Vlerat frymore: Nga po drejtohen?
Vlerat frymore: Nga po drejtohen?
«Pesëmbëdhjetë çifte ndjekin në mbrëmje një kurs [katolik] paramartesor. Nga të 30 të pranishmit, vetëm 3 pohojnë se kanë besim.»—La Croix, e përditshme katolike franceze.
VLERAT fetare janë në krizë. Në kapakun e përparmë të botimit ndërkombëtar të revistës Newsweek, të numrit të 12 korrikut 1999, bëhej pyetja: «A ka vdekur Perëndia?» Revista përgjigjej se për Evropën Perëndimore duket qartë që ka vdekur. Duke raportuar për sinodin e kishës katolike që u mbajt në Romë në tetor të të njëjtit vit, gazeta franceze Le Monde vërente: «Kisha po e sheh më të vështirë se kurrë të përçojë mesazhin e saj në një kulturë që ka ‘alergji’ ndaj tij. . . . Katolikët në Itali nuk janë më në unitet përsa i përket doktrinave dhe praktikave. . . . Në Gjermani, debati për qendrat e këshillimit për abortet po thellon hendekun midis papës dhe një demokracie që nuk është e përgatitur për të duruar më diktatet. Tashmë disa vëzhgues e shpjegojnë qëndrimin prej kokëkrisuri [të Holandës] ndaj normave morale dhe eutanazisë, me faktin që është bërë papritur jo e krishterë.»
Gjendja është po njësoj edhe në vendet e tjera. Më 1999, kryepeshkopi i Kanterbërit, Xhorxh Keri, paralajmëroi se kisha anglikane ishte «një brez larg zhdukjes së saj». Në një artikull me titull «Fundi i Evropës së krishterë», gazeta franceze Le Figaro, thoshte: «I njëjti model mund të shihet kudo. . . . Njerëzit po shprehin sistematikisht dyshime rreth qëndrimeve etike dhe doktrinale.»
Merren më pak me fe
Pjesëmarrja në kishë po bie ndjeshëm në Evropë. Më pak se 10 për qind e katolikëve francezë ndjekin meshën çdo të diel, kurse vetëm 3 deri 4 për qind e katolikëve të Parisit shkojnë rregullisht në kishë. Po kaq, ose edhe më e ulët, ka qenë pjesëmarrja edhe në
Mbretërinë e Bashkuar Britanike, në Gjermani e në vendet skandinave.Ajo që i shqetëson seriozisht autoritetet fetare është mungesa e kandidatëve për priftërinj. Në më pak se një shekull numri i priftërinjve në Francë ka rënë vrullshëm, nga 14 priftërinj në 10.000 banorë, në më pak se 1 në 10.000. Anembanë Evropës, mosha mesatare e priftërinjve po rritet dhe mungesa e tyre po ndihet edhe në vende të tilla, si në Irlandë dhe Belgjikë. Njëkohësisht numri i fëmijëve të regjistruar në klasat e katekizmit po zvogëlohet, duke ngjallur dyshime serioze rreth aftësisë së kishës katolike për të siguruar ripërtëritjen e saj.
Për sa i përket fesë, njerëzit e kanë humbur besimin në të. Vetëm 6 për qind e francezëve besojnë se «e vërteta mund të gjendet vetëm te një fe», në krahasim me 15 për qind më 1981 dhe 50 për qind më 1952. Apatia fetare po përhapet gjithnjë e më shumë. Përqindja e njerëzve që thonë se nuk janë anëtarë të ndonjë feje është rritur nga 26 për qind në vitin 1980, në 42 për qind në vitin 2000.—Les valeurs des Français—Évolutions de 1980 à 2000 (Vlerat franceze: Zhvillimi i tyre nga viti 1980 deri në vitin 2000).
Ndryshim tronditës i vlerave morale
Kriza e vlerave shihet qartë edhe në çështjet morale. Siç u përmend më parë, shumë njerëz që shkojnë në kishë nuk duan të pranojnë normat morale të saj. Ata nuk janë të mendimit se udhëheqësit fetarë kanë të drejtën që të vendosin norma sjelljeje. E njëjta turmë njerëzish që miraton qëndrimin e papës për të drejtat e njeriut, nuk pranon ta ndjekë kur fjalët e tij prekin jetën e tyre personale. Për shembull, qëndrimi i tij ndaj parandalimit të shtatzënisë shpërfillet gjerësisht, madje edhe nga shumë çifte katolike.
Ky qëndrim ndikon njëlloj si te njerëzit fetarë, edhe tek ata jofetarë, në të gjitha nivelet e shoqërisë. Tolerohen praktika që dënohen qartë në Shkrimet e Shenjta. Njëzet vjet më parë 45 për qind e qytetarëve francezë e shihnin me sy të keq homoseksualizmin. Sot 80 për qind e tyre e shohin atë si të pranueshëm. Edhe pse shumica dërrmuese e njerëzve janë në favor të besnikërisë bashkëshortore, vetëm 36 për qind e tyre i dënojnë lidhjet jashtëmartesore si të pajustifikueshme në çdo rast.—Romakëve 1:26, 27; 1 Korintasve 6:9, 10; Hebrenjve 13:4.
Një lëmsh fesh
Në shoqërinë perëndimore po zhvillohet një fe e sajuar, në të cilën secili merr përsipër të drejtën të kërkojë e të zgjedhë bindjet e veta. Disa dogma pranohen, kurse të tjerat hidhen tej. Ca njerëz e quajnë veten të krishterë, ndërkohë që besojnë në rimishërimin. Po ashtu të tjerë nuk ngurrojnë të ndjekin njëkohësisht disa bindje fetare. (Predikuesi 9:5, 10; Ezekieli 18:4, 20: Mateu 7:21; Efesianëve 4:5, 6) Libri Les valeurs des Français (Vlerat e francezëve) tregon qartë se sot shumë bashkëbesimtarë po largohen në mënyrë të pakthyeshme nga udhët që ka përcaktuar kisha.
Megjithatë kjo prirje drejt një individualizmi më të madh fetar nuk është pa rreziqe. Zhan Delymo, historian i fesë dhe anëtar i Institut de France, beson se është e pamundur për një individ të formojë një fe të pavarur nga çdo sistem i vendosur. «Besimi nuk mund të mbijetojë po qe se nuk është rrënjosur në kompaktësinë e një grupi të caktuar fetar.» Vlerat e shëndosha frymore dhe praktikat fetare duhet të jenë pjesë e një tërësie koherente. Ku mund të gjendet një koherencë e tillë në një shoqëri të rrënuar nga ndryshimet?
Nëpërmjet faqeve të saj, Bibla na kujton se është Perëndia ai që vendos norma të pranueshme sjelljeje dhe morali, megjithëse u jep njerëzve lirinë që t’i ndjekin ose jo këto norma. Miliona njerëz në mbarë botën e pranojnë se ky libër i vlerësuar prej kohësh është me vlerë praktike sot dhe është ‘një llambë në këmbën e tyre dhe një dritë në shtegun e tyre’. (Psalmi 119:105) Si arritën në këtë përfundim? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues?