A do të marrë fund ndonjëherë varfëria?
A do të marrë fund ndonjëherë varfëria?
«JA, LOTËT e atyre që janë të shtypur, por që s’kishin asnjë ngushëllues; dhe fuqia ishte në anën e shtypësve të tyre, kështu që ata s’kishin asnjë ngushëllues»,—tha Solomoni, mbreti i mençur i Izraelit të lashtë. (Eklisiastiu 4:1, BR) Pa dyshim që shumë prej të shtypurve të cilët kishte në mendje ai ishin edhe të varfër.
Varfëria nuk mund të matet vetëm në para. Sipas të dhënave të siguruara nga Banka Botërore në qershor të vitit 2002, «është llogaritur se në vitin 1998, 1,2 miliardë njerëz në mbarë botën mbaheshin gjallë me më pak se 1 euro në ditë. . . dhe 2,8 miliardë mbijetonin me më pak se 2 euro në ditë». U vërejt që edhe pse këto shifra ishin më të ulëta se llogaritjet e mëparshme, «përsëri ato mbeten tepër të larta nga pikëpamja e vuajtjeve njerëzore».
A do të marrë fund ndonjëherë varfëria? Jezu Krishti u tha dishepujve: «Të varfrit i keni gjithmonë me vete.» (Gjoni 12:8) Por, a do të thotë kjo se varfëria dhe pasojat e saj të hidhura do të vazhdojnë përgjithmonë? Jo, pasi, ndonëse Jezui nuk u premtoi ithtarëve të tij se të gjithë do të bëheshin të pasur nga ana materiale, nga fjalët e tij nuk duhet të arrijmë në përfundimin që nuk ka shpresë për të varfrit.
Pavarësisht nga përpjekjet njerëzore dhe nga fakti se premtimet për t’i dhënë fund varfërisë shpesh kanë dështuar, Fjala e Perëndisë, Bibla, na siguron se së shpejti nuk do të ketë më njerëz në nevojë. Në të vërtetë Jezui ua shpalli «lajmin e mirë të varfërve». (Luka 4:18) Ky lajm i mirë përfshin premtimin se varfëria do të çrrënjoset. Kjo do të ndodhë kur Mbretëria e Perëndisë të sjellë kushte të mira në tokë.
Sa e ndryshme do të jetë bota atëherë! Mbretit qiellor Jezu Krisht «do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve». Në të vërtetë «ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna».—Psalmi 72:13, 14.
Për atë kohë Mikea 4:4 thotë: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit [Jehovait, BR] të ushtrive foli.» Mbretëria e Perëndisë do t’i zgjidhë të gjitha problemet që mundojnë njerëzimin, duke zhdukur madje edhe sëmundjet dhe vdekjen. Perëndia «do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë».—Isaia 25:8.
Mund t’u besoni këtyre premtimeve, sepse janë të frymëzuara nga vetë Perëndia. Pse të mos shqyrtoni dëshmitë që provojnë se profecitë e Biblës janë të besueshme?
[Burimi i figurës në faqen 32]
Fotografi e FAO-s/M. Marzot