Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e vëren Jehovai atë që bën ti?

A e vëren Jehovai atë që bën ti?

A e vëren Jehovai atë që bën ti?

SI DO ti përgjigjeshe kësaj pyetjeje? Shumë veta do të thoshin: ‘E besoj që Perëndia i vuri re veprat e burrave si Moisiu, Gideoni dhe Davidi, por dyshoj që ai të interesohet për ndonjë gjë që unë bëj. Unë nuk mund të krahasohem me Moisiun, Gideonin ose Davidin.’

Është e vërtetë që disa njerëz besnikë në kohët biblike kryen vepra të jashtëzakonshme besimi. Ata ‘mundën mbretëri, u mbyllën gojën luanëve, i qëndruan forcës së zjarrit, i shpëtuan tehut të shpatës.’ (Hebrenjve 11:33, 34) Sadoqë, disa të tjerë e shfaqën besimin e tyre në mënyra më pak të dukshme, Bibla na siguron se Perëndia i vuri re edhe veprat e tyre të besimit. Për ta ilustruar, shqyrto shembujt biblikë të një bariu, të një profeti dhe të një vejushe.

Një bari ofron një flijim

Çfarë mban mend për Abelin, djalin e dytë të Adamit e të Evës? Mund të kujtosh se ai vdiq si një martir, gjë që pak prej nesh ka të ngjarë ta përjetojnë. Por Abeli, së pari, u vu re nga Perëndia për një arsye tjetër.

Një ditë, Abeli mori disa nga kafshët më të zgjedhura të kopesë së tij dhe i ofroi një flijim Perëndisë. Dhurata e tij mund të konsiderohet relativisht e vogël sot, por Jehovai e vuri re atë dhe shprehu miratimin e tij. Megjithatë, nuk mbaroi me kaq. Rreth katër mijë vjet më vonë, Jehovai frymëzoi apostullin Pavël të shkruante rreth kësaj ngjarjeje në librin e Hebrenjve. Pas kaq shumë vitesh Perëndia nuk e kishte harruar atë flijim të thjeshtë.​—Hebrenjve 6:10; 11:4.

Si e përcaktoi Abeli llojin e flijimit që duhej të ofronte? Bibla nuk e thotë, por ai duhet t’i ketë kushtuar vëmendje kësaj çështjeje. Ai ishte një bari, pra nuk është e çuditshme që ofroi disa kafshë nga kopeja e tij. Vër re, gjithashtu, që ai dha më të zgjedhurën, «yndyrën e tyre». (Zanafilla 4:4) Ka mundësi edhe që të ketë medituar rreth fjalëve të Jehovait, kur iu drejtua gjarprit në kopshtin e Edenit: «Unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15; Zbulesa 12:9) Ndonëse nuk e kuptonte identitetin e «gruas» dhe «farës» së saj, Abeli mund ta ketë kuptuar se ‘plagosja e thembrës’ së farës së gruas do të thoshte derdhje gjaku. Ai me siguri e kuptoi se asgjë tjetër nuk mund të ishte më e çmuar sesa një krijesë e gjallë. Sido që të jetë, flijimi që ofroi ai ishte vërtet i përshtatshëm.

Ashtu si Abeli, të krishterët sot i ofrojnë flijime Perëndisë. Ata nuk ofrojnë të parëlindurit e kopesë, por «një sakrificë lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që deklarojnë publikisht emrin e [Perëndisë]». (Hebrenjve 13:15) Buzët tona deklarojnë publikisht kur ndajmë besimin tonë me të tjerët.

A do të dëshiroje ta përmirësoje cilësinë e sakrificës sate? Atëherë, kushtoji vëmendje me kujdes nevojave të njerëzve në territorin tënd. Për çfarë shqetësohen? Cilat janë interesat e tyre? Cilat aspekte të mesazhit të Biblës do t’i tërhiqnin? Ndërsa predikon, analizo vizitat që ke bërë me synimin që të përmirësosh efektshmërinë tënde. Dhe kur flet për Jehovain, bëje këtë me bindje e nga zemra. Bëje sakrificën tënde një «sakrificë lëvdimi» të vërtetë.

