Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u sjellim ngushëllim atyre që janë të hidhëruar

T’u sjellim ngushëllim atyre që janë të hidhëruar

T’u sjellim ngushëllim atyre që janë të hidhëruar

«Jehovai më ka mirosur . . . për të ngushëlluar të gjithë ata që vajtojnë.»​—ISAIA 61:1, 2, BR.

1, 2. Cilëve duhet t’u sjellim ngushëllim dhe pse?

JEHOVAI, Perëndia i çdo ngushëllimi të vërtetë, na mëson që kur të tjerët përjetojnë fatkeqësi, të interesohemi për ta. Na mëson që ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’ dhe të ngushëllojmë të gjithë ata që vajtojnë. (1 Selanikasve 5:14) Kur është e nevojshme, ua sigurojmë një ndihmë të tillë bashkadhuruesve tanë. Gjithashtu shfaqim dashuri ndaj atyre jashtë kongregacionit, madje edhe ndaj atyre që mund të mos kenë treguar dashuri për ne në të kaluarën.​—Mateu 5:43-48; Galatasve 6:10.

2 Jezu Krishti lexoi dhe ia zbatoi vetes detyrën profetike: «Fryma e Zotërisë Sovran Jehova është mbi mua, sepse Jehovai më ka mirosur për t’u thënë lajmin e mirë zemërbutëve. Ai më ka dërguar për t’u lidhur fashat zemërthyerve, . . . për të ngushëlluar të gjithë ata që vajtojnë.» (Isaia 61:1, 2; Luka 4:16-19) Të krishterët e mirosur të ditëve të sotme kanë kuptuar prej kohësh se kjo detyrë zbatohet edhe për ta, dhe ‘delet e tjera’ me gëzim bashkohen me ta në këtë vepër.​—Gjoni 10:16.

3. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit kur bëjnë pyetjen: «Pse i lejon Perëndia fatkeqësitë?»

3 Kur godasin katastrofat dhe njerëzit mbesin zemërthyer, shpesh ata pyesin: ‘Pse i lejon Perëndia fatkeqësitë?’ Bibla i përgjigjet qartë kësaj pyetjeje. Megjithatë mund të duhet kohë që dikush, i cili nuk e ka studiuar Biblën, ta kuptojë përgjigjen plotësisht. Për këtë sigurohet ndihmë në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. * Sidoqoftë, si fillim ka dalë se është një ngushëllim për disa njerëz thjesht të shohin një shkrim në Bibël si ai që gjendet tek Isaia 61:1, 2, i cili shpreh dëshirën e Perëndisë që njerëzit të marrin ngushëllim.

4. Si arriti një Dëshmitare në Poloni të ndihmonte një nxënëse të dëshpëruar dhe si mund të të ndihmojë kjo përvojë që të ndihmosh të tjerët?

4 Si të rinjtë edhe më të rriturit, kanë nevojë për ngushëllim. Një adoleshente e dëshpëruar në Poloni i kërkoi këshilla një të njohure. Duke e pyetur me mirësjellje, shoqja e saj, e cila është Dëshmitare e Jehovait, mësoi se vajza ishte e mbytur nga pyetjet dhe dyshimet: «Pse ka kaq shumë ligësi? Pse vuajnë njerëzit? Pse po vuan motra ime e paralizuar? Pse kam probleme në zemër? Kisha thotë se Perëndia do që të ndodhë kështu. Por nëse është kështu, nuk do të besoj më tek ai.» Dëshmitarja iu lut në heshtje Jehovait dhe pastaj tha: «Më vjen mirë që më pyete mua për këtë gjë. Do të përpiqem të të ndihmoj.» I tregoi se kur ishte fëmijë edhe ajo kishte dyshimet e saj dhe Dëshmitarët e Jehovait e ndihmuan. Ajo shpjegoi: «Mësova se Perëndia nuk i bën njerëzit të vuajnë. Ai i do, do më të mirën për ta dhe së shpejti do të sjellë ndryshime të mëdha në tokë. Sëmundjet, problemet e moshës së thyer e vdekja do të zhduken dhe njerëzit e bindur do të jetojnë përgjithmonë​—pikërisht këtu në tokë.» Ajo i tregoi vajzës Zbulesën 21:3, 4; Jobin 33:25; Isainë 35:5-7 dhe Is 65:21-25. Pas një diskutimi të gjatë, vajza tha me lehtësim të dukshëm: «Tani e di se përse jetoj. A mund të vij për të folur përsëri?» Me të u mbajt një studim biblik dy herë në javë.

Me ngushëllimin që sjell Perëndia

5. Çfarë do të sjellë ngushëllim të vërtetë kur shfaqim empati?

