Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të imitojmë Jehovain, Perëndinë tonë të paanshëm

Të imitojmë Jehovain, Perëndinë tonë të paanshëm

Të imitojmë Jehovain, Perëndinë tonë të paanshëm

«Nuk ka anësi pranë Perëndisë.»​—ROMAKËVE 2:11.

1, 2. (a) Cili ishte qëllimi i Jehovait për kananitët në përgjithësi? (b) Çfarë bëri Jehovai dhe çfarë pyetjesh ngre kjo?

ISHTE viti 1473 p.e.s. Populli i Izraelit kishte fushuar në Rrafshinat e Moabit e po dëgjonte me vëmendje Moisiun. Përtej lumit Jordan i priste një sfidë. Moisiu shpalli se Jehovai kishte si qëllim që Izraeli të mundte shtatë kombet e fuqishme kananite në Tokën e Premtuar. Sa shumë siguri jepnin fjalët e Moisiut: «Jehovai, Perëndia yt, ka për të t’i dhënë patjetër në dorë e ti duhet t’i mundësh.» (BR) Izraeli nuk duhej të bënte asnjë besëlidhje me ta dhe ata nuk meritonin aspak favor.​—Ligji i përtërirë 1:1; 7:1, 2.

2 Megjithatë, Jehovai ia kurseu jetën një familjeje që ishte nga qyteti i parë që sulmoi Izraeli. Gjithashtu, edhe njerëz nga katër qytete të tjera përjetuan mbrojtjen e Perëndisë. Pse e bëri këtë? Çfarë na mësojnë rreth Jehovait ngjarjet e jashtëzakonshme që lidhen me mbijetesën e këtyre kananitëve? Si mund ta imitojmë atë?

Reagime ndaj famës së Jehovait

3, 4. Çfarë ndikimi patën tek individë që jetonin në Kanaan lajmet për fitoret e izraelitëve?

3 Gjatë 40 vjetëve që populli i Perëndisë ishte në shkretëtirë, përpara se të hynte në Tokën e Premtuar, Jehovai e mbrojti dhe luftoi për të. Në jug të Tokës së Premtuar Izraeli u ndesh me mbretin kananit të Aradit. Me ndihmën e Jehovait izraelitët e mundën atë dhe popullin e tij në Hormah. (Numrat 21:1-3) Më vonë Izraeli kaloi përqark tokës së Edomit dhe udhëtoi drejt veriut për në verilindje të Detit të Vdekur. Në këtë zonë më parë të banuar nga moabitët, tani ndodheshin amoritët. Mbreti amorit, Sihoni, nuk pranoi që ta lejonte Izraelin të kalonte përmes territorit të tij. Midis tyre u bë një betejë në Jahaz, me sa duket në veri të luginës së përroit të Arnonit, ku Sihoni u vra. (Numrat 21:23, 24; Ligji i përtërirë 2:30-33) Më në veri, mbi amoritët e tjerë në Bashan sundonte Ogu. Edhe pse Ogu ishte një gjigant, doli se nuk mund të krahasohej me Jehovain. Ogu u vra në Edrei. (Numrat 21:33-35; Ligji i përtërirë 3:1-3, 11) Lajmet rreth këtyre fitoreve bashkë me tregimet për daljen e Izraelit nga Egjipti patën një ndikim të fuqishëm tek individë që jetonin në Kanaan. *

4 Kur Izraeli hyri për herë të parë në Kanaan pas kalimit të lumit Jordan, ata ngritën kampin në Gilgal. (Jozueu [Josiu] 4:9-19) Jo shumë larg prej tyre ndodhej qyteti i rrethuar me mur, Jerikoja. Gjërat që dëgjoi kananitja Rahaba rreth veprave të Jehovait e nxitën që të vepronte me besim. Si rrjedhim kur Jehovai e shkatërroi Jerikonë ai ia kurseu jetën asaj dhe atyre të shtëpisë së saj.​—Jozueu 2:1-13; 6:17, 18; Jakovit 2:25.

5. Çfarë i shtyu gibeonitët që të tregoheshin mendjehollë?