Një profet u predikon njerëzve që nuk e pranojnë mesazhin

Shqyrto tani profetin Enok. Ai mund të ketë qenë krejtësisht i vetëm si një dëshmitar i Perëndisë Jehova. A je edhe ti, ashtu si Enoku, i vetmi anëtar i familjes, duke i shërbyer me besnikëri Jehovait? A je i vetmi nxënës në klasë ose i vetmi punëtor në vendin e punës, që u përmbahet parimeve biblike? Nëse po, mund të hasësh sfida. Miqtë, të afërmit, shokët e klasës ose të punës, mund të të nxitin që të shkelësh ligjet e Perëndisë. «Askush nuk do ta marrë vesh ndonjëherë atë që ke bërë,​—mund të thonë ata.​—Ne nuk do të tregojmë.» Ata mund të ngulin këmbë se është budallallëk të shqetësohesh për normat morale të Biblës, sepse Perëndia nuk interesohet për atë që bën ti. Duke qenë të pakënaqur që ti nuk mendon e nuk vepron si ata, mund të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për të thyer qëndrueshmërinë tënde.

Duhet pranuar se nuk është e lehtë të përballosh një presion të tillë, por nuk është e pamundur. Mendo për Enokun, njeriun e shtatë në linjën e Adamit. (Juda 14) Në kohën kur lindi Enoku, pjesa më e madhe e njerëzve nuk kishin më asnjë ndjesi morale. E folura e tyre ishte e pahijshme; sjellja e tyre ishte «tronditëse». (Juda 15) Në shumë gjëra ata vepruan në të njëjtën mënyrë si shumë njerëz sot.

Si ia doli mbanë Enoku? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është me interes për ne sot. Ndonëse Enoku në atë kohë mund të ketë qenë i vetmi njeri në tokë që adhuronte Jehovain, ai në të vërtetë nuk ishte vetëm. Enoku eci me Perëndinë.​—Zanafilla 5:22.

Të kënaqte Perëndinë ishte pikësynimi i jetës së Enokut. Ai e dinte se të ecësh me Perëndinë do të thotë më shumë se sa thjesht të bësh një jetë të pastër e të moralshme. Jehovai priste prej tij të predikonte. (Juda 14, 15) Njerëzit kishin nevojë të paralajmëroheshin se veprat e tyre të paperëndishme nuk kishin kaluar pa u vënë re. Enoku vazhdoi të ecte me Perëndinë për më shumë se 300 vjet, shumë më tepër se sa ka duruar çdonjeri prej nesh. Derisa vdiq, ai vazhdoi të ecte me Perëndinë.​—Zanafilla 5:23, 24.

Ashtu si Enoku, edhe ne kemi marrë detyrën për të predikuar. (Mateu 24:14) Përveç predikimit shtëpi më shtëpi, përpiqemi t’u predikojmë lajmin e mirë të afërmve, të njohurve në punë dhe shokëve të klasës. Ndonjëherë, megjithatë, mund të ngurrojmë të flasim. A ndodh kështu edhe me ty? Mos u dëshpëro. Imito të krishterët e hershëm dhe lutju Perëndisë për guxim. (Veprat 4:29) Kurrë mos harro se për sa kohë je duke ecur me Perëndinë, nuk je asnjëherë vetëm.

Një e ve përgatit një vakt

Imagjino, një e ve, së cilës nuk i dihet emri, mori dy bekime vetëm sepse përgatiti një ushqim të thjeshtë! Ajo nuk ishte një izraelite por një e huaj që jetonte në shekullin e dhjetë p.e.s., në qytetin e Zarefatit. Afër fundit të një periudhe të gjatë thatësire dhe zije buke, rezervat me ushqime të së vesë po mbaronin. Çdo gjë që i kishte mbetur ishte një grusht miell dhe pak vaj, sa për të përgatitur ushqimin e fundit për veten dhe për djalin e saj.

Në këtë kohë, iu afrua një mysafir. Ishte profeti i Perëndisë, Elija, i cili kërkoi për të ngrënë nga ushqimi i paktë i së vesë. Ajo kishte fare pak, sa për veten dhe për të birin e sigurisht që nuk kishte çfarë t’i jepte mikut. Megjithatë, Elija e siguroi, me anë të fjalës së Jehovait, se nëse do ta ndante ushqimin me të, ajo dhe biri i saj nuk do të vuanin urie. Duhej besim për të besuar se Perëndia i Izraelit do ta vinte re atë, një të ve të huaj. Sidoqoftë, ajo e besoi Elijan dhe Jehovai e shpërbleu. «Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.» Gruaja dhe djali i saj patën ushqim rregullisht derisa mbaroi zija e bukës.​—1 Mbret. 17:8-16.