5 Kur përpiqemi të ngushëllojmë të tjerët, patjetër që fjalët që tregojnë empati janë të përshtatshme. Përpiqemi t’i përcjellim individit të hidhëruar, me fjalë dhe me tonin e zërit, se interesohemi thellë për gjendjen e tij. Kjo nuk bëhet duke thënë fjalë boshe. Bibla na thotë që «me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë». (Romakëve 15:4) Duke pasur parasysh këtë, mund të shpjegojmë në kohën e duhur se çfarë është Mbretëria e Perëndisë dhe mund t’i tregojmë nga Bibla se si do t’i zgjidhë ajo problemet e tanishme. Pastaj mund të arsyetojmë se përse është një shpresë e besueshme. Në këtë mënyrë do të sjellim ngushëllim.

6. Për çfarë duhet t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë me qëllim që të mund të nxjerrin dobi të plotë nga ngushëllimi në Shkrime?

6 Për të nxjerrë dobi të plotë nga ngushëllimi që sjellim, një individ ka nevojë të njohë Perëndinë e vërtetë, se çfarë lloj Personi është ai dhe besueshmërinë e premtimeve të tij. Ndërsa përpiqemi të ndihmojmë një individ që tani për tani nuk është një adhurues i Jehovait, është mirë t’i shpjegojmë këto gjëra. (1) Ngushëllimi që gjendet në Bibël është nga Jehovai, Perëndia i vërtetë. (2) Jehovai është i Plotfuqishmi, Krijuesi i qiellit e i tokës. Ai është Perëndi i dashurisë dhe i bollshëm në dashamirësi e të vërtetë. (3) Mund të marrim forcë për të përballuar situatat po qe se i afrohemi Perëndisë duke marrë njohuri të saktë nga Fjala e tij. (4) Në Bibël gjejmë tregime që lidhen me sprova që kanë hasur individë të ndryshëm.

7. (a) Çfarë rezultati mund të vijë duke theksuar se ngushëllimi që sjell Perëndia «është me bollëk nëpërmjet Krishtit»? (b) Si mund të ngushëllosh dikë që mendon se sjellja e tij ka qenë e keqe?

7 Disa u kanë dhënë inkurajim frymor individëve të hidhëruar që e njohin Biblën, duke u lexuar 2 Korintasve 1:3-7. Kur e kanë lexuar, kanë theksuar shprehjen «edhe ngushëllimi që marrim është me bollëk nëpërmjet Krishtit». Ky shkrim mund ta ndihmojë një individ të kuptojë se Bibla është një burim ngushëllimi së cilës duhet t’i japë më shumë konsideratë. Shkrimi mund të krijojë bazën për një diskutim të mëtejshëm, ndoshta në raste të tjera. Në qoftë se dikush mendon se problemet e tij janë pasojë e gjërave të këqija që ka bërë, atëherë, pa qenë gjykues, mund t’i themi se është një ngushëllim të dimë atë që është dokumentuar te 1 Gjonit 2:1, 2 dhe te Psalmi 103:11-14. Në këto mënyra ne vërtet i ngushëllojmë të tjerët me ngushëllimin që sjell Perëndia.

Kur jeta është keqësuar nga dhuna ose vështirësitë ekonomike

8, 9. Si mund të ngushëllohen në mënyrën e duhur njerëzit që kanë vuajtur nga dhuna?

8 Jeta e miliona njerëzve është keqësuar nga dhuna​—dhuna kriminale në një bashkësi ose dhuna e luftës. Si mund t’i ngushëllojmë ata?

9 Të krishterët e vërtetë kanë kujdes që, as me fjalë e as me vepra, të mos marrin anën e një fraksioni a të një tjetri në konfliktet botërore. (Gjoni 17:16) Por në mënyrë të përshtatshme përdorin Biblën për të treguar se kushtet e tanishme të ashpra nuk do të vazhdojnë gjithmonë. Mund të lexojnë Psalmin 11:5 për të treguar se çfarë ndien Jehovai ndaj atyre që e duan dhunën ose Psalmin 37:1-4 për të theksuar inkurajimin e Perëndisë për të mos u hakmarrë, por për të besuar te Perëndia. Fjalët e Psalmit 72:12-14 tregojnë se çfarë ndien për njerëzit e pafajshëm që vuajnë, Solomoni më i Madh, Jezu Krishti, i cili tani sundon si Mbret qiellor.