5 Më tej, Izraeli iku nga ultësirat e lumit Jordan dhe u ngjit në kodrat qendrore të krahinës. Duke ndjekur drejtimin e Jehovait Josiu përdori taktikat e pritës kundër qytetit të Ait. (Jozueu, kapitulli 8) Lajmet për shpartallimin që ndodhi më pas i shtynë shumë mbretër të Kanaanit që të mblidheshin për luftë. (Jozueu 9:1, 2) Banorët e qytetit fqinjë hivit të Gibeonit reaguan ndryshe. Te Jozueu 9:4 (BR) thuhet se ata «u treguan mendjehollë». Ashtu si Rahaba ata kishin dëgjuar se si e kishte çliruar Jehovai popullin e tij gjatë daljes nga Egjipti dhe kur kishte mundur Sihonin e Ogun. (Jozueu 9:6-10) Gibeonitët e kuptuan se ishte e kotë të bënin rezistencë. Prandaj për dobinë e Gibeonit dhe të tri qyteteve fqinje​—Kefirahut, Beerotit dhe Kiriat-Jearimit—​dërguan te Josiu në Gilgal një delegacion që u hoq sikur vinte nga një vend i largët. Kjo strategji pati sukses. Josiu bëri një besëlidhje me ta, e cila u siguroi mbijetesën. Tri ditë më vonë Josiu dhe izraelitët morën vesh se i kishin mashtruar. Megjithatë, meqenëse për t’iu përmbajtur kësaj besëlidhjeje ishin betuar për Jehovain, ata iu përmbajtën asaj. (Jozueu 9:16-19) A e miratoi Jehovai këtë gjë?

6. Si reagoi Jehovai ndaj besëlidhjes që bëri Josiu me gibeonitët?

6 Gibeonitët i caktuan të pritnin dru dhe të mbanin ujë për izraelitët, madje edhe «për altarin e Zotit [Jehovait, BR]» në tabernakull. (Jozueu 9:21-27) Përveç kësaj, kur pesë mbretër amoritë bashkë me ushtritë e tyre kërcënuan gibeonitët, Jehovai ndërhyri duke bërë një mrekulli. Vranë më shumë armiq kokrrat e breshërit sesa trupat e Josiut. Jehovai madje iu përgjigj lutjes së Josiut që dielli dhe hëna të qëndronin pa lëvizur me qëllim që t’i shpartallonin plotësisht armiqtë. Josiu tha: «Nuk ka pasur ditë si ajo, as më parë, as më pas, kur Jehovai dëgjoi zërin e një njeriu, sepse Jehovai luftonte për Izraelin.» (BR)​—Jozueu 10:1-14.

7. Cila e vërtetë që pranoi Pjetri u bë e qartë në rastin e disa kananitëve?

7 Kananitja Rahaba bashkë me familjen e saj si edhe gibeonitët, iu frikësuan Jehovait dhe vepruan të shtyrë nga kjo gjë. Ajo që u ndodhi atyre tregon qartë një të vërtetë që tha më vonë apostulli i krishterë Pjetër: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.»​—Veprat 10:34, 35.

Mënyra se si veproi Jehovai me Abrahamin dhe Izraelin

8, 9. Si shfaqet paanësia e Jehovait në mënyrën se si veproi me Abrahamin dhe me kombin e Izraelit?

8 Dishepulli Jakov tërhoqi vëmendjen te dashamirësia e pamerituar që shfaqi Perëndia në mënyrën se si veproi me Abrahamin dhe pasardhësit e tij. Ajo që e bëri Abrahamin ‘mik të Jehovait’ nuk ishte prejardhja etnike, por besimi i tij. (Jakovit 2:23) Besimi dhe dashuria e Abrahamit ndaj Jehovait i sollën bekime pasardhësve të tij. (2 Kronikave 20:7) Jehovai i bëri këtë premtim Abrahamit: «Unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit.» Por le të vërejmë premtimin në vargun tjetër: «Me anë të farës sate me siguri do të bekohen të gjitha kombet e tokës.» (BR)​—Zanafilla 22:17, 18; Romakëve 4:1-8.

9 Me mënyrën se si veproi me Izraelin Jehovai nuk shfaqi aspak anësi, por përkundrazi tregoi se çfarë mund të bëjë ai për ata që i binden. Kjo mënyrë veprimi është një shembull se si Jehovai shpreh dashuri besnike ndaj shërbëtorëve të tij besnikë. Megjithëse Izraeli ishte ‘prona e tij e veçantë’ (BR), kjo nuk do të thoshte se popujve të tjerë nuk mund t’u tregohej dashamirësia e Perëndisë. (Eksodi [Dalja] 19:5; Ligji i përtërirë 7:6-8) Është e vërtetë se Jehovai e ribleu Izraelin nga skllavëria në Egjipt dhe prandaj tha: «Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut.» Por nëpërmjet profetit Amos dhe profetëve të tjerë Jehovai premtoi gjithashtu një të ardhme të mrekullueshme për njerëzit e ‘tërë kombeve’.​—Amosi 3:2; 9:11, 12; Isaia 2:2-4.