Megjithatë, të venë e priste një bekim tjetër. Disa kohë pas asaj mrekullie djali i saj i dashur u sëmur dhe vdiq. I shtyrë nga keqardhja, Elija iu përgjërua Jehovait që ta rikthente djalin në jetë. (1 Mbret. 17:17-24) Kjo gjë do të kërkonte një mrekulli të paparë. Nuk ka asnjë dokumentim që dikush të ishte ringjallur më parë. A do të tregonte edhe një herë Jehovai mëshirë për këtë vejushë të huaj? Po. Jehovai i dha fuqi Elijas që ta rikthente në jetë djalin. Kohë më vonë Jezui vërejti në lidhje me këtë grua të privilegjuar: «Në Izrael kishte shumë vejusha, e megjithatë Elija . . . u dërgua . . . te një vejushë në Zarefat, në vendin e Sidonit.»​—Luka 4:25, 26.

Sot, gjendja ekonomike është shumë e paqëndrueshme, madje, edhe në vendet e industrializuara. Disa ndërmarrje të mëdha kanë pushuar punëtorë, të cilët kanë punuar me besnikëri për dekada. Duke u gjendur përballë rrezikut së papunësisë, një i krishterë mund të tundohet të punojë shumë jashtë orarit të punës, duke shpresuar se ndërmarrja e tij do ta mbajë në punë. Kjo gjë mund t’i lërë pak kohë për të ndjekur mbledhjet e krishtere, për të marrë pjesë në shërbimin në fushë, ose për t’u kujdesur për nevojat emocionale dhe frymore të familjes së tij. Sidoqoftë, ai mendon se duhet ta mbajë atë vend pune me çdo kusht.

Një i krishterë që gjendet në një situatë kaq të vështirë ekonomike ka të drejtë të shqetësohet. Në kohën e sotme është e vështirë të gjesh punë. Shumica prej nesh nuk po përpiqen për t’u pasuruar, por ashtu si vejusha nga Zarefati, dëshirojmë të kemi gjërat e nevojshme për të jetuar. Sido që të jetë, apostulli Pavël na kujton se Perëndia ka thënë: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» Ne me besim mund të themi: «Jehovai është ai që më ndihmon; nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?» (Hebrenjve 13:5, 6) Pavli vuri jetën e tij në rrezik duke u mbështetur te ky premtim e Jehovai u kujdes gjithmonë për të. Perëndia do të bëjë të njëjtën gjë për ne nëse nuk e braktisim atë.

Mund të mendojmë se nuk mund të kryejmë kurrë veprat e individëve të tillë frymorë si Moisiu, Gideoni dhe Davidi, por mund të imitojmë besimin e tyre. Po ashtu, mund të kujtojmë veprat e thjeshta të besimit që shfaqën Abeli, Enoku dhe vejusha nga Zarefati. Jehovai interesohet për të gjitha veprat e besimit, madje edhe për të voglat. Kur një nxënës shkolle me frikë perëndie nuk pranon të marrë drogë nga një bashkëmoshatar, kur një punëtor i krishterë hedh poshtë propozimet imorale në punë ose kur një Dëshmitar i moshuar, megjithë lodhjen dhe shëndetin e dobët, ndjek me besnikëri mbledhjet e kongregacionit, Jehovai sheh. Madje, ai gëzohet.​—Proverbat 27:11.

A e vëren atë që bëjnë të tjerët?

Po, Jehovai e vëren atë që bëjmë. Prandaj, si imitues të Perëndisë, duhet të jemi të vëmendshëm të dallojmë përpjekjet e të tjerëve. (Efesianëve 5:1) Pse të mos i shohim më nga afër sfidat që hasin të bashkëkrishterët për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit, për t’u angazhuar në shërbimin në fushë, madje edhe për të kryer aktivitetet e jetës së përditshme?

Pastaj, bëju të ditur bashkadhuruesve të Jehovait se i vlerëson përpjekjet e tyre. Ata do të jenë të gëzuar që i ke vënë re dhe meraku yt mund të shërbejë për t’i siguruar se Jehovai i vëren gjithashtu.