10. Si mund të të ngushëllojnë shkrimet e përmendura në rast se ke përjetuar vite lufte?

10 Disa njerëz kanë përjetuar shumë konflikte ndërsa fraksionet ndërluftuese luftonin për të marrë kontrollin. Ata e marrin si diçka të zakonshme që lufta dhe pasojat e saj janë pjesë e jetës. E vetmja mundësi shpresëdhënëse që shohin është të ikin në një vend tjetër, ku gjërat mund të shkojnë më mirë për ta. Por pjesa më e madhe e tyre kurrë nuk ka arritur ta bëjë këtë dhe disa që janë përpjekur, kanë humbur jetën. Ata që arrijnë të shkojnë në një vend tjetër shpesh zbulojnë se vetëm sa u kanë shpëtuar disa problemeve që kishin, por kanë hasur probleme të tjera. Psalmi 146:3-6 mund të përdoret për t’i ndihmuar këta njerëz që ta vënë shpresën te diçka më e besueshme se emigrimi. Profecia te Mateu 24:3, 7, 14 ose te 2 Timoteut 3:1-5 mund t’i ndihmojë ata që ta kuptojnë më mirë situatën dhe domethënien e kushteve që po përballojmë, pra, se po jetojmë në përfundim të sistemit të vjetër. Shkrime të tilla, si Psalmi 46:1-3, 8, 9 dhe Isaia 2:2-4, mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë se vërtet ekziston një shpresë për një të ardhme paqësore.

11. Cilat shkrime e ngushëlluan një grua në Afrikën Perëndimore dhe pse?

11 Gjatë një periudhe lufte të vazhdueshme në Afrikën Perëndimore, një grua bashkë me familjen u larguan nga shtëpia e saj nën breshërinë e plumbave. Jeta e asaj gruaje ishte e mbushur me frikë, trishtim dhe zhgënjim pikëllues. Më vonë, ndërsa familja po jetonte në një vend tjetër, burri i saj vendosi të digjte certifikatën e martesës, ta largonte gruan që ishte shtatzënë dhe djalin dhjetëvjeçar e të bëhej prift. Kur asaj i treguan Filipianëve 4:6, 7 dhe Psalmin 55:22, si edhe artikuj të bazuar në Shkrimet, nga Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, ajo më në fund gjeti ngushëllim dhe një qëllim në jetë.

12. (a) Çfarë ngushëllimi u sjellin Shkrimet atyre që janë nën presion të fortë nga ana ekonomike? (b) Si arriti një Dëshmitare në Azi të ndihmonte një kliente?

12 Rrënimi ekonomik ua ka keqësuar jetën miliona njerëzve. Disa herë edhe kjo gjë është për shkak të luftës dhe pasojave të saj. Në raste të tjera, për shkak të politikës jo të mençur qeveritare dhe të lakmisë e të pandershmërisë së atyre në pushtet, njerëzit kanë humbur të gjitha kursimet dhe u janë konfiskuar zotërimet. Të tjerë nuk kanë pasur kurrë shumë prej të mirave materiale të kësaj bote. Të gjithë këta mund të ngushëllohen po të dinë se Perëndia u siguron lehtësim atyre që besojnë tek ai dhe u garanton një botë të drejtë në të cilën njerëzit do të gëzojnë veprën e duarve të tyre. (Psalmi 146:6, 7; Isaia 65:17, 21-23; 2 Pjetrit 3:13) Kur një Dëshmitare në një vend aziatik dëgjoi një kliente të shprehte shqetësim plot ankth për gjendjen ekonomike, i shpjegoi asaj se ajo që po ndodhte atje ishte pjesë e një modeli ngjarjesh që po ndodhin anembanë botës. Një shqyrtim i Mateut 24:3-14 dhe i Psalmit 37:9-11 çoi në një studim të rregullt biblik.

13. (a) Si mund ta përdorim Biblën për t’i ndihmuar njerëzit kur janë zhgënjyer nga premtimet boshe? (b) Si mund të përpiqesh të arsyetosh me njerëzit nëse mendojnë që kushtet e këqija provojnë se nuk ka Perëndi?

13 Kur njerëzit kanë vuajtur prej shumë vitesh ose janë zhgënjyer nga shumë premtime boshe, ata mund të jenë si izraelitët në Egjipt, të cilët «prej shkurajimit» nuk dëgjuan. (Eksodi [Dalja] 6:9) Në këto raste, mund të jetë e dobishme të theksojmë mënyrat se si mund t’i ndihmojë ata Bibla për të përballuar me sukses problemet e tanishme dhe për të shmangur grackat që ua shkatërrojnë më kot jetën shumë vetave. (1 Timoteut 4:8b) Disa mund t’i shohin kushtet e këqija nën të cilat jetojnë si një provë se nuk ka Perëndi ose se ai nuk interesohet për ta. Mund të arsyetosh rreth shkrimeve të përshtatshme për t’i ndihmuar të kuptojnë se Perëndia ka ofruar ndihmë, por shumë nuk e kanë pranuar.​—Isaia 48:17, 18.