Jezui, Mësuesi i paanshëm

10. Si e imitoi Jezui Atin e tij në shfaqjen e paanësisë?

10 Gjatë shërbimit në tokë, Jezui, i cili është paraqitja e saktë e Atit të tij, imitoi paanësinë e Jehovait. (Hebrenjve 1:3) Shqetësimi i tij kryesor në atë kohë ishte që të gjente «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». Megjithatë ai nuk u përmbajt që t’i dëshmonte një gruaje samaritane pranë një pusi. (Mateu 15:24; Gjoni 4:7-30) Po ashtu kreu një mrekulli me kërkesë të një oficeri ushtarak, që me sa duket ishte jojude. (Luka 7:1-10) Kjo gjë tregoi se ai nuk e shfaqi dashurinë me anë të veprave vetëm ndaj popullit të Perëndisë. Edhe dishepujt e Jezuit predikuan kudo. U bë e qartë se kriteri për të marrë bekimin e Jehovait nuk lidhej me kombësinë, por me qëndrimin e njerëzve. Njerëzit zemërndershëm e të përulur që ishin të uritur për të vërtetën iu përgjigjën lajmit të mirë të Perëndisë. Ndryshe nga kjo, individët krenarë dhe fodullë e përbuzën Jezuin dhe mesazhin e tij. Jezui tha: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ti i ke fshehur me kujdes këto gjëra nga të mençurit e intelektualët dhe ua ke zbuluar fëmijëve. Po, o Atë, sepse këtë mënyrë veprimi miratove ti.» (Luka 10:21) Kur me të tjerët sillemi në bazë të dashurisë e të besimit, veprojmë pa anësi, duke ditur se kjo është mënyra e të sjellurit që Jehovai e miraton.

11. Si u tregua paanësi në kongregacionin e hershëm të krishterë?

11 Në kongregacionin e hershëm të krishterë, judenjtë dhe jojudenjtë ishin të barabartë. Pavli shpjegoi: «Lavdi, nderim e paqe për këdo që bën çka është e mirë, më parë për judeun e, gjithashtu, për grekun. Sepse nuk ka anësi pranë Perëndisë.» * (Romakëve 2:10, 11) Ajo që përcaktonte nëse do të nxirrnin dobi nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait nuk ishte prejardhja etnike e individëve, por mënyra se si do të reagonin kur të mësonin për Jehovain dhe për shpresën që u ofrohej falë shpërblesës së Birit të tij, Jezuit. (Gjoni 3:16, 36) Pavli shkroi: «Nuk është jude kush është i tillë nga jashtë, as nuk është rrethprerje ajo që është nga jashtë, në mish. Por është jude kush është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës e jo nëpërmjet një kodi të shkruar.» Pastaj duke bërë një lojë fjalësh me fjalët që përfshinin termin «jude» (që do të thotë «i Judës» ose i përlëvduar a i lëvduar), Pavli tha më tej: «Lëvdimi i këtij nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.» (Romakëve 2:28, 29) Jehovai është i paanshëm në dhënien e lëvdimit. A jemi edhe ne kështu?

12. Çfarë perspektive paraqitet në Zbulesën 7:9 dhe për cilët?

12 Më pas, apostulli Gjon pa në një vegim të krishterët e mirosur besnikë që përshkruheshin si një komb frymor prej 144.000 vetash, «të vulosur nga çdo fis i bijve të Izraelit». Pas tyre Gjoni vuri re ‘një shumicë të madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, që qëndronte përpara fronit dhe përpara Qengjit, veshur me petka të bardha të gjata; dhe në duar kishin degë palmash’. (Zbulesa 7:4, 9) Pra, asnjë grup etnik ose gjuhë nuk lihet mënjanë nga kongregacioni i sotëm i krishterë. Individë nga të gjitha prejardhjet kanë perspektivën për të mbijetuar në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen dhe të pijnë nga «burimet e ujërave të jetës» në botën e re.​—Zbulesa 7:14-17.

