Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse numërtimi i psalmeve dhe i vargjeve në to ndryshon në përkthime të ndryshme të Biblës?

Bibla e parë e plotë me ndarje në kapituj dhe vargje është një përkthim francez, botuar nga Robert Estieni në vitin 1553. Megjithatë, me sa duket, libri i Psalmeve ishte ndarë shumë kohë më parë, sepse ishte një përmbledhje psalmesh ose këngësh të veçuara, të kompozuara nga shumë njerëz.

Me sa duket, në fillim Jehovai e urdhëroi Davidin të përpilonte një përmbledhje psalmesh për t’u përdorur në adhurimin publik. (1 Kronikave 15:16-24) Besohet se më vonë përgjegjës për përpilimin e krejt librit të Psalmeve në formën e tij përfundimtare ishte Ezdra, një prift dhe «një kopjues i zoti». (Ezdra 7:6, BR) Si rrjedhim, kur u përpilua libri i Psalmeve, ai përbëhej nga psalme të veçuara.

Në një fjalim që apostulli Pavël mbajti në sinagogën e Antiokisë (Pisidisë) gjatë udhëtimit të tij të parë misionar, ai citoi nga libri i Psalmeve dhe tha: «Siç është shkruar edhe në psalmin e dytë: ‘Ti je biri im, sot jam bërë Ati yt.’» (Veprat 13:33) Në Biblat e sotme këto fjalë shfaqen ende në psalmin e dytë, në vargun 7. Gjithsesi, në përkthime të ndryshme të Biblës ka ndryshime në numërtimin e shumë psalmeve. Kjo pasi disa përkthime bazohen në tekstin hebraik masoretik, kurse përkthime të tjera bazohen në Septuagintën greke, e cila është një përkthim i tekstit hebraik, i përfunduar në shekullin e dytë p.e.s. Për shembull, Vulgata latine, nga e cila vijnë shumë përkthime katolike të Biblës, përdor numërtimin e psalmeve që gjendet në Septuagintë, kurse Përkthimi Bota e Re dhe disa përkthime të tjera përdorin numërtimin e tekstit hebraik.

Cilat janë ndryshimet specifike? Teksti hebraik ka gjithsej 150 psalme. Megjithatë, Septuaginta i ndërthur Psalmet 9 dhe 10 në një psalm të vetëm, dhe po kështu edhe Psalmet 114 dhe 115. Për më tepër, ajo i ndan Psalmet 116 dhe 147 në dy psalme secilin. Edhe pse numri i përgjithshëm i psalmeve mbetet i njëjtë, në Septuagintë numërtimi i psalmeve, nga Psalmi 10 deri në Psalmin 146, është një më i vogël nga ai i tekstit hebraik. Kështu Psalmi 23, shumë i njohur, shfaqet si Psalmi 22 në përkthimin Douay Version, i cili ndjek numërtimin e Vulgatës latine, e cila nga ana e saj ndjek Septuagintën.

Së fundi, edhe numri i vargjeve të disa psalmeve mund të ndryshojë nga një përkthim në tjetrin. Pse? Kjo sepse, siç thotë enciklopedia e autorëve MekKlintok dhe Strong, disa përkthime përvetësojnë «praktikën judaike, ku shënimet në krye të psalmeve llogariten si vargu i parë», kurse përkthimet e tjera nuk veprojnë kështu. Në fakt, nëse titulli ose shënimi është i gjatë, shpesh llogaritet si të ishin dy vargje, dhe si rrjedhim numri i vargjeve në psalm rritet.