Kur ndodhin stuhi dhe tërmete

14, 15. Si treguan interes Dëshmitarët e Jehovait kur një katastrofë i la shumë veta të tronditur?

14 Mund të godasin katastrofa si pasojë e një stuhie, të një tërmeti, të një zjarri ose të një shpërthimi. Hidhërimi mund të jetë i përgjithshëm. Çfarë mund të bëhet për t’u sjellë ngushëllim të mbijetuarve?

15 Njerëzit kanë nevojë të dinë se dikush interesohet për ta. Në një vend, pas një sulmi terrorist, shumë veta mbetën të tronditur. Shumë prej tyre humbën pjesëtarë të familjes, ata që ishin shtylla e familjes dhe miq. Disa humbën punën ose çfarëdo ndjenje sigurie që mendonin se kishin. Dëshmitarët e Jehovait u ofruan ndihmë njerëzve në zonat e tyre, duke u shprehur keqardhjen nga zemra për humbjet e mëdha që patën dhe duke u thënë fjalë ngushëllimi nga Bibla. Shumë qenë vërtet mirënjohës për interesin e treguar.

16. Pse shërbimi në fushë i Dëshmitarëve vendës ishte shumë i efektshëm kur një katastrofë goditi një krahinë të Salvadorit?

16 Në Salvador një tërmet i fuqishëm në vitin 2001 u pasua nga një shkarje dheu masive që mori shumë jetë njerëzish. Djali 25-vjeçar i një Dëshmitareje dhe dy motrat e të fejuarës së tij mbetën të vrarë. Mamaja e të riut bashkë me të fejuarën e tij, s’kaloi shumë kohë dhe u angazhuan plotësisht në shërbimin në fushë. Shumë veta u thanë atyre se ishte Perëndia ai që i mori ata që vdiqën ose se ishte vullneti i Perëndisë. Dëshmitaret cituan Fjalët e urta (Proverbat) 10:22 për të treguar se Perëndia nuk do që të përjetojmë dhembje. Ato lexuan Romakëve 5:12 për të treguar se vdekja erdhi me anë të mëkatit të njeriut, jo sepse është vullneti i Perëndisë. Gjithashtu drejtuan vëmendjen te mesazhi i ngushëllimit që gjendet te Psalmi 34:18, Psalmi 37:29, Isaia 25:8 dhe Zbulesa 21:3, 4. Njerëzit dëgjuan me vëmendje, sidomos ngaqë vetë dy gratë kishin humbur në katastrofë pjesëtarë të familjes, dhe u filluan shumë studime biblike.

17. Çfarë lloj ndihme mund të japim në raste katastrofash?

17 Kur godasin katastrofat mund të takosh dikë që ka nevojë për ndihmë të menjëhershme. Kjo mund të përfshijë të thërrasësh një mjek, të ndihmosh një person për ta çuar në spital ose të bësh gjithçka që është e mundur për t’i siguruar ushqim dhe strehim. Në vitin 1998, gjatë një katastrofe të tillë në Itali, një gazetar tha se Dëshmitarët e Jehovait «veprojnë konkretisht, duke u ofruar ndihmë atyre që vuajnë, pa u shqetësuar se cilës fe i përkasin». Në disa zona, ngjarjet e profetizuara për ditët e fundit shkaktojnë vuajtje të mëdha. Në këto vende, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë profecitë biblike dhe i ngushëllojnë njerëzit me garancinë nga Bibla se Mbretëria e Perëndisë do t’i sjellë njerëzimit siguri të vërtetë.​—Fjalët e urta 1:33; Mikea 4:4.

Kur ka vdekur pjesëtari i një familjeje

18-20. Çfarë mund të thuash ose të bësh për të sjellë ngushëllim kur ka ndodhur një vdekje në një familje?

18 Çdo ditë miliona njerëz hidhërohen nga vdekja e ndonjë njeriu të tyre të dashur. Mund t’i takosh ata që vajtojnë kur je duke marrë pjesë në shërbimin e krishterë ose kur je duke u kujdesur për gjërat e jetës së përditshme. Çfarë mund të thuash ose të bësh për të sjellë ngushëllim?