Ndikime pozitive

13-15. (a) Si mund t’i kapërcejmë ndryshimet raciale dhe kulturore? (b) Citoni shembuj të dobive që mund të sjellë shfaqja e miqësisë.

13 Jehovai na njeh mirë, ashtu si një atë i mirë i njeh fëmijët e tij. Ngjashëm kur arrijmë t’i kuptojmë të tjerët duke shfaqur interes për kulturën dhe për prejardhjen e tyre, ndryshimet që kemi ndërmjet nesh bëhen të parëndësishme. Pengesat etnike zhduken dhe forcohen lidhjet e miqësisë e të dashurisë. Uniteti bëhet më i fortë. (1 Korintasve 9:19-23) Kjo ilustrohet mirë nga veprimtaria e misionarëve që shërbejnë në vende të huaja. Ata tregojnë interes personal për njerëzit që jetojnë atje dhe si rrjedhojë shumë shpejt shohin se janë bërë pjesë e kongregacioneve vendëse.​—Filipianëve 2:4.

14 Ndikimet pozitive të të qenit të paanshëm duken qartë në shumë vende. Aklilu, i cili është me origjinë nga Etiopia, ndihej i vetmuar në kryeqytetin e Britanisë, në Londër. Ndjenja e vetmisë iu shtua më shumë ngaqë vërente se banorët vendës në përgjithësi nuk donin të kishin miqësi me njerëz nga vende të tjera, diçka e cila sot ndihet shumë në mjaft qytete të mëdha të Evropës. Sa e ndryshme ishte përvoja që pati Aklilu kur ndoqi një mbledhje të krishterë në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait! Të pranishmit në mbledhje e mirëpritën atë dhe shpejt ai u ndie rehat. Bëri përparim të shpejtë duke e thelluar kuptueshmërinë dhe mirënjohjen për Krijuesin. Shumë shpejt mori pjesë në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë tek njerëzit në atë zonë. Në fakt, kur një ditë ai që po e shoqëronte në predikim e pyeti Aklilun se çfarë synimesh kishte tani në jetë, ai menjëherë u përgjigj se shpresonte që një ditë të bënte pjesë në një kongregacion ku të flitej gjuha e tij amharike. Kur pleqtë e kongregacionit vendës anglishtfolës e morën vesh këtë, me gëzim morën masa që të mbahej një fjalim publik i bazuar në Bibël, në gjuhën e Aklilut. Shumë të huaj dhe banorë vendës e pranuan ftesën për të marrë pjesë në mbledhjen e parë publike në Britani në gjuhën amharike. Sot etiopas dhe individë të tjerë të asaj zone që flasin gjuhën amharike janë të bashkuar në një kongregacion që po lulëzon. Shumë veta atje kanë parë se asgjë nuk i pengon që të marrin anën e Jehovait dhe ta simbolizojnë këtë me anë të pagëzimit të krishterë.​—Veprat 8:26-36.

15 Karakteristikat dhe prejardhjet e njerëzve janë të ndryshme. Ato nuk janë një bazë për ta quajtur dikë më të lartë ose më të ulët se të tjerët; ato janë thjesht ndryshime. Ndërsa po shihnin pagëzimin e shërbëtorëve të sapokushtuar të Jehovait në ishullin e Maltës, haresë së Dëshmitarëve vendës iu shtuan lotët e gëzimit që rridhnin nga sytë e vizitorëve nga Britania. Të dy grupet e njerëzve, si ai nga Malta edhe ai nga Britania, i shprehën ndjenjat e tyre, por në mënyra të ndryshme. Dashuria e madhe për Jehovain i çimentoi lidhjet e miqësisë së krishterë.​—Psalmi 133:1; Kolosianëve 3:14.

Të kapërcejmë paragjykimet

16-18. Tregoni një përvojë që ilustron se si mund të kapërcehen paragjykimet në kongregacionin e krishterë.

16 Teksa dashuria jonë për Jehovain dhe për vëllezërit tanë të krishterë thellohet, mund ta imitojmë më shumë Jehovain në mënyrën se si i shohim të tjerët. Çdo paragjykim që mund të kemi pasur dikur ndaj disa kombësive, racave ose kulturave, mund të kapërcehet. Për shembull, të marrim rastin e Albertit, i cili shërbeu në ushtrinë britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u zu rob nga japonezët gjatë rënies së Singaporit në vitin 1942. Më pas ai kaloi tre vite të tëra duke punuar në «hekurudhën e vdekjes», pranë asaj që u bë e njohur si ura mbi lumin Kuai. Në kohën kur u lirua në fund të luftës, ai peshonte 32 kilogramë, kishte nofullën e hundën të thyera dhe vuante nga dizenteria, qerja dhe malaria. Mijëra të burgosur të tjerë ishin më keq; shumë prej tyre nuk mbijetuan. Si pasojë e mizorive që kishte parë e përjetuar, në vitin 1945 Alberti u kthye në shtëpi plot vrer dhe pa asnjë lloj interesi për Perëndinë ose për fenë.

