. Gjithashtu, më ndihmoi të kuptoja se sa vendime të vështira duhej të merrnin mjekët.
Një nga mësuesit e kursit, Diego Grasia, organizon rregullisht një kurs me emër për titullin master në lidhje me etikën për mjekët spanjollë. Ai është bërë një përkrahës i fortë i së drejtës sonë për miratimin e informuar në lidhje me çështjen e transfuzionit të gjakut. * Kontakti ynë i rregullt me të ka bërë të mundur që ai të ftojë disa përfaqësues të zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Spanjë për t’i shpjeguar qëndrimin tonë studentëve që specializohen nga profesor Grasia. Disa nga këta studentë njihen si mjekët më të mirë të vendit.
Përballem me realitetin
Sigurisht, kjo punë e kënaqshme në dobi të bashkëbesimtarëve nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet e mia. Sëmundja ime përparon. Megjithatë, lumturisht mendjen e kam esëll. Falë gruas dhe djalit tim, të cilët nuk ankohen kurrë, mund t’i mbaj ende përgjegjësitë e mia. Pa ndihmën dhe mbështetjen e tyre, kjo do të ishte e pamundur. Unë as nuk mund të mbërthej pantallonat ose të vesh pallton. Kënaqem jashtëzakonisht kur predikoj çdo të shtunë me djalin tim, Ismaelin. Ai më ndihmon që të lëviz me karrocë, për të folur me pronarë të ndryshëm shtëpie. Gjithashtu mund të kujdesem ende për detyrat e mia si plak kongregacioni.
Këto 12 vitet e fundit kam pasur disa momente të vështira. Ngandonjëherë, kur shikoj se si ndikon paaftësia ime tek familja, ndiej më shumë dhembje se sa mund të më shkaktojë sëmundja që kam. E di që vuajnë, ndonëse nuk e shprehin. Jo shumë kohë më parë, brenda një viti më vdiq vjehrra dhe babai. Në të njëjtin vit e pashë veten të paaftë për të lëvizur pa një karrocë invalidi. Babai, i cili jetonte në shtëpinë tonë, vdiq nga një tjetër sëmundje degjeneruese. Milagrosi, e cila u kujdes për të, u ndie sikur po vështronte atë që do të më ndodhte në të ardhmen.
Megjithatë, ka edhe anë pozitive. Familja jonë është e bashkuar ndërsa përballojmë vështirësitë së bashku. E kam shkëmbyer karrigen e drejtorit me karrocën e invalidit, por jeta ime është vërtet më e mirë tani, sepse është plotësisht e përkushtuar në shërbim të të tjerëve. Dhënia mund ta lehtësojë vuajtjen dhe Jehovai e mban premtimin për të na forcuar në kohë nevoje. Ashtu si Pavli, mund të them padyshim: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.
[Shënimet]
^ par. 5 Skleroza e përhapur është një çrregullim i sistemit nervor qendror. Shpesh ajo shkakton një prishje progresive të ekuilibrit, të përdorimit të gjymtyrëve dhe shpeshherë të shikimit, të të folurit ose të kuptueshmërisë.
^ par. 19 Ky operacion njihet si procedura e Rosit.
^ par. 27 Shiko Kullën e Rojës, 15 shkurt 1997, faqet 19, 20.
[Kutia në faqen 24]
Pikëpamja e gruas
Për një grua, të jetojë me një bashkëshort që vuan nga skleroza e përhapur është e vështirë mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht. Duhet të jem e arsyeshme në lidhje me atë që planifikoj të bëj dhe të jem e gatshme që të mos lejoj të më shpërqendrojnë ankthet e panevojshme për të ardhmen. (Mateu 6:34) Sidoqoftë, vuajtjet nxjerrin në pah cilësitë më të mira të njeriut. Martesa jonë është më e fortë se më parë dhe marrëdhënia ime me Jehovain është më e ngushtë. Gjithashtu, më kanë ndihmuar shumë jetëshkrimet e të tjerëve që kanë qenë në situata të ngjashme stresuese. Provoj të njëjtën kënaqësi që ndien Juliani si pasojë e shërbimit të çmuar që bën në dobi të vëllezërve. Edhe pse çdo ditë mund të sjellë një sfidë të re, kam parë se Jehovai nuk na braktis kurrë.
[Kutia në faqen 24]
Pikëpamja e tim biri
Durimi dhe fryma pozitive e babait janë një shembull i shkëlqyer për mua dhe ndihem i dobishëm kur e ndihmoj të lëvizë me karrocë. E di që nuk mund të bëj gjithmonë atë që dëshiroj. Tani jam adoleshent, por kur të rritem dua të shërbej si anëtar i Komitetit të Lidhjes me Spitalet. E di që sipas premtimit të Biblës vuajtjet janë të përkohshme dhe se shumë vëllezër dhe motra vuajnë më shumë se ne.
[Figura në faqen 22]
Gruaja është një burim inkurajimi për mua
[Figura në faqen 23]
Duke biseduar me kirurgun e zemrës dr. Huan Duartin
[Figura në faqen 25]
Djali im dhe unë kënaqemi kur punojmë së bashku në shërbim