19 A është personi i turbulluar nga ana emocionale? A është shtëpia e mbushur me të afërm të hidhëruar? Mund të jenë shumë gjërat që do të doje të thoshe, por është e rëndësishme të shfaqësh maturi. (Predikuesi [Eklisiastiu] 3:1, 7) Ndoshta është me vend të shprehësh ngushëllimet, të lësh një botim biblik të përshtatshëm (një broshurë, një revistë ose një fletushkë) dhe pastaj ta vizitosh pas pak ditësh për të parë nëse mund të jepet ndihmë e mëtejshme. Në një kohë të përshtatshme, tregoji disa mendime inkurajuese nga Bibla. Kjo mund të ketë një ndikim qetësues dhe shërues. (Fjalët e urta 16:24; 25:11) Ti nuk mund t’i ringjallësh të vdekurit, siç bëri Jezui. Por mund t’i tregosh se çfarë thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve, edhe pse kjo mund të mos jetë koha për të hedhur poshtë pikëpamjet e gabuara. (Psalmi 146:4; Predikuesi 9:5, 10; Ezekieli 18:4) Mund të lexosh bashkë me të premtimet e Biblës për ringjalljen. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Për ta bërë këtë, mund të tregosh se çfarë domethënie kanë këto premtime, ndoshta duke përdorur si shembull një tregim biblik të një ringjalljeje. (Luka 8:49-56; Gjoni 11:39-44) Po ashtu tërhiq vëmendjen drejt cilësive të Perëndisë së dashur që na jep këtë shpresë. (Jobi 14:14, 15; Gjoni 3:16) Shpjego se si këto mësime të kanë sjellë ty dobi dhe përse ke siguri në to.

20 Një ftesë në Sallën e Mbretërisë mund ta ndihmojë personin e hidhëruar që të njohë njerëz që i duan vërtet të afërmit dhe që dinë se si ta forcojnë njëri-tjetrin. Një grua në Suedi zbuloi se kjo gjë është pikërisht ajo që kishte kërkuar gjatë gjithë jetës.​—Gjoni 13:35; 1 Selanikasve 5:11.

21, 22. (a) Çfarë kërkohet nga ne nëse duhet të sjellim ngushëllim? (b) Si mund t’i sjellësh ngushëllim dikujt që tashmë i njeh mirë Shkrimet?

21 A ndihesh ndonjëherë i pasigurt se çfarë do të thuash ose do të bësh kur di se dikush, brenda ose jashtë kongregacionit të krishterë, po përjeton një hidhërim? Fjala greke shpesh e përkthyer «ngushëllim» në Bibël, fjalë për fjalë do të thotë «të thërrasësh pranë vetes». Të jesh ngushëllues i vërtetë nënkupton të vësh veten në dispozicion të atyre që janë të hidhëruar.​—Fjalët e urta 17:17.

22 Po sikur individi që do të ngushëllosh, tashmë e di se ç’thotë Bibla për vdekjen, shpërblesën dhe ringjalljen? Vetë prania e një miku që ka të njëjtat bindje mund të jetë ngushëlluese. Në qoftë se ai do që të flasë, ji një dëgjues i mirë. Mos mendo se duhet të mbash një fjalim. Nëse lexohen shkrime, trajtoji ato si shprehje të Perëndisë që jua forcojnë zemrën të dyve. Shpreh bindjen e fortë që keni të dy për sigurinë e asaj që premtohet në shkrime. Duke pasqyruar dhembshuri të perëndishme dhe duke ndarë bashkë të vërtetat e çmuara që përmban Fjala e Perëndisë, mund të ndihmosh ata që janë të hidhëruar që të marrin ngushëllim dhe forcë nga «Perëndia i çdo ngushëllimi», Jehovai.​—2 Korintasve 1:3.

[Shënimi]

^ par. 3 Shihni librat Njohuria që të çon në jetën e përhershme, kapitulli 8; Të arsyetojmë duke përdorur Shkrimet, faqet 393-400, 427-431, (anglisht); A ka një Krijues që interesohet për ju?, kapitulli 10; dhe broshurën A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne?

Cili është komenti yt?

• Kë fajësojnë shumë veta për fatkeqësitë dhe si mund t’i ndihmojmë ata?

• Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët që të nxjerrin plotësisht dobi nga ngushëllimi që ofron Bibla?

• Cilat situata po u shkaktojnë hidhërim shumë vetave në zonën tënde dhe si mund t’i ngushëllosh?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Duke ndarë një mesazh ngushëllimi të vërtetë në kohë vështirësish

[Burimi]

Kamp refugjatësh: FOTOGRAFI E OKB-së 186811/J. Isaac

[Figura në faqen 24]

Vetë prania e një miku mund të jetë ngushëlluese