17 Gruaja e Albertit, Irena, u bë Dëshmitare e Jehovait. Për hir të së shoqes, Alberti ndoqi disa mbledhje të kongregacionit vendës të Dëshmitarëve të Jehovait. Një i ri i krishterë në shërbim të plotkohor me emrin Pol filloi të studionte Biblën me Albertin. Shpejt Alberti kuptoi se Jehovai i sheh individët sipas asaj që kanë në zemër. Ai ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua.

18 Më vonë Poli u transferua në Londër, mësoi japonisht dhe u shoqërua me një kongregacion në gjuhën japoneze. Kur ai tha se donte të shkonte te kongregacioni i tij i dikurshëm me disa Dëshmitarë japonezë që kishin ardhur për vizitë, vëllezërve të atjeshëm u erdhën në mendje paragjykimet e forta të Albertit ndaj japonezëve. Që kur ishte kthyer në Britani, Alberti kishte shmangur takimet me ndonjë nga Japonia, prandaj vëllezërit pyetën veten se si do të vepronte në këtë rrethanë. Nuk qe e nevojshme të shqetësoheshin​—Alberti i priti vizitorët plot përzemërsi vëllazërore.​—1 Pjetrit 3:8, 9.

‘Të zgjerohemi’

19. Cila këshillë e apostullit Pavël mund të na ndihmojë nëse kemi ndopak prirjen për të mbajtur anën?

19 «Nuk është gjë e mirë të mbash anën»,—shkroi mbreti i mençur Solomon. (Proverbat [Fjalët e urta] 28:21, BR) Është e lehtë të ndihemi të afërt me ata që i njohim mirë. Megjithatë disa herë priremi të shfaqim pak interes ndaj atyre që nuk i njohim mirë. Një anësi e tillë nuk i ka hije një shërbëtori të Jehovait. Me siguri të gjithë do të bënim mirë të ndiqnim këshillën e qartë të Pavlit ‘për t’u zgjeruar’. Po, le të zgjerohemi në dashurinë për bashkëbesimtarët tanë me prejardhje të ndryshme.​—2 Korintasve 6:13.

20. Në cilat fusha të jetës duhet ta imitojmë Jehovain, Perëndinë tonë të paanshëm?

20 Qoftë nëse kemi privilegjin e thirrjes qiellore ose shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë, të qenët të paanshëm na jep mundësinë të gëzojmë unitetin në një kope të vetme, nën një Bari të vetëm. (Efesianëve 4:4, 5, 16) Në rast se përpiqemi të imitojmë Jehovain, Perëndinë tonë të paanshëm, kjo mund të na ndihmojë në shërbimin e krishterë, brenda familjes dhe në kongregacion, në të vërtetë në të gjitha fushat e jetës. Në ç’mënyrë? Artikulli vijues do të trajtojë këtë temë.

[Shënimet]

^ par. 3 Fama e Jehovait u bë më vonë tema e këngëve të shenjta.​—Psalmi 135:8-11; 136:11-20.

^ par. 11 Këtu fjala «grekët» i referohet johebrenjve në përgjithësi.​—Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, Vëllimi I, faqja1004, anglisht.

Si do të përgjigjeshit?

Si tregoi Jehovai paanësi ndaj Rahabës dhe gibeonitëve?

Si shfaqi paanësi Jezui në mësimdhënien e tij?

Çfarë mund të na ndihmojë që të kapërcejmë çfarëdo paragjykimi kulturor dhe racial?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Izraeli fillon pushtimin e Kanaanit

[Figura në faqen 15]

Jezui nuk ngurroi t’i jepte dëshmi një gruaje samaritane

[Figura në faqen 16]

Një mbledhje publike në gjuhën amharike në Britani

[Figura në faqen 16]

Dashuria për Jehovain e ndihmoi Albertin të kapërcente paragjykimet